“Mos harro librin e pushimeve”, fushata e radhës për nxitjen e leximit

Autoritetet shqiptare kanë lansuar fushatën e radhës për nxitjen e leximit. Kësaj radhe, në fokus janë filloristët. Nisma më e re e ndërmarrë nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, “Mos harro librin e pushimeve” po angazhon brezin e ri në leximin e librave, si dhe po e bën këtë brez më solidar, kanë raportuar të hënën mediat shqiptare. Në Bibliotekën Kombëtare gjatë fundjavës fëmijët kanë dhuruar libra për shkollën e Kasallës, një fshat jo fort larg Tiranës, që dhe këta fëmijë të kenë mundësi të lexojnë personazhet e tyre të dashur gjatë pushimeve verore.

“Kënaqësi të shohësh fëmijët të kalojnë kohën e lirë duke lexuar, por edhe më e madhe kur i sheh tek bëhen solidarë me bashkëmoshatarët e tyre, që kanë më pak mundësi se ata. Në Bibliotekën Kombëtare, me fëmijët që dhuruan libra për shkollën e Kasallës dhe për të ndarë nismën: ‘Mos harro librin e pushimeve”, citohet të ketë thëne ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Sipas saj, edhe jashtë kryeqytetit shqiptar ka lexues të apasionuar, të cilët do të bëhen lexues të përhershëm në të ardhmen. Prandaj, sipas saj, edhe kjo nismë do të bëjë të mundur pasurimin me tituj të rinj për fëmijët jashtë kryeqytetit, ku të rinjtë të kalojnë kohën e lirë në mënyrë produktive edhe gjatë pushimeve verore, shkruan sot Koha Ditore.

Nisma të shumta për nxitjen e leximit kanë ndërmarrë institucionet e Shqipërisë vetëm gjatë këtij viti. Në fillim të 2019-s nisi aktivitetin, ajo që Ministria e Kulturës e Shqipërisë e quajti, “Lëvizja Kombëtare për Lexim”. Po atë kohë u zyrtarizua Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, e themeluar prej Qeverisë së Shqipërisë. Qëllimi i këtij institucioni është përmbushja e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. “Misioni i qendrës synon përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe atë botëror”, shkruhet në prezantimin e këtij institucioni qeveritar. Nisma të tilla në Shqipëri kanë nisur të fuqizohen duke parë se përditë e më shumë numri i lexuesve është më i pakët. Instituti i Statistikave në Shqipëri ka dhënë shifra alarmante sa i përket leximit. Sipas INSTAT-it, 1 milion banorë nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë një viti kalendarik. Por me gjithë këto nisma, është një vendim i fundvitit të kaluar që godet librin. Bëhet fjalë për tatimin prej 6 për qind ndaj librit të miratuar në dhjetor të vitit të 2018-s.. Ka vite që botuesit në Shqipëri, ashtu sikurse edhe në Kosovë, kërkojnë heqjen TVSh-së.

“Kemi ngritur një grup pune, edhe faktikisht jemi duke filluar disa biseda të tjera me Ministrinë e Ekonomisë, e edhe të Financës, sepse përtej dëshirës dhe mundësive tona kalon në disa hallka burokratike. Është një vendimmarrje që është marrë shumë kohë para se unë të nisja këtë detyrë, prandaj edhe unë kam vështirësitë e mia për t’u rifutur në një proces të mbyllur. Megjithatë, mendoj se ka ende mundësi për rishikime”, kishte thëne ministrja Margariti, më 22 prill, një ditë para se të shënohej Dita Botërore e Librit.

10 përfitimet më të mëdha nga leximi i përditshëm


  1. Mbron shëndetin mendor

Studimet kanë treguar se personat që lexojnë rregullisht çdo ditë dhe e mbajnë vëmendjen përditë aktive përmes leximit, kanë 2.5 herë më pak shanse për të zhvilluar sëmundjen nervore degjenerative të Alzhaimerit.

2. Redukton stresin

Një studim i bërë në “University of Sussec” në vitin 2009 ka treguar se leximi i përditshëm me vetëm 6 minuta redukton stresin me 68%, sepse gjatë kohës që lexohet diçka, lexuesi bëhet pjesë e një bote tjetër larg botës së vet, duke e hequr mendjen prej stresit të përditshëm.

3. Shton njohuritë e përgjithshme

Nuk është e thënë që duhet të lexoni materiale shkencore për të marrë informacione të shumta lidhur me tema të ndryshme. Edhe një roman tipik veror mund t’ju japë informacione për sjelljet e njerëzve, menaxhimin e situatave dhe të problemeve etj. Edhe këto janë njohuri.

