Shega shqiptare, Lezha feston me traditë shijen e frutit të kuq

Në Lezhë është rikthyer festa e shegës.

Si çdo vit tashmë në traditë, festa e shegës vjen me një panair në qendër të qytetit të Lezhës, transmeton klankosova.tv.

Aty prezantohet jo vetëm tradita e këtij qyteti, por edhe përfshirja e këtij fruti me gatime ku vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë.

Në panair pjesëmarrësit ekspozuan produkte të ndryshme, gatime tradicionale që kanë në përbërje shegën.

”Të gjitha ushqimet pothuajse e kanë përbërësin e shegës, siç kam përgatitur rizoton me lëngun e shegës, copëza ftoi e boronice”.

”Tani dihet që shega në Lezhë përdoret dhe përveçse konsumohet si frut, si lëng, unë tani kam menduar që ta sjellë edhe me pasta të freskëta”.

”Kemi sjellë në vend të shurupeve të huaj kemi kthyer shijen e shegës si oramatizues dhe shijet e kokteileve”.

Pjesë e panairit ishin edhe nxënës të shkollës profesionale.

”Kemi sjellë lakror dhe byrek nga zona jonë po ashtu edhe ravani që përfaqëson zonën tonë”.

Sipas tvklan.al, një aktivitet i tillë synon promovimin e këtij fruti.

”Sollën frutin e shegës të përpunuar në ushqime dhe gatime të ndryshme. Kishim në panair edhe trashëgiminë kulturore të cilat të gjitha së bashku shpalosen për t’i dhënë diçka ndryshe Lezhës”.

Festa e shegës është kthyer në traditë në Lezhë, pasi organizohet prej vitesh.

Plazhe, laguna, kulturë e kulinari, Xhani: 1.4 milionë turistë vizituan Lezhën

Lezha me bregdetin dhe lagunat e saj, sitet kulturore e historike, peizazhet mahnitëse tërheq pushues vendas dhe të huaj, trend që vijon në rritje prej vitesh tashmë.

Potencialin më të madh e ka turizmi bregdetar pasi plazhet e Lezhës, Shëngjini, Talja apo Rana e Hedhun frekuentohen masivisht.

Fluksi më i madh i turistëve regjistrohet gjatë sezonit veror, edhe pse Lezha ndërthur natyrshëm turizmin bregdetar me atë historik e natyror.

Janë rreth 1. 4 milionë turistë që e kanë vizituar Lezhën gjatë periudhës janar-tetor 2024, ndërsa kryesojnë sërish pushuesit nga Kosova me 75% të prenotimeve.

Edhe këtë vit pushuesit nga Kosova kanë zgjedhur Shëngjinin si destinacionin e tyre të preferuar për të kaluar pushimet me familjet.

Turistët e huaj, të cilët vijnë kryesisht nga Gjermania, Italia, Franca, Republika Çeke, Zvicra, Polonia dhe Ukraina zënë 20% të shifrës së përgjithshme, të ndjekur nga pushuesit nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë me 5%.

Statistikat u bënë të ditura nga Renaldo Xhani, drejtori i Turizmit dhe Kulturës në bashkinë e Lezhës, i cili në një intervistë për ATSH-në u ndal te arritjet e këtij sezoni turistik, por edhe sfidat me të cilat u përballën autoritetet vendore për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit.

Rreth 1.1 milionë turistë zgjodhën bregdetin e Lezhës 

Me rreth 38 kilometra vijë bregdetare, plazhet e Lezhës tashmë janë bërë destinacioni kryesor për pushuesit nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

Këtë sezon veror janë rreth 1.1 milionë turistë dhe vizitorë që i janë drejtuar plazheve të Lezhës.

“Nga raportet për muajin qershor dhe korrik rezultojnë 700 mijë turistë. Për muajin gusht rezultojnë 500 mijë turistë që përdorin strukturat akomoduese dhe janë rreth 100 mijë turistë ditorë që shfrytëzojnë plazhet qytetit të Lezhës. Përqindjen më të madhe e zënë shqiptarët e Kosovës me 75 % të prenotimeve, por është vënë re gjithnjë e më shumë një rritje e numrit të turistëve nga vende të ndryshme të botës, më së shumti nga Gjermania, Zvicra, Ҫekia, Italia, Maqedonia dhe nga Kanadaja e Amerika”, u shpreh Xhani për ATSH-në.

