Osmani në Slloveni: Është e papranueshme që çështja e vizave për Kosovën të hapet sërish

Sllovenia është duke e mbështetur Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Këtë e ka kumtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite zyrtare në Slloveni ku u takua me homologun, Borut Pahor.

Gjatë një konference për media, Osmani e ka kundërshtuar hapjen e sërishme të liberalizimit të vizave, duke thënë se “Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave”.

“Është e papranueshme që çështja e vizave për Kosovën të hapet sërish. Ne kemi përmbushur kriteret para katër viteve. PE ka votuar dy herë për neve tani i mbetet shteteve anëtare. e presim të arrihet në muajt në vijim”, ka thënë Osmani.

Gjatë kësaj konference Osmani e ka falënderuar Slloveninë për mbështetjen.

“Osmani ndër të tjera ka falënderuar shtetin e Sllovenisë për mbështetjen ndaj Kosovë në të gjitha etapat, përfshirë këtu edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Osmani. /Express / KultPlus.com

Osmani tregon pritjet nga Samiti, gazetarët e pyesin “pse janë vizat kaq të rëndësishme për ju?”

Presidentja Vjosa Osmani i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para se të nisë samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Ajo është pyetur se pse liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe përgjigjja e Osmanit ishte se kjo është një padrejtësi e madhe që po iu bëhet atyre derisa njerëzit nga e gjithë Europa dhe përreth saj lëvizin lirshëm derisa një vend me më pak se 2 milionë banorë mbahet i izoluar.

“Ne shpresojmë, megjithatë nuk dua që të rris pritshmëritë në këtë pikë, sepse më ky proces nuk është në duart tona. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet vite më parë.  Është padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Osmani tha se për këtë çështje vendim pro ka dhënë Komisioni Europian dhe gjithashtu Parlamenti Europian, prandaj është koha që shtetet anëtare të dëgjojnë zërin e qytetarëve të tyre.

Cilat janë pritshmëritë e Osmanit para samiti?

“Jam këtu për të dhënë një mesazh të rëndësishëm në emër të njerëzve të Kosovës. Neve na duhet një zë i qartë nga Bashkimi Europian, na duhet një mesazh i bashkuar nga BE-ja ndaj Ballkanit Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë po mbetet për faktorët malinj ata do ta përdorin. Kështu që, shpresojmë për një perspektivë të qartë nga të gjithë shtetet anëtare”.

Presidentja e Kosovës foli edhe për synimet e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë.

“I mbështesim Ukrainën, Moldavinë, sepse e meritojnë.  Njëjtë sikurse Kosova, edhe këto dy vende kanë treguar se përnjëmend qëndrojnë krah vlerave europiane dhe janë në gjendje të japin edhe jetën për t’iu bashkuar BE-së. Unë nuk shoh ndonjë të keqe për Ballkanin Perëndimor, nëse Ukraina dhe Moldavia ecin përpara, përkundrazi”, tha Osmani për gazetarët.

Në përmendjen e faktit se krijimi i hapësirës në Ballkanin Perëndimor lejon që faktorë të tjerë malinj ta përdorin atë, Osmani thotë se BE-ja duhet të jetë ofrojë një perspektivë të qartë ndaj rajonit dhe sidomos ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë treguar se janë pro vlerave europiane. / Gazeta express/ KultPlus.com

Liberalizimi i vizave – rriten gjasat, por s’ka garanci

Disa burime diplomatike të Bashkimit Evropian thonë se “Franca ka dhënë sinjale”, se pas zgjedhjeve parlamentare në këtë vend, që do të mbahen më 19 qershor, “mund të mos e kundërshtojë më vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Marrë parasysh se ky vend ka qenë kundërshtari më i madh në BE i liberalizimit të vizave për Kosovën, sinjalet prej tij shihen si shenja optimiste se heqja e vizave për kosovarët do të ndodhë “shpejt”.

“Në nivelin e grupeve punuese dhe në nivele teknike në Këshillin e BE-së, ne nuk kemi parë ndonjë lëvizje akoma në drejtim të vendimit për liberalizimin e vizave. Por, kemi parë, kohëve të fundit, rritjen e gatishmërisë për këtë në nivel politik. Ka angazhim në nivel shumë të lartë politik dhe kjo jep shpresë”, thotë një diplomat i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

“Kur të ketë pajtueshmëri dhe gatishmëri në nivelin më të lartë politik, atëherë puna në nivel teknik dhe procedural mund të ndodhë shumë shpejt”, shton ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Qeveria e Kosovës thotë se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Sipas burimeve diplomatike, Franca ka kërkuar më shumë garanci se, në rast të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, nuk do të ketë keqpërdorime dhe nuk do të ketë ardhje të azilkërkuesve të rrejshëm në vendet e BE-së – siç ka ndodhur me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se Kosova është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me autoritetet e Francës, për t’i adresuar shqetësimet e këtij shteti dhe se kjo mund të ketë pasur, po ashtu, ndikim pozitiv.

Një prej elementeve të rëndësishme, thonë burimet në BE, është edhe mbështetja publike që liberalizimit të vizave për Kosovën i ka dhënë kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Kosovë, javën e kaluar.

Kjo çështje mund të përmendet edhe në samitin e BE-së, që zhvillon punimet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, edhe pse vendimi nuk merret në këtë nivel të lartë, por nga Këshilli i BE-së.

Rikujtimin se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar dhe se duhet të ndodhë pa vonesa e ka bërë të martën edhe Parlamenti Evropian përmes raportit për Kosovën, i cili është miratuar në Komisionin e Politikës së Jashtme të BE-së.

Në këtë raport është kërkuar nga vendet anëtare në Këshill që “me urgjencë” të ecin drejt miratimit të regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës dhe është thënë se vonesat e reja në këtë drejtim, do të dëmtojnë besueshmërinë e BE-së dhe reputacionin e saj si partner i besueshëm.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka qenë më e drejtpërdrejtë në kritika, duke bërë me gisht kah Franca dhe Holanda.

“Për fat të keq, Bashkimi Evropian ka dështuar t’i përmbushë premtimet e veta për të mundësuar lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë vërtet shpresoj se ky do të jetë raporti i fundit, i cili përmend këtë dështim. Sa i përket Këshillit – dhe në këtë drejtim dua t’i drejtohem direkt Francës dhe Holandës – koha për miratimin e vendimit është tash”, ka thënë von Cramon.

Edhe pse pranojnë se “po krijohet një moment i duhur politik për liberalizimin e vizave për Kosovën”, burimet në BE tërheqin vërejtjen se “nuk mund të thuhet në këtë moment se kur do të mund të merrej vendimi”.

Në kohën kur kanë mbetur vetëm dy javë deri te përfundimi i kryesimit të Francës me BE-në, gjasat janë që ky vendim të hyjë në procedurë gjatë presidencës së Çekisë, e cila nis nga 1 korriku. /REL/ /KultPlus.com