Njëra ndër letrat më të bukura të dashurisë – Remarku i shkruan të dashurës

Mendoni se letra e vetme e bukur e dashurisë është ajo e Tatjanës drejtuar Onjeginit? Duhet të lexoni edhe letrën e shkrimtarit Erich Maria Remarque drejtuar të dashurës së tij, Marlene Dietrich, dhe me siguri do ta rimendoni edhe një herë se cila është më e bukura.

Ndjenjat e pastra dhe fjalët e bukura të Remark të emocionojnë, të depërtojnë në shpirt dhe të rrënqethin. Për më tepër, ju ftojmë ta lexoni letrën e tij :

“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që të kam thënë gjithmonë : shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata.

Ti më quan “Rezonancë që merr frymë” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? Ti arrin dhe ke atë aftësinë magjike që t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë e di, mund ta arrij atë në mënyrë të plotë.

Sa mirë ndjehem kur ti më thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë këtë kam uruar vazhdimisht për ty. Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur në formë vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë herë tjetër dhe dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu, në kilometra, dhe që ti ta dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty.

Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtet me një emocion të thellë : A s’është e vërtetë që fati po na bashkon? A nuk po na lidh ai përjetë? Nuk e di, ti je motra apo nusja ime? Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime. Ti ndjen tek unë dhe nerving më të hollë. Ti lexon çdo gjë në shikimin tim. Me gjakun tënd hyn në brendësinë time.

Hyn në gjakun tim të ngrohtë që rrjedh në deje dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd e që, me krahët e tua prej engjëlli, gjoksin tim shëron. Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu?

Nganjëherë më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndiej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund ta prishë atë. Në ato çaste ndiej të vij dikush drejt meje me hapa të lehtë dhe ajo je ti. Atëherë unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar. E, atëherë, ndiej që së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë  që lufta e dhunshme m’i mori dhe, ato vite je ti që vjen e m’i shumëzon me dy. E kështu ti bëhesh në të njëjtën kohë aventura dhe gruaja ime.

Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty. Nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonanca që unë ndiej e thith si ajër, por i tillë jam edhe unë. E di? Unë jam një pasqyrë konkave që kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd.

Herë të tjera më duket vetja si një merimangë që end një pëlhurë vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhurë mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jote, – e mbushur plot gjëra, të cilat ty të mungojnë.

O drita ime e dashur! E di? Nganjëherë unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. Në atë moment tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën më të rëndë gjendjen.

Por megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty. Pastaj ndiej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm.

Më pas, unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem aty tek vendi im në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin. Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndiej që dora s’po më bindet. Më duaj! Më thuaj që ti më do. Kjo fjalë më bën mirë, më shëron. Kur ti më thua që më do, unë gjej forcë e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse për dashurinë tënde.

Më duaj, puma” (e quante ai me përkëdheli Marlene Dietrich)! / KultPlus.com

Mes mërzisë, dashurisë dhe xhelozisë, letra e dashurisë e Dritëro Agollit drejtuar Sadijes

E dashur Sadije,

Donja të të shkruanja që mbrëmë, po e lashë për sot në mëngjez. Mëngjezi është kohë optimizmi. Pak njerëz ka që janë pesimistë mëngjezeve. Le të besojmë se kjo është edhe koha më e bukur për të shkruar letra dashurie. Letrën nuk ia shkruajmë njeriut për ta mërzitur, po për t’ia ngritur humorin e për ta bërë atë më jetëdashës. Ti mua, edhe kur ke qenë e zemëruar, më ke shkruar letra të mira, të ngrohta e plot dashuri. E duke bredhur me sy nëpër radhët e shkrimit tënd të afërt për mua, unë kam ndjerë se ti më do me tërë mënt. Unë i dua njerëzit që e thonë fjalën me zë të lartë e me plot gojën. Për herë të parë kam rilexuar kaq shumë një letrën tënde. E kam fjalën për letrën e fundit. Ajo më ka bërë të mendohem. Megjithëse në dukje ishte letër normale, atë e përshkonte një notë pak e ftohtë. Nuk dua të them që letrat artificialisht të dalin të ngrohta; ato duhet të shkruhen siç ndjehen. As kam kërkuar dhe as kërkoj që mezor nëpër dhëmbë të më betohen për dashurinë në çdo letër e frazë. Kurrë nuk kam qënë i përkëdhelur nga dashuriçkat dhe nuk kam dashur kurrë të përkëdhelem. Unë nuk jam si ca që fejohen e martohen vetëm për të fjetur me gruan, pasi ajo të ketë bërë punët e guzhinës. Për të patur një grua në krevat e për të ngrënë nga duart e saj një tas fasule apo çorbë, unë s’kam patur dhe s’kam kurrë nevojë.

