“Katërmbëdhjetë autorë”, vepra e cila u dogj në Ferizaj nga pushteti jugosllav, sot gjen ribotim

Pushteti jugosllav ndjekte, persekutonte e vriste njerëzit, mirëpo qëllimet ishin edhe më të thella. Ata u kujdesën që të dëmtonin e asgjësonin atë që mund ta ngriste popullin në dije dhe të mbetej trashëgimi kulturore për brezat në vazhdim.

Jo botime librash dhe jo gjuhë shqipe, protestonte kështu sistemi jugosllav. Kësisoj, ata mendonin se mund ta ndalnin “pushkën” e shkrimtarëve, lapsin e tyre, shkruan KultPlus.

Pikërisht ky fat e ka ndjekur përmbledhjen “Katërmbëdhjetë autorë”, që sipas Zyrafete Shalës, kryetares së klubit “De Rada” në Ferizaj, ky është libri i parë i “ekzekutuar” në Jugosllavi.

Afrim Demiri, Bardh Frangu, Biser Mehmeti, Borisav Bojkoviq, Fitnete Tuda, Gani Bytyçi, Ismet Aliu, Jovan Sariq, Kemajl Aliu, Menduh Leka, Sami Vranovci, Shqipe Azemi, Xheladin Rexhepi dhe Ymrane Abdullahu ishin emrat e autorëve të cilëve botimi i kësaj vepre që ata vet e shkruan i kushtoj shumë. Ani pse në këtë përmbledhje nuk do të shkruheshin vetëm emrat e shkrimtarëve shqiptarë dhe prezent ishin edhe një serb e një rom, pushteti jugosllav nuk e kurseu as krijimtarinë e tyre.

Botuesi klubi letrar “De Rada” dhe financuesi shoqata “Melodia” ishin dakorduar për 1000 kopje në tirazhin e parë të veprës, në kohën kur kaluan 40 vite që nga ngadhënjimi mbi fashizmin.

Vepra poetike e cila ende mbante erën e shtypshkronjës, menjëherë pas botimit në OPLG “Ramiz Sadiku” në Prizren, u përballë me zjarrin e urrejtjes nacionale, duke u djegur në oborrin e Gjykatës Themelore në Ferizaj më 1985, me vendimin e kësaj të fundit përgjatë pushtetit jugosllav.

Nga vepra e cila ishte “pengesë” e regjimit, kishin mbijetuar vetëm disa sosh të ruajtura fshehurazi nga individ të ndryshëm. Mirëpo, pretendimi i autoriteteve serbe që nëpërmjet djegies do të arrihet ndalimi i qarkullimit të tërësishëm të veprës mbeti i dështuar.

35 vite pas botimit dhe 50 vite pas themelimit të Klubit letrar “De Rada”, më në fund ky libër gjen dritë te lexuesit.

Për KultPlus, kryetarja e Klubit Zyrafete Shala tregon se vepra e përkrahur nga Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport vie pa asnjë ndryshim në ribotimin e saj.

“Gjithçka, duke filluar nga kopërtina, radhitja, fotografitë e autorëve, lloji i shkronjave, madje edhe gabimet teknike janë identike me botimin e parë. I vetmi element që e dallon botimin e tanishëm nga ai mëparshmi është shtojca në fund të librit ku janë dhënë sqarime rreth historisë së veçantë të tij’, thekson Shala për ribotimin e përmbledhjes, redaktor i së cilës është Hajrullah Hajra.

Libri i cili është bërë bashkim i krijimtarisë së 14 autorëve prej nga mori edhe titullin, ka pasur tematikë të ndryshme në secilën pjesë poetike.

“Disa prej tyre madje qëndrojnë brenda kornizave të ideologjisë së asaj kohe dhe për nga përmbajtja nuk japin ndonjë element që do të ketë mundur të nxisë veprimet që u ndërmorën pas botimit”, përshkruan Zyrafetja.

Pasiqë kjo vepër nuk ishte kundër pushtetit dhe me motive armiqësore, sipas Shalës ekziston një arsye tjetër e djegies së saj.

“Arsyet për ndalimin dhe djegien e librit duhet kërkuar te synimet e pushtetit për të penguar veprimtarinë krijuese shqipe, por edhe gjetjen e pretekstit për përndjekjen e autorëve dhe udhëheqësve të klubit”.

Numri i poezive me të cilat janë përfaqësuar autorët brenda librit është i ndryshëm, nga disa autorë është përzgjedhur vetëm një poezi e të tjerët dy e më shumë, madje dy autorë janë me nga nëntë poezi. Mirëpo, ajo që mbetet interesante në vepër, është gjuha e përdorur nga dy autorët e huaj.

“Poezia e autorit serb është paraqitur në gjuhën serbe, ndërsa dy poezitë e autorit rom janë në gjuhën shqipe, edhe pse, siç thuhet në biografinë e tij, ai ka shkruar në gjuhën serbe”, thekson Zyrafete Shala.

Ani pse disa individ ishin kujdesur për ta ruajtur veprën, 35 vite pas, gjetja e saj ishte proces i vështirë. Shala rrëfen se si atë e kishte parë vite më parë në Bibliotekën e Qytetit në Ferizaj te këndi i krijuesve ferizajas, mirëpo pikërisht kur nisën punën e ribotimit të saj atë nuk e gjeti. Disa faqe të skanuara i kishin siguruar nga Sulejman Dërmaku por librin e plotë e kishin në duar falë njërit autor në kuadër të 14-ve, Biser Mehmetit.

Libri që sot u ribotua pa asnjë vështirësi, atëherë do të nxjerrte telashe për shkrimtarët dhe të gjithë të përfshirët në të. Rahmi Tudën i cili ishte kryetarit i klubit “De Rada” do ta priste shkarkimi nga pozita udhëheqëse në klub, e pastaj papunësia totale. Të tjerët, ashtu siç tregon Shala, do të iu nënshtroheshin bisedave informative.

“Termi ‘bisedë informative’ në kohën e pushtetit serb ishte një eufemizëm prapa të cilit qëndronin seancat në hetuesi që në fakt kishin të bënin me keqtrajtimin fizik dhe psikik. Ne që kemi jetuar në atë kohë i kujtojmë edhe rastet kur ‘bisedat e tilla informative’ kanë përfunduar me fatalitet”, rrëfen Shala duke kujtuar politikat serbe.

Djegia e kësaj vepre për ferizajasit nënkuptonte drejtpërdrejtë cenimin e shprehjes së lirë. Kuvendi i Komunës së Ferizajit më 11 korrik 2014 ka marrë vendim që sheshi në të cilën u dogj libri të emërohet si “Sheshi i fjalës së lirë”.

“Duhet theksuar se ky emërtim është bërë me iniciativën e Organizatës INPO, ata kanë bërë kërkesë drejtuar Kuvendit të Komunës së Ferizajt që në shenjë nderimi për të kaluarën, sheshi ku u dogj libri “Katërmbëdhjetë autorë” të marrë këtë emër si shpagim moral e institucional ndaj sakrificës së të gjithëve”, shpjegon Shala rrjedhën historike të këtij sheshi, teksa tregon se kjo organizatë ka pasur poashtu kërkesën e ndërtimit të ndonjë monumenti në shesh, por që ende nuk ka gjetur realizim.

14 autorëve pushteti serb kishte tentuar t’ua ndal krijimtarinë, por atë nuk e kishin arritur dot. Madje disa nga ta sot kanë kaluar kufijtë për lëminë letrare.

“Ata kanë arritur të bëhen emra të njohur jo vetëm brenda qytetit tonë, por edhe në mbarë Kosovën e disa edhe në Shqipëri. Veprat e tyre të mëvonshme janë shpërblyer nëpër konkurse të ndryshme dhe kanë ndikuar në pasurimin e letërsisë bashkëkohore shqipe”.

Shala tutje vazhdon duke theksuar se dëshmia më e fuqishme për qytetërimin dhe të kaluarën e një populli është kultura e tij, sipas saj këtë më së miri e dinë shqiptarët, të cilët kanë pasur paradoksin e të qenit popull i lashtë me kulturë të shkruar shumë vonë. Në këtë këndvështrim, kontributin e “Katërmbëdhjetë autorë” ajo e ndërlidh me kulturën historike.

