Dje në Stamboll të Turqisë, përkatësisht Qendrën Kulturore të Maqedonisë së Veriut në këtë metropol botërore, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, prezantoi botimet e fundit të këtij klubi, duke iu përmbajtur të gjitha protokolleve lidhur me pandeminë.
Ngjarja u hap nga drejtori i Qendrës, Ramadan Ramadani, i cili theksoi rëndësinë e veprimtarisë së pandërprerë të këtij klubi në fushën e letërsisë për gati tri dekada.
Bartësi i projektit, Sevdail Demiri, foli për botimet e fundit të klubit, dhe në veçanti për përmbledhjen e poezisë kumanovare “Kulla jonë”, e cila promovimin e parë po e përjeton pikërisht në Stamboll.
Kryetari i klubit, Fatos Rushiti, u ndal në veprimtarinë e klubit, i cili përpos botimeve, shquhet edhe për nga kontinuiteti i “Takimeve Poetike të Karadakut”, dhe revistës “Doruntina”. Për botimet e tyre të fundit dhe rëndësinë e promovimit të tyre jashtë vendit, folën edhe autorët Sunaj Raimi dhe Selajdin Shabani.
Në promovim morën pjesë konsulli i Maqedonisë së Veriut, profesorë nga Universiteti i Stambollit, bashkatdhetarë tanë jetojnë në Turqi, etj. Ndërsa, promotorët ndanë mirënjohje për bashkëpunim, Ramadan Ramadanit – drejtor i QK në Stamboll, dhe gazetares Linda Guler – udhëheqëse e radios “Zëri i Shqiptarëve” në Turqi.
Të gjitha botimet e fundit të klubit, iu dhuruan Qendrës Kulturore të Maqedonisë së Verout në Stamboll, e cila së shpejti do të hapë edhe bibliotekën e saj. Projekti “Letërsia jonë në mesin e bashkatdhetarëve”, ishte pjesë e programit vjetor të projekteve të Ministrisë së Kulturës për vitin 2020. / KultPlus.com