4. Nxit empatinë

Në një studim me njerëz heteroseksualë që shpreheshin me urrejtje për homoseksualët, secili prej tyre do të paguhej, nëse do të përfundonte së lexuari një libër lidhur me jetën e një personi homoseksual. Ata do të paguheshin vetëm nëse do të diskutonin në fund rreth tij. Kur e përfunduan, shumica prej tyre ndryshuan komplet mendim lidhur me homoseksualët. Kjo tregon se duke lexuar mbi jetën e dikujt që ndodhet në kushte komplet ndryshe nga tonat, ne e vendosim veten tonë në vendin e tij dhe bëhemi më tepër empatikë.

5. Përmirëson fjalorin tonë

Çdo gjuhë është një mjet fantastik për t’u shprehur për veten tonë. Nëse ne lexojmë rregullisht, do ta përmirësojmë dhe pasurojmë fjalorin tonë. Duke e bërë këtë gjë, ne bëhemi më të aftë të shprehim ndjenjat dhe mendimet tona. Është vënë re në konferenca dhe takime të ndryshme që njerëzit, të cilët kanë një fjalor më të pasur dhe dinë të shprehen lirshëm, e fitojnë më lehtë pëlqimin e të tjerëve.

6. Përmirëson gjuhën e shkruar

Ky përfitim i yni shkon paralelisht me përmirësimin e fjalorit. Duke lexuar rregullisht përditë, ne bëhemi më të vëmendshëm edhe për gabimet që bëjmë në të shkruar. Me gabime në të shkruar nuk bëhet fjalë vetëm për shkrimin saktë të fjalëve, por edhe me vendosjen e saktë të presjeve, pikëçuditjeve, pikëpyetjeve etj.

7. Fiton aftësi të forta analizuese

Në një studim të bërë me dy grupe, njërin grup me lexues të rregullt dhe një tjetër që thonin se lexonin kur kishin ndonjëherë kohë, të dyve iu dha për t’u zgjidhur i njëjti mister. Ditën e parë u morën përgjigjet e tyre dhe nuk iu dha përgjigja e saktë. Pastaj iu la porosi ta mendonin dhe ta thoshin të plotë versionin e tyre ditën tjetër. Grupi që lexonte rregullisht, kishte fituar aftësi më të mira analizimi të misterit, krahasuar me grupin që lexonte “kur kishte kohë”.

8. Forcon kujtesën

Leximi i vazhdueshëm dhe i përditshëm i librave e mban trurin aktiv dhe e përmirëson kujtesën në mënyrë të shpejtë e të dukshme. Nëse je lexues i rregullt i librave, sipas studimeve të kryera në periudha të ndryshme, ti ke fituar aftësi tepër të forta për t’i mbajtur mend mirë gjërat.

9. Rrit përqendrimin

Duke qenë se rutina e secilit prej nesh është bërë më e ngarkuar për shkak të përdorimit kudo të teknologjisë, ne shpesh na shkëputet vëmendja jonë nga gjërat e rëndësishme që kemi. Nëse lexojmë rregullisht, kemi për ta vënë re se si do të përmirësohet përqendrimi ynë, edhe në kushtet e mbingarkesës në punë, në shoqëri, apo në shkollë.

10. Dhuron argëtim falas

A nuk është fantastike të ndihesh si i transportuar në një botë komplet ndryshe pa asnjë pagesë? Librat janë me vlerë dhe kanë një vlerë të caktuar monetare, por nuk është e thënë që duhet t’i blesh për t’i lexuar. Mundet edhe t’i huazosh në biblioteka, ose t’i lexosh online dhe të argëtohesh totalisht falas. /bota.al /KultPlus.com

Leximi duhet të jetë prioritet, e thotë edhe shkenca

Më shumë se 25% e amerikanëve të rritur e kanë pranuar se nuk e kanë lexuar as edhe një pjesë të vetme të një libri gjatë vitit të kaluar. Kështu thonë statistikat që vijnë nga ”Pew Research Center”.

Nëse jeni në mesin e atyre njerëzve që nuk lexojnë fare, atëherë më poshtë do t’ju sjellim shkencën që e mbështet idenë se leximi është gjëja më e mirë për ju në shumë aspekte të ndryshme.

Leximi i librave triller ju ndihmon të jeni më mendje hapur dhe më kreativë.

Sipas hulumtimeve të kryera nga Universiteti i Torontos, pjesëmarrësit e studimit të cilët kishin lexuar histori të shkurta fiktive kishin rezultuar të jenë shumë më mendje hapur sesa lexuesit e eseve.

Autorët kishin thënë se, përderisa leximi i libravejo triller u mundëson studentëve të mësojnë mbi një çështje të caktuar, mund të mos u ndihmojë gjithmonë të mendojnë rreth saj.

Personat që lexojnë libra jetojnë më gjatë.