Nejse, për ftohtësinë e letrës nuk të qortoj dhe s’dua me qortime t’u shëmbëllej meskinëve. Ti shkruaj si të duash dhe mendo si të duash për mua. Nuk dua vetëm që letrat të shkruhen sa për të kaluar radhën me sy gjysmë të mbyllur nga gjumi e me kokë të rënduar, as kur ke uri dhe e ke mëndjen atje. Natyrisht në këtë gjëndje nuk mund të dish si të përgjigjesh në ndonjë pyetje, e jo pyetje të dorës së dytë, po pyetjes kryesore të jetës.

Jeta ime këtej është e zakonshme . Është po ajo zyrë, po ai klub, po ajo shtëpi. Në dhomën time të mërzitshme janë po ato lule dhe peshq që ma kanë sjellë në majë të hundës. Do t’i nxjerr të gjitha jashtë- edhe lulet , edhe peshqit , edhe qilimin; do të mbaj vetëm librat dhe krevatin tim. Tani për tani nuk merrem me ndonjë punë të lodhëshme. Lexoj shumë dhe shkruaj pak. Megjithëse kam mjaft shokë dhe nga natyra jam optimist, e ndjej vehten çuditërisht të vetëmuar dhe me humor të keq. Dje kam pirë shumë konjak që në mëngjez dhe jam bërë tapë. U zura me njerëzit e shtëpisë dhe më thumboi një grerë në qafë. Aq më dhëmbi sa për pak më dolli pija. Tani që nuk të kam ty pranë nuk i vë rëndësi asgjëje: rri i parruar, i pahekurosur dhe me duar në xhepa. Kostumi s’ka ç’më duhet , e kam inat dhe nuk do ta qep .

Siç duket po fillon vjeshta. Në Tiranë është mirë nëpër kopshte. Të djelën mendoj të nisem vetëm në këmbë në mal të Dajtit, do fle në ndonjë fshat e do kthehem në mëngjez në Tiranë. Shtëpia më është mërzitur. Po të isha me lejë do të shkonja në ndonjë pyll në ndonjë kasolle rojtari. Sa keq që nuk mora sivjet lejë krijonjëse! Jam bërë pak qesharak apo jo ? Ti patjetër duhet të jesh e zemëruar me mua për ndonjë arësye. Edhe pse po i shkruaj këto radhë në mëngjez, kur njeriu është plot humor, letra ime më duket se ka dalë e rëndë. E kam grisur disa herë, po këtë radhë do të ta dërgoj. E prap së prapi kjo nuk ka të bëjë me kryesoren: ty unë vazhdoj të të dua më shumë e më thellë. Bile nga që të dua shumë kam filluar të bëhem xheloz. Të uroj ditëlindjen dhe të puth fort si më parë, bile akoma më fort .

Të shtunën më datën 19 shtator më prit  Nuk më durohet pa të parë.

Yti i mërzitëshmi  plangprishësi Dritëro

11.9. 64 / KultPlus.com

 

Zjarri dhe pasioni i një letre që Honore de Balzak i shkruante konteshës polake Ewelina Hanska

Zjarri dhe pasioni i një letre që Honore de Balzak i shkruante konteshës polake Ewelina Hanska, qershor 1835.

Jam aq i çmendur për ju e më shumë se kaq nuk mund të jem. Nuk të arrij të mendoj as dy gjëra të vetme, pa ju menduar edhe juve ngatërruar mes tyre.

Nuk arrij të mendoj asgjë tjetër veç jush. Megjithëse përpiqem të qëndroj, imagjinata më çon gjithnjë te ju. Ju përqafoj, ju puth, ju përkëdhel dhe mijëra përkëdhelje dashurie pushtojnë qenjen time.

Mund t’ju them se do jeni gjithnjë e pa diskutim në zemrën time. Brenda saj ju ndjej në një mënyrë kaq të këndshme. Por, Zot, ç’do të ndodhë me mua nëse ju më hiqni dashurinë tuaj, qëllimin e ekzistencës sime? Ky është mendimi më i tmerrshëm i vetmisë që më tmerron këtë mëngjes.

