‘Asnjë e vërtetë nuk mund ta shërojë dhimbjen të cilën e ndjejmë kur e humbasim dikë që e kemi dashur’

“Asnjë e vërtetë nuk mund ta shërojë dhimbjen të cilën e ndjejmë kur e humbasim dikë që e kemi dashur. S’ka të vërtetë, s’ka sinqeritet, s’ka forcë, s’ka mirësi që mund ta shërojë atë dhimbje.

E gjitha që mund të bëjmë është të shohim përmes saj deri në fund dhe të mësojmë diçka prej saj, por ajo që do ta mësojmë nuk do të na ndihmojë në përballjen me dhimbjen tjetër, e cila vjen tek ne pa paralajmërim.”

“Nuk më intereson se çfarë do të bësh me mua, por vetëm nuk dua të më lëndosh. Tashmë kam pasur mjaftueshëm lëndime në jetën time. Më shumë se mjaftueshëm. Tani dua të jem e lumtur.”

“Nuk është se ne nuk përshtateshim. Ne thjeshtë skishim asgjë për të thënë.”

– Haruki Murakami, “Norwegian Wood” / KultPlus.com

Promovohet në Pragë, libri i regjisorit Piro Milkani, “E pabesueshme por e vërtetë”

Regjisori Piro Milkani promovoi në Pragë, librin e tij me kujtime, titulluar “E pabesueshme por e vërtetë”.  Libri u promovua, në një nga ambientet më simbolike të kryeqytetit çek, në librarinë “Vaclav Havel”.

Libri “E pabesueshme por e vërtetë” është përkthyer në gjuhën çeke nga albanologu, Přemysl Vinš, nën mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Një mbrëmje rrëfimesh e kujtimesh ka bërë bashkë figura të njohura të kulturës çeke e shqiptare, si aktorja Barbora Štěpánová (protagoniste në filmin “Trishtimi i Znj.Schneider”), producentja Jana Tomsova, shkrimtarë dhe lexues.

Në një postim të QKLL, në rrjetet sociale, ishin veçuar disa rreshta nga kineasti e poeti Petrit Ruka, dedikuar Piro Milkani: “Nëse jeta e tij e gjatë prej artisti (ashtu si jeta e çdo njeriu) është një lumë, Milkani ulur në breg të tij, ka marrë shoshën dhe ka shpëlarë tërë rërën e bregut për të gjetur ca thërrime ari, njësoj si ata kërkuesit e dikurshëm në Alaskë, që përshkruan Xhek London. Këtë radhë nuk është ai regjisori e as skenari. Përkundrazi, e tillë është jeta e tij dhe Milkani veç sa ka xhiruar ato episode që i ka diktuar ajo, kujtesa e një jete”. / atsh / KultPlus.com