“Botimi i këtij libri ‘të persekutuar’ dhe ‘të ekzekutuar’ në radhë të parë është kontribut për të kaluarën e popullit tonë, qytetit dhe klubit “De Rada”. Mirëpo, përveç vlerës historike ky libër është edhe pasuri kulturore, sepse na sjellë tablonë e preokupimeve të krijuesve të një brezi dhe propozimet estetike të asaj kohe”, vlerëson Shala.

Për të mbetet dëshpëruese ‘mos kujdesi’ i 14 autorëve për fatin e librit, sepse sipas saj për këtë drejtim më shumë është kujdesur organizata INPO sesa vet krijuesit. Libri pritet ta ketë promovimin në edicionin e dytë të Panairit të Librit “Ferizaj 2020” gjatë muajit shtator. Kjo vepër do të mbetet dëshmi e gjallë e të kaluarës represive të serbëve mbi shqiptarët, përndjekjes së fjalës shqipe dhe asaj të lirë, krijimtarisë artistike të atëhershme, të gjitha këto të sjellura në një version historik brenda kapakut të librit për gjeneratat e reja. /Medina Pasoma/ KultPlus.com

Bardh Rugova publikon “Gjuha e filmit”, një përmbledhje me ese ku filmat analizohen si tekste

Gjuhëtari, publicisti, përkthyesi dhe profesori, Bardh Rugova gjatë ditës së djeshme ka botuar librin e tij të fundit “Gjuha e filmit”, në të cilin ai ka bërë një përmbledhje me ese, ku filmat analizohen si tekste. Ky libër konsiderohet i pari i kësaj natyre në studimet shqiptare, shkruan KultPlus.

Në parathënien e këtij libri Bardh Rugova shpjegon se përmbledhja e eseve dhe analizimi i teksteve është bërë me metodat e gjuhëtarit dhe kushdo që e merr librin në dorë do të gjejë aty këtu edhe analiza e shpjegime kinema-tografike. Por, brenda librit lexuesit do të gjejnë edhe besnikërinë ndaj metodës linguistike, si synim për të mbetur brenda kornizave të një gjuhëtari.

Aty shpjegohet se brenda vëllimit janë diskutuar probleme të gjuhësisë e të tekstit si ndërtekstualiteti, njoftueshmëria, koherenca, synu-eshmëria e pranueshmëria, si edhe efikasiteti e efektshmëria tekstore.

“Brenda këtij vëllimi janë diskutuar probleme të gjuhësisë së tekstit: si ndërtekstualiteti, njoftueshmëria, koherenca, synu-eshmëria e pranueshmëria, si edhe efikasiteti e efektshmëria tekstore. Janë trajtuar probleme të gramatikës së tekstit si kompozicioni, duke diskutuar çështje të makrostrukturës tekstore dhe të superstrukturës tekstore; dhe konteksti: psikologjik dhe ai social, duke pasur raste të daljes edhe në fushën e sociolinguistikës. Kemi bërë përpjekje që të diskutojmë nocionin ‘figurë’ në gjuhësi” thuhet në parathënien e librit “Gjuha e filmit”.

Tutje tregohet se filmat e përzgjedhur janë marrë vetëm si shkas për të trajtuar problemet gjuhësore, si dhe për faktin që ka pasur një mungesë diskutimi rreth tyre. Në këtë parathënie Rugova tregon se lista e filmave të paraqitur në këtë libër nuk pasqyron listën e filmave të tij të preferuar.

“Pa dyshim, zgjedhja e filmave ka qenë subjektive dhe e rastit, por kjo nuk do të thotë se zgjedhja është bërë vetëm sipas vlerësimit personal ose shijes artistike – ndonëse nuk mohoj se mund të ketë rol edhe shija personale. Lista e filmave të paraqitur në këtë vëllim nuk pasqyron listën e filmave të mi të preferuar”, shkruan ai.

Sipas shkrimtarit sikur të bënte analizimin e filmave të tij të preferuar, vëllimi i këtij libri do të përfshinte edhe filmat ‘Godfather” dhe “Lord of the Rings” – në artikuj të gjatë. Madje ai shkruan se për “Lord of the Rings” ai kohë më parë kishte planifikuar të shkruante një libër të tërë, por nuk premton se një gjë e tillë mund të ndodhë në të ardhmen.

Tutje ai ka shpjeguar se ky libër nuk është vëllim për filmin, por për gjuhën dhe gjuhësinë. Filmi në këtë libër ka vetëm rolin e korpusit të analizës gjuhësore. Rugova madje ka shkruar se e kishte menduar që në libër të mos përshinte filma shqiptar, por ishte një diskutim jashtë filmit më vete që e shtyu atë që të përfshinte edhe një ese për filmin “Shok”.

“Për një listë të tërë arsyesh, kam menduar të mos përfshija asnjë film shqiptar. I kam shikuar thuajse të gjithë që janë xhiruar kohët e fundit dhe, natyrisht, i di thuajse të gjithë që janë xhiruar më parë. Do të kisha diçka për të thënë rreth shumicës prej tyre – nga këndvështrimi i gjuhëtarit dhe i analizës së tekstit. Megjithatë, një diskutim jashtë filmit më vete më shtyu të ofroja një ese për filmin ‘Shok’.”

Libri “Gjuha e filmit” ishte projektuar katër vite më parë, kur autori ishte në vlugun e punimeve të shumta, hartimeve të librave dhe projekteve që lidheshin me strukturën e shqipes. Por, pikërisht gjatë kohës së pandemisë, siç shpjegon autori në parathënie, ju rikthye shkrimit të eseve dhe redaktimit të atyre që kishte shkruar më parë, si mënyrë për të kaluar kohën. Ai ka shpjeguar se libri mund t’ju hyj në punë studentëve të gjuhësisë, studiuesve të filmit por edhe entuziasteve të kulturës.  Gjuha e artikujve në këtë libër ju është përshtatur (të gjitha kategorive të mundshme që konsiderohen lexues potencialë).

Krejt në fund ai ka shkruar se filmat i kishte shikuar së bashku më vëllaun e tij, mendimi i të cilit është shtruar brenda eseve të këtij libri. Sipas tij libri i shërbeu atij që të mos mërzitej gjatë pandemisë.

““Gjuha e filmit” bën bashkë më shumë pasione të miat: gjuhësinë në radhë të parë dhe pastaj filmit, leximin – letërsinë, shkencën, muzikën… sporti, besa. Është një libër që ma përmbush pasionin” ka thënë autori i librit, Bardh Rugova./ KultPlus.com

Libri “Intimations” dhe reflektimi në karantinë

Në librin e mëhershëm të Zadie Smithit, përmbledhjen e historive eksperimentale “Grand Union”, elementet më interesante ndodh të jenë ato më pak jokonvencionale.

Ky nuk është rasti në librin e saj të ri, “Intimations”, një seri me ese që reflekton mbi jetën në kohën e virusit COVID-19, kur ajo la New Yorkun për t’u karantinuar në Londër, duke shkruar “për ato copëza që ky vit… na i ka lejuar”, shkruan “The Guardian”, transmeton KOHA. Meditimi për atë sesi pandemia ka ndikuar në kreativitet apo komentimet politike sesi SHBA-ja duhet të shohë Britaninë e pasluftës, krijon një ndjenjë më pak esenciale sesa elementet retorike e avanturiere.

Ka një listë të çuditshme të ndikimeve familjare që shpërfaqin një lloj selfie të kaleidoskopit dhe një ese që përsërit koronavirusin si një metaforë për racizmin, duke krahasuar – në kalim – sytë e Dominic Cummingsit me ato të Derek Chauvin gjersa ai qëndroi i kërrusur mbi George Floydin.

