Doli në qarkullim libri « Mësimi shqip në Kantonin e Aargaut- Zvicër » monografi, i mësuesit të dalluar të Shkollës Shqipe Hamzë Morina.
Libri është një përmbledhje publicistike mbi veprimtarinë e mësuesve dhe mësueseve të Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Diasporë, shumica e të cilëve drejtpërdrejtë ose jo janë heronj të librit, pjesë e asaj armate arsimtarësh që kanë marrë rrugën e mërgimit, duke marrë atë pak dritë e diturisë në Shqipëri, Kosovë e që duan të përcjellin tek fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur në Zvicër.
Në të 260 faqet e librit trajtohet problemi i gjuhës shqipe në mërgim, ngjarje që lidhen me Shkollën Shqipe të
Mësimit Plotësues në Zvicër, me të dhëna informative shumë të pasura nga viti 1990 kur u hap shkolla e parë shqipe e pavarur deri më sot e mësuan me mijëra e mijëra fëmijë shqiptarë. Përvoja e mësuesve të shqipes në hapësirën zvicerane dhe problemet me të cilat përballet shoqëria shqiptare larg atdheut përballë asimilimit tepër të shpejt që po ndodhë, si pasojë e mos shkollimit shqip të fëmijëve.
Libri trajton probleme të kësaj natyre, shqetësime të mësueseve dhe prindërve dhe mënyrat dhe rrugët që duhen ndjekur, në mënyrë që gjuha dhe arsimi shqip të zhvillohet e të mësohet nga shqiptarët kudo që jetojnë dhe punojnë.
Libri, nga ana tjetër, është një nderim për gjithë mësuesit shqiptarë në Zvicër, të cilët pas punës së përditshme gjejnë kohën të mësojnë fëmijët e mërgimtarëve që gjuha shqipe të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi.
Libri është një dëshmi se si mësuesit shqiptarë në Zvicër kanë marrë nismën dhe të bashkuar rreth Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” organizojnë mësimin e shqipes në shumë kantone, sepse për mërgimtarët shqiptarë, nevoja e rrjetit shkollor në gjuhën amtare, është bërë prej tre brezash më së e domosdoshme për mos asimilimin e fëmijëve, duke nënkuptuar me këtë koncept të gjitha rrafshet e traditës dhe kulturës kombëtare në bazë të të cilave qëndron gjuha amtare shqipe.
Libër është një zëdhënës i diasporës shqiptare që edhe paraqet zhgënjimin ndaj pushtetarëve dhe politikanëve të atdheut të cilët nuk e ngritën Mësimin Plotësues Shqip në nivel shtetit, ashtu siç veprojnë komunitetet tjera. Diaspora shqiptare në Zvicër priti në gjirin e saj shumë ministra të arsimit e personalitete të ndryshme nga Kosova por kurrë asnjëri prej tyre nuk mori të paktën një takim me palën zvicerane për të ia parashtruar problemin e Mësimit Plotësues Shqip.
Libri, në një mënyrë është edhe një udhërrëfyes për autoritetet shtetërore të arsimit në Kosovë, për mënyrën dhe rrugën se si mund të ndërtohen politika arsimore në ndihmë të mërgimtarëve që Mësimi Plotësues i Gjuhës Shqipe të institucionalizohet me të gjitha parametrat shtetëror, fëmijët shqiptarë çdo ditë janë nën nofullat e asimilimit.
Libri është botuar nga shtëpia botuese ”Lena”Prishtinë, përcjell Albinfo.ch. /KultPlus.com