Çfarë përfaqëson memoriali ‘Vendvarrimi i Skënderbeut’ në Lezhë

Memoriali “Vendvarrimi i Skënderbeut” në Lezhë është monument kulture i kategorisë së parë. Ndërsa kremtohet sot 580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës apo Kuvendit të Lezhës të mbajtur më 2 mars 1444, Memoriali përbën vendin kryesor të aktiviteteve.

Duke sjellë në mendje struktura me kolona të mermerta të cilat i dedikoheshin figurave të tjera të rëndësishme botërore, ky memorial, përfaqëson një objekt me vlera të shumta historike dhe arkitektonike për Shqipërinë.

Ai përfundoj së ndërtuari në vitin 1981.

I vendosur në një hapësirë të dukshme, sipërfaqja e Memorialit është rreth 225 m2 duke përfshirë brenda tij rrënojat e Katedrales së Shën Nikollit, mbi të cilën ai është ndërtuar. I ideuar nga skulptori Odhise Paskali dhe arkitekti Latif Lazimi, ky monument përfaqëson denjësisht madhështinë e Skënderbeut.

Mbi pllakën e mermertë të varrit, janë vendosur kopja e shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut, marrë nga ato origjinalet të cilat ruhen në Kunsthistorisches Museum të Vjenës. Muret e Katedrales së Shën Nikollit, të ndërtuara në shekullin e XIV-të, janë të dekoruara me 25 shpata dhe mburojën prej bronxi të Skënderbeut, të cilat tregojnë historinë e 25 betejave kryesore të heroit.

Skënderbeu vdiq në 17 janar të 1468-ës, dhe u varros në këtë vend, aty ku ai kishte themeluar “Besëlidhjen e Lezhës” në 2 mars të 1444-ës, me të cilën bashkoi principatat shqiptare kundër pushtimit osman./atsh/KultPlus.com

Një kartolinë e vjetër nga Lezha (FOTO)

Kartolinat ndër vite kanë simbolizuar një mënyrë të veçantë të komunikimit. Ato rëndom kanë përbërë peizazhe të bukura dhe mbishkrime me kuptim, shkruan KultPlus.

KultPlus sot ju sjellë një kartolinë mjaft të veçanta nga qyteti i Lezhës, të postuar nga Micky Haxhiislami. Kartolina i takon vitit 1920 dhe në të shkruhet “Ktu gjindet rrasa shkrue me shkroia arit, ktu gjindet vorri i Skenderbeg shqyptarit”.

Lezha është një grishje e përhershme dhe një estetikë e gjallë e sendeve dhe qytetërimit iliro-shqiptar, një stacion diturak i mijëvjeçarëve dhe i kënaqësive të veçanta të banorëve dhe të udhëtareve. / KultPlus.com

“Mrizi i Zanave” shton në listë recetën e Ervisit, djalit punëtor me aftësi të veçanta (VIDEO)

“Mrizi i Zanave”, një prej restoranteve më mahnitëse shqiptare i cili gjendet në Fishtë të Lezhës, vazhdon të mrekullojë vizitorët me gatimet e tyre origjinale dhe mikpritjen e ngrohtë, por mbi të gjithë me organizimet dhe shembullin që japin në çdo aspekt, shkruan KultPlus.

Tek “Mrizi i Zanave”, i cili ka marrë emrin e veprës poetike të Gjergj Fishtës, ju mund të shijoni kuzhinën tradicionale me produkte ekskluzivisht të zonës.

Receta e domateve të thata është më e reja që i është shtuar menysë dhe për të përgatitur këtë recetë speciale është punësuar Ervisi, një djalë shumë punëtor me aftësi të veçanta.

“Receta e domateve të thata nga @ervisi.prenga, megjithëse me aftësi të ndryshe është një bashkëpunëtor shumë i vyer tek ne. Faleminderit Ervis”, ka shkruar Altin Prenga, pronar i Mrizit të Zanave.

Për të ju njohur më mirë me këtë recetë, është publikuar edhe një video ku Ervisi tregon se si i përgatit domatet e thata. / KultPlus.com

Surpriza e Ermal Metës për fëmijët jetim në Lezhë

Nëse nuk do të ishte postuar një video në faqen e Mrizit të Zanave ndoshta nuk do të kishim marrë vesh për gjestin e madh të kantautorit shqiptar Ermal Meta.

Mbrëmjen e djeshme ai ka dhuruar pajisje muzikore për vajzat e mitura në institucionin e përkujdesit Shtëpia Rozalba.

Engjëj sikur Ermal Meta që ngrohin zemra sikur zemrat e @shtepia_rozalba , vajza të mitura që ndoshta nuk e kanë mundësinë ti kalojnë festat e fundvitit me familjen e tyre.