Pjesët kanë tone të ndryshme. Përderisa njëra tregon momentin “pak para se bajga e botës të godiste turmën”, tjetra thotë “disa ditë para se poshtërimi global të fillonte”. Gjendja fisnike e Smithit, (Amerika shumë rrallë ka qenë filozofikisht e gatshme për të marrë në konsideratë ekzistencën si tërësi) ka tendenca për të tingëlluar më pak bindëse, aq më pak kur diskutohen nevojat e një shkrimtareje për kontroll, ajo mahnitet nga joshja e saj ndaj tulipanëve para “kësaj sezone të çuditshme dhe të mbingarkuar të vdekjes”.

Ajo është më shumë e përfshirë në momentet e shkurtra të përditshmërisë nën normën e re: duke prekur një buton për ngritje të disponimit në ditët e para të pandemisë apo duke u ndier e ndrojtur për të biseduar me nënën e saj në “Zoom”. Një pjesë fillon duke e përshkruar bankomatin e bankës së saj, gjersa bëhet gati për të dërguar familjen e saj në një bujtinë në pjesën periferike të Londrës para se fluturimet të ndaloheshin.

Ajo tregohet zemërmirë. Kur një fqinje i thotë, “…ne do ta kalojmë këtë, të gjithë së bashku”, ajo pëshpëritë me zë të ulët : “Po, do e kalojmë”, duke e lënë në ajër të vërtetën që ajo është gati për t’u larguar nga qyteti.

Smith e ndien si obligim për të treguar se ajo është “me fat krahasuar me disa të tjerë, dhe nuk vuan”. /KultPlus.com

Së shpejti në shqip libri i Robert Elsie kushtuar bektashinjve shqiptarë



Libri “Bektashinjtë shqiptarë, historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan” nga shkrimtari Roberl Elsie, së shpejti vjen dhe në gjuhën shqipe, ka njoftuar kështu Shtëpia Botuese ‘Artini’, përcjell KultPlus.

Ky vëllim i kushtohet rendit të dervishëve bektashianë në Shqipëri dhe rolit të tij në historinë shqiptare. Merret vetëm përciptazi me bektashinjtë e Turqisë dhe gjetkë, për të cilët tashmë është shkruar shumë, edhe pse kryesisht në turqisht.

Libri është i ndarë në katër seksione themelore:
Seksioni i parë është përmbledhje e historisë dhe e kulturës së bektashinjve shqiptarë, që shërben si hyrje në lëndën, për të cilën shpresohet të jetë mjaftueshëm e përgjithshme për lexuesin mesatar, por që të përmbajë po ashtu detaje të mjaftueshme për të përmbushur edhe kërkesat e lexuesit ‘jo mesatar’.
Ky pasohet nga një seksion më i gjatë që paraqet një larmi shkrimesh mbi bektashinjtë shqiptarë nga udhëtarët e hershëm dhe studiuesit e shquar. Këtu janë të përfshirë shumë artikuj shumë të rëndësishëm që u qasen studimeve për bektashinjtë nga këndvështrime të ndryshme.
Seksioni i tretë ofron një katalog të gjerë të teqeve (manastireve) kryesore dhe tyrbeve (faltoreve) të bektashinjve shqiptarë, të dhëna në mënyrë alfabetike sipas emrit të vendit, me informacione historike për origjinën, zhvillimin dhe rëndësinë, aty ku është e mundur. Katalogu nuk është aspak shterues pasi ka shumë faltore të vogla dhe teqe që nuk janë përfshirë këtu për shkak të mungesës së informacionit rreth tyre. Lexuesi do të hetojë se për disa teqe në këtë katalog, lënda është relativisht gjithëpërfshirëse, ndërsa për shumë të tjera ka boshllëqe. E tillë është gjendja e studimeve bektashiane për momentin.
Seksioni i katërt i këtij libri është një katalog i figurave më të shquara historike dhe legjendare të bektashinjve shqiptarë. Përsëri, të dhënat biografike për disa nga këto figura është i paktë, por ne kemi dhënë këtu atë që mund të mblidhet.
Korpusi kryesor i librit është rrumbullakuar me një fjalor të termave dhe një bibliografi për t’ia mundësuar lexuesit të interesuar që të ndjekë studime të mëtutjeshme në këtë fushë, nëse ai apo ajo dëshiron. / KultPlus.com





Botohet libri “Muharrem Qena-Ëndërrimtari”, sjell profilin e gjithanshëm të artistit

Jeta dhe krijimtaria e Muharrem Qenës, një nga artistët më të njohur shqiptar, do të vijë e përmbledhur përmes librit monografik “Muharrem Qena-Ëndërrimtari”, shkruan KultPlus.

Libri për aktorin, regjisorin, dramaturgun dhe muzikantin e njohur, doli sot nga shtypi.

Me autor Arian Krasniqin dhe të ndjerën Arzana Krajën, ky libër sjell profilin e gjithanshëm artistik, krijues e njerëzor të Qenës.

Autori Krasniqi, përmes një statusi në Facebook, ka njoftuar për botimin e librit dhe gjithashtu ka falënderuar familjen Qena për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

“Sot doli nga shtypi libri për aktorin, regjisorin, dramaturgun e muzikantin Muharrem Qena, me titull “Muharrem Qena-ëndërrimtari”. Në bashkautorësi me kolegen Arzana Kraja, kemi arritë të sjellim profilin e gjithanshëm artistik, krijues e njerëzor të Muharrem Qenës. Faleminderit botuesit “Integra”, Kushtrim Koliqit për përkushtimin në realizimin e këtij projekti! Një falënderim e mirënjohje e thellë i dedikohet edhe familjes Qena për besimin e dhënë dhe mbështetjen e vazhdueshme!”, ka shkruar Krasniqi.

Muharrem Qena është një nga artistët më të njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe.

Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.

Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.

Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.

Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera.

Muharrem Qena vdiq më 25 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale. / KultPlus.com

Kujtesa, nostalgjia dhe harresa në “Mosdijen” brilante të Milan Kunderës

Pas vitesh në emigrim, Irena dhe Jozefi kthehen në Pragë ku tashmë komunizmi ka rënë. Ajo vjen nga Franca së bashku me të dashurin suedez Gustavin, pas vdekjes së bashkëshortit Martin. Ai nga Danimarka, ku do të kthehet sërish e ku prehet gruaja e tij e ndjerë.

Ata rikthehen, por ora nuk ka ndalur aspak për miqtë e për të afërmit. Vazhdojnë rutinën, ndërsa “të mërguarit” e rikthyer ndihen shumë më bosh se më parë. Askush nuk i kupton, askush nuk provon të mësojë për jetën e tyre në ekzil, askush nuk i pyet për të shkuarën e tyre. Të dy, veçmas, presin të jenë qendra e vëmendjes për të tjerët, por më kot. E madje kur Irena sjell verë franceze Bordo në darkën e shtruar me mikeshat e saj, ato e injorojnë dhe vazhdojnë të pinë “pijen e çekëve”, birrën.

Kjo është historia e Irenës dhe Jozefit, personazheve kryesorë të romanit “Mosdija” të Milan Kunderës. Historia e dy të rinjve që lanë në mes një dashuri e që takohen pas dekadash në qytetin ku nisi gjithçka. Irena vuan nga nostalgjia, sepse ajo është ndjenja që shkaktohet nga dëshira e paplotësuar për t’u rikthyer. Jozefi shijon Pragën dhe takimet me Irenën, por e ka harruar krejtësisht se cila është ajo. Për të, Irena përfaqëson vetëm disa momente kënaqësie pa të shkuar e pa të ardhme, ndërsa për Irenën ato takime janë mundësia për diçka më shumë, për të arritur dashurinë në jetën e saj.

Ishte mirënjohëse ndaj dy burrave të mëparshëm të jetës së saj, Martinit të vdekur e Gustavit që e priste në shtëpi. Ia njihte vetes këtë virtyt, por nuk e pëlqente. Sepse në një lidhje dashurie, mirënjohja nuk është asgjë veçse një mënyrë tjetër për të emërtuar dobësinë apo varësinë. Irena nuk donte mirënjohje, donte dashuri. Ama Kundera nuk e lejon këtë dashuri të ndodhë, “sepse shkuara që na kujtohet nuk ka kohë. E pamundur të jetohet sërish një dashuri siç rilexohet një libër ose siç shikohet një film”, shkruan ai.

