Ka dalë nga shtypi libri më i ri i autorit Vehbi Miftari ‘Letra e identitete’ botuar nga ‘99aikd’, shkruan KultPlus.
Për këtë gjë nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka njoftuar vetë autori Miftari, i cili ka thënë se libri është rezultat i një kërkimi trevjeçar mbi raportin që letërsia e ka me identitetin.
“Në të është diskutuar me teoritë e kombformimit, duke u përqendruar kryesisht në teoritë etnosimboliste (atë të A. Smithit, para së gjithash), si dhe janë analizuar raportet që letërsia i ka me këto teori. Për këtë qëllim janë analizuar kryesisht tekstet e autorëve të vjetër shqiptarë (të humanistëve dhe të filobiblistëve), nga Marin Barleti te Pjetër Bogdani. Raportet e romantikëve me këto teori do të jenë objekt i një studimi të dytë mbi këto çështje”, thuhet në shkrimin e Vehbi Miftarit.
Letra e identitete e analizon ndikimin që letërsia e vjetër shqipe e ka pasur në krijimin e “përkatësive”: asaj gjuhësore, kombëtare, kulturore e historike, si përbashkësi vlerash, besimesh e sjelljesh. Në raport me të, pastaj, e heton ndikimin e përkundërt, pra rolin që kjo përbashkësi vlerash e besimesh (të artikuluara fillimisht si vetëdije kulturore) e kanë luajtur në zhvillimin e letërsisë, ose, së paku, të një fare të saj. Kësisoj, në librin tim nyja përkatësore (identitare) i përafron në një rrafsh studimi letërsinë e etninë, për të sprovuar se letërsia është mjet për krijimin e identiteteve në shoqëri dhe se jeton përhershëm e pashkëputur sojesh, sado që zhvillohet herë duke u pajtuar e herë duke u përplasur me të./ KultPlus.com