Ai djalë flori sapo dhuroi një kamion plot me vegla muzikore për të zbukuruar jetën këtyre zemrave Shqiptare

Faleminderit Ermal Meta, Ambasadorit Italian Fabrizio Bucci dhe zonjës së tij Carla, dhe uroj të marrin shembull VIPSAT Shqiptar!!”, shkruhet në postimin në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Jusuf Buxhovi përuron veprat në Lezhë te vend-varrimi i heroit kombëtar, Skënderbeut

“Kosova – histori e shkurtër”, “Maqedonia” dhe “Dardania” si dhe romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, këtë të shtunë do të përurohen në Lezhë, shkruan KultPlus.

Përurimi do të bëhet pikërisht te vend-varrimi i heroit kombëtar, Gjergj Kastriot – Skënderbeu, aty ku heroi ynë kombëtar riktheu shtetin shqiptar në histori, bashkë me ndërgjegjen kombëtare që ushqeu aspiratat për çlirim kundër pushtuesve shekullorë.

Historiani Jusuf Buxhovi është shprehur i nderuar për këtë përurim, duke theksuar që do të ketë një bashkëbisedim me artdashësit lezhianë për letërsinë dhe historiografinë, me theks te veçantë për veprat në fjalë. / KultPlus.com

Njihuni me 8-vjeçarin që interpreton përmendësh mijëra vargje të Gjergj Fishtës ( VIDEO)

Nikoll Prendi është ‘ fëmija- gjeni’ nga fshati Balldre i Lezhës i cili ka aftësi të jashtëzakonshme.

Vogëlushi 8-vjeçar arrin të recitojë mijëra vargje të At Gjergj Fishtës, pa ndaluar aspak.

Në një intervistë në ‘Rreze Dielli’ Nikolla tregoi se kur u njoh për herë të parë me vargjet e Fishtës, të cilat i pëlqyen aq shumë sa i mësoi përmendësh.

’ Kur kam qenë katër vjeç pash në televizor xhaxhin Agim Doçi, po recitonte një poezi të At Gjergj Fishtës. Unë e pëlqeva shumë dhe kur hyra në klasë të parë që mësova alfabetin, i thashë babit të më blente të gjitha librat e At Gjergj Fishtës dhe e mësova ‘’ tha ai.

‘’ Më pëlqen se gjërat që i ka thënë ai në atë kohë po ndodhin edhe sot’’ u shpreh 8-vjeçari ndër të tjera.

Së fundmi ai është vlerësuar edhe nga ministria e kulturës me çmimin ‘’ Për dhunti të jashtëzakonshme në rrëfimin e vargjeve të poetit kombëtar At Gjergj Fishta’./shqiptarja/ KultPlus.com

Nis edicioni i XI i “Festivalit Folklorik” në Lezhë

Në qytetin e Lezhës është duke u zhvilluar edicioni i XI i “Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtarë i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë”.

Ky aktivitet, po zhvillohet në ambientet e Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Memorialit të vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Aktiviteti ka nisur dje më data 9 nëntor në orën 18:00, dhe do të vijoi edhe sot më 10 nëntor ora 18:00. Ky edicion i kushtohet rapsodisë dhe lojës me vegla popullore muzikore.

Edicioni i XI organizohet nga Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale dhe Bashkia Lezhë.

Aktiviteti po zhvillohet duke respektuar masat anti-covid.

“Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë” është e vetmja veprimtari e cila i kushtohet tërësisht muzikës së bartësve dhe rapsodëve tanë, që interpretojnë duke kënduar me lahutë, lahuri, çifteli apo shkarki.

Takimi i parë i këtij aktiviteti kulturor u organizua në Lezhë në vitin 1995 për të vijuar traditën në çdo vit me këtë veprimtari folklorike. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike është institucion shtetëror qendror, i specializuar, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ky institucion e trajton trashëgiminë jo materiale shpirtërore folklorike si pasuri kombëtare që ruhet e zhvillohet në trojet shqiptare, por edhe jashtë kufijve shtetërorë si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi e Diasporë.

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike (QKVF) trajton si pasuri kombëtare të gjitha ato vlera të krijuara nga pakicat kombëtare e linguistike në Shqipëri dhe i propagandon ato në veprimtaritë e organizuara prej saj dhe ato në bashkëpunim me të tretët. QKVF me veprimtarinë e saj punon për evidentimin, mbrojtjen, popullarizimin dhe promovimin e trashëgimisë jomateriale. Organizon seminare, tryeza të rrumbullakëta, takime pune në marrëveshje me institucione të tjera kulturoro-artistike, shoqata kulturore si dhe grupe private që merren me artin dhe kultivimin e trashëgimisë jomateriale./ KultPlus.com

Fshati Ungrej, një destinacion turistik për t’u zbuluar në Lezhë (FOTO)

Ungrej është një zonë shumë pak e njohur, por mjaft interesante për t’u eksploruar në Lezhë.