Nëse në reportazhet e Gabriel Markezit Praga paraqitet si ishulli i vetëm kapitalist i Europës Lindore, personazheve të Kunderës u dukej si një shall i gjerë e i gjelbër lagjesh të qeta dhe rrugësh të pikëzuara me pemë. Ishte ajo Praga e kartolinave, Praga e turistëve dhe e kurvave, Praga e restoranteve të shtrenjtë, Praga vallëzuese, Praga e Kafkës.

Jozefi e ka të vështirë të kujtojë të shkuarën e tij në vendlindje. Lexon ditarin e fëmijërisë që ia dha i vëllai, por historitë nuk i duken të tijat. Me shumë sforcim arrin të sjellë në kujtesë hijet e atyre veprimeve që shkronjat përshkruanin. “Ky është ligji i kujtesës mazokiste: sa më shumë mure të jetës shemben brenda harresës, aq më shumë njeriu heq qafe gjëra që s’i pëlqejnë duke u ndjerë më i lehtë, më i lirë… Jeta që kemi lënë pas ka zakonin e keq që del nga hija, qahet për ne, na bën gjyqe. Larg Bohemisë, Jozefi ishte çmësuar të jetonte me të kaluarën”.

Ndërsa Irena jeton në çdo moment me dëshirën për të qenë edhe një herë me Jozefin. Nuk ndjen nostalgji për martesën e parë, për të dashurin suedez, për shoqet që ritakon. Por vetëm për Jozefin. Sepse nostalgjia ka një paradoks matematik: është më e fuqishme në rininë e parë, kur vëllimi i jetës që ka shkuar është i papërfillshëm.

“Mosdija” është një roman për kujtesën dhe harresën, për rikthimin dhe zbrazëtinë në shpirt në një sfond real historik dhe politik të Europës Lindore. Ndoshta është historia e vetë Kunderës, i detyruar të emigrojë në Paris në vitin 1975 nga Praga, ku rikthehet rrallë herë dhe në fshehtësi të plotë. /Tiranapost.al /KultPlus.com

U promovua libri kushtuar veprës letrare të Arif Demollit

Bujar Meholli

Nuk ka se si mos t’i kujtojmë veprat “Lushi si askushi”, “Pëllumbat e kujtimeve” e plot të tjera të cilat e kanë shoqëruar fëmijërinë tonë dhe që ma mallëngjejnë çdoherë. Këto vepra, dhe të tjera, kanë dalë nga penda e shkrimtarit të shquar Arif Demolli, i cili kishte një imagjinatë të pasur dhe dinte si të krijonte letërsi të mirëfilltë për fëmijë dhe për të rritur, shkruan KultPlus.

Arif Demolli futet në mesin e shkrimtarëve më të afirmuar shqiptar, me krijimin e veprave që edhe sot e kësaj dite janë të rëndësishme për nxënës, student e studiues. Mjafton të përmendet vepra “Vdekja e Akanit” e cila trajton temën biblike të vrasjes së Akanit, për ta parë mjeshtërinë e rrëfimit të Demollit që e bën atë shkrimtarë të veçantë.

Si sot para tri vjetëve, ai iku në amshim duke lënë pas vetes një krijimtari të pasur letrare. Karvani i shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” përkujtoi shkrimtarin e shquar i cili ishte edhe anëtar i këtij karvani. Përveçse u kujtua, sot u përurua libri kushtuar veprës letrare të tij, një përmbledhje e shkrimeve të të tjerëve për të.

Në hapësirat e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, sot u përurua ky libër i rëndësishëm që përmbledh recensione e trajtesa nga të tjerët për Arif Demollin.

Libri “Arif Demolli mes dhimbjes, gazit e mrekullisë” i cili u prezantua para një publiku të madh, u përgatit nga bashkëshortja e Demollit, Nergize Demolli.

Për 40 vjet, ajo qëndrojë pranë tij mes dhimbjeve, vështirësive dhe gëzimeve, si bashkëpunëtore e vyer.

“Letërsia e tij prekte botën shpirtërore, sociale e politike të shqiptarit të Kosovës”, tha ajo. “Kisha mëdyshje nëse duhej t’i ndaja shkrimet për fëmijë dhe të rritur, pastaj vendosa që t’i radhisja kronologjikisht. Shpresoj se kjo përmbledhje t’i hyjë në punë secilit që e ka ndarë mendjen të merret me krijimtarinë e tij letrare”.

“Le të shërbejnë këto shkrime si hyrje në botën e pasur letrare dhe shpirtërore të Arifit. Në botën e mistereve, dhembjeve dhe gëzimeve”, u shpreh bashkëshortja e tij.

Për Arif Demollin foli edhe shkrimtari Skënder Zogaj i cili e cilësoi atë korife të fjalës së shkruar shqipe derisa lavdëroi bashkëshorten e Demollit për përgatitjen e librit.

“Arif Demolli është njëri nga korifenjtë e kultivimit të fjalës së shkruar shqipe. Pa të nuk ka liri, këngë e as atdhe”, tha Zogaj duke u ndalur dhe përmendur shkrimet kritike të personaliteteve të njohura të letrave shqipe.

Drejtori i Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni po ashtu e vlerësoi lartë figurën e Demollit.

“Me mënyrën e të vepruarit, forcën e shkrimit, ai gjeti strehën e përjetshme në art. Arif Demolli shkroi lloje të ndryshme, skica, tregime, përkthime, recensione, romane e tekste këngësh”, u shpreh ai. Tutje, Hyseni theksoi se vepra e Demollit nuk ka prerje për të rritur apo për fëmijë. Sipas tij, Arif Demolli arrin të shkruajë për fëmijë dhe të mendojë për të rritur dhe anasjelltas.

Ky libër përmban 29 tekste nga të tjerët për Demollin. Mes personaliteteve që kanë shkruar për Demollin dhe që gjenden në këtë libër janë Sabri Hamiti, Ymer Elshani, Hasan Hasani, Rushit Ramabaja, Nysret Krasniqi, Abdullah Konushevci e të tjerë. /KultPlus.com

Fragment nga libri “Jeta ime”, Charlie Chaplin

Gjatë këtyre shëtitjeve nuk më kujtoheshin asnjëherë ato që më thoshte ajo. Isha krejt i ekzaltuar, i bindur se një forcë mistike na ishte afruar dhe se bashkimi ynë ishte rezultat i një afiniteti të paracaktuar. Kisha tre mëngjese që e njihja; tre mëngjese të shkurtra, përpara të cilave pjesa tjetër e ditës nuk ekzistonte deri në mëngjesin pasardhës. Por, mëngjesin e katërt qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo më priti ftohtë, pa entuziazëm dhe nuk pranoi të ma kapte dorën. Unë e qortova për këtë gjë dhe e akuzova me shaka se nuk më donte. Më tha – në fund të fundit, unë jam pesëmbëdhjetë vjeç dhe ju nuk jeni veçse katër vjet më i madh se unë. Unë nuk desha ta kuptoja domethënien e kësaj vërejtjeje. Por, nuk mund të mos e vija re mënyrën me të cilën papritur po më largonte. Vështronte drejt përpara, duke ecur me një hap elegant prej gjimnazisteje, me duart të futura në xhepat e bluzës marinare.

– Me fjalë të tjera, ju nuk më doni me të vërtetë – i thashë. Nuk e di – ma ktheu ajo. Unë mbeta i hutuar. – Në qoftë se nuk e dini, atëherë nuk më doni. Në vend të përgjigjes, ajo vazhdoi të ecte pa thënë asgjë. E shikoni çfarë profeti jam – zura të flisja unë me një ton të lehtë. – Ju kisha thënë se do të pendohesha që u njoha me ju. Provova ta merrja në pyetje për të zbuluar ndjenjat e saj të vërteta në lidhje me mua, por të gjitha pyetjeve ajo iu përgjigj njëlloj: – Nuk e di.