Bregdeti i Shëngjinit vijon të mbetet zgjedhja kryesore e turistëve, i kompletuar me një sërë shërbimesh, i ndjekur nga plazhi i Ranës së Hedhun.

Xhani theksoi se si rrjedhojë e rritjes së numrit të turistëve, por dhe rritjes së monitorimit të strukturave akomoduese nga bashkia Lezhë, janë rritur dhe të ardhurat nga vjelja e taksës së fjetjes me 30 % më shumë se vitin e kaluar.

Por, sipas tij, “ky nuk është rezultati përfundimtar pasi është akoma në proces vjelja e taksës së fjetjes dhe kjo do të vazhdojë deri në dhjetor 2024”.

Turizmi historik dhe ai kulinar, “magnete” për turistët e huaj

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Xhani theksoi se Kalaja e Lezhës në total ka pasur 5837 vizitorë nga janar i vitit 2024 deri në gusht 2024, duke sjellë një rritje prej 65 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, kur ka ka pasur rreth 4 mijë vizitorë.

Për sa i përket lëvizjes së turistëve në Zonat e Mbrojtura të Qarkut Lezhë, Xhani tha se për muajt maj – korrik në Kune u regjistruan gjithsej 3728 vizitorë, në Vain – Tale 4540 dhe në monumentin e natyrës Rana e Hedhun gjithsej 13 543.

Po ashtu në Memorialin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë pritur 17.270 vizitorë nga janar 2024 deri në gusht 2024.

Lezha vitet e fundit është bërë e njohur për gastronominë ideale, pra për gatimet e shijshme, shërbimin cilësor, çmime të arsyeshme që janë vlerësuar edhe nga turistët vendas dhe të huaj ku këtë vit ka pasur 250 mijë vizitorë.

Turizmi historiko-kulturor zë një pjesë të rëndësishme të turizmit ku merr një pjesë të konsiderueshme me rreth 30 mijë turistë.

Xhani bëri të ditur për ATSH-në se nga muaji shtator ka pasur po ashtu një rritje të konsiderueshme të turistëve të huaj të organizuara në ture nga agjenci turistike, të cilët kanë vizituar më shumë atraksionet historike dhe kulturore.

Harta e turistëve të huaj që kanë vizituar Memorialin e Skënderbeut gjatë muajit shtator është zgjeruar duke arritur në turistë nga 32 shtete.

“Gjatë muajit shtator, Muzeu Etnografik dhe Memoriali kanë pasur 2.149 vizitorë, të cilët vijnë nga shtete si Anglia, Spanja, Italia, Kosova, Belgjika, Franca, Gjermania, Holanda, Izraeli, SH.B.A, Poloni, Zvicra, Islanda, Hungaria, Austria, Australia, Kanada, Peru, Kina, Portugalia, Kroacia, Danimarka etj”, tha Xhani.

Interesi, sipas tij “ka qenë i lartë dhe për objektet religjioze si Kisha e Shën Eufemisë, Kisha e Shën Barbaras dhe Kisha e Shën Premtes”.

Xhani u ndal edhe te sfidat me të cilat janë ndeshur autoritetet vendore gjatë këtij sezoni veror, ndërsa veçoi si problematikë situatën nga zjarret.

“Problematikat që janë hasur gjatë muajit gusht kanë qenë të lidhura me zjarret masive që kanë rënë në malin e Shëngjinit, në afërsi të portit. Ndërhyrja e institucioneve përkatëse ishte e menjëhershme, duke marrë masat e nevojshme për t’i evakuuar pushuesit. Puna ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit, ku edhe është bërë e mundur shuarja e vatrave të zjarrit dhe rikthimi i normalitetit”, tha ai./atsh/KultPlus.com

Surpriza e Ermal Metës për fëmijët jetim në Lezhë

Nëse nuk do të ishte postuar një video në faqen e Mrizit të Zanave ndoshta nuk do të kishim marrë vesh për gjestin e madh të kantautorit shqiptar Ermal Meta.