Natyra ka krijuar në Ungrej të Lezhës një ansambël vlerash natyrore, kulturore e historike që po kthehen një një destinacion të turizmit malor. Rruga gjarpëruese drejt majës së Kreshtës nuk mund të lihet jashtë vëmendjes, pasi ballkoni i saj thuajse në krye të rrugës jep një panoramë drejt Kallmetit dhe gjithë fushës së Zadrimës.

Tani rrugëtimi është i orientuar nëpërmjet disa tabelave ekologjike të vendosura nga Zyra e Turizmit në Bashkinë e Lezhës. Kjo është një fazë fillestare, pasi po vijohet me sinjalistikën orientuese drejt shtigjeve për t’i dhënë sa më shumë siguri vizitorëve. Këto tabela tregojnë për destinacionet historike dhe kulturore, ndërsa vendosja e shigjetave që tregojnë rrugën po vijon pasi po hartohen edhe shtigjet që përshkojnë thuajse të gjithë zonën dhe çdo vlerë të saj.

Zona e Ungrejit shtrihet në një pjesë të sheshtë ku bashkohen disa lugina të përrenjve malorë, njëri prej të cilëve është edhe përroi i Ungrejit. Nga bregdeti i Shëngjinit dhe deri në Ungrej udhëtimi zgjat rreth 50 minuta duke kaluar nga një zonë e ngrohtë në një klimë më të freskët dhe mjaft atraktive. Ky udhëtim kalon përmes fshatit Kallmet që në vetvete është një tjetër destinacion i turizmit kulturor.12 nga 15  

Në anën e djadhtë të rrugës hyrëse në një faqe shpati ndodhet një pyll me gështenja, një aset për banorët e zonës.

Në afërsi të zonës së Kalurës gjendet bima e Bushit (busus sempers virens). Megjithëse është shkurre, ka një dru të ngjeshur shumë me ngjyrë të verdhë në të bardhë dhe është përdorur për punime druri artistike, llullat, pipat, krehërat për flokë, lugë për kuzhine, bosht për të tjerr lesh etj. Duke qenë luginë karateristike ka favorizuar zhvillimin e drurit të arrës e lajthizës. Janë kultivarët autoktone si gushtaku që bëhen për periudha të shkurtra.

Banorët kanë nisur të rikthehen këtyre anëve. Shtëpitë e tyre karakteristike në formën e kullave janë mjaft interesante dhe gjenden thuajse në të gjithë rrugëtimin për të eksploruar këtë zonë turistike malore.1 nga 15  

Në kodrën e Sukaxhisë në fshatin Ungrej është vendi ku ka qënë kisha dhe qela e priftit. Pyjet e Planës në fshatin Kalivaç, fushat e Mdhona (e mëdha), pyjet e fshatit Zimaj, kroi i Lugjeve apo kroi Ballas janë bukuri natyrore që duhen eksploruar, ndërsa duke vijuar më tej shkohet drejt bjeshkës.

Zona ka dhe pasuri kulturore e historike qindravjeçare që tregon për ekzistencën e hershme të kësaj zone.

Kështjella e Kastrit në majën e Komlikut, mbi Fregen gjenden gjurmët e një objekti të lashtë vrojtimi. Nëse udhëtimi juaj përkon me festën e zonës Shen Mëhilli apo darkën e djathit në dhjetëditëshin e fundit të gushtit, atëherë përgatituni sepse do të jeni miqtë e tryezës së tyre të bollshme me prodhime lokale.1 nga 15  

Gatimet janë tipike të zonës dhe sipas mënyrës së tyre, por janë gjithmonë me produkte lokale nga kopshti që kanë pranë shtëpisë.

Frutat e stinës do të kenë një shije të veçantë. Ato janë të shumëllojshëm por gjithmonë me vlera ushqyese të larta, kjo edhe për shkak se ato rriten në natyrë pa trajtime me elementë të jashtëm, ndaj mos u shqetësoni asnjëherë për sigurinë e tyre ushqimore.

Për t’u vizituar: 

1. Kisha, në Kalivaç
2. Kështjella e Kastrit
3. Tumat në qendër të Kalivaçit
4. Lagjja “Kodër” e Kalivaçit;
5. Suka e Kastrës, në Kalivaç;
6. Kulla e Përgjonve, në Kalivaç;
7. Masivi pyjor ndërmjet Kalivaçit dhe Zimajve;
8. Hurdha e Mushkut, Kalivaç;
9. Mullini i Preng Markut, Kalivaç;
10. Kulla e Dodë Zefit, Kaftall;
11. Kulla e Pjetër Marka Ndrec Pjetrit, Kaftall;
12. Kulla e Ndue Gjin Picës, Gjobardhaj;
13. Kulla e Përpalajve, Gjobardhaj;
14. Kulla e Preng Zef Nikollit, Gjobardhaj;
15. Hurdha e Valanecës, Gjobardhaj;
16. Qela e Kashnjetit;
17. Pylli i Kishës, Kashnjet;
18. Kulla e Gjon Preng Kolës, Kashnjet;
19. Rezervuari i Kashnjetit:
20. Kodra e Fizve, Sukaxhi;
21. Kroi i Kuçajve, Sukaxhi;
22. Masivi pyjor i Qafës së Pazarit;
23. Kulla e Kolushëve, në Ungrej;
24. Qela në Ungrej;
25. Kulla e Marka Preng Dodës, në Ungrej;
26. Kulla e Gjin Lushit në Rras (Vomë);
27. Kulla e Ndue Zef Dedës, Rras (Zimaj);
28. Tumat Ilire në Kaluer;
29. Kulla e Marka Kolë Simonit /ATSH /KultPlus.com

