112 vite më parë u mblodh Kongresi i Elbasanit

112 vite më parë, nga data 2-9 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar, shkruan KultPlus.

Kongresi i Elbasanit hapi rrugën e shkollimit laik në trevat shqiptare, shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës dhe bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine.

Në këtë Kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu u punua për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si model të shqipes së shkruar.

Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut.

Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-ës, një shkollë e mesme pedagogjike (Normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.

Mësuesit e parë të normales do të pushtonin të gjitha trojet shqiptare, që nga zonat e thella malore, Kosova, Çamëria apo në çdo cep ku duhej përhapur gjuha amtare, pa të cilën një komb është i destinuar të zhduket. Normalja e Elbasanit mban titullin e lartë “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës.

Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshëm Lëvizjes Kombëtare e në mënyrë të veçantë luftës për përhapjen e shkollave dhe te shkrimit shqip. / KultPlus.com

Një foto e rrallë e veprimtares Parashqevi Qiriazi

Një foto e rrallë e Parashqevi Qiriazit (1880-1970), veprimtare e Lëvizjes Kombëtare, Mësuese e Popullit dhe një ndër figurat e rëndësishme për emancipimin e gruas shqiptare.

Më e vogla e fëmijëve, Parashqevia mësoi gjuhë të huaja që në fëmijëri dhe fliste shtatë të tilla. Pas diplomimit më 1904 në Kolegjin Amerikan për Vajza në Konstandinopojë, ajo u emërua gjatë viteve 1904-1905, drejtoreshë dhe mësuese e Shkollës së Vajzave, e para shkollë e tillë në Shqipëri. Më 1907-1908, Parashqevia ishte përkthyesja dhe mësuesja e gjuhës për misionarin Phineas B. Kennedy, i dërguari i Bordit Amerikan të Komisionerëve për Misionet e Huaj (American Board of Commissioners for Foreign Missions) me kërkesën e vetë Shkollës.

Më 1908 Parashqevia ishte e deleguara e Shkollës së Vajzave në ngjarjen historike të Kongresit të Manastirit, ku u caktua sekretare. Më 1909 shkroi Abetaren sipas alfabetit të ri shqiptar dhe u bë e njohur, së bashku me motrën e saj, për emancipimin e grave shqiptare dhe për rolin e saj kryesor në themelimin e shoqatës së parë të grave “Yll’ i Mëngjesit”, më 1912 në Korçë. Në vitin 1913 ajo përfundoi masterin për edukim në Kolegjin Oberlin në Ohio. Në tezën e masterit ajo hartoi një sistem arsimor kombëtar për Shqipërinë e sapoçliruar.

Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore, më 1914 Parashqevia iku në Bukuresht dhe pastaj më 1915 në Shtetet e Bashkuara. U vendos në Boston, ku ia kushtoi jetën çështjes së çlirimit të vendit të saj dhe emancipimit të grave, duke themeluar dhe botuar revistën shqiptaro-amerikane “Yll’ i mëngjesit” (1917-1920). Më 1919, ajo shkoi në Paris si e vetmja grua diplomate shqiptare në Konferencën e Paqes, ku përfaqësoi Partinë Kombëtare Shqiptare në Amerikë.

Në fillim të viteve 1920, Parashqevia kthehet në atdhe me kunatin dhe motrën, Kristo dhe Sevasti Qiriazi-Dakon, në mënyrë që të vazhdonte të punonte për edukimin e vajzave shqiptare. / KultPlus.com