Ngrihem papritur duke i thënë vetes: “Do shkoj te ajo!” Por ulem përsëri i shtrënguar nga detyrimet që kam. Brenda meje kam një konflikt të frikshëm. Kjo nuk është jetë. Nuk jam ndjerë kurrë kështu. Më keni gllabëruar plotësisht.

Sa herë mendoj për ju ndjej një gëzim prej të çmenduri. Shoh e rishoh një ëndërr aq të bukur sikur në një moment të vetëm arrij të jetoj një mijë vjet. Ç’tmerr i vërtetë!

Pushtuar nga dashuria që më ka hyrë në çdo por, e duke jetuar vetëm për dashurinë, e shoh veten të konsumuar nga dhimbja e si të mbështjellë në një rrjetë merimange.

Eva ime e dashur, ju nuk e dinit. E mora letrën tuaj. E kam këtu para dhe po ju flas njësoj si t’ju kisha edhe ju këtu. Ju shoh njëlloj si dje, të bukur, çmendurisht të bukur!

Mbrëmë i përsërisja vetes pa pushim: Ajo është e imja! Ah! Nuk besoj se engjëjt në parajsë janë më të lumtur sesa isha unë dje! / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

“Ti ke fytyrën e nuses sime të ardhshme…!”, letra më e bukur e dashurisë që Agron Tufa ia dedikoi gruas së tij

Vanushja ime e shtrenjtë, është një orë e pazakontë për të shkruar dhe, akoma më e pazakontë, për të shkruar një letër për ty. Rëndom, me shtimin e fëmijëve dhe rritjen e tyre, vendin e dikurshëm të letrave tona e zunë mesazhet operative në celular – lista monokolonë porosish për tranguj, domate, karota, bukë, ilaçe, pije e ushqime të tjera – të vetmet “pusulla dashurie”. Ora po i afrohet katrës së mëngjesit. Bëra kontrollin e zakonshëm në dy dhomat ku flenë fëmijët tanë: si gjithmonë, jorgani ka shkarë ose e kanë hedhur mënjanë. Qesin shqelma përgjumësh ata… se s’bën… Tërë shtëpia jonë, me pikëzimet e buta shumëngjyrëshe të dritave zbukuruese të festave të fundvitit kundërmon gjumë të thellë dhe ëndrra. Konturet e orendive, edhe ato të tulatura në përgjumje, ngjajnë si ndoca magë të përralltë. Është bash ora kur shfaqen ëndrrat “profetike”.

Temperatura ka zbritur në 12 gradë. Por kam ndezur oxhakun tashmë. I pastruar nga hiri, brenda xhamit të oxhakut përpëliten e kacafyten gjela flakësh të vrullshme. Shpejt nxehtësia do të thithet nga dhomat ku flini ju, temperatura do të ngrihet, ndërsa unë do të ruaj zjarrin, ta mbaj gjallë, derisa fëmijët të ngrihen si të pirë nga gjumi, me sytë plot sklepa. Tani që po të shkruaj, jashtë po bie sërish dëbora që pati nisur në mbrëmje. E vetmja, e rralla, dëbora e sivjetshme, qe si një shpërblim bujar për fëmijët, që na luteshin, na përgjëroheshin t’i çojmë në Dibër (sidomos Shendi) këto ditë të zgjatura e të detyruara pushimesh. Nesër i nxjerrim sërish “të dehen” me bardhësinë e butë, përpara se ajo të shkrijë. Vanushe e dashur, Teksa vërtitem si një shaman mes “perandorisë” sonë të vogël, të përpirë nga gjumi, ndiej se sa vështirë do ta kemi, sa gjatë, dhe sesa varet ajo prej nesh. E qetë dhe e shqetë, gazmore e problematike, çlodhëse e acaruese, shpërblyese e sizifiane, kjo “perandoria” jonë e vogël na i përpin, në fakt, na i thith e i shteron energjitë tona çdo ditë, por ama, dashurisht, mallëngjyeshëm, “me pambuk”. Epo, me sa duket, zemër, kjo është Jeta, me gjasë, e zhveshur nga metafora e për të cilën, dëgjova mbrëmë nga një film të thuhet një frazë patetike e kuazifilozofike: “Jeta është luftë dhe varet se cilin ke zgjedhur në krah për ta përballuar”.

