Libraria “Dukagjini” në listën e ngushtë për çmimin prestigjioz të Panarit të Londrës

Libraria “Dukagjini” është futur në listën e ngushtë të të nominuarve për Çmimin Ndërkombëtar të Përsosmërisë, në kuadër të Panairit të Librit në Londër. Për këtë çmim prestigjioz, “Dukagjini” garon për kategorinë “Çmimi për Librarinë e Vitit”, bashkë me libraritë “Minoa” nga Turqia, “Strandlaufer Verlagsbuchhandlung” nga Gjermania dhe “Rovingheights” nga Nigeria.

Në komunikatën për medie, lëshuar nga “London Book Fair”, potencohet fakti i debutimit të Kosovës në këtë garë prestigjioze.
“Lista e ngushtë e këtij viti përfshin shtatë vende të ndryshme, me Kosovën në listën e ngushtë për herë të parë, dhe Amerikën Veriore që shquhet me pesë nominime”, – thuhet në komunikatën për medie, të lëshuar nga LBF-ja.
Tutje, aty potencohet fakti se lista e ngushtë për secilën kategori u përzgjodh nga panele ekspertësh të secilit sektor.

Gareth Rapley, drejtor i Panairit të Librit në Londër, ka thënë se përsosmëria në botim qëndron në zemër të gjithçkaje, duke shtuar se “lista e shkurtër e Çmimeve Ndërkombëtare të Përsosmërisë është një vlerësim për kompanitë e shumta frymëzuese, që punojnë shumë për ta bërë botimin gjithëpërfshirës dhe të qasshëm”.

Blerim Muhaxhiri, drejtor i librarisë “Dukagjini”, ka thënë se ky lajm është një njohje e rëndësishme ndërkombëtare e kontributit të librarisë “Dukagjini”.
“Futja në listën e ngushtë të këtij shpërblimi shumë të lakmueshëm për secilën librari në botë është një lajm i jashtëzakonshëm për ne, një njohje meritore për përkushtimin tonë ndaj kulturës së leximit në përgjithësi. Jemi të lumtur, po ashtu, që e kemi futur Kosovën në hartën botërore të librit. Shpërblimi eventual, por edhe vetë nominimi do të përkthehet në motiv për ne që të vazhdojmë punën tonë për të qenë afër secilit lexues”, – ka thënë Muhaxhiri.

Përveç Çmimin për Librarinë e Vitit, panairi ndan çmime edhe në tri kategori të tjera. Në listën e ngushtë për Çmimin Vjetor për Audiobooks janë botuesit presigjiozë nga ShBA-ja, si “Macmillan Audio”, “Princeton University Press”, “Pushkin Industries” dhe “Readyland LLC”. Në kategorinë për Iniciativën e Qëndrueshmërisë garojnë “Bloomsbury Publishing” dhe “Penguin Random House” nga Britania e Madhe dhe “New Society Publishers” nga Kanadaja. Çmimi për Gjithëpërfshirje në Botim, i vlefshëm vetëm për botuesit nga Britania e Madhe, në listën e ngushtë janë “Bloomsbury Publishing”, “Bonnier Books” dhe “Springer Nature”.

Fituesit e çmimeve do të përcaktohen në një ceremoni të veçantë në “Olympia” Londër, më 19 prill 2023, në ditën e dytë të panairit, që nis pra më 18 dhe përfundon më 20 prill në Londër. Me 22 vende pjesëmarrëse, në 43 sektorë të ndryshëm të industrisë kulturore dhe me më shumë se 400 aktivitete, Panairi i Librit në Londër është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të librit në botë./KultPlus.com

Nesër promovohet romani “Shpellat” në Librarinë Dukagjini

Nesër në Librarinë Dukagjini promovohet romani “Shpellat” i autores R. C. Anaider.

