Botohet vepra “Letërsitë përtej mureve” nga Osman Gashi

Libri “Letërsitë përtej mureve” (Studime në fushë të letërsisë së krahasuar) është një koleksion studimesh letrare të përkthyera nga Osman Gashi e të zgjedhura prej autorësh eminentë botërorë të shekullit XX. Vepra është botuar nga Pen Qendra e Kosovës, përcjell KultPlus.

Pjesa më e madhe e studimeve në thelbin e tyre janë të fokusuara në këndvështrimin krahasimtar përballë veprave, autorëve apo dukurive letrare dhe trajtojnë probleme që nga ato konceptuale, fundamentale e deri tek dukuritë përcjellëse, gjithnjë të lidhura me dijet, shkollat e konceptet bashkëkohore për letërsinë e artet përgjithësisht. Të tilla janë konceptet e çështjet si: letërsia nacionale, letërsia botërore, interliterariteti, intertekstualiteti, intermedialiteti, autoreferencialiteti, receptimi, imagologjia, çështjet e përkthimit etj.

Autori Osman Gashi ka bërë me dije se kjo vepër vjen si përthekim i një punë të gjatë ndër vite dhe gjithashte ka treguar qëllimin primar të kësaj vepre.

“Studimet janë përkthyer përgjatë më shumë se një decenieje deri sa kam mbajtur ligjërata në kurset e Letërsisë botërore e të Letërsisë së Krahasuar në nivelet BA, MA dhe PhD në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe janë përkthyer me qëllimin primar që t’u ofrohen studentëve, studiuesve e krijuesve letrarë shkrime relevante që do t’u ndihmonin në zgjerimin e njohurive të tyre mbi zhvillimet aktuale në studimet teorike, metodologjike e historike të letërsisë sot”, tregon profesori Gashi, teksa ka bërë me dije se ky libër në veçanti u kushtohet të gjithë atyre studentëve që në mënyra të ndryshme e në kohë të ndryshme kanë vendosur të merren me këtë fushë studimi në punimet e tyre shkollore apo në disertacionet e doktoratës si dhe të gjithë të tjerëve, hulumtues në fushë të letërsisë, të cilët në fokus i kanë letërsitë përballë njëra tjetrës, letërsinë shqipe në kontekstin evropian e më gjerë si dhe njohuritë mbi shkollat moderne të shkencës së letërsisë.

Edhe vetë titulli i librit “Letërsitë përtej mureve” konoton me definicionin themelor të Letërsisë së krahasuar të njërit nga prominentët e kësaj discipline, themeluesit të shkollës amerikane të komparatistikës Henry H. H. Remak (“literature without walls.”).

Autori Gashi beson shumë se libri do të plotësojë një zbrazëti në domenin e fondit të literaturës kritike bazë te ne dhe pa dyshim është në sfondin e kontekstit të asaj që kishte pohuar para më se dy shekujsh, zbuluesi i konceptit Weltliteratur Johan Wolfgang fon Goethe: “NJIH VETVETEN PËRMES TJETRIT”. / KultPlus.com

mde