Me siguri, ti do të kishe prishur buzët me tallje, por unë po abstragoj nga forma për hir të thelbit të saj të vërtetë. Sa për meditim. Të kujtohen kohët e para të lidhjes sonë? S’kishim asgjë, përpos vetes tonë. Nga tarraca e kafe-restorant “Begeja” (ka qenë pranverë e vitit 2002), duke kundruar panoramën që hapej, me një pyll të lartë e të dendur pallatesh, të thashë: – A s’të vjen çudi, Vanush, që nga këto mijëra e mijëra pallate, në asnjërin prej sosh nuk ka një apartament tonin? Dhe përgjigjja jote: – …Po nga gjithë ky lumë i pandërprerë makinash, atje poshtë, s’të duket çudi, që asnjëra s’është e jona? Tani i kemi të gjitha këto dhe kjo habi nuk është më aktuale.

Tani, të zhytur kokë e këmbë në një realitet tjetër, merremi jo me artin e habisë, por të harmonizimit të situatave, artin e kontrollit të tyre, ruajtjen e ekuilibrit të njëri-tjetrit në rrethrrotullimin marramendës të ditëve të ngarkuara me kundërgoditje. …Si atëherë kur ty të kosit lodhja e shembesh në divan. Si atëherë kur të gjej pasmesnate në studio, me kokën e fjetur, rrëzuar mbi tastierë. Si atëherë kur të gjej të dëshpëruar e të pafuqishme nga shkumëzimi i panënshtrueshëm i fëmijëve në orën e tyre të marrëzisë. Na duhet të përsosim një art, kryesisht fashitës, zbutës, shtensionues midis egove të brishta e lehtësisht të cenueshme të fëmijëve tanë. Të vegjlit janë kokëngjeshur, të egër, bishëza të vogla, të dashura, acaruese, të dhembshura.

Na duhet, veç të tjerash, të shpikim, të përftojmë përvjedhtazi edhe romantikën tonë. Le të vazhdojmë t’i dërgojmë njëri-tjetrit mesazhe të fshehta: “Ke mundësi me u përvjedhë, pa rënë në sy, sa për një takim 10 minutësh në kafe, poshtë pallatit?”. Dhe sigurisht, për 10 minuta, perandoria jonë e vogël nuk kanoset të shembet nga kryengritjet e rebelimet e brendshme. Atje, midis tyre, e dimë, nuk e sosim dot deri në fund asnjë fjali nga ndërhyrjet e shumta. E ke menduar? Kjo ka ndikuar, me sa duket, në stilistikën e komunikimit në shtëpinë tonë: e ke vënë re që te ne flitet me fjali të shkurtra, njërrokëshe, imperative? Na duhet të sajojmë truke të reja…

Habitem, Vanush, si fluturuan kështu 15 vite të jetës sonë familjare. Më duket si të ishte dje. Sikur ende nuk e kemin filluar atë më të madhen, kulmin, të qenët i ngopur me ty… dhe ti je po aq e mrekullueshme, po aq e freskët, po aq e bukur dhe shpirtërore, sa në njohjen tonë të parë, kur unë nuk ngopesha duke të parë, derisa thashë atë frazën profetike: “Ti ke fytyrën e nuses sime të ardhshme…!” Me ty ia vlen, Vanushe… me ty i dilet mbanë kudo dhe kurdo.

Agron Tufa 11 janar 2017 / KultPlus.com

Letër dashurie nga Beethoveni: Mendimet e mia janë vetëm për ty, dashuria ime e përjetshme

Letra e mëposhtme është një nga tri letrat që u gjend në një sirtar të Ludwig van Beethovenit pas vdekjes së tij. Kjo letër nuk u dërgua kurrë dhe identiteti i gruas me të cilën kompozitori kishte rënë në dashuri mbetet ende sot i panjohur.

Letrën e përktheu Elona Caslli.

“7 korrik 1812
Në shtrat mendimet e mia janë vetëm për ty, dashuria ime e përjetshme; herë të lumtur, herë të trishtuar, në pritje që fati ta plotësojë dëshirën tonë . Mund të jetoj veçse me ty, me askënd tjetër… Po, kam vendosur të iki larg derisa të mundem të fluturoj në krahët e tu dhe të ndihem mirë pranë teje. Ta lë shpirtin tim, që mbështillet nga qenia jote, të hyjë në mbretërinë e shpirtrave. Kështu duhet të ndodhë… do të bindesh kur të njohësh besnikërinë time . Asnjë grua tjetër nuk mund ta pushtojë zemrën time, kurrë, kurrë, kurrë…

O Zot, pse duhet të më largosh nga një dashuri kaq e madhe? Jeta ime në Vjenë tani është e mjerë… Dashuria jote më ka bërë njeriun më të lumtur dhe më fatkeq në botë. Në moshën time, njeriu duhet të ketë një jetë monotone dhe të qetë, por a mund ta arrij këtë në gjendjen që jemi ne të dy?