Natyrë, histori dhe traditë, markohen shtigjet turistike në malin e Rrencit në Lezhë

Pushuesit dhe vizitorët që do të zgjedhin këtë verë Lezhën do të kenë mundësi të eksplorojnë lehtësisht edhe malin e Rrencit.

Një shteg mjaft interesant përshkon kurrizin malor të një zone që më parë ka qenë e banuar duke shijuar pamjet e mrekullueshme që natyra ka krijuar në këtë zonë, historinë, kulturën dhe panoramën e bukur që e shoqëron këtë udhëtim.

Për ta bërë më të lehtë udhëtimin, që mund të bëhet në këmbë, me biçikletë mali, motora apo fuoristrada, Drejtoria e Turizmit e Kulturës në Bashkinë e Lezhës ka realizuar edhe markimin e këtij shtegu, që nis në hyrje të rrugës për tek Rana e Hedhun dhe vijon ngjitjen e malit.

Janë 16 km shteg që tani do të mund të aksesohet më lehtë për shkak të sinjalistikës që është vendosur, por eksploratorët orientohen edhe për drejtimin e objekteve të kultit dhe vlerave kulturore që ndodhen në këtë zonë. / atsh / KultPlus.com

Sporte ujore për kthimin e lumit Drin në atraksion turistik

Kthimi i lumit Drin në një atraksion turistik, përmes organizimit të sporteve ujore është nisma më e fundit e bashkisë Lezhë, e cila ka promovuar në vijimësi aktivitetet sportive.

Pas kajakëve në lumin Drin të Lezhës ka mbërritur edhe “dragon boat”, një sport i ri që vjen në bashkëpunim të ngushtë me Canoa Club Sile në Itali.

Iniciativa vjen nga Drejtoria e Sporteve në Bashkinë e Lezhës, ndërkohë që tashmë është formuar edhe grupi prej 22 sportistësh që ka në dispozicion mjetet lundruese për realizimin e stërvitjes.

Në startin e këtij sporti të ri ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili deklaroi se do të mbështesë maksimalisht “dragon boat”, ashtu si edhe sportet e tjera që në Lezhë po zhvillohen mirë dhe kanë nevojë për mbështetje.

Ndreu foli për rëndësinë që ka kthimi i lumit Drin në një atraksion turistik dhe imazh pozitiv për këtë sektor dhe sportet ujore janë një mundësi e mirë për të bashkërenduar të gjitha këto iniciativa të bashkisë.

“Bashkia e Lezhës ka në plan të mbështesë shumë sportet, pasi ka përpjekje pozitive që duhet të jetësohen dhe të kenë përkrahje financiare duke adresuar fonde përkatëse për ta bërë sportin sa më gjithëpërfshirës dhe të jetë sa më afër të rinjve. Tashmë po nxiten sporte si volejboll, boks, mundje, basketboll, judo dhe të tjerë që tashmë kanë traditë në Lezhë, por edhe projekte të reja si ky i sotmi që do të kenë mbështetjen tonë”, tha Ndreu.

Ne, shtoi ai, “duhet të mendojmë gjithashtu që lumin e Lezhës ta integrojmë edhe në funksion të turizmit krahas mundësisë për të nxitur sportin”. “Ndaj shumë shpejt me financim të bashkisë do të tjetërsohet e gjithë pamja e lumit dhe në bashkëpunim me GIZ do të hartojmë një projekt për bllokimin e kalimit nëpër lum të mbetjeve dhe brenda verës që vjen do të kemi gati projektin për ndërtimin e urave panoramike dhe elementë të tjerë që do ta bëjnë edhe më atraktiv lumin e Lezhës”, theksoi ai.

Drejtoresha e Sportit në bashkinë Lezhë, Mimoza Shtjefni, bëri të ditur se është siguruar mbështetja për zhvillimin e këtij sporti, si dhe janë përzgjedhur të rinjtë e parë që do të bëjnë pjesë në ekipin që do të nisë stërvitjen.

Sipas saj, “kjo është një mundësi për t’i dhënë lumit më shumë jetë dhe për të ndikuar pozitivisht në imazhin e Lezhës turistike”.