Mbrëmjen e djeshme ai ka dhuruar pajisje muzikore për vajzat e mitura në institucionin e përkujdesit Shtëpia Rozalba.

Engjëj sikur Ermal Meta që ngrohin zemra sikur zemrat e @shtepia_rozalba , vajza të mitura që ndoshta nuk e kanë mundësinë ti kalojnë festat e fundvitit me familjen e tyre.

Ai djalë flori sapo dhuroi një kamion plot me vegla muzikore për të zbukuruar jetën këtyre zemrave Shqiptare

Faleminderit Ermal Meta, Ambasadorit Italian Fabrizio Bucci dhe zonjës së tij Carla, dhe uroj të marrin shembull VIPSAT Shqiptar!!”, shkruhet në postimin në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Sporte ujore për kthimin e lumit Drin në atraksion turistik në qytetin e Lezhës

Kthimi i lumit Drin në një atraksion turistik, përmes organizimit të sporteve ujore është nisma më e fundit e bashkisë Lezhë, e cila ka promovuar në vijimësi aktivitetet sportive.

Me iniciativën dhe kujdesin e veçantë të Drejtorisë së Sporteve dhe mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u zhvillua sot aktiviteti sportiv ”Gara me Kajak dhe Kanoa”.

Ky aktivitet ka si qëllim angazhimin e të rinjve në sport dhe integrimin e tyre në jetën sociale dhe kulturore të qytetit.

Përveçse i japin gjallëri qytetit, aktivitete të tilla shërbejnë edhe për të sensibilizuar të gjithë komunitetin që të merret me aktivitet fizik, si mundësi për të parandaluar një sërë sëmundjesh.

I pranishëm në këtë aktivitet, Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani vlerësoi se “hapat e ndërmarra nga Lezha janë pozitive”.

Gara me kajak dhe dragonboat shikohet si një mundësi e bukur për t’u aktivizuar në mënyrë masive me sport, si dhe për të nxitur turizmin.

Nga ky aktivitet u shpallën fitues 3 djem dhe 3 vajza të cilët u vlerësuan me certifikata vlerësimi. /Atsh /KultPlus.com

Lezha nuk ka muze: Historia strehohet në bodrum

Lezha është një ndër qytet më të lashta dhe me mjaft vlera historike, kulturore, arkeologjike dhe etnografike, por që shumë prej këtyre vlerave vazhdojnë të jenë të panjohura si për banorët e Qarkut të Lezhës, ashtu edhe për vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Kjo pasi shumë prej vlerave që mbart vazhdojnë të ekspozohen “bodrumeve” pa u vizituar nga askush, sepse mungon një Muze Historik Etnografik.

Paulin Zefi, Përgjegjës i Trashëgimisë Historike-Kulturore pranë Bashkisë së Lezhës shprehet se projekti është gati në pritje të miratimit dhe të financimit të tij.

Ndërkohë edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë dritë jeshile për ndërtimin e këtij muzeu ndërsa objektet do të vijojnë të jenë të mbyllura në ambientet e bibliotekës së Lezhës pa u vizituar nga askush./ top channel

Një kartolinë e vjetër nga Lezha (FOTO)

Kartolinat ndër vite kanë simbolizuar një mënyrë të veçantë të komunikimit. Ato rëndom kanë përbërë peizazhe të bukura dhe mbishkrime me kuptim, shkruan KultPlus.

KultPlus sot ju sjellë një kartolinë mjaft të veçanta nga qyteti i Lezhës, të postuar nga Micky Haxhiislami. Kartolina i takon vitit 1920 dhe në të shkruhet “Ktu gjindet rrasa shkrue me shkroia arit, ktu gjindet vorri i Skenderbeg shqyptarit”.

Lezha është një grishje e përhershme dhe një estetikë e gjallë e sendeve dhe qytetërimit iliro-shqiptar, një stacion diturak i mijëvjeçarëve dhe i kënaqësive të veçanta të banorëve dhe të udhëtareve. / KultPlus.com