Ishte 18 nëntori i vitit 1939 kur lindi poetja, prozatorja, eseistja dhe kritikja letrare kanadaeze, Margaret Atwood, shkruan KultPlus.
Në letërsinë botërore ajo tanimë është e njohur për romanet e saja të shumta, madje edhe për çmimet që ka rrëmbyer. Ajo është fituese e çmimit ‘’Arthur C. Clarce’’, çmimit ‘’Asturias’’ për letërsi dhe ka qenë finaliste për çmimin ‘’Man Booker’’, të cilin e ka fituar një herë.
“The Handmaid’s tale”, “The testaments”, ‘’Alias Grace’’, ‘’Oryx and Crake”, ‘’Cat’s Eye” janë disa prej titujve të prozës së saj mirëpo, ajo ka zënë emër në letërsi edhe për frymëzimet e saja poetike. Atwood është autore e 15 vëllimeve me poezi, shumica e të cilave janë të frymëzuara nga mitet dhe përrallat, të cilat e kanë interesuar atë që nga fëmijëria.
Në ditën e lindjes së saj, KultPlus ju sjell thënie nga Margaret Atwood:
Shpresoj se njerëzit më fund do ta kuptojnë se ekziston vetëm një “racë” – raca njerëzore – dhe se ne të gjithë jemi anëtarë të saj.
Kurrë nuk e kam kuptuar pse njerëzit e konsiderojnë rininë një kohë të lirisë dhe të gëzimit. Ndoshta mendojnë kështu ngaqë e kanë harruar rininë e tyre.
Mitet duhet përkthyer siç ishin në tokën e tyre të lashtë. Ne duhet vetëm t’ua gjejmë kuptimin në kohën tonë.
Arti popullor është ëndërra e shoqërisë; ai nuk e analizon veten.
Përgjigjet që merr nga letërsia varen nga pyetjet që shtroni.
Fillimi i nacionalizmit kultural kanadez nuk ishte “Unë jam vërtetë i shtypur?”, por “Unë jam vërtetë i mërzitshëm?”
Eskimezët kanë 52 emra për borën, sepse ajo është e rëndësishme për ta. Ne duhej të kishim po aq për dashurinë.
Historia e treguar në Odisea nuk mban më ujë. Janë tepër shumë gjëra që nuk qëndrojnë.
Mbi të gjitha është të refuzosh për të qenë viktimë.
Lufta është çfarë ndodh kur gjuha dështon.
Ne ende e mendojmë një burrë të fuqishëm si lider të lindur dhe një grua të fuqishme si një anomali.
Për të qenë shkrimtar njeriut i duhet një sasi e pamasë nervash. / KultPlus.com