Engjëlli im, tani sapo më thanë që posta punon çdo ditë dhe po e mbyll këtu që kjo letër të mbërrijë tek ty sa më shpejt…

Rri e qetë… Vetëm nëse arrijmë ta shohim kthjellët ekzistencën tonë mund t’ia dalim mbanë të jetojmë bashkë; rri e qetë; dashuromë në të tashmen; dashuromë në të shkuarën; sa nostalgji… sa dhembje për ty… për ty jeta ime… gjithçkaja ime…. lamtumirë… të lutem dashuromë dhe mos dysho kurrë tek zemra e të dashurit tënd besnik.

L.
Përjetësisht i yti.
Përjetësisht e imja.
Përjetësisht ne.”
/ KultPlus.com

Ndjenjat në letër – disa nga letrat më të bukura të dashurisë!

Kryeveprat më të mëdha letrare kanë pasur si protagoniste dashurinë. Lumenj ndjenjash janë derdhur, duke bërë të rrjedhin fjalë të paharrueshme. Njerëz të mëdhenj, artistë, shkencëtarë: “I gjithë universi i bindet dashurisë”.

Ja përse në vite, kujtohen për të tjera arritje dhe suksese, por nga sirtarët e jetës së Einstein, Johnny Cash, Beethoven, Winston Churchill dhe shumë të tjerëve, dalin edhe letrat e dashurisë që u kanë shkruar të dashurave të tyre.

Një sondazh në Angli ka zgjedhur më të bukurat, ku ndoshta mungojnë ato që mund të presim, shkruan revista class. I bën mirë zemrës megjithatë, të lexosh këto radhë për të rizbuluar dhe kuptuar që kjo ndjenjë, është kaq e thjeshtë për t’u provuar, kaq e thjeshtë për t’u shprehur.

1.Johnny Cash gruas së tij June Carter Cash (1994)

“U plakëm dhe u mësuam të rrimë bashkë. Mendojmë njëlloj. Komunikojmë me mendje. E dimë çfarë do tjetri pa qenë nevoja ta kërkojmë. Ndonjëherë njëri e nevrikos tjetrin.

Ndoshta ndonjëherë e marrim tjetrin të mirëqenë. Por herë pas here, si sot, mendoj për ne të dy dhe e kuptoj sa me fat jam që ndaj jetën me gruan më fantastike që kam takuar në jetë”.

2. Winston Churchill gruas Clementine Churchill (1935)

“E dashura ime Clemmie, në letrën që më dërgoje nga Madras kishe shkruar gjëra që për mua janë shumë të rëndësishme, që ta kisha bërë jetën më të bukur. Nuk mund ta them çfarë kënaqësie më dha kjo, sepse ndihem gjithmonë tmerrsisht në borxh me ty, nëse lejohet që në dashuri të bëhen të tilla llogari”.

3. John Keats i shpreh dashurinë Fanny Brawne (1819)

“Nuk mund të jetoj pa ty, harroj çdo gjë, por kur të shoh, jeta duket sikur ndalet, nuk shoh asgjë tjetër. Më ke përthithur”.
4. Ernest Hemingway, Marlene Dietrich (1951)

“Nuk arrij të përshkruaj sesi sa herë që të përqafoj, ndjehem në shtëpi”.


5. Napoleone Bobaparte, Josephine de Beauharnais (1796)

“Që kur të kam lënë, jam gjithmonë i trishtuar. Lumturia ime është pranë teje. Sjell gjithmonë në kujtesë përkëdheljet e tua, lotët e tu, ngrohtësinë tënde të dashur. Magjepsja e së pakrahasueshmes Josephine Kindle ndez një zjarr dhe një flakë të pashuar në zemrën time”.

6. Richard Burton, Elizabeth Taylor (1964)

“Sytë e mi të verbër presin dëshpërimisht të të shohin ty. Ti nuk e kupton, natyrisht , EB, sa e bukur dhe tërheqëse ke qenë gjithmonë dhe sesi ke fituar një vlerë më shumë mirësie të veçantë e të rrezikshme”.

7. Mbreti Enrico VIII, Anna Bolenas (1527)

“Po guxoj të të kërkoj të ma thuash prerë çfarë mendon për dashurinë tonë. Nevoja më shtrëngon ta di përgjigjen tënde, duke qenë që kam një vit që jam plagosur nga dashuria dhe ende nuk jam i sigurt nëse kam apo jo një vend në zemrën tënde”.