Shtjefni bëri të ditur se sfidat konsiderohen të tejkaluara edhe për faktin se, që në momentin e prezantimit të kësaj iniciative, që në fakt është e re edhe në Shqipëri, ka patur interesim maksimal të të rinjve.

Besojmë, tha ajo, se brenda vitit do të kemi arritur ndërtimin e plotë të skuadrës. Ajo shtoi se do të lobohet fort që ky lloj sporti të futet masivisht në shkolla, duke u bërë pjesë e Federatës së Sportit Shkollor dhe në fund të vitit shkollor të mund të bëhet edhe kampionati ndërmjet shkollave. / atsh / KultPlus.com


Zbulohen mure të hershme në kishën e Balldresë

Disa struktura murale janë nxjerrë në dritë gjatë restaurimit të kishës së “Shën Premtes” në Balldre të Lezhës. Menjëherë pas zbulimit janë ndërprerë punimet. Sipas historianit Paulin Zefi këto mure tregojnë për një vendbanim të hershëm, por ende nuk dihet se cilës periudhë i përkasin.

Punimet që po kryhen në restaurimin e kishës së “Shën Premtes” në Balldre të Lezhës kanë nxjerrë në drita disa struktura murale. Muret e vjetër janë zbuluar në anën veriore të kishës, gjatë hapjes së një kanali për disiplinimin e ujërave dhe menjëherë punimet janë ndërprerë. Historiani Paulin Zefi thotë se këto mure tregojnë për vendbanimin të hershëm në këtë zonë, ndërsa ende nuk dihet se cilës periudhë i përkasin, gjë e cila pritet të qartësohet me ardhjen e ekspertëve të fushës.

e dimë se cilit shekull i përkasin. Akoma nuk janë datuar. Presim që të vijnë ekspertët e fushës dhe të shohim se cilës periudhë i takojnë. Muret janë të pa prekura, të pa dëmtuara. Normalisht nuk janë prekur strukturat që kanë dalë në dritë. Unë mendoj se janë ndërtuar paralelisht me kishën, në shekullin e 13, 14 ndoshta edhe në shekullin e 15-të. Këtu kemi dhe një varr pa inventor. Janë gjetur edhe disa fragmente eshtrash. Është lënë ashtu siç është zbuluar. Nuk e dimë nëse janë lidhur me kishën apo janë ndërtesa ët veçanta. Ka vlera të veçanta arkeologjike. Ja shton më tepër vlerën kishës.” ka thënë historiani Paulin Zefi.

Kisha, monument kulture e cila i përket shekullit të 12 po restaurohet plotësisht me qëllim që të bëhet një aset historik i vizitueshëm.

“Kemi ndërhyrë në mënyrë jashtëzakonisht të thellë duke bërë rindërtime, restaurime. Gjatë përpjekjeve për të punuar janë zbuluar gjurmë të tjera të afreskeve nëpër mur të cilat duken se janë të shpërndara dhe kemi stopuar punën sepse presim që këto ditë ekspertë të kësaj fushe të vijnë dhe me kujdes të madh të zbulojmë çfarë mrekullie do të na dale në brendësi të kishës. Bëhet fjalë për muret anash. Kjo na bën që të mendojmë se ky objekt si I tillë është një objekt I rrallë për kulturën shqiptare.” tha Nike Ukgjini, famullitar i Kukelit.

Edhe më herët gjatë punimeve restauruese në këtë kishë kanë dalë në dritë dhe disa afreske të cilat mbartin vlera të jashtëzakonshme historike/Shqiptarja.

551-vjetori i vdekjes së Skënderbeut manifestohet me aktivitete në Lezhë

551-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu u përkujtua sot në Lezhë, në një ceremoni të organizuar në Memorialin e Skënderbeut.

Memoriali u hap sot për herë të parë pas rikonstruksionit të tij, që nisi 8 muaj më parë.

Bashkia Lezhë do të vendosë në 2 mars, shtatoren e Gjergj Kastriot Skënderbeut, në qendër të sheshit që mban emrin e tij.

Po ashtu, Bashkia Lezhë i ka drejtuar Këshillit të Ministrave kërkesën që data 2 mars, Dita e Besëlidhjes së Lezhës, të shpallet festë zyrtare.

Nxënësit nga Lezha sjellin një tjetër version të filmit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (VIDEO)

Dje u festua dita e 28 Nëntorit në mbarë shqiptarinë, në këtë ditë të shënuar nuk munguan edhe prurjet e reja artistike që lidheshin pikërisht me këtë festë. Këngë, piktura, skulptura e gjithçka tjetër që lidhej me artin u shpalosë në këtë ditë të madhe për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Por, nxënësit e shkollës “Besëlidhja” nga Lezha kishin vendosur të sjellin një film mbi heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Ky është një superproduksion i fëmijëve mbi Skënderbeun.

Filmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, këta fëmijë e kanë sjellë në një version tjetër.

Filmi është i metrazhit të shkurtër, i titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe vjen nën regjinë e Alketa Bejtja, ndërsa kamera dhe montazhi nga Olsi Tetaj.

Në këtë film interpretojnë: Erjon Lleshi, Erlis Gjeka, Jerina Prendi, Erena Zefi, Xhilberto Gega, Deni Deda, Kevin Cali, Kristjan Marku, Henriko Thercaj, Galdino Frustaj etj.

Për të parë talentin dhe seriozitetin e këtyre fëmijëve në realizimin e këtij filmi, ne po ju sjellim videon më poshtë që të mund ta vlerësoni vetë. /KultPlus.com

Bashkia Lezhë shpall konkursin për vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në qendër të qytetit

Në kuadrin e “Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit”, Bashkia Lezhë me iniciativën personale të vetë Kryetarit Fran Frrokaj, ka planifikuar që në zemrën e qytetit, në Sheshin “Gjergj Kastrioti” të vendosë një shtatore monumentale të Heroit tonë Kombëtar.

Pikërisht këtu në qytetin e Lezhës u zhvilluan edhe dy ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës i mbajtur me 2 mars 1444 në ambientet e katedrales mesjetare të Shën Nikollit dhe 24 vite më vonë me 17 janar 1468 këtu kaloi në përjetësi dhe më pas u përcoll në banesën e tij të fundit, i pavdekshmi Gjergj Kastrioti.

Sot, gati në çdo qytet të Republikës së Shqipërisë dhe në trevat e mbetura jashtë saj në vitin 1912, ekziston një monument i Heroit tonë Kombëtar. Gjithashtu, pothuajse çdo kryeqytet europian dhe disa qytete të rëndësishme në vendet perëndimore e kanë nga një objekt të tillë me forma dhe përmasa nga më të ndryshmet, por ajo që e meriton me shumë se kushdo tjetër në Shqipëri dhe në botën e qytetëruar, e që fatkeqësisht i mungon, është pikërisht Lezha e Besëlidhjes, Lezha e Gjergj Kastriotit, vendi ku nisi dhe ky u mbyll “Epopeja e lavdishme Kastriotiane”.

Prandajë ftohen të gjithë skulptorët shqiptarë dhe të huaj, kudo ku ata jetojnë e punojnë duke ushtruar aktivitetin e tyre, që të marrin pjesë me modelet/bocetet e tyre në konkursin që do të organizohet nga Bashkia Lezhë me 26.09.2018, në ora 10:00, tek salla e madhe e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Gjergj Lacaj”, Lezhë.

Shtatorja monumentale e Gjergj Kastriotit e planifikuar për t’u derdhur në bronz do të ketë këto përmasa: lartësia 3.5 m dhe ndërsa piedestali i stilizuar i punuar me gurë, me lartësi 1.8 m. Pra në total objekti monumental duhet të qëndrojë në mënyrë impozante dhe të ketë lartësinë e duhur prej 5.3 m, për të dominuar mbi sheshin “Gjergj Kastrioti” dhe për të qenë lehtësisht i dallueshëm në të gjithë hapësirën muzeale të qytetit tonë.

Subjekti i veprës duhet të bazohet tek “Besëlidhja e Lezhës” dhe figura e realizuar në këtë shtatore, më e lartë se sa figura normale njerëzore, duhet të mishëroje tiparet fizike dhe cilësitë më të shkëlqyera të Heroit tonë Kombëtar, por edhe duhet të ruajë në mënyrë të përhershme raportet kohore dhe harmonike me qendrën historike të qytetit të Lezhës.

Portreti i përjetësuar në bronz duhet të paraqesë një Gjergj Kastriot në moshën 39 vjeçare, konform të vërtetës historike, pra aq sa ishte kur thirri dhe organizoi Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, por jo një portret i një burri të moshuar dhe në prag të vdekjes, siç ndodh rëndom ta shohim imazhin e tij të shenjtë në pikturat dhe skulpturat e shumë autorëve shqiptarë apo të huaj. Portreti fizik duhet t’i përmbahet njerëzores dhe jo imazheve surreale, abstrakte dhe të bastardhuara deri në kufijtë e groteskut dhe shëmtisë ekstreme artistike.

