Veçori të romanit ‘Shpirt i burgosur’ të autores Angela Kosta

Angela Kosta, tashmë e njohur nga të gjithë si në vendin e saj po ashtu edhe në një shumicë vendesh në botë për veprimtarinë e saj si: gazetare, shkrimtare, poete, promovuese dhe përkthyese, që në veprat e para të saj, spikat me talentin dhe artin e të shkruarit, duke na dhënë vepra të tilla si romani “Shpirt i burgosur” që të lënë mbresa, impresione dhe të sjellin në faqet e tij dhe njëkohësisht para lexuesit ngjarje, përshkrime, dialogje që janë në resonancë të plotë me realitetin e kohës që përshkruan dhe bën që lexuesi të interveprojë me këtë realitet dhe personazhet që sjell, të jenë sa real aq dhe të besueshëm, saqë herë – herë, lexuesi e ndjen veten një ndër ata, kalon në përjetime që jo vetëm bëhen aq tërheqës dhe shprehëse por dhe lënë gjurmë në kujtesën e tij, duke i dashuruar personazhet dhe duke kërkuar t’u përngjaj.

Dhe me këtë, romancierja arrin detyrimin e lartë që ka çdo artist dhe shkrimtar njëkohësisht, që të pasqyrojë realitetin në mënyrë të natyrshme, të besueshme dhe në mënyrë të bukur artistike, d.m.th. krijuese duke e shprehur atë edhe me aftësinë dhe forcën e fantazisë së saj, duke arritur kështu detyrën më të rëndësishme që ta bëjë veprën e saj një etalon edukimi për lexuesin, që të gjej në vepër jo vetëm një përshkrim të bukur e të arrirë të këtij realiteti, por të mbajë dhe një qëndrim analitik dhe psikologjik bindës të shkrimtarit, që jo vetëm ta ngacmojë lexuesin, në kuptimin e mirë të fjalës, por dhe t’i lindi një obligim moral si edhe kënaqësi për të mësuar nga personazhet.

Do të thoja se kjo veçori, vihet re gjatë gjithë romanit; si një skulptor i mirë që gdhend me art e kujdes veprën e tij, ashtu dhe romancierja do të shohë me kujdes e me syrin e artistes çdo skene, çdo ngjarje, çdo dialog do të shtoja dhe çdo fjalë në veprën e saj. Është vështirë të gjesh në roman gjëra të tepërta, apo siç i quajmë shpesh “ujëra”.

Duke i ndjekur ngjarjet me këtë kujdes, si në planin kohor ashtu dhe në atë hapësinor, ndërhyn shpesh me mendimet e analizat e saja, duke shpërfaqur e zbërthyer më mirë botën e personazheve, duke pasqyruar më me bukuri dhe më me force ngjarjet dhe teatrin e ngjarjeve, dhe ajo që është mjaft pozitive, se kurrë nuk e rëndon ngjarjen me ndërhyrjet e saja. Si autore, ajo shkon si bashkëshoqëruese, duke rrezatuar shtigjet e rrugicat ku ajo dëshiron të kalojë vepra e saj.

Këtë e shohim edhe kur ndjek e udhëheq me kujdes në të ardhmen personazhin kryesor të romanit, Vilmën, e cila pasi ka humbur gjithë familjen në fatkeqësinë e Kanalit te Otrantos e njëkohësisht dhe shpresën e saj deri edhe dëshirën për të jetuar, autorja e çon në kontakt me njerëz të mirë dhe në ambiente të tilla, që ky personazh i mbytur shpirtërisht, dalëngadalë fillon të ndjejë prapë dashurinë për jetën e të ushqej shpresën, të rrisë vullnetin për të përballuar të ardhmen, dhe jo vetëm por për t’u bërë diçka për veten, por dhe për ata që s’janë më, që sigurisht do të ndjeheshin shumë krenar e të gëzuar ta shihnin të tillë.

Përpara saj kalon gjithë jeta, e kaluara në Shqipëri, fatkeqësia e tragjedisë së Otrantos, ditët në spital, ndihma e infermieres Sabrina dhe motrës së saj Barbara, afrimi dhe ndihma shpirtërore mbi të gjitha edhe të shoqeve të tyre Sara, Cinzia etj. Si në ekran i dalin kampi i pritjes së emigranteve me përgjegjëse Loredanën, sa mikpritëse aq dhe e preokupuar ta ndihmoj, skena e dhimbjes së papërshkrueshme e identifikimit të kufomave, dhe të gjitha këto e bëjnë të reflektoj, t’u bjerë këmbanave të ndergjegjes se ajo duhet t’i justifikojë këto sakrifica të të gjithëve me studimet dhe punën në të ardhmen e saj. Të gjitha këto i hapin dyert e shpresës, i rikthejne dëshirën dhe vullnetin dhe ajo merr zotimin që të mos zhgënjej asnjë, në radhë të parë familjarët e saj që sakrifikuan jetën, pastaj veten dhe gjithë shoqërinë që bënë aq shumë për të.