Të paktën kështu thonë hulumtuesit e universitetit Yale të cilët kishin studiuar 3,635 persona më të vjetër se 50 vjeç dhe kishin zbuluar se ata që lexojnë libra 30 minuta në ditë jetojnë mesatarisht 23 muaj më gjatë sesa lexuesit e revistave ose se ata që nuk lexojnë fare.

Siç duket, praktika e leximit të librave krijon angazhim konjitiv që përmirëson shumë gjëra, përfshirë fjalorin, aftësitë e mendimit dhe përqendrimin. Gjithashtu ndikon edhe në inteligjencë emocionale, perceptim social, etj.

Leximi i 50 librave në vit është diçka që shumë lehtë arrihet. Ndonëse leximi i një libri në javë mund t’ju duket si e pamundur, faktikisht është diçka që shumë lehtë mund ta bëjnë edhe personat me agjendën më të ngarkuar. /a.a/ KultPlus.com

Ja pse leximi i bën mirë trurit

Librat na bëjnë të ëndërrojmë, na ndihmojnë të zhvillojmë imagjinatën. Në fakt, kjo është shumë romantike, por të lexuarit ka dhe efekte reale për mendjen. Një libër bën të ndodhin gjëra në trurin tonë.

Na ndihmon të bëhemi më emotivë, por mund të ndodhë dhe që të mendojmë se kemi përjetuar ndjenja dhe eksperienca që në fakt vetëm i kemi lexuar. E besoni? Ky është një studim i “Open Education Database”, që ka hartuar dhe një klasifikim të gjërave që ndodhin në mendjen tonë kur lexojmë një libër.

  1. Automatikisht ndezim vizualizime të momentit: Kur lexojmë një libër, edhe pse nuk e duam, truri ynë fotografon objektet dhe vendet e përshkruara. Kjo ndihmon për të krijuar një botë ekskluzivisht të realizuar në mendjen tonë. Sipas disa studimeve shkencore, është zbuluar se disa persona e njohim më shpejt një objekt nëse sapo kanë lexuar diku një përshkrim të tij.
  2. Të dëgjosh fjalët vë në punë trurin: Shpesh është thënë, sidomos për të vegjlit, që leximi me zë të lartë ka një rëndësi të madhe. Jemi mësuar të dëgjojmë narracione të llojeve të ndryshme dhe truri ynë është mësuar t’i imagjinojë informacionet.Pra, mendoni se sa funksionale mund të jetë ta dëgjosh një libër, në versionin audio, ose ta dëgjosh nga dikush që e lexon. Provojeni me fëmijët, do të dalloni menjëherë suksesin.
  3. T’i lexosh eksperiencat është ekuivalente me përjetimin: Keni provuar ndonjëherë që të jeni tërhequr nga historia e një libri, të jeni përfshirë tërësisht në eksperiencat e personazheve? Kjo ndodh në radhë të parë sepse libri ju pëlqen, por dhe se truri nuk e kupton se thjesht po lexoni një libër dhe kështu mendja juaj është njësoj sikur po i përjetoni realisht ato eksperienca. Mes jush dhe librit krijohet një sintoni e këndshme.
  4. Disa lloje leximesh e simulojnë më mirë trurin: Zakonisht lexoni për kënaqësi, apo për punë? Sipas studiuesve të “Stanford University”, lloje të ndryshme leximi e simulojnë më mirë trurin. Leximi letrar simulon më shumë funksionet konjiktive, ndërsa ai për kënaqësi shpërndan më mirë gjakun në disa zona të trurit.
  5. Të lexosh në gjuhë të huaj ndihmon trurin të rritet: Nuk keni njohuritë e duhura të anglishtes apo frëngjishtes? Mos u shqetësoni. Sforcohuni të lexoni librat në gjuhën origjinale. Kjo do ta ndihmojë trurin të rritet. Sipas studimeve të kryera mbi një grup studentësh, u zbulua se pas një leximi intensiv tremujor u dallua një përmirësim në hipokamp dhe në zonën cerebrale.
  6. Po me e-book çfarë ndodh? Nëse jeni mësuar të shfletoni libra kalimi te e-book mund të duket një hap epik. Në fillim nuk do të ndiheni rehat, por ekspertët sigurojnë se trurit do t’i duhen vetëm shtatë ditë për t’u përshtatur me metodën e re.
  7. Struktura e historisë na ndihmon të mendojmë më mirë: Çdo libër përbëhet nga tre pjesë, fillimi, zhvillimi dhe fundi. Kjo e ndihmon trurin të mendojë me sekuenca dhe të zhvillojë aftësinë e përqendrimit. Pikërisht për këtë, studiuesit sugjerojnë që fëmijët të futen sa më shpejt në botën e librave.
  8. Leximi ndryshon strukturën e trurit: Lexues lind apo bëhesh? Kjo është një pyetje të cilës ende nuk i është dhënë një përgjigje. Disa studiues kanë bërë një test për të kuptuar se çfarë efekti ka leximi në trurin tonë dhe dalluan se në 6 muaj program leximi materia e bardhë e trurit, në zonën e leximit, ishte rritur në mënyrë të dukshme.
  9. Të lexuarit na bën më emotivë: Të zhytesh në një histori, të shijosh aventurat e personazheve faqe pas faqeje na bën më emotivë edhe në jetën reale. Leximi me shumë endje na bën të provojmë emocione më të thella, si kur lexojmë një libër po ashtu dhe në jetë./botimeshqip /KultPlus.com

