Për herë të parë pas 31 vitesh prezantohet letra origjinale e Nënës Terezë për Ramiz Alinë

Në Qendrën për Hapje edhe Dialog është çelur ekspozita në nderim të katërvjetorit të shenjtërimit të Shenjtës Terezë (5 shtator 2016). Tre letra origjinale të shenjtës Tereza për Ramiz Alinë, me fragmente në shqip, dhe një fotografi e rrallë gjatë vizitës në Shkodër ekspozohen për publikun

 “Unë ja kam dhan besën a shqiptarit Zotit me prue dashni and pagje mbi gjithë botën”. Me këto fjalë në gjuhën shqipe, shenjta Terezë do t’i drejtohej 31 vite më parë, në 29 tetorin e 1989-s, Presidentit të kohës, Ramiz Alia.

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog u prezantua sot për herë të parë në kuadër të 4-vjetorit të shenjtërimit të Shenjtës Terezë (5 shtator 2016 në Vatikan), letra e saj në origjinal e shkruar me disa fragmente në gjuhën amtare, nën praninë e kryeministrit Edi Rama dhe studiuesve të historisë dhe përfaqësuesve fetarë.

“Shenjta Tereza e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në gusht të 1989-s, e mbaj mend sesa shumë emocion, përzier me kuriozitet të madh, kishte zbarkimi i saj në Tiranë dhe pse mundësia për ta ndjekur pas në hapat e saj nuk është ajo që është sot. Të gjithë ishim krenarë dhe shumë të përfshire nga ajo vizitë”, thotë ndër të tjera kryeministri Edi Rama, teksa e cilëson si një sukses të qeverisë së tij nxjerrjen në dritë të kësaj letre që kishte 31 vite në Arkivin e Shtetit. 

“Letra e saj e tetorit të vitit 1989 ka qenë e papërpunuar në Arkivin e Shtetit. Përpunimi i arkivit të asaj kohe ka përfunduar vetëm në 2020-n. 30 vjet për të përpunuar një thesar informacioni, duke iu referuar dokumenteve autentikë. Nga këto letra, ajo e tetorit 1989 bëhet e ditur vetëm tani së fundmi. Dy letrat e tjera, njihen gjerësisht”, thotë më tej Rama gjatë hapjes së ekspozitës në COD.

Rama u ndal në procesin e rindërtimit, që siç tha ai, është një proces që u shërben asaj kategorie njerëzish për të cilët fliste edhe Nënë Tereza, ata që jetojnë në një anonimat dhe që keqpërdoren shpesh për të sulmuar, për të bërë audiencë, për të baltosur përpjekjet e mira që bëhen. Po për këtë proces, Rama rikujtoi fjalët e Shën Terezës: “Ndiz një qiri para se të mallkosh errësirën. Dua të kthehem pikërisht te ky thelb në funksion të asaj që sipas meje është një nga burimet më të mrekullueshme të frymëzimit për këdo që e ndjen nevojën për të lënë një gjurmë në rrugën e jetës së tij, në fjalët e saj kuptimplota: Në vend se të mallkosh errësirën më mirë ndiz një qiri. Dhe faktikisht është një fjalë që më jehon shpesh dhe sidoemos në momentet kur duket sikur të ndezësh një qiri, domethënë të bësh diçka, është pak në krahasim me shumëcka që duhet bërë, por në fakt është hap pas hapi, që shkohet drejt shumëçkaje dhe është e vetmja gjë me vend që mund të bësh në vend se të merresh me errësirën që pengon çuarjen përpara të atyre shkëndijave të dritës që pastaj krijojnë më shumë vend për dritën”, tha Rama.

“I tillë është dhe procesi rindërtimit që ne po bëjmë, ku çdo ditë po vendosim tulla, po ngremë mure shtëpish për njerëzit e prekur nga fatkeqësia e 26 nëntorit, dhe duke i parë nga afër, duke e prekur nga afër jetën e tyre sheh që në një pjesë jo të vogël janë ajo kategori njerëzish të cilëve iu referohej Nënë Tereza, ajo kategori që jetojnë në një anonimat larg asaj që zhvillohet përditë para syve të të gjithë atyre që kanë më shumë mundësi se ata, ajo kategori që keqpërdoret shpesh për të sulmuar, për të bërë audiencë, keqpërdoret për të baltosur përpjekjet e mira që bëhen, sado të pamjaftueshme qofshin ato”, shtoi Kryeministri. 

“Kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”, fjala e duhur për të përshkruar këtë përpjekje që synon që t’i kthejmë në shtëpi ata që patën fatkeqësinë të humbasin strehën në atë natë tragjike”, tha kreu i qeverisë.

Janë tri letra me kreun e shtetit shqiptar të asaj periudhe, që rrëfejnë dhembshurinë dhe dashurinë e Shenjtës Terezë për të varfëritë, por dhe për kombin pjesë e së cilit ishte. Shenjta Terezë e Kalkutës u lind në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Për herë të parë në gusht të vitit 1989 vizitoi Shqipërinë. Ndërsa, sot është gruaja më e shquar shqiptare edhe njihet në mbarë botën, si shembull i jashtëzakonshëm për misionin e saj të bamirësisë, ndaj më të varfërve të botës, pa dallim race, feje, kombësie dhe përkatësie shoqërore. Shenjta Terezë u shua në 5 shtator të vitit 1997.

Në Qendrën për Hapje edhe Dialog është ekspozuar dhe një fotografi e vizitës së Shën Terezës në vitin 1991 në Shkodër, e realizuar nga fotografi francez Michel Setboun. Ekspozita do të qëndrojë hapur në datë 5 shtator në COD nga ora 9. në orën 21.00. 

Letra e Nënë Terezës për Ramiz Alinë 
Fotografi e vizitës së Shën Terezës në vitin 1991 në Shkodër, e realizuar nga fotografi francez Michel Setboun.

/shqiptarja/ KultPlus.com