Fotografi që nuk kanë humbur, nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar 20-të vite qëkur studentë e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram, një faqe e cila i ka sjellë ato duke kujtuar përvjetorin e kësaj ngjarjeje e cila nuk duhet harruar. / KultPlus.com

Me aktivitete do të shënohet 20 vjetori i Lëvizjes Studentore në Kosovë

Me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Lëvizjes Studentore në Kosovë, në Prishtinë vjen në fillim të tetorit një organizim që do të rikthejë kujtimet dhe idealet e asaj kohe.

Me datë 1 tetor duke filluar nga ora 20:00, në Kinemanë ABC në kryeqytet vjen shfaqja e filmit dokumentar kushtuar protestës së 1 Tetorit 1997 dhe Lëvizjes Studentore. Në ora 17:00 po të njëjtën ditë shënohet Akademia Solemne.

2 Tetor 2017

Ora 10:00 – Konferenca Shkencore “Lëvizja Studentore në Kosovë dhe Protesta e 1 Tetorit 1997”

Salla e Konferencave Nr. 14- Fakulteti Filozofik
Rr. Eqrem Çabej Nr. 21 – Prishtinë

3 Tetor 2017

Ora 18:00 – Ekspozita “ 1 Tetori përmes fotografive të kohës”

Muzeu Kombëtar i Republikës së Kosovës
Rr. Ibrahim Lutfiu – Prishtinë

Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi ishin në mesin e emrave që organizuan lëvizjen e vitit 1997 në Kosovë. Lëvizja Studentore ‘97 ishte një lëvizje joviolente studentore në Universitetin e Prishtinës, e cila filloi më 1 tetor 1997 dhe, duke aplikuar metodat aktive të një rezistence civile, theu status quon dhe të gjitha tabutë e deriatëhershme. / KultPlus.com