Doni të martoheni me mua? – I thashë më në fund për ta zënë ngushtë. – Unë jam tepër e re. Mirë atëherë, sikur të ishit e detyruar të martoheshit, do të më merrnit mua, apo ndonjë tjetër? Por, ajo nuk donte të angazhohej dhe përsëriste pa pushim të njëjtat fjalë: – Nuk e di… unë ju dua… por… – Por nuk më doni – i thashë unë tërë ankth. Ajo mbeti në heshtje.

Ishte një mëngjes i vrerët, rrugët kishin një pamje të përhime dhe të shëmtuar. E keqja është se kam lejuar t’i çoj gjërat shumë larg – thashë me një zë të ngjirur. Kishim arritur në hyrje të metrosë. “Mendoj se do të bënim mirë të ndaheshim dhe të mos takoheshim më kurrë” – shtova duke pritur se si do të reagonte ajo. Mbeti e ngrysur. – Lamtumirë – u përgjigj ajo. – Më vjen shumë keq.

Kjo ndjesë qe si një goditje që po më jepte në zemër. Kur ajo u zhduk në metro provova një ndjenjë zbrazësie të padurueshme. Ç’kisha bërë? Mos isha treguar tepër brutal? Nuk duhej ta kisha trembur. Isha sjellë si një hajvan i fryrë dhe kisha krijuar një situatë të tillë që tani nuk mund të takohesha më me Hetin pa u bërë qesharak. Ç’duhej të bëja? Më mbetej vetëm të vuaja.

– Charlie Chaplin“Jeta ime”

Sot promovohet libri “Dilemat e tranzicionit” i Ferdi Kamberit

Në vazhdën e promovimeve në KultPlus Caffe Galery, sot do të promovohet libri “Dilemat e Tranzicionit” i autorit Ferdi Kamberi.

Ky libër është një trajtesë e komenteve sociologjike, i ndarë 5 kapituj të ndryshme të cilat trajtojnë problemet dhe dertin e njeriut modern në shoqërinë shqiptare sipas fushave përkatëse. Libri trajton fenomene bashkëkohore të shoqërisë sonë (moderne) duke i krahasuar me shoqëritë e tjera. Secili koment i trajtuar në këtë dorëshkrim ka një domethënie të veçantë kalendarike në zhvillimet e tranzicionit kosovar dhe atij ballkanik.

Temat e shtjelluara në këtë libër janë të ndryshme: tjetërsimi i njeriut dhe rënia e solidaritetit shoqëror tradicional duke marrë forma të reja solidariteti bashkëkohor, rritja e abuzimeve të substancave psiko-aktive nga grupmoshat e reja, martesat e hershme, ndryshimet në strukturën e familjes dhe të farefisnisë, kriza e vlerave dhe ajo identitare, varësia nga mediat sociale, shoundi dhe kiçi, politika dhe arti, diversiteti dhe toleranca, përplasja e religjionit me sekularizmin, disa shpjegime keqkuptuese mbi shkaqet dhe pasojat e divorcit, etj.

Promovimi mbahet sonte prej orës 17:00 në KultPlus Caffe Gallery. Ngjarja është e hapur për të gjithë. / KultPlus.com

“Dritë mbi plagë”, homazh poetik për gjenocidin në Kosovë

Në përvjetorin e gjenocidit serb në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, akuzon nëpërmjet poezisë.

Me rastin e Ditës së Gjenocidit, 15 janar, të shpallur nga Kuvendi i Kosovës, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, me seli në Gjenevë të Zvicrës, sapo nxori nga shtypi sprovën antologjike me poezi “Dritë mbi plagë”.

Ky libër tematizon gjenocidin serb mbi shqiptarët. Ështëhomazh artistik ndaj të gjitha viktimave. Në të janë përfshirë poezitë e 51 poetëve shqiptarë, kryesisht poezi të reja, të dërguara në Qendër enkas për këtë përmbledhje dhe të përzgjedhura nga një ekip vlerësues. Libri ka për qëllim zgjimin e vëmendjes dhe ndëshkimin nga ana e drejtësisë.

Qendra falënderon poetët si dhe të gjithë ata që u angazhuan në botimin e këtij libri.

Poetët e përfshirë në libër mund t’i tërheqin falas nga dy ekzemplarë në redaksinë e gazetës ditore “Epoka e re” në Prishtinë. Do të ketë njoftime me kohë për datat e promovimevetë librit në Prishtinë, Tiranë e Shkup, personalisht apo nëpërmjet faqes zyrtare të Qendrës, sigurisht edhe nëpërmjet medieve. Së shpejti do të njoftohen të gjithë edhe për mënyrën e plasimit të librit për lexuesit, me çmim simbolik./KultPlus.com

“Vepër shumëdimensionale e trajtimeve gjuhësore”

Shkruan: Bahtijar Kryeziu


(Begzad Baliu: “Gjurmime albanologjike”, ShB Era, Prishtinë, 2019, faqe381)

Në vitin që po e lëmë pas, prof. dr. Begzad Baliu, na gëzoi me një sihariq – vepër të radhës, e cila sikur paraqet edhe një urim për të gjithë dashamirët që ua kënda të dinë më shumë për problemet gjuhësore, urim që viti 2020, të jetë një vit më i mbarë për të gjithë shqiptarët gjithandej ku jetojnë dhe në të gjitha fushat e jetës: në politikë, ekonomi, arsim, shkencë, shëndetësi, jurisprudencë e në kulturë në përgjithësi.

Këtë vepër, me titull ”Gjurmime albanologjike”, autori, një emër i njohur i letrave shqipe dhe mbrojtës i zellshëm i pastërtisë dhe pasurimit të gjuhës sonë, ma dërgoi në formën elektronike, të botuar ditë më parë nën siglën e Shtëpisë botuese “Era”në Prishtinë, më 2019, me mbi 380 faqe.

Me punimet e veprat e tij shkencore të deritanishme, prof. dr. Begzad Baliu i ka dhënë një ndihmesë të çmuar gjuhës shqipe, pos mësimdhënies mbi 12 vjeçare në shkollimin e lartë. Në këtë hulli, pa dyshim se vlerë të rëndësishme ka edhe vepra e tij e fundit “Gjurmime albanologjike”, të cilën edhe e kemi bërë objekt trajtimi e analize të shkurtër këtë radhë.

