As pas liberalizimit, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë

Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.

Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper.

E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, ajo nuk e përmendur në mënyrë specifike këtë vend, vetëm ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë për “një shtet”.

“Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre”.

Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar.

Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.

Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.

Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen./rel/KultPlus.com

Kurti e thotë çartazi: Nuk kemi alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s

Kosova po merr pjesë në seminarin e 102-të Rose-Roth në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për shtetin më të ri në Evropë.

“Liberalizimi varet nga gjithsecili vend i BE-së që ti jap fund skepticizmit sepse nuk ka bazë objektive për këtë kundërshtim më. Shpresoj që përfundimisht do ta marrim liberalizimin e vizave. Ne nuk kemi alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s dhe nuk jemi duke kërkuar alternativë tjetër sepse nuk kemi”, tha Kurti.

Kurti shtoi se Kosova është vendi më pro-evropian, pro NATO-s dhe më demokratik në Ballkanin e 6-të Perëndimor.

“BE-ja ka treguar se është në favor liberalizimit të vizave për Kosovën, por në vijimësi përsëritet skepticizmi i disa prej vendeve anëtare të BE-së. Ne kemi plotësuar 95 kritere, kemi përmirësuar imazhin e Kosovën në shkallë shumë të madhe, jemi ngritur për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transaprency International, policia ka kryer mbi 700 operacione ndaj krimeve ekonomike, korrupsionit ka arrestuar mbi 2 mijë persona diku 300 prej tyre zyrtar publik ose shtetëror”, u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivitetit theksoi më tej se mirëpret që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen sa më shpejt në BE.

“Konsolidimi i brendshëm dhe zgjerimi i BE-së, duhet të zhvillohet krahë për krahë. Mirëpres integrimin e 6 së Ballkanit Perëndimor, kushdo që të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur. BE-ja duhet të jetë e kultivuar nga brenda por jo në krye në vetëm, ne kemi nevojë për ndihmë dhe do të vazhdojmë ti kultivojmë vlerat evropiane”, tha Kurti.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e mbrojtjes do të vazhdojnë përgatitjet së bashku me partnerët e NATO-s që Kosova në të ardhmen të bëhet anëtare e Aleancës Veriatlantike.

“NATO është i vetmi aleat politik dhe ushtarak që synon të ruajë të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe vlerat e avancuar demokratike të cilat si qendër gravitacioni kanë jetën dhe zhvillimin e qenies njerëzore. Në këtë mjedis bashkëkohor, të sigurisë dhe demokratike dhe shoqëria njerëzore është duke u sfiduar nga rilindja e ideve të vjetra po jo të harruara fashiste e hegjomoniste”, tha Kurti. /KultPlus.com

Olaf Scholz: Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, menjehërë pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë për media dhe ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të bëjë punën e saj sa i përket liberalizimit të vizave për kosovarët, shkruan KultPlus.

Scholz deklaroi se është angazhuar dhe po vazhdon ta bëjë një gjë të tillë që liberalizimi i vizave për Kosovën të bëhet sa më shpejt, pasi sipas tij, kushtet janë plotësuar.

“Bashkimi Evropian duhet të bëjë punën e saj për liberalizimin e vizave. Unë me partnerë jemi duke u angazhuar për këtë. Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të bëhet sa më shpejt pasi kushtet janë plotësuar. Ne po flasim me partnerët tanë në mënyrë që t‘i bindim edhe ata siç jemi bindur ne”, ka thënë Scholz.

Ndër të tjera, kancelari gjerman vlerëson se Kosova ka shanse reale për anëtarësim në BE, por që kjo mund të zgjasë

“Ne jemi edhe më tej besim që kjo rrugë e nisur drejt BE ka një shans realist. Për dikë kjo rrugë shkon më shpejt e për dikë më ngadalë”.

Më tej, Scholz thotë se Kosova si partner qëndron në anën e bashkësisë ndërkombëtare.

“Krahas marrëdhënieve tona, ne biseduam për liberalizimin e vizave që po mungon si dhe pozicionimin e Kosovës karshi agresionit rus në Ukrainë. Kosova si partnere e besueshme qëndron në anën e bashkësisë ndërkombëtare. Kemi biseduar për Procesin e Berlinit, dëshiroj që bashkë me partnerët tanë ta rijetësojmë atë këtë vit dhe këtë vjeshtë do të ftojë një konferencë në Berlin”, tha ai. /KultPlus.com