Kryhet edhe një procedurë, LIBE voton pro heqjes së vizave për Kosovën

Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Pro saj votuan 47 eurodeputetë dhe 8 kundër, raporton Gazeta Express.

LIBE kishte votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën edhe më 12 janar të këtij viti.

“Këshilli ka miratuar së fundi marrëveshjen për liberalizimin e vizave dhe për shkak se ajo është një marrëveshje e leximit të dytë (qëndrimi i Parlamentit është miratuar në vitin 2019 para zgjedhjeve të mëparshme), ne kemi nevojë që të hedhim në votim prapë në LIBE për të miratuar qëndrimin e Këshillit”, kishte thënë ai.

Për liberalizimin e vizave do të votojë edhe Parlamenti Europian. Sipas një draft agjende votimi në PE do të ndodhë më 18 prill.

Sipas vendimit të institucioneve të BE-së, heqja e vizave për Kosovën do të zbatohej që nga data kur Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) do të hynte në fuqi në nëntor të këtij viti. Mirëpo ky shans është humbur meqë funksionalizimi i ETIAS është shtyrë për 2024-ën. Sidoqoftë, kosovarët do të mund të udhëtojnë lirshëm nga 1 janari 2024.

Miratimin e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje e pati konsideruar vendim të rëndësishëm eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, që u caktua edhe raportues për vizat.

“Hapi tjetër do të jetë miratimi në Parlamentin Europian që pritet të ndodhë në prill. Nuk do të ketë më ndryshime në përmbajtjen e marrëveshjes. Kjo nënkupton që liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi ose në të njëjtën kohë me ETIAS ose më së largu më 1 janar 2024. Kjo nënkupton që jo më larg se vitin e ardhshëm, Kosova përfundimisht do ta ketë udhëtimin e merituar dhe të vonuar pa viza në BE”, kishte thënë ai për Express.

Pas hedhjes në votim edhe në PE, hapat e mbetur për këtë proces janë:

Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian

Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare

Liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar. / KultPlus.com

LIBE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Komiteti i Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) sot ka votuar pro liberalizimit të vizave.

48 eurodeputetë votuan me 48 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime, raporton Gazeta Express.

Për këtë LIBE ka njoftuar edhe në Twitter.

Pas votimit në LIBE duhet të ndodhë edhe votimi në Parlamentin Europian, që tashmë është dëshmuar pro heqjes së vizave edhe më herët.

Për këtë nga Parlamenti Europian më herët kanë thënë për Gazetën Express se janë disa data kur ky institucion do ta hedhë në votim çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Seanca e radhës fillon të hënën më 16 janar, por kjo mund të jetë shumë shpejt pas votimit në Komitet. Mundësitë e ardhshme janë datat 1 ose 2 shkurt dhe 13 ose 16 shkurt”, ka thënë një zëdhënëse e PE’së për Express.

Pas votimit në PE, radha u vjen votimeve nga ambasadorët e BE’së dhe Këshillit të Ministrave me shumicë të thjeshtë.

Tutje, akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian.

Pastaj, vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar.

Ndryshe, Presidenca suedeze e Bashkimit Europian ka premtuar se do ta vazhdojë ritmin e paraardhëses së saj çeke për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për hapat e radhës, Presidenca suedeze pati dhënë zotim se do të kryhen në muajt e parë të këtij viti.

“Është një marrëveshje politike mes Këshillit dhe Parlamentit Europian. Formalitetet e mbetura në lidhje me rregulloren pritet të ndodhin në muajt e parë të Presidencës së Suedisë”, ka thënë ditë më parë për Express një zyrtare për shtyp nga Presidenca e Suedisë në BE. / KultPlus.com