Letra e lamtumirës që Stefan Cvajg la para se të nisej në udhën pa kthim më 22 shkurt 1942

“Përshëndetje për të gjithë miqtë e mi! Le ta shohin akoma agimin pas natës së gjatë! Unë, tepër i paduruar, shkoj përpara tyre”

“Përpara se të ndahem nga jeta me vullnet të lirë dhe me mendje të kthjellët, shtyhem të përmbush një detyrë të fundit: të falënderoj nga zemra këtë vend të mrekullueshëm, Brazilin, që më dha mua dhe punës sime një pushim shumë të mirë e mikpritës. Nga dita në ditë kam mësuar ta dashuroj më shumë këtë vend dhe askund nuk do ta kisha rindërtuar më me dëshirë jetën nga e para, pasi për mua bota e gjuhës sime ka perënduar dhe atdheu im shpirtëror, Evropa, po shkatërron vetveten. Por pas gjashtëdhjetë vjetësh nevojiten forca të veçanta për të filluar edhe njëherë nga e para. Kurse forcat e mia janë dërrmuar nga vitet e gjata të shtegtimit nëpër botë. Kështu që më duket e drejtë ta mbyll në kohën e duhur dhe me një qëndrim të drejtë një jetë, për të cilën puna shpirtërore ka qenë gjithmonë gëzimi më i kulluar dhe liria personale, mirësia më e madhe e kësaj toke. Përshëndes të gjithë miqtë e mi! Uroj që ata të kenë fatin të shohin përskuqjen e agimit pas natës së gjatë! Unë, si shumë i paduruar që jam po u paraprij!”

Pas pesë vitesh ekzistence të shqetësuar në mërgim në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Latine, shkrimtari Stefan Cvajg mori jetën më 23 shkurt 1942 në shtëpinë e tij në Petrópolis afër Rio de Zhaneiros, së bashku me gruan e tij Lotte, me të cilën ishte martuar në 1939.

Në ditët më parë, Cvajgu i kishte zgjidhur punët e tij, kishte dërguar disa dorëshkrime përfundimtare dhe kishte shkruar udhëzime në lidhje me pasurinë e tij. Natën e 21 shkurtit, duke luajtur shah me botuesin e tij brazilian Abrahão Koogan në verandën e shtëpisë së tij, disa nga letrat e tij të lamtumirës ishin tashmë në rrugën e tyre për të afërmit dhe miqtë. Në këto letra, Cvajgu shpjegoi vendimin e tij për të kryer vetëvrasje: të gjitha shpresat e tij për një fund të shpejtë të luftës ishin zhdukur, ai kishte filluar të ndihej i vjetër dhe kishte humbur shtëpinë e tij intelektuale në Evropë. “Unë isha thjesht shumë i dobët për të mbajtur gjithë këto vuajtje”, i shkruan ai gruas së tij të parë Friderike , me të cilën qëndroi në kontakt të rregullt deri në fund.

Letra zyrtare e lamtumirës që Cvajgu la në tryezën e tij i drejtohej kryetarit të bashkisë së Petropolis. Në të ai shprehte falënderimet e tij për mikpritjen e vendit që i kishte lëshuar një vizë të përhershme autorit të arratisur nga Salzburgu.

“Stefan Cvajg ishte një njeri pa zemërim”, tha miku dhe kolegu i tij Franz Werfel në eulogjinë e tij. “Kjo është ajo që e bëri atë një nga të paktët pacifistë ende përreth. Për të lufta do të thoshte ferr në tokë…” / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Letra e lamtumirës që Kurt Cobain i la gruas dhe vajzës


Ish-solisti i grupit Nirvana i dha fund jetës së tij, në gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, në vitin 1994. Përpara aktit final, la një letër për bashkëshorten dhe vajzën.

“Po ju flas nga këndvështrimi i një njeriu të thjeshtë disi me përvojë, i cili do të preferonte të ishte një fëmijë. Kjo letër duhet të jetë mjaft e thjeshtë për t’u kuptuar. Të gjitha paralajmërimet bazë të shkollës që më janë bërë ndër vite, që në fillimet e mia, si etika e pavarësisë dhe komunitetit, kanë rezultuar të sakta. Nuk ndjej më emocione në dëgjimin e muzikës apo edhe në krijimin e saj.

Kjo më bën të ndihem tmerrësisht fajtor. Për shembull, kur jam në prapaskenë dhe dritat fiken dhe dëgjoj të bërtiturën e publikut që ngrihet me zë të lartë, nuk e ndjej atë që ndjeu Freddie Mercury, i cili u ndje i dehur nga turma, ai merrte energji prej saj. E kam admiruar gjithmonë dhe e kisha zili për këtë. Fakti është se nuk mund ta gënjej asnjërin prej jush. Thjesht nuk do të ishte e drejtë. Krimi më i madh që mund të bëj është që të pretendoj dhe të besoj se po argëtohem 100%. Ndonjëherë më duket se e bëj këtë krim sa herë që ngjitem në skenë. Unë kam provuar gjithçka që kam në dorë, kam Zotin dëshmitar, por kaq mundem.

Unë jam shumë i ndjeshëm. Më duhet të trullos veten për të rifituar entuziazmin që kisha kur isha fëmijë. Gjatë tre turneve tona të fundit kam qenë në gjendje të vlerësoj shumë më tepër njerëzit që kam njohur personalisht dhe fansat e muzikës sonë, por ende nuk mund ta kapërcej zhgënjimin, fajin dhe ndjeshmërinë që kam për të gjithë. Pse nuk argëtohem? Nuk e di. Unë kam një grua hyjnore me ambicie dhe ndjeshmëri, dhe një vajzë që më kujton kohën kur isha si ajo, plot dashuri dhe gëzim…

Të puth të gjithë njerëzit që takoj, sepse të gjithë janë të mirë dhe askush nuk mund të bëjë keq, kjo më tmerron deri në atë pikë sa humbas funksionet e mia jetësore. Nuk e duroj dot idenë që Frances të bëhet një rokere e mjerë, vetëshkatërruese si unë. Më ka shkuar mirë, shumë mirë gjatë këtyre viteve dhe jam mirënjohës, por jam rritur me urrejtje për njerëzimin që në moshën shtatë vjeçare. Faleminderit të gjithëve nga fundi i stomakut tim të djegur e të sëmurë, për letrat dhe mbështetjen që më keni dhënë ndër vite. Unë jam një fëmijë i paqëndrueshëm! Dhe nuk kam më asnjë emocion, dhe më besoni është më mirë të digjem shpejt sesa të zbehem ngadalë!

Paqe, dashuri, ndjeshmëri. Kurt Cobain!

Frances dhe Courtney, unë do ju mbroj nga lart!.

Të lutem Courtney, ji e fortë, për Frances.

Do të jeni më të lumtura pa mua.

Ju dua! Ju dua!”./ KultPlus.com