Ky roman është një rrëfim distopik për shpellat tona njerëzore dhe vjen si një udhëtim imagjinar në një botë të konceptuar në trajtën e shpellave, të cilat nuk janë aspak të zakonshme apo konvencionale. Aty përplasen konceptet e dritës dhe errësirës, lirisë dhe izolimit, dashurisë dhe urrejtjes, familjes dhe vetmisë, lumturisë dhe fatkeqësisë.

Shpellat grupohen në bashkësi të ndryshme shpellare. Ka shpella mbi oqean, siç ka edhe shpella nën oqean, ka edhe shpella mbi ajër… Në bashkësinë e madhe shpellare nuk ekziston asnjë shtet, qytet, apo fshat konkret.

Personazhi kryesor i romanit, Silueta C, është një vajzë jetime, e cila pasi arratiset nga jetimorja përballet me një jetesë tejet të vështirë në një bodrum të rrënuar, në një cep të largët të “Shpellës së Humbur”. Në kërkim të vazhdueshëm të një shpelle që mund ta konsideronte si shtëpinë e saj të munguar, Silueta C ndjek fatin, që do ta çojë atë nga njëra shpellë tek tjetra, duke udhëtuar kështu nëpër shtigje dhe dimensione të paparashikueshme, ku fantazia i tejkalon kufijtë.

Ngjarja fillon nga ora 18:00. / KultPlus.com

Promovohet “Prishtinë, muza ime!”, libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive në kohë karantine

Libri “Prishtinë – Muza ime” që vjen si një libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive të shkruara në kohën e karantinës nga gjithsej 40 autorë sot u promovua në ambientin e Kino Armatës. Kur pandemia erdhi fuqishëm në vitin 2020, qytetarët e Prishtinës vendosën që t’i shkruajnë Prishtinës në kuadër të iniciativës së librarisë Dukagjini, Komunës së Prishtinës dhe organizatës ‘Etea’, shkruan KultPlus.

Përbrenda një afati të përcaktuar, libraria Dukagjini ka mirëpritur qindra shkrime fantastike nga më të ndryshmet. Tregime e poezi të shkruara nga qytetarët në një kohë të vështirë por njëkohësisht edhe një kohë në të cilën është reflektuar mbi atë se çka është e rëndësishme, janë jetësuar dhe kanë gjetur shtëpinë e tyre në librin e përjetimeve të titulluar “Prishtinë, muza ime!”.

Një libër i mbushur me tregime dhe poezi të cilat janë përzgjedhur nga juria profesionale si: shkrimtari Arbër Selmani, shkrimtari Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj që është pjesë e bibliotekës Hivzi Sylejmani, sot në mesin e një numri madh të pranishmëve, disa nga to u lexuan dhe ngjallën emocion dhe një ndjenjë tejet të veçantë.

Pak para se kjo ngjarje të fillonte, të pranishmit dalëngadalë zunë vendin e tyre për të dëgjuar nga afër disa rrëfime që nisin qysh nga ideja për të krijuar këtë libër e deri tek botimi i saj. Ndërsa, teksa meloditë e këngës “Të dua Prishtina” luanin në prapavijë si dhe zëri i mahnitshëm i Nexhmije Pagarushës dëgjohej këndshëm në sfond, kjo ngjarje veçse kishte filluar me simbolikën e saj e që është pikërisht qyteti i Prishtinës.

Por fillimisht në një panel diskutimit të moderuar nga shkrimtari Arbër Selmani, të ftuar ishin: Ilirana Hasaj nga libraria Dukagjini, ish-drejtori në Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, Adrian Berisha dhe drejtori i organizatës ‘Etea’, Agon Ahmeti.

“Libri është nis qysh në vitin 2020 atëherë edhe kur është hapur thirrja dhe kur janë dërguar qindra shkrime prej të cilave më pas juria e ka bërë një punë modeste dhe i ka përzgjedhur dyzet prej tyre të cilat janë pjesë e këtij libri që mendoj se do të mbetet një dokument i rëndësishëm dhe i fuqishëm që tregon se si ne jemi mishëruar me Prishtinën në një kohë kur kemi qenë të izoluar, kohë kjo pak e papritur prej neve dhe për ata që janë mirë me fjalën e shkruar. Mendoj se me u përball me atë traumë ka qenë më së lehti për ti shkruar Prishtinës”, thotë Selmani.