Vepra “Gjurmime albanologjike” e profesor Baliut, është sintezë trajtimi dhe e zbërthimit të një shumësie të problemeve gjuhësore, të trajtuara me dije e njohuri të thella dhe kujdes të veçantë. Temat e rrahura në këtë vepër janë nga fusha e gjuhësisë, të nduarduarta dhe në shtrirje kohësh të ndryshme e gjeografi të gjerë. Baliu i rreket periudhës së pas pushtimit të tokave shqiptare nga osmanlinjtë dhe përpjekjeve, aspak të lehta, të shqiptarëve për ta mbajtur gjallë fjalën shqipe e për të mos u shuar vatrat tona e gjuha jonë. Një vend të rëndësishëm në veprën e profesor Baliut zënë edhe migrimet e shqiptarëve nëpër vendet e Europës e të botës, duke hapur qendra arsimore e kulturore kudo që mundnin. Me themelimin e disa qendrave kulturore nga fundi i shekullit XIX dhe gjatë shekullit XX, “pranë institucioneve akademike evropiane (Austro-Hungari, Itali, Gjermani etj), në Lindje (zonën e Perandorisë Osmane: Stamboll) dhe shtetet përreth (Egjipt, Bullgari, Greqi, Rumani”, etj.), shihen përpjekjet, entuziazmi dhe dëshira e intelektualëve tanë për të botuar gazetat e para, librat e parë shkollorë dhe veprat e para shkencore e artistike, por për fat të keq, ato qendra nuk qenë jetëgjata, ashtu siç nuk po ju prinë fati i mirë (gjatë historisë) as disa qendrave studimore të shqipes, të këtij gjysmëshekulli, me interes për albanologjinë, si në: Leipzig, Grac, Mynih, Berlin, Këln, Budapest, Bukuresht, Romë, Napoli, Palermo, Kozencë, Kopenhagë, Paris, Poloni, Çekosllovaki; në Athinë, Selanik, Beograd, Stamboll, Sofje e deri në Shën Petërsburg, e Peking të Kinës, si dhe Arizonë të Amerikës, disa nga të cilat tanimë edhe janë mbyllur, gjë që shumë dokumente të vjetra për shqipen e popullin shqiptar kanë mbetur e do të mbesin nën pluhurin e harresës, për sa kohë që nuk ndërmerret diçka më serioze. Me këtë rast edhe autori i veprës “Gjurmime albanologjike”, edhe vetë si gjurmues i pa përtesë, e për moskujdesin e treguar ndaj kësaj begatie të paçmuar, si nga autoritetet shqiptare, ashtu edhe nga ato të Kosovës, shprehet me mllef të madh, ngase një punë aq madhore, sigurisht se nuk mund ta bartin vetëm njerëzit e vullnetit të mirë. Jo pa të drejtë, profesor Baliu pyet edhe për nderimin që është dashur t’ju bëhet studiuesve tanë, por edhe atyre të huaj që për shqipen e shqiptarët bënë aq sa ju takoi të bëjnë: “Me se i kemi nderuar deri më tash themeluesit dhe bardët e albanologjisë: Lajbnicin, Ksilanderin, Hahnin, Majeri, Pedersenin, Joklin, Durhamin, Lambercin, Hempin, Mikloshiqin, Cimohovskin etj., pos me ndonjë tekst (artikull) rasti brenda ndonjë konference shkencore, si dhe me një pagëzim të ndonjë rrugice. Po me asnjë pagëzim institucioni kombëtar, me asnjë konferencë të veçantë themelvënëse (përjashto Joklin, Majerin dhe Hampin) dhe në mënyrë të veçantë me asnjë monografi shkencore akademike, të cilat nuk mund të bëhen pa kërkime të gjata në institucionet ku kanë punuar dhe vendet ku kanë jetuar ata”.

Kur përmendëm se problemet e rrahura gjuhësore në këtë vepër janë të nduarduarta, menduam në fushat që ka kapur për analizë e trajtim profesor Baliu: nga ato historike të gjuhës, kur shqipja ende nuk kishte një formim të duhur ngase atëbotë kishte jo një, por 150 alfabete (për 353 vjet), që mund të përzgjidheshin dhe zbatoheshin (Prof. dr. Tomor Osmanit, Rruga 353-vjeçare e alfabetit të shqipes parë nga pikëpamjet filologjike, kumtesë e paraqitur në Semi¬narin II Ndërkombëtar të Albanologjisë, Ohër 22-28.9.2008); për të vënë në syzim pastaj përdorimin e standardit gjuhësor; problemet e metodës së kërkimit të onomastikës shqiptare dhe ndihmesën e profesor Idriz Ajetit në këtë fushë; raportet e profesor Ajetit me ato të Çabejt, vlerësimet e njërit e të tjetrit për gjuhën shqipe, sipas një kronologjie të caktuar; pikëpamjet e profesor Rexhep Qosjes për albanologjinë dhe çështjen e zbatimit të metodave në këtë fushë, ndihmesat e tij, jo vetëm në fushë të studimeve gjuhësore, por sidomos ato në fushën e studimeve folklorike, etnografike, kontributin e tij në fushë të historisë, të historisë së letërsisë dhe në mbrojtje të albanologjisë. Profesor Baliu, në veprën e tij, nuk lë pa përmendur edhe njërin nga kryereferuesit e Kongresit të Drejtshkrimit, profesor Androkli Kostallarin, me theks të veçantë për gjuhësinë shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, përkatësisht për ndihmesën e tij në standardizimin e shqipes letrare, si një arritje e veçantë; pastaj për filologët e shquar, si: Shaban Demiraj dhe çështja e metodave….; për studiuesin pasionant, profesor Shefki Sejdiun dhe vlerësimin e tij përkitazi me europeizimin e albanologjisë; për fjalësin gjuhësor dhe estetik të veprës letrare të Beqir Musliut; një vlerësim për versionin në dorëshkrim të librit “Një fyell ndër male” të Martin Camajt; për probleme dialektologjike-gjuhësore të krahinës së Opojës; për sistemin foljor të studimit monografik “Koha e ardhme e foljes në gjuhën shqipe (lidhjet mes kohës, aspektit e modalitetit), të dr. Sejdi Gashit etj.

Para se ta përfundojë veprën e tij, autori paraqet edhe disa evokime e kujtime për albanologët e mëdhenj të cilët më nuk i kemi ndër të gjallët, e për të cilët, nëse nuk është ngritur ndonjë shtatore, Baliu, në veprën e tij, u bën nga një bust. Të tillët janë: mësuesi i mësuesve, studiuesi e arushani e gjuhës shqipe, akademik Idriz Ajeti, studiuesi i problemeve gjuhësore-fonetike dhe etimologu i fjalës shqipe – akademik Kolec Topalli; studiuesi i gjuhës, historisë e kulturës sonë me shtetësi kanadeze, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Robert Elsie, i cili u nda nga jeta në moshën 67 vjeçare, i varrosur në Shqipëri sipas amanetit që kishte lënë. Një shkrim analitik, Baliu ia kushton edhe kolegut tonë të punës, profesorit shumëvjeçar, studiuesit të shqipes e atdhetarit të paepur i cili provoi burgun e kohës së komunizmit për shkak të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve e të gjuhës së tij, Zenun Gjocaj, për të përfunduar veprën e vet “Gjurmime albanologjike”, me një kërkesë që “Ta përmbushim idealin e etërve të albanologjisë”, të cilin lipset përmbushur ne, nxënësit e tyre. /KultPlus.com

Në Doha të Katarit sot promovohet botimi shqip i “Kusarit”

Me ftesë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Katar,dhe në bashkëpunim me Forumin e Marrëdhënieve Arabe e Ndërkmbëtare në Doha, promovohet sot në orën 18 botimi shqip i romanit “Kusari” i autorit nga Katari, Abdulaziz Mahmud.

Romani u botua para një muaji nga shtëpia botuese Buzuku në bashkëpunim me Institutin për Studime orientale (ISO) në Prishtinë .

Në promovim do të maarin pjesë ambasadori i Republikës së Kosovës në Doh,a Amir Ahmeti, drejtori i Institutit për Studimet Orientale në Prishtinë, Muhamed Mufaku,shkrimtari Ibrahim Kadriu ,përkthyesi i romanit Ejup Ramadani dhe autori Abdulaziz Al Mahmud.

Vlen të përmendet se romani “Kusari” trajton me një narrativë magjepse ndryshimet e mëdha politike dhe shoqërore në vendet e Gjirit gjatë shek. XIX, duke përfshirë edhe paraqitjen e lëvizjes vehabiste në atë rajon dhe paraqitjen e ushtarëve shqiptarë të Mehmet Ali Pashës në beteja të përgjakshme kundër forcave të kësaj lëvizje. Romani në fjalë gëzoi sukses me shumë botime në arabisht dhe me përkthimin në anglisht.

Me rastin e qendrimit të intektualëve kosovarë në Doha, Ministria për Kulturë në Katar mori incjativën për një takim me shkrimtarët e Katarit nesër, të martën, në orën 11 dhe një drekë në shenjë ndermi për ardhjen e tyre në Katar dhe për kontaktin e parë kulturor të këtij niveli minis dy vendeve. / KultPlus.com

Sot në Prishtinë promovohet romani me motive shqiptare i autorit nga Katari

Ndërsa ditë më parë në kryeqytetin e Katarit, Doha, u hap ambasada e Republikës, që ishte shkas të mblidhej atje komuniteti i vogël i shqiptarëve nga të gjitha hapësirat ku jetojnë, sot në kryeqytetin e Kosovës promovimi i romanit të njërit nga shkrimtarët më të njohur të këtij vendi do të jetë arsye e mirë të mbledhë dashamirët e artit të shkruar.