Dhe ajo, atë “Shpirt të burgosur”, nga dhimbjet (nga i cili ka marrë titullin edhe romani), e çliron për të marrë në dorë jetën e saj. Nuk po ndalem në hollesitë e skenave per të mos ju hequr kuriozitetin dhe kënaqësinë e leximit, por doja të sqaroja se duke ndjekur personazhin kryesor hap pas hapi dhe në rrugën që ajo i ndez semaforët, realizon njëkohesisht dy ide të rëndësishme dhe aktuale që kudo në botë, ka njerëz të mirë dhe të predispozuar për të ndihmuar të tjerët në fatkeqësi, edhe në mënyrë indirekte me thirrjen që çdokush duhet ta shoh shoqërinë me këtë sy, të ndihmoj e të bëjë atë që mundet për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve. Këto ide i shohim të realizuar me linjat dytësore të romanit, si ajo e Sabrinës, infermieres, e motrës së saj Barbara, që punon në kampin e emigrimit, të Loredanës, përgjegjëses së kampit, autoriteteve shtetërore të cilët e ndihmojnë të pajiset me leje – qëndrimi dhe dokumenta.

Në roman do të gjeni skena e ngjarje të shkruara me finesë që të prekin me kulturën e sjelljen e tyre, me afërsinë dhe ndihmën qe i afrojnë Vilmës, krahas problemeve të tyre familjare që nuk mungojnë në asnjë vend të botës. Po me kaq mjeshteri, në roman janë dhënë dhe keto linja dytësore, si ajo e motrave Sabrina e Barbara, me dashuritë dhe fatkeqësitë e tyre, si dhe ajo e Sarës me Antonion, që zë një vend të konsiderueshëm në roman dhe realizon ide të rëndësishme të një shoqërie moderne, se para interesave të mëdha jetike të familjes, mund e duhet të falet ndonje gabim në çift, aq më tepër kur dashuria është e fortë nga të dy.

Me këtë linjë, autorja na sjell ndërmend se familja duhet parë si e shenjtë, ashtu siç duhet të jetë sikurse celulë e shoqërisë. Po kështu shihen dhe problemet në linjën e çiftit tjetër Cinzia-Aleksandër, duke nënvizuar me këtë linjë se Dashuria duhet ushqyer e mbajtur gjallë, krahas punës e detyrimeve të tjera familjare, ndryshe ajo ftohet, zbehet, mbaron. Duke përfunduar, doja të shtoja diçka për gjuhën e romanit dhe sintaksën e tij. Në këtë vepër, nuk do të ndeshni fraza të rëndomta, përsëritje të panevojshme, banalitete apo barbarizma. Edhe pse autorja ka dekada që jeton jashtë, ajo e ruan të pastër shqipen, i zgjedh fjalët me kujdes edhe nga ana leksikore. Nuk do të ndeshni krahinizma të rënda për t’u kuptuar, apo fjalë të vështira dialektore, pasi Kosta përdor gjuhën e pastër zyrtare, të cilën e kombinon me sintaksën e fjalive dhe të periudhave, duke e bërë sa më shprehëse.

Nga ana sintaksore gjithashtu, është per t’u vënë re, se fjalitë e periudhat nuk të lodhin e vihen gjithmonë në shërbim të skenave dhe amfiteatrit ku zhvillohen ngjarjet. Duke e parë në tërësi, romani është një vepër shumë e arrirë, me interes për cilindo, për mesazhet që përcjell dhe rëndësinë e vlerave që ka, si ato shoqërore po ashtu edhe ato letrare artistike. I uroj autores suksese e me vepra të tjera edhe më të bukura./rtk/ KultPlus.com

Biografi e Lëvizjes së Shtetndërtimit të Kosovës

-Jusuf Buxhovi “Vitet e Gjermanisë”, boti “Faik Konica”, Prishtinë 2024.