Sipas tij, libri është një punë e mahnitshme ku ai vetë si anëtar i jurisë është i kënaqur me poezitë, prozën dhe tregimet e shkurtra të cilat e shfaqin Prishtinën në dimensione të ndryshme dhe prej syve të ndryshëm.

“Unë mendoj që secili prej neve ka një dashuri për Prishtinën ose qoftë edhe një moment, një njeri, një këngë, një objekt me të cilin mishërohen në Prishtinë dhe më e mira e kësaj është se ajo është shprehur në këtë libër. Ky libër vjen si bashkëpunim midis tri institucioneve si: Komuna e Prishtinës, Libraria Dukagjini dhe Qendra Etea. Unë tutje po i lexoj të gjitha emrat e krijuesve në këtë libër për të respektuar punën e tyre”, thotë Selmani.

Ndërsa Ilirana Hasa tregoi për rrjedhën e idesë për librin që në fakt ishte paraparë qysh para pandemisë por që ajo u krijua pikërisht kur pandemia goditi botën.

“Libri ka qenë një rrugëtim shumë interesant por edhe tash që po mundemi për të reflektuar ngase kanë kaluar dy vite dhe pse gjatë gjithë kësaj periudhe jemi marrë shumë me qejf me librin, tash po e shohim edhe më mirë se sa i rëndësishëm është dhe sa i veçantë është. Krejt ka filluar si një ide thjesht për një organizim para pandemisë mirëpo pandemia goditi gjithë botën dhe ishim në karantinë kur u rikthye ideja jonë për ti ftuar qytetarët që t’i shkruajnë Prishtinës dhe ta krijojmë një libër të cilin po ia falim kryeqytetit tonë”, thotë Hasaj.

Sipas saj, në këto kohëra të jashtëzakonshme shihet se çfarë ka dhuruar Prishtina. Në këtë situatë është parë ajo se çka është vërtetë e rëndësishme dhe çka i mungon çdo njeri.

“Edhe pse ishte një situatë jo e mirë, na ka falë një mundësi dhe një kohë që të pauzojmë, të reflektojmë apo edhe ti kthehemi kreativitetit që e kemi ndrydh brenda dhe andaj besoj që shumë prej nesh e kanë shfrytëzuar këtë kohë. E kemi hap thirrjen në grupin “Ri n’shpi me neve”, që ka qenë një grup i krijuar nga Komuna e Prishtinës dhe është bërë kështu një punë shumë e madhe. Kemi pranuar rreth 250 shkrime e po ashtu ne qysh në fillim kemi tregu se cili është qëllimi dhe si ka mu bo përzgjedhja”, shpalos Hasaj.

Ajo tutje tregon se faza e përpunimit dhe krijimit të librit ka qenë një periudhë tejet e mirë ngase është bërë ngadalë dhe me shumë dashuri për detajet e ndryshme.

“Juria është e përbërë nga shkrimtari Arbër Selmani, shkrimtari Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj që është pjesë e bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’. Kur kemi ardhur në fazën e dizajnit të librit e kemi menduar që një pjesë e mirë e librit të përmbajë edhe fotografi sepse edhe fotografitë flasin shumë e sidomos pasi që syri i aparatit kap momente të ndryshme të qytetit apo të personave. Fotografitë janë fotografi nga fotografë profesionalë por edhe të zakonshëm”, përfundon ajo.

Po ashtu, ish-drejtori në Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, tregoi për grupin “Rri n’shpi me neve”, grup ky që kishte për qëllim të zhvillojë aktivitete gjatë kohës së pandemisë.