Në orën 12, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare do të bëhet promovimi i romanit “Kusari” të shkrimtarit nga Katari, Abdulazis Al Mahmud, i cili mbështetet në motive shqiptare. Promovimin e këtij romani, që ishte kthyer në bestseler, dhe që përjetoi shtatë ribotime dhe u përkthye edhe në gjuhën angleze, bëhet në bashkëpunim me Institutin për Studime Orientale (ISO) në Prishtinë. Atë në shqip e përktheu Ejup Ramadani, ndërsa e botoi “Buzuku”, shkruan Koha.net.

Me rastin e promovimit të këtij romani, sot në Prishtinë do të jetë i pranishëm edhe autori Abdulazis Al Mahmud.

“Kusari” ishte romani i parë arab që ka tematikë shqiptare. Ai motivohet nga ngjarjet e shekullit XIX në vendet e Gjirit , përfshirë edhe luftën e ushtarëve shqiptarë të Mehmet Aliut kundër lëvizjes vehabiste në Arabi.

Autori Abdulaziz Al Mahmud u paraqit së pari në gazetari, derisa u bë kryeredaktor i gazetës më të vjetër arabe në Katar (al-Arab). Si kryeredaktor tregoi interesim për Pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe ia kushtoi kësaj ngjarje historike dy shtojca të gazetës. Madje, ai erdhi në Kosovë në qershor 2008 dhe realizoi një intervistë ekskluzive me presidentin e atëhershëm, Fatmir Sejdiu,e cila ishte e para për shtypin arab. Më vonë, A.Al Mahmut iu përkushtua letërsisë duke botuar “Kusarin” më 2011 dhe romanin “Veli i shenjtë” më 2016 etj.,për çka mori më 2019 Çmimin e Shtetit për Letërsi. / KultPlus.com

Hilary and Chelsea Clinton do të publikojnë një libër mbi fuqizimin e grave

Ish-kandidatja amerikane për presidente në SHBA,  Hilary Radam Clinton dhe vajza e saj e madhe Chelsea Clinton do të publikojnë së bashku një libër për fuqizimin e grave të quajtur “Libri për gratë e fuqishme”, shkruan Kult Plus.

Libri do të publikohet me 1 tetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky libër është një bisedë rreth historive të grave të fuqishme, sfidat dhe vështirësitë e tyre drejtë rrugës së suksesit.

Ky libër do të tregojë procesin e tyre drejt suksesit nga pika Aderi në pikën Z.

Hilary and Chelsea Clinton kanë realizuar edhe një intervistë ku kanë treguar për librin I cili do të publikohe shumë shpejt./KultPlus.com

Bardhyl Oseku promovon librin ‘Ngarendje’

Rrona Jaka

“Kam mbjellur fidanin tim në fushën e gjerë me lule që ka letërsia shqipe e ndërkombëtare”, kështu është shprehur Bardhyl Oseku në promovimin e librit të tij të parë.

Vëllimi i tij poetik “Ngarendje” është konsideruar nga miku dhe njëherit autori i 40 veprave, Sejdi Berisha, si “përmbledhje poetike e cila i ngacmon dhe i prek të gjitha fushat e jetës dhe të ndjeshmërisë njerëzore”.

“Në këtë vëllim autori është gjithmonë në kërkim të vetes duke u kthyer kështu në një pelegrin të pafund. Si në rastet kur i drejtohet vetes, shoqërisë apo familjes autori është tepër i matur, por edhe kritik në të njëjtën kohë”, është shprehur kritiku dhe miku i autorit, Sejdi Berisha.

“Madhështia e vagut në këtë vëllim poetik nuk është vetëm te muzikaliteti që ka, por edhe te thellësia poetike dhe filozofia që Oseku shpreh në çdo varg të tij” ka theksuar Berisha.

Berisha gjithashtu ka sqaruar për të pranishmit që poeti nuk ka botuar poezi që nga viti 1965 kur i kishte botuar poezitë e para në revistat e gazetat e asaj kohe, duke u ankuar njëherit për mungesën e tij në pjesëmarrjen e krijimtarisë poetike si dhe duke e quajtur, pak si me përkëdheli, “Poet i vonuar”.

Urimeve dhe falenderimeve u është bashkuar dhe profesori i filozofisë – Bashkim Canhasi, i cili s’është kursyer ta krahasojë mikun e tjj me shkrimtarët më të mëdhenjë ekzistencialistë si Dostojevsi.

“Ka shumë arsye pse njerëzit krijojnë, gjithsesi arsyeja më e mirë gjendet në këtë libër. Me thellësi të tillë dhe me një njohje kaq të madhe sa ka Bardhyl Oseku, s’do mend që kjo vepër duhet të lexohet”, ka thënë Canhasi për vëllimin poetik “Ngarendje”.

Para se të merrte fjalën autori i veprës, të pranishmit kanë pasur fatin t’i dëgjojnë disa poezi nga ky vëllim poetik.

Në fund fare autori i veprës i ka falenderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe miqtë që e kanë mbështetur dhe kanë bërë të mundur realizimin e këtij vëllimi poetik.

Botimin e këtij libri e ka bërë revista “Drita”, kurse redaktore dhe recensente ka qenë Entela Tabaku.

Ky vëllim poetik përmban pesë cikle dhe është libri i parë i autorit Bardhyl Oseku. / KultPlus.com

Ish-presidenti francez Sarkozy zbulon sekrete personale në librin ”Pasionet”

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy zbulon te ”Pasionet”, libri që do të dalë në shitje sot, kujtimet e tij në rrugëtimin në politikë dhe në aspektin personal deri në ngjitjen në Elize’ në 2007.

”Më 6 maj 2007, në momentin që shoh foton time të formësohej me 53% të votave të shfaqej në ekran, ishte një vullkan ndjenjash. E gjithë bota bërtiste, kërcente, qeshte, disa madje përloteshin nga gëzimi. Ne ndiheshim kështu. Më në fund gjithçka mbaroi. Unë arrita të fitoj, atë që e kisha qëllimin tim personal prej kaq viteh. Më në fund po bëhem legjitim’’, shkruan Sarkozy.

President mes viteve 2007 dhe 2012, Nicolas Sarkozy e rrëfen të gjatë rrugëtimin e tij politik, që nisi me një takim të ish-partisë Mbledhja për Republikën (RPR) në Nisë (juglindje të Francës) në 1975, pasuar me një takim në Matignon me kryeministrin e atëhershëm, Jacques Chirac, i pranishëm gjatë 360 faqeve të autobiografisë së tij të parë.

Ai tregon me një stil të drejtpërdrejtë ngjitjen drejt presidencës, më konkretisht kalimin në krye të Ministrisë së Brendshme (2002-2004, 2005-2007), pak më shumë se tre vite që ishin më të lumturat për të në aspektin profesional.

‘’Më pëlqen të fitoj. Unë kam luftuar gjithnjë për fitoren, por forca është t’i pranoj vetes që më shumë kam mësuar nga dështimet sesa nga sukseset’’, pohon ish-presidenti, i mundur nga socialisti François Hollande në 2012 dhe autori i një rikthimi pa sukses në parapraket e së djathtës në 2016.

Stefan Çapaliku promovon librin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është nikoqire e promovimit të vëllimit të tretë të ciklit romanesk “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” të autorit Stefan Çapaliku.

Ky vëllim është botim i  Entit Botues “Gjergj Fishta”, përcjellë KultPlus.

Promovimi do të jetë në formën e bashkëbisedimit të gazetarit Agron Shala me autorin Stefan Çapalikun. Ndërsa aktori Enver Hyseni do të lexojë fragmente të shkurta nga libri.

Promovimi do të mbahet më datë 19 dhjetor në  ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com

13 fshatrat turistikë të qarkut të Gjirokastrës në një libër

13 fshatrat turistikë të qarkut të Gjirokastrës janë përfshirë në librin “Trembëdhjetë petalet e para në buqetën rurale”, të hartuar dhe botuar nga institucioni i Prefektit të qarkut.

Këto 13 fshatra janë përfshirë në Programin e Integruar për Zhvillimin Rural, i cili synon të koordinojë ndërhyrjet zhvillimore në hapësirat rurale.