8. Dhembjet e dashurisë së Beethoven për “të dashurën e përhershme” (1812)

“Dhe pse jam në shtrat, mendja ime vjen tek ty, e dashura ime e pavdekshme, ji e qetë, më duaj, sot, dje, sa lot të derdhur për ty, ty, ty, jeta ime, gjithçkaja ime, lamtumirë. Oh vazhdo të më duash, mos e gjyko keq zemrën besnike të të dashurit tënd. Përjetësisht yti. Përjetësisht imja. Përjetësisht tanët”.

9. Gerald Ford i kujton dashurinë e tij bashkëshortes Betty pasi asaj iu diagnostikua një kancer në gjoks (1974)

“Nuk ka fjalë që mund të shprehin saktë dashurinë tonë të thellë, të thellë, e dimë sa e madhe je dhe ne, fëmijët dhe babai, do përpiqemi të jemi të fortë si ti. Besimi tek ty dhe te Zoti do na përkrahë. Dashuria jonë për ty është e përjetshme”.

10. Jimi Hendrix i thotë vogëlushes së tij të hapë krahët

“Lumturia është brenda teje”. Prandaj thyeji zinxhirët e zemrës dhe lëre veten të bëhet lulja që ti je. E di unë si: mjafton të hapësh krahët dhe vendosu në pozicionin e të qenit e lirë.  Filozofia,com / KultPlus.com

“Unë do të vdisja për fe, dashuria është feja ime”

Letra e John Keats për Fanny Brawne

Unë nuk mund të ekzistojë pa ty. Unë harroj gjithçka, veç të shoh ty, e jeta ime ndalon aty, nuk shkon më tutje. Këtë moment, e kam një ndjesi sikur, jam gjysmë. Unë tronditem sesi burrat vdesin për fe, unë vazhdoj të tronditem nga kjo gjë. Edhe unë do të vdisja për fe- Dashuria është feja ime, për dashurinë do të vdisja, për ty do të vdisja. Besimi im është dashuria dhe ti je parimi im. Ti më ke magjepsur me një fuqi, të cilës unë nuk mund t’i rezistoj.

13 tetor, 1819.

John Keats ka qenë një poet romancier anglez. Ishte figura më e rëndësishme e periudhës së romantizmit, së bashku me Lord Byron dhe Percy Bysshe Shelley. / KultPlus.com

Letra e dashurisë nga Honoré de Balzac për konteshën Evelina Haska


Honoré de Balzac për konteshën Evelina Haska (qershor, 1835)

Engjëlli im i dashur,

Unë jam gati i çmendur për ju, për aq sa dikush mund të jetë i çmendur: Unë nuk mund të sjell së bashku dy ide, pa u futur ju në mes. Tashmë, nuk mundem të mendoj më për asgjë veç jush. Me gjithë veten time, imagjinata ime më mbart mua tek ju. Unë ju shtrëngoj, ju puth e ju përkëdhel me një mijë përkujdesje. Sa për zemrën time, aty do të jeni gjithmonë. Kam një ndjesi të këndshme tuajën atje. Por, o Perëndia ime, çfarë bëhet me mua, nëse ju më keni privuar nga arsyeja ime? Kjo ide, më tmerron këtë mëngjes. Çdo moment, ngrihem dhe i them vetes: “Unë do të iki atje!”. Pastaj ulem përsëri, i shtyrë nga ndjenjat e detyrimeve të mia. Ka një konflikt të tmerrshëm. Kjo nuk është jetë. Unë kurrë më parë nuk kam qenë kështu. Ju keni përlarë gjithçka. Ndihem i pamend dhe i lumtur, sapo e lë veten të mendojë për ju. Vërdallosem në një ëndërr të këndshme, në të cilën në një çast të vetëm jetoj sa për një mijë vjet. Çfarë situate e tmerrshme! I mbuluar me dashuri, duke e ndjerë dashurinë në çdo pore, duke jetuar vetëm për dashurinë, dhe duke parë veten të konsumuar nga brengat e i kapur nga një mijë rrjeta merimangash. Oh, e dashura ime Eva, ju nuk e dini. Kapa letrën tuaj. Ajo është atje para meje, dhe bisedova me ju si të ishit këtu. Unë ju shoh, siç kam bërë dje, të bukur, befasisht të bukur. Dje, gjatë gjithë mbrëmjes, i thashë vetes: “Ajo është e imja!”. Ah! Engjëjt nuk janë aq të lumtur në parajsë, sa ç’isha unë dje! / KultPlus.com