Përgatiti: Elona Qose

“Takohemi për një libër” në Parkun Arkeologjik të Orikut

Nisma e ndërmarrë nga Ministria e Kulturës ”Lëvizja Kombëtare e Leximit” po shkon pranë brezit të ri kudo, në çdo cep të vendit. Synimi është që çdo fëmijë kudo që të ndodhet duhet të njihet me librin për t’u bërë nesër një qytetar i denjë europian i kulturuar.

Aktivitetet dhe larmishmëria e tyre në kuadër të kësaj nisme po ndërthurin së bashku leximin dhe ambiente mjaft atraktive, ku të rinjtë lexojnë, siç janë vendet e trashëgimisë kulturore. Kjo pasi të rinjtë duhet të informohen me anë të librit dhe gjithashtu të njohin nga afër historinë e vendit të tyre.

Në kuadër të ”Lëvizja Kombëtare e Leximit” nxënës të shkollës të qytetit të Vlorës, lexuan dhe interpretuan tregime dhe poezi të autorëve të ndryshëm shqiptarë në Parkun Arkeologjik të Orikut.

Krahas leximit, nxënësit e kësaj shkolle u njohën dhe me të rejat e fundit të gërmimeve arkeologjike në këtë park./a.a/KultPlus.com


Kumbaro: T’u lexojmë fëmijëve një libër çdo natë për një Shqipëri të emancipuar

LKL shpall programin “Shttt jam duke lexuar” 15 minuta leximi në 10 shkolla të Tiranës.

Lëvizja Kombëtare për Lexim(LKL), nismë e Ministrisë së Kulturës, pas Kukësit, Tepelenës dhe Gjirokastrës, u ndal në Tiranë, me shfaqjen teatrale “Sekreti i Gishtos së Rritur”, dedikuar fëmijëve si frymëzim për të zgjedhur Librat – miq për gjithë jetën.

“T’u lexojmë fëmijëve një libër, çdo natë dhe këta ta fillojmë qysh herët në barkun e nënës. Prej disa kohësh kemi nisur lëvizjen kombëtar për lexim dhe duam që në të gjitha ditët e vitit të fillojnë të mësohen me idenë se libri do të jetë shoku i tyre më i mirë. E them si prind, si mësuese, si ministër, sepse dua shumë që në këtë nismë të na mbështesni të gjithë, pasi vetëm kështu mund të kemi një Shqipëri të emancipuar”- u shpreh Kumbaro në fjalën e saj.

Lëvizja Kombëtare për Lexim ka në fokus fëmijët nga 0-14 vjeç dhe edukimin e leximit që në fëmijëri. Ministria e Kulturës pas dy fushatave sensibilizuese Takohemi për një Libër, këtë vit do të pasurojë me libra për fëmijë, 12 biblioteka publike dhe 12 biblioteka shkollash në secilin qark të vendit.

“Nuk jam e vetme në këtë nismë, por së bashku me bashkëluftëtaren time, Lindita Nikolla, sepse, asnjë nuk ia del i vetëm nëse nuk bashkohemi të gjithë së bashku, prindër, mësues, shoqëri civile, media. Ju lutem media të nderuara, gjeni pak hapësirë në dritaren e ekranit, apo në portalet tuaja, shtoni diçka çdo ditë për librin dhe kulturën e leximit. Falenderoj njerëzit e skenës, janë të shumtë sonte këtu, ju lutem mendjet tuaja inteligjente, gojëtarinë vendoseni në shërbim të kësaj kulture të dashur, që nuk na tradhton kurrë, librin!”.

Lindita Nikolla tha se Ministria e Arsimit dhe Sportit, nga ana e saj do të pasurojë bibliotekat e shkollave qendër komunitare, në mbarë vendin, ndërsa në kuadër të Lëvizjes për Lexim, dy Ministret shpallën shkollën e parë Pilot, – shkolla Kosova në Tiranë, që do të nisë programin “Shttt jam duke lexuar” e ndjekur nga 10 shkolla të tjera të kryeqytetit, ku do të zbatohet 15 minuta lexim i detyruar, 1 ditë të javës. “Është një aksion mbarëkombëtar që shënon për sistemin tonë arsimor një komponent të rëndësishëm siç është marrëdhënia me librin dhe dijen që përcjell çdo fletë e lexuar libri”- u shprej Ministrja Nikolla.