Programi i Integruar për Zhvillimin do të programojë ndërhyrjet me investime të integruara në zonat e përcaktuara nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës publike, zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të kapitalit social e njerëzor.

Në këtë libër janë përfshirë fshatrat e qarkut Gjirokastër si Dhoksat, Malëshovë, Zhulat, Antigone, Lazarat, Labovë e Sipërme, Nepravishtë, Nivicë, Peshtan, Kalivaç, Leusë, Kosinë, Sotirë etj./ KultPlus.com

Gjeneral Kudusi Lama befason me librin “Nëna ime Mihane Lama”

Gjenerali mirënjohur i luftës së Kosovës, Kudusi Lama, sapo e ka botuar një libër të veçantë në përvojën e tij profesionale: një monografi kushtuar nënës së tij, Mihane Lama, me titull “Nëna ime Mihane Lama”.

Ky libër i rrallë, i shkruar nga një ushtarak karriere e gjeneral lufte, habit lexuesin për ndjeshmërinë që bartë dhe sidomos për kulturën e shkrimit. Libri i Lamës rrëfen jetën e nënës së tij (Mihane Lama), e cila i kishte rritur me vuajtje dhe sakrifica shumë të mëdha dy fëmijët e saj të mbetur pa baba që në vegjëli të hershme (të cilët më vonë u bënë ushtarakë me nam).

Akademik Rexhep Qosja, që është recensues i këtij libri, e ka vlerësuar si të veçantë e me vlerë librin, jo vetëm për përmbajtjen dhe përshkrimin e protagonistes, por edhe për faktin se ai është shkruar me një mjeshtri të rrallë nga një gjeneral.

“Kjo vepër e Kudusi Lamës është me ndikim të veçantë pedagogjik dhe duhet të lexohet e rilexohet, sepse lexuesi shqiptar ka nevojë për libra të këtillë sot”, ka shkruar Rexhep Qosja në parathënien për këtë libër. Po ashtu edhe redaktori i botimit, Emil Lafe, ka shkruar se duke rrëfyer për nënën Mihane, Kudusi Lama e sjellë të gjallë jo vetëm figurën e nënës por edhe një botë dhe një epokë.

“Ky libër nuk është thjesht një shprehje dashurie e një peng nderimi për nënën, por edhe një histori njerëzore e shoqërore me përmasa të një romani shumëplanësh”, ka shkruar Emil Lafe.

Kudusi Lama është autor i disa librave nga fusha e studimeve ushtarake dhe të sigurisë por, ai ia gjithashtu ka botuar edhe disa libra publicistikë. Karrierën profesionale e ka ndërtuar si oficer në Ushtrinë e Shqipërisë deri në gradën e gjeneralit. Gjatë viteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1997-1999) ka qenë komandant i Divizionit të Kukësit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë./KultPlus.com

“Pse vetëm femnat duheshka me u mbulue dhe jo edhe mashkulli?”

Due të pyes se pse vetëm femnat duheshka me u mbulue dhe jo edhe mashkulli? Ky gjykim mos rrjedh nga ajo mendësi e kalbun që i quen femnat seks i bukur? Oh sikur t’a dijnë meshkujt se sa të shëmtueshme, të përçuduna dhe përbindësha ndodhen në mes t’onë! E këto krijesa të vorfëna nga bukuria vetëm syt t’ona munden me i njoftë e me i dallue, pse na, domosdo, nuk shofim njena tjetrën me syt e nji mashkulli të turbulluem prej pasioni.

Mbasandaj kush mund të pretendoj se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? S’i kur të mundesh me folë femna, me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet.

Kush mundet me më sigurue se me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpërmjet peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm ?

Oh sa e sa vashash, nga plasa te dyerve ase nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rij me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, me gjith që natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shum se ata, i ka pajue me ndjesit e dashunis.

Prandaj më takon të them se ne qoftë se duhet mshefë femna, lypset të mbulohet edhe mashkulli, pse edhe ai ka bukuri, pse edhe ai nxit lakmit e femnës edhe ai klikos dëshirën./KultPlus.com

Paragraf nga libri “Sikur të isha djalë”, Haki Stërmilli

CHwB Kosova, sjellë debat publik dhe promovim libri për “Hapësirat e braktisura të Kosovës”

CHwB Kosova më 20 mars mban debatin publik “Hapësirat e braktisura të Kosovës” në Parkun Arkeologjik- Lapidariumi i Muzeut të Kosovës (përball Muzeut Kombëtar), duke filluar nga ora 18:00, shkruan KultPlus.

Ndërtesat apo monumentet e ndryshme që i kanë rezistuar kohës janë reprezentime materiale kulturore të një shoqërie, të cilat përveç tjerash i shërbejnë vazhdimisht kujtesës kolektive, ofrojnë një narrativë të përbashkët për të kaluarën dhe i kontribuojnë identitetit kolektiv.
Gjatë vitit 2017, CHwB Kosova ka identifikuar 262 ndërtesa të pashfrytëzuara nëpër vende të ndryshme të Kosovës, të cilat janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje. Ato janë shtëpi tradicionale, salla të kulturës, ndërtesa industriale, kulla dhe përmbajtje të tjera ndërtimore të cilat dikur i shërbenin familjeve, komuniteteve dhe shoqërisë. Fati, kuptimi dhe roli i tyre përcaktohet nga faktor të ndryshëm siç janë zhvillimi i përgjithshëm shoqëror, luftërat, sistemi i ri politik, ndryshimi i sistemit vleror, interesat politike dhe ekonomike, neglizhenca shtetërore dhe e shoqërisë në përgjithësi.

Pse braktisen ndërtesat? A mund të ri-jetësohen këto hapësira që të ngjallin interes publik dhe të ofrojnë platformë për debat publik mbi kulturën e shoqërinë? Si janë procedurat administrative që duhen ndjekur nëse ka interes për shfrytëzimin e këtyre hapësirave? Si qëndron roli i institucioneve relevante dhe shoqërisë në mbrojtën e këtyre hapësirave? A mundet që këto ndërtesa të bëhen sërish pjesë e jetës urbane? Si qëndron ideologjia politike karshi këtyre ndërtesave?
Këto janë disa nga çështjet që do të trajtohen përgjatë debatit të cilin do ta pasurojnë panelistët e ftuar siç janë:

• Arbër Sadiki, arkitekt
• Linda Gusia, sociologe
• Rina Kika, Termokiss/avokate
• Shkëlzen Gashi, publicist
• Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, MKRS
• Yll Rugova, drejtor i Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës

Debati do të moderohet nga Eliza Hoxha.

Në kuadër të debatit, do të promovohet edhe libri “Hapësirat e braktisura të Kosovës- 50 tregime të një bote të harruar”, nga CHwB Kosova./ KultPlus.com

Klara Buda promovon librin ‘Kosova mon amour’

Shkrimtarja dhe gazetarja Klara Buda promovon sot librin ‘Kosova mon amour’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Libri fitues i Çmimit të Panairit të 19-të të Librit në Prishtinë për eseistikë e kritikë letrare: “Kosova dashuria ime”, pra, “Kosova mon amour” është një cikël reportazhesh, analizash, intervistash dhe kujtimesh, të bazuara në arkivin e shkruar dhe audiovizuale të autores, e që zbulojnë fakte të pabotuara ndonjëherë nga RFI, meqë dilnin jashtë kuadrit të kësaj radioje franceze.

Siç shprehet Klara Buda: “Ngjarjet e luftës së Kosovës më kanë lënë gjurmë të thella, pasi i kam “filtruar” përmes trupit tim dhe i kam rufitur sikurse kafen e mëngjesit gjatë bombardimeve të NATOS mbi ish-Jugosllavinë, nga Marsi në Qershor 1999 gjatë përgatitjes e prezantimit direkt të edicionin shqip të lajmeve të Radio Francës Internacionale, në Paris.”

Ky libër, javën tjetër do të promovohet edhe në panairin e librit në Frankfurt.

Ndërsa sot, në ora 18:30 në Librarinë Dit’ Nat’ në Prishtinë, përveç promovimit do të bëhet ehe firmosja e librave nga autorja. / KultPlus.com