“Ne jemi takuar në vitin 2019 kur kemi qenë pjesë e një grupi për realizimin e aktiviteteve socio-kulturore e sportive për nder të 20 vjetorit të çlirimit të qytetit dhe është shfaqur edhe kjo ideja apo propozimi që të realizohet një projekt i tillë siç është ky libër por në atë periudhë kohore nuk kemi mundur ta realizojmë por sidoqoftë i ka ardhur koha në periudhën e pandemisë. Ne si Komunë në atë periudhë kohore e kemi hapur grupin “Rri n’shpi me neve” ku qëllimi ishte që të zhvillohen aktivitete interaktive”, thotë Berisha.

Sipas tij, ky libër ka qenë një bashkëpunim trekëndësh, bashkëpunim ky që ka rezultuar në aktivitete të shumta e të ndryshme.

“Këta dyzet persona që janë në këtë libër kanë shkruar në kohën e karantinës dhe përmes shkrimeve të tyre kanë treguar përjetimin që qyteti jonë ia dhuron. Pra, Prishtina na bashkon dhe ajo është e përjetimeve tona të përbashkëta”, përfundon Berisha.

Në anën tjetër, drejtori i organizatës ‘Etea’, Agon Ahmeti foli rreth përshtypjeve të tij të cilat i ka marrë përgjatë krijimit të këtij libri.

“Padyshim që ky trekëndësh bashkëpunimi ka rezultuar në një sukses të madh dhe i tillë po duket edhe produkti i këtij bashkëpunimi. Besoj që bashkëpunimi do të jetë i vazhdueshëm dhe në të ardhmen. Një përshtypje të cilën do të doja ta tregoja është ajo se ndonëse e kemi nis këtë projekt qysh në vitin 2019, ne kemi marrë mesazhe të shumta nga krijuesit të cilët na kanë pyetur se a është akoma i qëndrueshëm dhe se do të krijohet ndonjëherë ky libër. Ka qenë shumë e bukur që t’i shohim ato mesazhe dhe është një kënaqësi e madhe për të lumturuar dikë që pretendon apo edhe është një shkrimtar apo shkrimtare”, shpalos Ahmeti.

Më pastaj vëmendja iu drejtua gjithsej dyzet krijuesve por që njëmbëdhjetë nga të cilët në një mënyrë të rastësishme janë përzgjedhur për t’i lexuar krjiimet e tyre sonte. Në një renditje të rastësishme krijimet e tyre i interpretuan: Flutur Mustafa  (“Mos qaj Prishtinë”), Agon Rexhepi  (“Kam mendu për ty Prishtinë”), Liridona Shehu (“Prishtinë”), Doruntina Golaj (“M’ka marrë malli Prishtinë”), Fatos Lleshi (“Ty, Prishtinë”), Jeta Lila Delija (“Gjakova po t’shkruan, Prishtinë”), Parisa Ratkoceri (“Prishtina në qiell të hapur”), Planeta Sllamniku (“Pse po hesht Prishtina”). Ndërkaq, edhe treshja e fundit që interpretoi poezitë e tyre ishin: Edita Malazogu (“Për ty Prishtinë”), Elita Ferati (pa titull) dhe Filloreta Hoxha (“Ta ndiej heshtjën, Prishtinë”), por paraprakisht ishte nënkryetari në panel për një fjalë rasti u ftua edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

“Në fakt unë u inspirova aq shumë nga leximet saqë vendosa për të lexuar edhe vetë një poezi për t’u bërë pjesë e këtij leximi. Është me të vërtetë kënaqësi për të marrë pjesë në këso ngjarje. Ngjarjet si kjo sot gjithmonë më japin një emocion dhe ndjenjë të veçantë andaj ju falënderoj shumë për këtë emocion që e mora nga ju. Jam i lumtur që Komuna e Prishtinës ka kontribuar që ky libër të jetë me ne. Nuk kam pasur rastin t’i lexoj më herët këto poezi por me të vërtetë u kënaqa. Tash e lexova edhe një poezi e cila më përfaqëson dhe e përfaqëson kohën që kam kaluar. Koha e karantinës na ka kthyer në kohën e luftës dhe nëse i hiqni datat e këtyre krijimeve, neve në fakt na kthejnë në atë periudhë të luftës”, thotë Zogaj.

