Libri i pesëdhjetë me radhë, i botuar nga PEN Qendra e Kosovës, është vepra me poezi e Sali Bashotës, me titullin “Lutja e parë e shpirtit”. Me gjithsej 101 poezi, strukturuar në nëntë cikle, me parathënie të Milazim Krasniqit dhe me pasthënie të Ibrahim Berishës, vepra më e re e Bashotës, konsiderohet me vlera të larta poetike dhe estetike në poezinë sotme shqipe, shkruan KultPlus.
Nëntë ciklet e veprës janë: Lutja e parë Shpirti, Pëshpëritja e dytë Dashuria, Rruzullimi tretë Drita, Ofshama e katërt Fjala, Imazhi i pestë Dhimbja, Udhërrëfimi i gjashtë Ëndrra, Shkundullima e shtatë Fati, Idila e tetë Vetmia, Palimpsesti i nëntë Jeta.
Në parathënien me titullin “Poezi e obsesionit estetik dhe e panikut postmodernist”, studiuesi, Milazim Krasniqi, ndër të tjera, thekson: “Vëllimi poetik më i ri i Sali Bashotës shënon kulminacionin artistik të tij si poet, duke na ofruar edhe një mundësi të rishikimit dhe rivlerësimit të gjithë krijimtarisë poetike të tij, që tashmë ka hyrë në decenien e katërt. Nga “Albumi i grisur” (1986) e deri te vëllimi më i ri, ndërmjet të të cilëve janë edhe vëllimet, “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999), “Bukuri e nëmur ” (2006), “Dorëshkrimi i ngjallur ” (2011), ” Në fillim ishte Drita ” (2017), “Asnjë zë tjetër “(2018), poezia e Saliut ka ndjekur një rrugë konstante ambicioze të evoluimit artistik, duke alternuar preokupimet motivore e tematike, sigurisht nën ndryshimet që kanë ndodhur në jetën personale e shoqërore, por duke mbajtur të pandryshuar obsesionin e komunikimit si një idealizëm estetik, në morinë e komunikimeve rivale ndërpersonale”.
Ndërkaq, shkrimtari Ibrahim Berisha, në pasthënien e librit, duke vlerësuar poezinë e këtij poeti, konstaton: “Poezia e Bashotës është përmasë e enigmës. Nuk është masë e dukshme që tregon marrëdhënien ndërmjet materies dhe shpirtit, për një çast, natyrisht thellësisht poetik, ajo zgjedh frymën lirike të vargjeve, që na shoqërojnë kudo me butësinë dhe dramaticitetin përjetues. Është nga poetët e veçantë që ndjen plotësisht arsyen e krijimit të mesazheve për botën që e kishte njohur dhe me të cilin kishte ndërtuar një marrëdhënie të papërfunduar. E fundja, poetët nuk përfundojnë asnjëherë vizatimin e kufirit të botës që ndan të kaluarën nga e tashmja dhe të tashmen nga e ardhmja. Këtë nuk e bënë poeti, edhe për arsye të mbajtjes së zgjuari një fushë të gjerë loje lirike, pasi lirizmi i tij është shpirtërorja e materializuar në të vetmin testament që ai e shkruan dhe kondenson. Kjo është fuqia për të transmetuar lutje. Nuk është kjo lutje ritual i zakonshëm që mbush ceremonitë në ditë të rëndomta, por është lutja për t’i harmonizuar subjektet emocionale, reale dhe jorelae, në fjalët e zgjedhura që mund t’i qetësojnë të gjithë ata lexues, që do të jenë shfrytëzues të këtij testamenti poetik”.
Gjithashtu, Bashota ka botuar edhe vepra me proza poetike: “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë”( 2010),“Rruzullimi i zjarrit”(2011),“Zemërimi i heshtjes” (2014), si dhe vepra me ese dhe studime letrare: “Shqipshkrimi kritik” (1997),“Kuteli prozator-poet-kritik”(1999),“Domethënia e ideve letrare”(2001),“Proza e filleve të modernitetit”(2006),“Studime letrare”(2008), “Enigma e shkrimit”(2018).
Vlerësime të larta kritike janë dhënë edhe për veprat e përkthyera të Bashotës, në shumë gjuhë botërore, siç janë dhënë edhe për veprat e tij të përkthyera, siç janë: “Only Death is White”/”Vetëm vdekja është e bardhë”(në gjuhën angleze); “Beauté maudite” /”Bukuri e nëmur” dhe “ Allume la lumière magique” /”Ndiz dritën magjike”( në gjuhën frënge); “Schalte das magische Licht ein”/ “Ndiz dritën magjike”(në gjuhën gjermane); “Il gioco delle foglio”/”Loja e gjetheve”( në gjuhën italiane); “Exilul Sufletului” /”Ekzili i Shpirtit” dhe “Ploaia fara Tine” /”Shiu pa Ty” ( në gjuhën rumune); “När himlen tystnar” /”Kur hesht qielli”(në gjuhën suedeze); “Прокълната красота” /”Bukuri e nëmur”(në gjuhën bullgare): “Ako stanam angel”/”Nëse bëhem engjëll”(në gjuhën maqedone); “Η άλλη όψη του”/ “Pamja tjetër e botës”( në gjuhën greke), “Albán éjszaka”/ “Natë shqiptare”(në gjuhën hungareze), “La ŝtono de la amo”/”Guri i dashurisë”( në gjuhën Esperanto), “Ego”( shqip-english-français), etj.
Poezia e Sali Bashotës është përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërkaq veprat e tij janë promovuar në Paris, Sète, Bukuresht, Sofie, Basel, Malmö, etj., si dhe në festivale të ndryshme ndërkombëtare të poezisë.
Bashota është nderuar me çmimet të larta letrare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, siç janë: “Pjetër Bogdani” (1999), “Pena e Artë”(1990 dhe 2000), “Menada”(2004), Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (2006 dhe 2012), “Serembe” (2010), Çmimi vjetor për letërsi për veprën më të mirë letrare në poezi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2011), Çmimi vjetor për letërsi “Ibrahim Rugova”, për veprën më të mirë në kritikë letrare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2018) etj.
“Lutja e parë e shpirtit”, është libri i tridhjetë e tetë me radhë, i shkrimtarit Sali Bashota. /KultPlus.com