Ardit Gjebrea, i pranishëm në këtë aktivitet, një nga mbështetësit e nismës së Ministrisë së Kulturës, “Takohemi për një libër” kërkoi ndjesë publike duke u shprehur se nuk lexon sa duhet, sidomos me Anën, vajzën e tij : “Është një inisiativë fantastike, sepse ne sot jemi të kontaminuar, jemi të rrethuar nga fenomene, pa dashur të vendos epitete, por janë të një shkalle rrezikshmërie nga të cilat duhet të mbrojmë veten dhe pastaj fëmijët tanë, libri është nga gjërat e shëndetshme që ne duhet ta bëjmë, prandaj duke filluar nga vetja, duhet ta pranoj, se nuk më pëlqen të gënjiej, them se nuk lexoj, me Anën sidomos, por duhet të lexojmë dhe t’u japim këtë kulturë fëmijëve tanë”.

Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Ministrja Kumbaro ka kërkuar të shpallet emergjenca e leximit, si një alarm që duhet të na shqetësojë dhe përbashkojë në kontribute të gjithëve. “Sekreti i Gishtos së rritur” erdhi në skenën e Teatrit të Kukullave, nën interpretimin e drejtorit të QKF-së, Erion Isai dhe 9 aktorëve të vegjël nga Qendra Kulturore e Fëmijëve në Tiranë, ku secili prej tyre vjen si personazh i dalë nga një libër dhe grish fëmijët që ta lexojnë./KultPlus.com

Pasqyrat me thirrjet për lexim synojnë ndërgjegjësimin për librin

Një pasqyrë e mjegulluar me mbishkrimin “Lexo për me pa”, një tjetër ku shihet reflektimi i personit që shikon në pasqyrën me mesazhin “A ishte kanë ti nëse kishe lexu?”, janë pjesë të instalacionit të shpërndarë në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe “Nënë Tereza” në kryeqytet. Qëllimi është promovimi i lexueshmërisë dhe ndërgjegjësimit social për të ndikimin që ka libri në formësimin e personalitetit të njeriut. Në këtë rast, pasqyra është përdorur si mjet për të ngritur pyetje filozofike rreth kësaj çështjeje.

Me këtë aktivitet të organizuar nga organizata ETEA – e themeluar me qëllim të edukimit publik nëpërmjet kultivimit të kulturës së leximit tek të rinjtë dhe përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë – njëherësh është shënuar edhe Dita Botërore e Filozofisë. Instalacioni është pjesë e projektit “Binliosapiens”, i cili mëton që të ngritë vetëdijen për rëndësinë e leximit. Në kuadër të këtij projekti hyjnë edhe aktivitete të tjera, të cilat tashmë janë duke u zhvilluar, siç është kampanja “BookAmbassadors”, “Teatri i Padukshëm” nëpër kafiteri të qytetit dhe sesioni me pyetje e përgjigje me shkrimtarë. Ky është një projekt që përkrahet nga Komuna e Prishtinës.

Kurti, koordinatorja e këtij projekti, ka bërë të ditur se me aktivitetet e tjera që tashmë kanë zënë vend, dhe ato që do të organizohen e ku përfshihet edhe kampanja online nëpër rrjete sociale, synojnë të arrihet te një audiencë më e gjerë.

Instalacioni me pasqyra e mesazhe i vendosur në shesh përveç se shënon Ditën Botërore të Filozofisë, ka edhe një qëllim më të gjerë. Dita Botërore e Filozofisë është shpallur nga UNESCO-ja për t’u shënuar të enjten e tretë të nëntorit, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Shtatë dobitë e pabesueshme të leximit

Leximi i jep trurit tuaj një “stërvitje” të ndryshme nga shikimi i televizorit ose dëgjimi i radios. Nëse jeni të zhytur në një libër shumë interesant, apo thjesht shfletoni një manual udhëzimi për makinën tuaj të kafesë, “pjesë të trurit që kanë evoluar për funksione të tjera – të tilla si shikimi, gjuha dhe të mësuarit asociativ – lidhen në një qark të caktuar nervor për leximin, gjë që është shumë sfiduese”, tha për revistën Oprah, profesor Ken Pugh, president dhe drejtor i studimit të Haskins Labs. Ky zakon e nxit trurin tuaj të mendojë dhe të përqëndrohet.