Ai tutje veçoi poezinë “Natë e trishtë” e autorit Dren Loxha të cilin ai personalisht nuk e njeh por poezia e tij e ka kthyer Zogajn në kohë dhe i ka dhuruar ndjenjën të cilin ai e ka pasur gjatë luftës por edhe në karantinë. Po ashtu nënkryetari Zogaj kujtoi edhe kohën e karantinës ku muaji mars i vitit 2020 ka qenë për të një trishtim i tejskajshëm.

Kështu krejt në fund ishin duartrokitjet e shumta që iu drejtuan drejt këtyre krijuesve të cilët patën rastin të interpretojnë shkrimet e tyre tashmë të botuara në librin “Prishtinë, muza ime!”. Ndërkaq, autorët tjerë krijues që janë përzgjedhur për këtë libër janë edhe: Ardit Mehmetaj, Argjenda Selmani, Dafinë Bajrami, Dearta Zeqiri, Donarta Sh.Uka, Donika Hamiti, Dorina Imami, Dren Loxha, Edlira Maloku, Elvira Sh.Ukiqi, Fadil Halimi, Fatlinda Imeri, Fitim Majkovci, Fjolla Hajrizaj, Jakob Ëeizman, Kaltrinë Uka, Kosovare Xh.Leskovci, Linda Jakupi, Mimoza Sapiqi, Mirjeta Zekaj, Rrona Jaka, Sala Jashari, Salim Memishi, Sara Tahiri, Saranda Rugova, Saranda Stuja-Tara, Teuta Berisha, Vesa Ferizi dhe Vlora Konushevci.

“Prishtinë – Muza ime” është libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive të shkruara në kohë karantine përgjatë muajve mars – prill të vitit 2020. / KultPlus.com

Sot promovohet libri ‘Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe forumZFD programi në Kosovë, në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore – organizojnë aktivitetin promovues të librit ‘Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”.

Sot, eventin mund ta ndjekni live në rrjetin social Facebook të KRCT-së duke filluar nga ora 18:00.

Libri është përpjekje për të dokumentuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe jehonën traumatike që këto përvoja kanë në organizimin familjar, komunitar dhe shoqëror.

I përpiluar në formë rrëfimtarie të historive gojore, libri shqyrton implikimet e dhunës seksuale në luftë dhe drejtësinë sociale përmes tregimeve të burrave dhe grave, vajzave dhe motrave, që (bashkë)jetojnë dhe ballafaqohen me traumën, turpërimin dhe stigmën kolektive. Dokumentimi i këtyre historive po ashtu synon të kontribuojë në diversifikimin e rrëfimit për luftën në Kosovë.

Një panel i përbërë nga njohës të kësaj qështjeje do të diskutojnë për mënyrat se si ekspozimi i tërthortë ndaj kësaj traume ndikon shoqërinë, të afërmit dhe familjarët. Fragmente të rrëfimeve të paraqitura në libër do të lexohen gjatë këtij promovimi.

Paneliste do të jenë:
Selvi Izeti ÇARKAXHIU- Psikologe në QKRMT
Vjollca Krasniqi – Profesoreshë në UP

Libri është i përgatitur në tri gjuhë dhe në fund te promovimit do të shpërndahen ekzemplarë falas!