Vepra duhet të mishërojë portretin e vërtetë dhe impresionues të Gjergj Kastriotit, të nxjerrë në pah madhështinë dhe autoritetin e tij karizmatik, duke mos përjashtuar as ngarkesat e shumta politike(politika e kohës kur jetoi), historike dhe kalorsiake.etj. Ne kërkojmë një “Gjergj Kastriot të veçantë”, imazhi i të cilit gjatë viteve në vazhdim, të kthehet në një “Simbol apo Emblemë e qytetit të Lezhës”, kësaj Lezhe që jo më kot historianët e kanë pagëzuar si “Qyteti i pavdekshëm, Lezha e Besëlidhjes dhe Lezha e Gjergj Kastriotit”, thuhet në komunikatë./KultPlus.com

Nis restaurimi i përmendores së vendvarrimit të Gjergj Kastriotit

Sot më 20 qershor, në Lezhë kanë nis punët për restaurimin e përmendores së vendvarrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur përmes Paulin Zefit, përgjegjës për Trashëgiminë Kulturore, Muzeut Historik dhe Memorialit në Bashkinë e Lezhës./ KultPlus.com

Arbëreshët e Italisë dhe Kroacisë, klerikët fetarë e shumë qytetarë sot vizituan varrin e Skënderbeut në Lezhë (FOTO)

Sot 550 vite më parë ka vdekur heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Kësisoj në këtë ditë është e pamundur që secili shqiptar të mos e vizitoi varrin e Skënderbeut në Lezhë dhe kjo gjë mrekulloi sot edhe drejtorin e Trashëgimisë Kulturore-Historike në Lezhë Paulin Zefi, shkruan KultPlus.

Zefi, sot përmes rrjetit social Facebook, shprehi falënderimet e përzemërta për të gjithë ata që ndanë kohën që të vizitojnë vendin ku prehet përjetësish heroi kombëtar shqiptar.

“ 550 vite(1468-2018); nga kalimi në amshim i Heroit tonë Kombëtar, GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBEU”…*Falenderoj nga zemra të gjithë pjesëmarrësit e shumtë që na nderuan me praninë e tyre por në vecanti, Arbëreshët nga Italia e jugut, Arbneshët e Kroacisë, Shqiptarët e Turqisë dhe Shqiptarët e mrekullueshëm të Kosovës që janë të denjë për cdo lëvdatë…*Falenderoj punonjësit e Bashkisë-Lezhë, por në vecanti Stafin tim dhe të gjithë ata që na ndihmuan sadopak(me punë, jo me fjalë) në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm për mbarë Kombin-Shqiptar.*Lavdi jetës dhe veprave të hyjnorit”GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBEU”, ka shkruar Paulin Zefi, bashkë me publikimin e disa fotografive nga vizitat e ndryshme që iu bënë varrit të Skënderbeut./ KultPlus.com

Për herë të parë, teatri 3D për fëmijët në Lezhë

Në Lezhë u soll për herë të parë teatri 3D për fëmijët. Shfaqja “Mendo për shëndetin tënd” e realizuar nga qendra kulturore e fëmijëve “Gjergj Lacaj” në bashkinë Lezhë u prezantua në ditën botërore të shëndetit mendor.

Në skenë u ngjitën 20 fëmijë dhe 10 të rritur që aktruan për fëmijët, ndërsa synohej që të promovohej mënyra e shëndetshme e të ushqyerit. Kjo pjesë duket se u kuptua edhe nga fëmijët. Ata e përjetuan bukur këtë ndjesi të parë dhe argëtuese për ta.

“Salla e mbushur me fëmijë dhe duartrokitjet e tyre tregon që kjo qendër po rikthehet në funksionin e vetë”, tha nënkryetarja e bashkisë Alfrida Marku, e pranishme në shfaqjen e premierës. Sipas saj, në skenën e kësaj qendre nuk po vijnë vetëm risi, por shfaqje që kishin munguar prej vitesh. Eksperiencë e re, e bukur dhe mjaft emocionuese.

Regjisori i shfaqjes Klodian Marku dhe skenografi Tonin Kolathanë se puna me fëmijët ishte diçka ndryshe, por që do ta bënin sërish. Ka qenë një eksperiencë e paprovuar më parë, e veçantë për mënyrën e realizuar dhe sigurisht tejet emocionuese, ndërsa shihje fëmijë që gëzojnë dhe shoqërojnë me kureshtje të gjithë shfaqjen.

Realizimi për shfaqje të tilla është i vështirë, por për përgjegjësin e qendrës kulturore të fëmijëve në Lezhë, Marcel Lacaj fakti që me gjithë vështirësitë shfaqja u realizua, tregon se kur ka vullnet gjithçka tejkalohet.

Teatri 3D në Lezhë do të nisë menjëherë përgatitjet për realizimin e një tjetër shfaqjeje në kuadër të vitit të Skënderbeut dhe gjithçka do të jetë gati në 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar. Shfaqja “Mendo për shëndetin tënd” do të vijojë të jepet edhe për fëmijët e tjerë te kopshteve në Lezhë./ KultPlus.com

Shkrimtari dhe studiuesi Tonin Çobani, “Qytetar nderi” i Lezhës

Dy institucione kulturore në Lezhës, që mbajnë emrin e Poetit Kombëtar (Biblioteka e qytetit “Gjergj Fishta” dhe Enti Botues “Gjergj Fishta”), kanë organizuar një takim me fishtologun Tonin Çobani, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së këtij të fundit.

