Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, është prononcuar së fundmi në aeroportin e Los Angeles për një intervistë të shkurtër nga DailyMail, transmeton KultPlus.
Ajo po udhëtonte për në Detroit e rezervuar për të kënduar në një koncert të madh të “Ditës së Falenderimeve”, kështu që dha pak detaje rreth performancës së saj.
Ndër të tjera, Rexha është pyetur nga gazetarët e tabloidit britanik se çfarë mendon për diskriminimin e fundit ndaj komunitetit LGBT+, në Kampionatin Botëror.
“Unë jam një ikonë e komunitetit LGBT+”, pranoi ajo para gazetarit, duke thënë se është një mbështetëse ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti.
“Thjesht dua të them se është vërtet e tmerrshme ajo çfarë është duke ndodhur tani në komunitetin LGBT+ dhe unë dua t’ju them të qëndrojnë të fortë dhe nuk e di, ju dërgoj dashurinë time te të gjithëve”, tha interpretuesja e hitit “I’m a mess”.
E kur u pyet se cila mendon se është zgjidhja e kësaj, artistja me origjinë nga Dibra e Maqedonisë së Veriut u shpreh se problemi qëndron te urrejtja që sot kanë njerëzit.
“Urrejtja, problemi është urrejtja. Fatkeqësisht mendoj se urrejtja po konfuzon dashurinë, mendoj se njerëzit janë shumë konfuzë dhe është vërtet dëshpëruese. Mendoj se ne thjesht duhet të jemi më empatikë dhe të pranojmë të tjerët ashtu siç janë”, përfundoi Bebe Rexha. /KultPlus.com