Përgatitja dhe publikimi i librit mbështetet nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. / KultPlus.com

Ambasadorja sllovene Benedejčič: Librat që arrijnë t’i rezistojnë testit të kohës, janë librat që vlenë të lexohen

Xhemile Hysenaj

Ditën e djeshme, në hapësirën e Librarisë ”Dukagjini” është mbajtur organizimi, tashmë i njohur për publikun, ”Lets’s meet our ambassadors through books”, e cila përa audiencës erdhi me të vetmin qëllim, atë të librit dhe debatit mbi po këtë temë. E ftuar në ngjarjen e djeshme, ishte Shkëlqësia e saj, Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në Republikën e Kosovës, znj. Minca Benedejčič, shkruan KultPlus.

Ambasadorja sllovene, para të pranishëmve tregoi se e priti ftesën me kënaqësinë më të madhe dhe se vlerëson shumë kauzën e Shtëpisë Botuese dhe Librarisë Dukagjini për promovimin e librit dhe leximit e se po ashtu ndjehej tejet e lumtur që ishte pjesë e attij bashkëbisedimi. Ajo, fillimisht tregoi për librin e parë që mbante mend ta ketë lexuar, si dhe për faktin se dashuria e saj për librin kishte lindur qysh moti, kur prindërit e saj lexonin për të kur kjo e fundit ishte shumë e re.

”Më pëlqen të lexoj më shumë klasikët, pasi mendoj se librat që arrijnë t’i rezistojnë testit të kohës, janë librat që vlenë të lexohen. Unë rrallë bëjë rekomandime të librave, pasi mendoj se duhet njohur njeriu shumë mirë, për ta bërë rekomandimin e duhur”’, theksoi Ambasadorja znj. Minca Benedejčič.

Mirëpo, ajo tregoi se një nga autorët që më së shumti kishte ndikuar në formimin e Ambasadores ishte edhe Miguel de Cervantes. Ndonëse ajo kishte studiuar “Novelas Ejemplares”, meqë studimet e saj lidhen me letërsinë spanjolle dhe franceze, për ne, zgjodhi që të fliste për kryeveprën “Don Kishoti”. Libri i tretë i përzgjedhur nga Ambasadorja ishte “Kandidi ose Optimizmi” nga Voltaire, që ka gëzuar edhe sukses të madh, por edhe skandal njëkohësisht, për shkak të përmbajtjes. Ambasadorja foli për rëndësinë e këtij libri në letërsi dhe influencën që ka pasur.

Kurse, në fund, Ambasadores iu shtruan pyetje edhe nga audienca, në lidhjeme librat dhe leximin, duke dhënë mesazhin se leximi dhe librat kanë rëndësi tejet të madhe dhe promovimi i tyre është shumë i rëndësishëm.

Ndërkaq, Elion Kollçaku, nga Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’ e që është edhe prezantues i këtij debati, ka treguar për KultPlus se qëllimi i këtyre ngjarjeve që tashmë janë bërë të përjavshme, është që të promovohen librat dhe leximi përmes figurave më të larta të diplomacisë, siç janë ambasadorët në Republikën e Kosovës.

”Ishte kënaqësi që Shkëlqësia e saj, Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në Republikën e Kosovës, znj. Minca Benedejčič, pranoi ftesën tonë dhe foli për librat e saj të preferuar. Ajo pranoi pa asnjë hezitim ftesën tonë. Ne përveçse po promovojmë librat dhe leximin, u kemi dhënë hapësirë edhe audiencës që të bashkëbisedoj me ambasadorët, e që është edhe një mundësi e rrallë sepse ambasadorët jemi mësuar t’i shohim nëpër ngjarje të tjera politike por rrallë herë takimet e tyre janë të lidhura me librin”, ka theksaur tutje Kollçaku për KultPlus.

Ndër të tjera, Kollçaku ka deklaruar për KultPlus se ka pranuar kritika tejet të mira nga publiku për këto takime, dhe se pritet që të ketë edhe të tjera, por që ky i fundit ka theskuar se emri i ambasadorit të radhës do të bëhet publike në ditët në vazhdim. / KultPlus.com

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott pjesë e projektit “Let’s meet our ambassadors through books”

Libraria “Dukagjini” dhe Shtëpia Botuese kanë kënaqësinë t’ju njoftojnë se po fillojnë projektin më të ri, “Let’s meet our ambassadors through books”.