Leximi e mban trurin tuaj të ri në moshë

Zhytja në një libër të mirë mund të heqë shumë vite nga mendja juaj, sipas një studimi të kohëve të fundit nga Qendra Mjekësore e Universitetit Rush, siç raportohet nga “Prevention”. Të rriturit që kalojnë kohën e lirë me aktivitete krijuese ose intelektuale (si leximi) kishin një ritëm më të ngadaltë, prej 32 për qind, të rënies së aftësive njohëse në fundin e jetës, se sa ata që nuk e bënin.

“Sjelljet e zgjuara e bëjnë trurin më efikas duke ndryshuar strukturën e tij për të vazhduar funksionimin e duhur, pavarësisht nga neuropatologjitë e lidhura me moshën”, tha Robert S. Uilson, profesor i neuropsikologjisë në Qendrën Mjekësore të Universitetit Rush.

Një tjetër studim i kohëve të fundit zbuloi se të rriturit më të mëdhenj në moshë që lexojnë ose luajnë rregullisht lojëra mendore, si shahu apo gjëzat, janë dy herë e gjysmë më pak të prirur të zhvillojnë sëmundjen e Alzheimerit.

Leximi largon stresin

Nëse zhyteni në një libër të mirë ju ulni nivelet e hormoneve të stresit si kortizoli. Në një studim britanik, pjesëmarrësit u angazhuan në një aktivitet që provokonte ankth, dhe më pas ose lexonin për disa minuta, ose dëgjonin muzikë, ose luanin lojëra video. Nivelet e stresit të atyre që lexuan ranë 67 përqind, gjë që ishte një rënie më e madhe sesa ajo e grupeve të tjera.

Ju pasuron fjalorin

Edhe në qoftë se keni qenë dekada që s’jeni shqetësur për provimet, ju ende mund të përdorni libra për të zgjeruar fjalorin tuaj mendor. Në fakt, studiuesit vlerësojnë se ne mësojmë pesë deri në 15 përqind të të gjitha fjalëve që njohim përmes leximit, sipas një raporti skolastik. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët, madhësia e fjalorit të të cilëve është direkt dhe dramatikisht e lidhur me librat që lexojnë.

Kuptojmë më mirë të tjerët

Tregimet që lexojmë ofrojnë perspektivë që ndryshon jetën, thonë studiuesit e Universitetit të York-ut. Përfshirja në jetën e personazheve forcon aftësinë tuaj për të kuptuar ndjenjat e të tjerëve. Për shembull, duke e parë botën nëpërmjet syve të Jane Eyre, mund ta bëni më të lehtë që të lidheni me pikëpamjen e motrës suaj.

Inkurajon për objektivat që keni në jetë

Leximi për një personazh që kapërcen pengesat mund t’ju motivojë për të përmbushur qëllimet tuaja, sipas një zbulimi nga studiuesit e Universitetit Shtetëror të Ohajos. Nëse dëshironi një ngritje në pagë, ndjekja e një personazhi në zyrën e shefit mund t’ju japë guximin për të bërë të njëjtën kërkesë. Sa më shumë që identifikoheni me një personazh dhe përjetoni ngjarjet sikur po ndodhnin me ju, aq më shumë do të jeni në gjendje për të ndërmarrë veprime.

Ndihmon të ndjeheni më të lidhur

Kur identifikoheni me personazhe në një libër, përjetoni një lloj marrëdhënieje të vërtetë që mund të rrisë ndjenjën tuaj të përfshirjes, thonë psikologët në Universitetin e Buffalos. Me fjalë të tjera, leximi i Marley & Me mund të rrisë bashkëpunimin me pronarët e qenve në park.

Mund t’ju ndriçojë ditën

Një fund i lumtur ju ngre humorin, por romanet mund të na nxisin ndjenja pozitive edhe në mënyra më direkte. Edhe ngjarjet më të vogla në rrëfime mund të na zbulojnë kujtime të ngrohta. A merr pjesë personazhi kryesor në një barbeky në plazh? Me shumë gjasë do të kujtoni një festë ku ju keni marrë pjesë. /KultPlus.com

Si t’i inkurajoni fëmijët të lexojnë për kënaqësi

Nëse fëmija juaj zgjedh me dëshirë të bëjë punë shtëpie në vend që të lexojë një libër; nëse ju duhet t’i luteni gjithmonë të hapë një libër, qoftë për shkollë, qoftë për kënaqësi, është koha të merrni situatën vetë në dorë. Asnjë prind nuk di tamam se si të reagojë kur fëmija e tij e urren leximin dhe është akoma më e vështirë ta motivosh fëmijën që të lexojë, por nuk është e pamundur dhe mbi të gjitha është detyrë e prindit. Sfida më e madhe, për prindërit dhe mësuesit, nuk është thjesht t’i bindin fëmijët të lexojnë, por edhe ta shijojnë leximin. Me kalimin e moshës ulet motivimi për të lexuar në përgjithësi. Nëse njerëzit nuk e shijojnë leximin kur janë fëmijë, është e pamundur që një gjë e tillë të ndryshojë kur të rriten. Ndaj është e rëndësishme që fëmija të inkurajohet për të lexuar.

