Markimi dhe shenjimi i shtigjeve vijon të jetë një nga përparësitë kryesore për Administratën e Zonave të Mbrojtura Elbasan.
Ditët e fundit specialistët e ADZM Elbasan bënë të mundur markimin dhe shenjimin e shtegut, i cili të çon në Monumentin e Natyrës “Shpella e Plakës”, e cila ndodhet 10 km larg Librazhdit.
Ky markim i shtigjeve i vjen në ndihmë turistëve vendas e të huaj që zgjedhin të vizitojnë atraksionet turistike të Parkut Kombëtar “Shebenik”.
Krahas markimit dhe shenjimit, u realizua dhe përmirësimi i shtegut duke u pastruar nga gurët e degët në mënyrë që të jenë më të aksesueshëm.
Specialistët këshillojnë se shkalla e vështirësisë konsiderohet mesatare, por duhet që të pasionuarit as ngjitjeve në mal duhet të pajisen me veshje dhe këpucë të përshtatshme për terren.
“Shpella e Plakës” sipas banorëve mban të ruajtura të fshehtat dhe misteret e saj prej mijëra vitesh dhe ende sot e kësaj dite qarkullojnë legjenda nga më të ndryshme rreth saj.
Vitet e fundit me hapjen e këtij shtegu kjo shpellë është vizituar nga një numër i lartë vizitorësh.
Parku Kombëtar Shebenik–Jabllanicë shtrihet në verilindje të vendit tonë dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, kullotat, tokat bujqësore etj. Në këtë park turistët kanë mundësi të shijojnë liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera./ atsh / KultPlus.com