Takimi i parë do të mbahet të hënën, më 27 shtator, në orën 14:00, ku i ftuar do të jetë Shkëlqësia e tij, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Ambasadori do të flasë për librat që kanë ndryshuar botëkuptimin e tij dhe e kanë formësuar intelektualisht.

Vendet janë të limituara, duke pasur parasysh rrethanat epidemilogjike, andaj të gjithë ata që duan të marrin pjesë, duhet të nxitojnë që të dërgojnë një e-mail në: [email protected] / KultPlus.com

Alban Fejza promovon librin ‘Xeh’, konsiderohet miniera e vlerave të përbashkëta të shoqërisë shqiptare

Në ambientet e librarisë ‘Dukagjini’, në një kënd të veçantë tashmë ishte vendosur libri ‘Xeh’ i autorit Alban Fejza, i cili siç edhe kishte paralajmëruar më parë, do të qëndronte aty tërë ditën për të pritur lexuesit e për të nënshkruar librin për adhuruesit e tij.

‘Xeh’ synon të paraqes minierën e përpunuar të vlerave të përbashkëta të shoqërisë shqiptare. Dizajni, ilustrimi, arkitektura, filmi e muzika janë vetëm disa nga elementet në të cilat shkrihet letërsia, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus, autori i librit ‘Xeh’, Alban Fejza ka treguar se libri paraqet tre paralele të ndryshme kohore të cilat janë të ndara mes vete në kapituj.

“Libri quhet ‘Xeh’ dhe prezanton tre paralele të ndryshme kohore, atë primitive, klasike dhe digjitale të tirja të prezantuara dhe të komentuara përmes dizajnit grafik dhe tipografisë e cila varion nga ndarjet dhe kapitujt në kapituj”, ka potencuar autori tutje për KultPlus.

Sipas Fejzës arsyeja se pse ka vendosur që librit t’ia vë titullin ‘Xeh’ është për shkak se synon të paraqes vlerat kulturore, artistike të shoqërisë shqiptare.

“Arsyeja se pse libri quhet ‘Xeh’ është për shkak se pretendon të paraqes vlerat kulturore, artistike të shoqërisë shqiptare të artistëve shqiptar në vendet e banuara me shqiptar në rajon, në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Vende prej ku prej të cilave është bërë bashkëpunimi edhe me autor të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë”, ka shtuar autori.

Krejt në fund ai ka thënë se shpreson qe audienca e tij të gjejë librin ‘Xeh’ të përshtatshme për të./ KultPlus.com

‘Dardania, Antika, Mesjeta’ e Jusuf Buxhovit, promovohet edhe në Prishtinë

Më datën 16 shtator të këtij viti, në ambientet e Librarisë Dukagjini do të promovohet libri i fundit i Jusu Buxhovit, përcjellë KultPlus.

Promovimi do të mbahet në formë diskutimi dhe pritet të fillojë në orën 18:00.

Në njoftimin e Librarisë Dukagjini, bëhet e ditur se për shkak të situatës pandemike, numri i pjesëmarrësve është i limituar dhe poashtu bëjnë thirrje që pjesëmarrja e secilit të rezervohet paraprakisht.

Vepra “Dardania – antika dhe mesjeta” mbështetet mbi faktorët kryesorë parahistorikë dhe historikë, që kanë të bëjnë me antikitetin dhe mesjetën si djep i qytetërimit të vjetër botëror në përputhje me zhvillimet shoqërore dhe politike nëpër të cilët ka kaluar e ku Dardanët, si pjesë e botës pellazge-ilire-trake dhe mbretëria e Dardanisë në kuadër të formacioneve shoqërore dhe politike, kanë luajtur një rol të rëndësishëm, e në disa prej tyre, edhe vendimtar. / KultPlus.com