1. Kthejeni leximin në sfidë

Fëmijët i pëlqejnë sfidat, konkurset me njëri-tjetër. Një mundësi është që t’i nxisësh fëmijët të lexojnë një libër me zgjedhje duke përcaktuar edhe kohën si dhe vlerësimet respektive. Fëmijët nxiten kur mendojnë se do të shpërblehen, qoftë edhe me një përgëzim nga prindërit apo mësuesit. Një tjetër metodë e përdorur nga mësues të ndryshëm është nxitja e fëmijëve për të lexuar gjatë kohës së pushimeve. Fëmijët bëjnë fotografi të tyre duke lexuar në vende të ndryshme dhe fotot më interesante, me fillimin e shkollës, vendosen në muret e klasës.

2. Mbusheni dhomën e fëmijëve me libra

Fëmijët që kalojnë kohë në mjedise të mbushura me libra rriten me idenë se librat janë miq. Mbusheni dhomën e fëmijëve me libra. Me kalimin e kohës, edhe nëse ata nuk e pëlqejnë leximin, do t’i shohin librat si diçka më tepër sesa dekorim.

3. Jo vetëm libra

Bëjeni leximin pjesë të aktiviteteve të fëmijëve. Lejojini ata të lexojnë çdo gjë, nga menytë te tabelat rrugore te raportet mbi motin. Sigurohuni që fëmijët të kenë gjithmonë diçka për të lexuar në kohën e lirë, nuk është e thënë të jetë letërsi e mirëfilltë.

4. Lejoni të përdorin teknologjinë

Për shumë nga ne, asgjë nuk e zëvendëson librin fizik. Megjithatë, kohët kanë ndryshuar dhe brezat nuk mendojnë dhe veprojnë njëlloj. Lejojini fëmijët të lexojnë nëpërmjet tabletave, i-Pad- eve etj. Këto të fundit kanë edhe të mirat e tyre, pasi adaptohen për fëmijët me aftësi të kufizuara në shikim, shkruan botimeshqip.com

5. Lejojini të zgjedhin

Leximi për kënaqësi është një nga metodat për të pasur rezultate të mira në shkolla. Kështu që është shumë e rëndësishme që fëmijët të lexojnë ato që u pëlqejnë. Mos iu impononi fëmijëve! Sigurisht, është i domosdoshëm kontrolli i materialeve në varësi të moshës, por përveç kësaj, lejojini fëmijët të zgjedhin. Pikërisht këta fëmijë që zgjedhin nëse duan të lexojnë një roman, përralla, revista humoristike, poezi… janë ata që përfshihen më shumë në lexim.

Dobitë e leximit për shëndetin

Shumë lexojmë për qejf, por letërsia është më shumë se sa thjesht zbavitje. Shumë studime tregojnë për efektin shumë pozitiv të leximit mbi shëndetin mental.

Ashtu siç thotë edhe George R. R. Martin tek “A Dance of Dragons”: “Lexuesit i jetojnë njëqind jetë para se të vdesin, përderisa ata që kurrë nuk lexojnë, jetojnë vetëm njëherë”. Këtë thënie e duan shumë lexues sepse është e vërtetë: secili libër i ri është mundësi e re për ta parë jetën përmes syve të ndryshëm.

Doktori i psikologjisë, Joyce Billington shpjegon se si ky fenomen ndikon në shëndetin tonë mental: “Leximi mund të ofrojë modele më të pasura, më të gjera dhe më komplekse të përvojave, të cilat u mundësojnë njerëzve ta shohin jetën e tyre prej përspektivave të rifreskuara dhe me një kuptueshmëri të ripërtërirë”.

woman smiling and reading book

Ata që nuk lexojnë zakonisht i shohin gjërat vetëm nga njëra anë e tregimit: pika e tyre e shikimit dhe përspektivës mund të jetë e vetmja që ata e provojnë. Librat i zgjerojnë këto lente, të cilat mund ta çlirojnë stresin dhe pamjen universale të problemeve tuaja personale.

Ne të gjithë kalojmë përmes vështirësive të ngjashme dhe librat janë njëra ndër mënyrat për tu ballafaquar kokë më kokë me këto probleme.

Novelat i bëjnë thirrje imagjinatës tonë për tu hapuar për ide të reja: “Trilleri mund të na ndihmojë ta kuptojmë përvojën tonë shoqërore” thotë psikologu Keith Oatley, gjatë diskutimit për lidhjen mes psikologjisë dhe letërsisë.