Kësaj veprimtarie i ka paraprirë një ekspozitë me botimet e “shkrimtarit dhe studiuesit lezhjan”, i njohur në atë qytet si drejtues i institucioneve të kulturës, gazetar i rubrikave kulturore dhe si mësues letërsie. Libri me titull “Paralele kulturore të një qytetit” flet për Lezhën dhe është pasqyrë e veprimtarisë së tij më se tridhjetëvjeçare në atë qytet.

Së bashku me “Paralele kulturore…”, vendin kryesor në ekspozitën e botimeve të Çobanit e kanë zënë librat për Fishtën dhe veprën e tij: “Miti dhe antimiti fishtjan” (1999), “Fishtologji” (2006), “Figurat mitologjike në Lahutë të Malcis” (2008), “Lahuta e Malcis, ngjizja mitologjike dhe fjalori mitologjik” (2012), “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (2014) si dhe botimi më i ri, “Gjergj Fishta, fillimet letrare” (2017), që u përurua me këtë rast. Tonin Çobani është autor edhe i tekstit mësimor “Gjuha shqipe dhe letërsia 11” (me zgjedhje të detyruar, që analizon nga fillimi në krye vetëm Lahutën e Malcis), i cili është në qarkullim për shkollat e mesme qysh prej vitit 2011.

Për Fishtën Çobani është angazhuar edhe duke përgatitur për botim veprat e poetit zadrimor, që nisin me vëllimin “Poezi” (1994) dhe “Juda Makabe” (1995), e deri te botimi i veprave të plota në 10 vëllime, si redaktor përgjegjës dhe si kurator i dy vëllimeve të dramaturgjisë (Gjergj Fishta, Vepra letrare, 5-6). Vetëm titujt e botimeve origjinale të Çobanit (përfshirë tekstet shkollore) kapin shifrën 36, ndërsa së bashku me ribotimet e kalojnë numrin 60. Ndonjë prej tyre, si “Princi i përfolur Lekë Dukagjini” (“The vilified prince Lekë Dukagjni”), është botuar disa muaj më parë edhe në anglisht nga LAP, Lambert Academic Publishing.

Ndërkaq në njërën prej sallave të bibliotekës së Lezhës u zhvillua takimi me shkrimtarin dhe studiuesin Tonin Çobani në formatin e një bisedë të lirë. Tonin Çobani ka gradën shkencore “Doktor i Shkencave letrare” dhe titullin “Profesor i asociuar” nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në atë Universitet Profesor Tonçi (kështu e thirrasin ish-nxënësit dhe studentët e tij) ka dhënë për 6 vjet radhazi lëndën e Eseistikës (në degën e gazetarisë) si pedagog i jashtëm. U përmend ky fakt, sepse në ekspozitën e librave të autorit zinte vënd edhe teksti universitar “Eseistika”, i pari dhe i vetmi libër për eseistikën në gjuhën shqipe, që i ka fillimet me Pashko Vasën (“Shqypnia dhe shqyptarët”, 1879) për të mbërritur deri në ditët e sotme me autorë të tillë si Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare…

Me interes të veçantë u ndoqën vlerësimet për letërsinë fiction të autorit (“Një grua përballë vetvetes”, “Puthje pa puthje” dhe “Etyde në prozë”), për vëllimin me ese “Variacione me fjalën komb”, si dhe për monografitë kushtuar Lekë Dukagjinit, Frang Bardhit, Pjetër Zarishit, Nënë Terezës… Për një monografi të pritshme kushtuar Gjergj Fishtës, shkrimtari dhe studiuesi Tonin Çobani u shpreh se pjesë e asaj monografie është edhe libri i ri që po promovohej (“Gjergj Fishta, fillimet letrare”) me parathënien e mikut të tij, Tefë Topallit, Profesor Emeritus. Për Gjergj Fishtën, përfundoi Çobani, nuk do të resht së hulumtuari sa të më punojë dora dhe mendja, sepse, vetëm duke zbuluar sa më në thellësi vlerat e Fishtës, njihet meritueshëm e gjithë letërsia shqipe dhe mbarë kultura shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX, dhe jo vetëm. Siç thoshte Konica për Fishtën qysh në gjallje, ai ka qenë një prijës intelektual i shquar i shqiptarëve.

Në bashkëbisedim e morën fjalën miq të autorit, shokë të fëmijërisë, bashkënxënës të Shkollës Pedagogjike të Shkodrës, të Universitetit të Tiranë dhe të Studimeve Pasuiniversitare. E mori fjalën edhe nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, Enver Hafizi, i cili shpjegoi titullin “Nderi i Qyetit” të Lezhës, akorduar me këtë rast studiuesit, shkrimtarit dhe fishtologut, Tonin Çobani. / KultPlus.com