Kjo edhe ishte vërtetuar nga një studim i cili ishte i fokusuar veçanërisht mbi ndjeshmërin dhe trillerin: “lexuesit e rregullt të trillereve përshkruese janë treguar më të mirë në dy teste të ndryshme të ndjeshmërisë”, për dallim prej atyre që nuk lexojnë. Të qenurit në gjendje për ti parë gjërat nga përspektiva të ndryshme, ju ndihmon të bëheni person më dashamirës.

Njerëzit zakonisht theksojnë se ata nuk kanë kohë për të lexuar, por madje edhe leximi vetëm fundjavave mund të ua sjell juve këto dobi. Në studimin e doktorin Billingto, thuhet se madje edhe ata që lexojnë vetëm nga gjysëm ore në javë, kanë treguar se ndihem më mirë me jetën e tyre.

Prandaj, merreni një libër dhe përmirësojeni shëndetin tuaj./filozofia.al

Të shërohesh me lexim, “Biblioterapia”, procesi që qetëson mendjen

Harrojeni jogën! Ka një terapi të re, e mbase edhe të vjetër njëkohësisht, që po gjen çdo ditë më shumë përdorim të gjerë në botë për qëllime terapeutike.

Quhet “Biblioterapi” dhe është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë të gjithë: të lexojmë!

Nuk ka nevojë për veshje të posaçme, për përgatitje, palestra, organizim të lodhshëm kohe. Librin e lexon kurdoqoftë.
Për herë të parë, “Biblioterapia” si term është përdorur në vitin 1916, në artikullin “Një klinikë letrare” të “Atlantic Monthly”.

Autori fliste aty për një institut “bibliopatik” të ndodhur në bodrumin e një kishe, e të drejtuar nga një person i quajtur Bagster, në të cilin leximi rekomandohej për vlerat shëruese, transmeton Top Channel.

“Biblioterapia është një shkencë e re”, thoshte Bagsteri. “Një libër, – arsyetonte ai, – mund të jetë stimulant ose sedativ, mund edhe të ngacmojë. Mund të jetë shurupi qetësues ose mustarda që djeg. Ai, me pak fjalë zgjon dhe përçon jetë të re në dejet tona”.

Sot “Biblioterapia” ka marrë forma të ndryshme, duke nisur nga kurset e literaturës në burgje, e deri te grupet e leximit për të moshuarit që vuajnë nga demenca. Ndonjëherë do të thotë seanca për ata që janë shkëputur prej kohësh e duan t’i rikthehen leximit, por mund të jetë mbase edhe më e thjeshtë sesa kaq.

Mjafton vetëm të uleni e të lexoni, për të mirën e mendjes dhe shëndetit tuaj. /KultPlus.com

Kosova ‘injoron’ Ditën e shkrim-leximit

Dita Ndërkombëtare për avancim të shkrim-leximit e cila shënohet çdo vit më 8 shtator ka për qëllim që të ngritë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar në lidhje me problemin e analfabetizmit i cili fatkeqësisht si proces është prezent në shumë shoqëri.

Iniciativa e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për avancim të shkrim-leximit rrjedh nga Konferenca botërore e ministrave të arsimit e organizuar në shtatorin e vitit 1965 në Tehranë e cila temë boshte kishte zhdukjen e analfabetizmit, ndërsa UNESCO si ditë ndërkombëtare e shënon nga viti 1966 me qëllim të promovimit të rëndësisë së arsimimit të fëmijëve dhe të rriturve.

Sipas të dhënave të UNESCO, rreth 775 milionë persona të rritur në planet nuk kanë as minimumin e nivelit të shkollimit, 1 në 5 persona të rritur janë analfabet nga të cilët 2/3 janë femra. Rreth 75 milionë fëmijë nuk vijojnë shkollimin, nuk ndjekin rregullisht shkollimin ose e kanë braktisur tërësisht atë. Në Kosovë, sipas regjistrimit të popullsisë 2011, janë evidentuar gjithësie 55001 persona që nuk dinë shkrim-lexim që përbënë 3.2% të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe 3.9% të grupmoshave mbi 10 vjet.

Arsimi në Kosovë nuk është i nivelit cilësor ku arsimi fillor ka pjesëmarrjen më të lartë sa i përket përgatitjes shkollore të popullsisë dhe përbën 38.2%, ai i mesëm 24.3% dhe ai i lart 9.3% (vetëm 0.8% me magjistratur- master dhe doktorata).

Shqetësuese janë edhe të dhënat nga braktisja e shkollimit dhe mos regjistrimi i nxënësve në shkollën e mesme duke e vështirësuar kështu edhe më tepër situatën sa i përket nivelit të shkollimit. / KultPlus.com