Fadil Kajtazi


Në vitin 1984, Jusuf Buxhovin e njoha përmes romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, roman ky, përpos që më përmbushi shpirtërisht, siç ndodh zakonisht me veprat letrare, përmes rrëfimit letrar, më përmbushi edhe në aspektin e njohurive historike, por ajo që është më e rëndësishme, ma rrënoi mitin e të fortit, ku përmes fabulës së shkëlqyer të tregimit, autori jep porosinë se jo çdoherë mbi të keqën fitohet me forcë dhe se, kur proceset i merr në dorë inteligjenca, fitorja mbi të keqën shoqërore mund të arrihet edhe vetëm me një të grithur. Ja pra, fuqia magjike e fjalës së shkruar letrare, që artisti e përçon te lexuesi e që nuk të le të dorëzohesh, të motivon të qëndrosh deri në fund për ta mundur të keqën.
Fizikisht Jusuf Buxhovin e kam takuar së pari tash e tridhjetepesë vjet, pikërisht në këtë vend, kur së bashku me një shokun tim, kishim ardhur për të marrë fletëregjistrimet për të regjistruar popullsinë e Gjilanit, e cila në mënyrë masive po aderonte në LDK. Këtu pra, në sallën e madhe, ai duke qëndruar në këmbë i diktonte diçka dikujt që shkruante me dorë në një letër formati. Pa e ditur se zotit Buxhovi, me vite të tëra, me kazmën e tij të vogël ishte akter në procesin e gërryerjes së themeleve të brishta të kështjellës së madhe jugosllave (gjë e cila e kristalizuar dokumentohet gjatë leximit të librit që promovohet sot), efektet që kishte shkaktuar romani dhe qetësia me të cilën ai i dikonte shokut të vet, përpara më shfaqën Nikollë Kazazin. Atmosfera që mbretëronte në objektin e Shoqatës së Shkrimtarëve, në shtëpinë ku u ngjiz pavarësia dhe me zotin Buxhovi në qendër, më krijuan një qetësi shpirtërore, nga e cila si me të prekur të butonit, mu hoq nga barra pesha e shumë dilemave që më ishin krijuar nga përditshmëria e rënd e pushtimit të egër, e që i bluante në kokë mendja e ime rinore:
Nuk ka më dilemë – duhet qëndruar!
Dhe si dikur që Nikollë Kazazi me Lamin e kishte mundur murtajën, edhe tani do të ngadhënjehej mbi të keqën, e cila në këtë kohë, e tërbuar e kishte kapluar Kosovën. Isha i bindur se ky njeri, së bashku me ata që ishin aty rrotull tij, kishin vullnetin, dijen, përkushtimin dhe vizionin për ta gjetur ilaçin, për t’i dalë të keqes shekullore përpara dhe për ta mundur atë, pra, për ta fituar lirinë.
Dhe ja ku jemi sot pas 35 vjetëve! Përpara kemi zotin Buxhovi dhe veprën e tij, e cila e argumenton se si ai, së bashku me elitën intelektuale të kohës, me përkushtim intelektual, me mund dhe sakrificë, e gjetën këtë ilaç, e mundën të keqen!
Se si ishte zhvilluar procesi kompleks për çlirimin e Kosovës, do të mësoni në librin “Vitet e Gjermanisë”, ku Jusuf Buxhovi është akter i rëndësishëm dhe do të ju shfaqet si: gazetar, shkrimtar, historian, publicist, diplomat dhe mbi të gjitha si intelektual parekselancë, i cili pa problem e me dashamirësi, komunikonte me nivele më të larta të shtetit gjerman, me ata të cilët e bënin jetën politike e publike të Gjermanisë Perëndimore gjatë Luftës së Ftohët si dhe pas saj:

  • Me ata të cilët e bënë historinë e këtij shteti dhe të Evropës në kohën e konfrontimit bllokist;
  • Me ata të cilët kishin hise në vendosjen e konturave gjeopolitike të botës së pas Luftës së Ftohtë;
  • Me ata të cilët ndikuan që ne sot të lirë, në këtë vend, të promovojmë këtë libër me vlera të veçanta historike, politike, diplomatike e gazetareske;. (Vili Brand, Helmut Shmit, Helmut Kol, Gerhard Sherder, Hanc Ditrih Gensher, Angele Merkel).

Në kulmin e kësaj lufte, për një gazetar nga një vend komunist, nuk ka qenë e thjeshtë që të ftohet në audienca private nga përfaqësues të shtetit gjerman, nga shkrimtar elitar, nga gazetar, nga ata që bënin jetën publike të gjigantit ekonomik evropian, me ndikim të fuqishëm politik, siç ishte Gjermania e atyre viteve.
Gjatë këtij rrugëtimi, në funksion të çështjes shqiptare, Buxhovi kishte sensin për të heshtur kur duhej heshtur dhe të fliste aq sa duhej të flitej në rrethana dhe ambiente ku ndodhej dhe mbi të gjitha, të thoshte atë që ishte e nevojshme të thuhej në mënyrën më të përshtatshme.
Këto virtyte, Buxhovin e bënë personin e besuar para personaliteteve të shquara politike, diplomatike, të kulturës e të gazetarisë, në radhë të par të shtetit gjerman, si dhe të gjithë botës perëndimore që gravitonte në këtë kohë në Gjermani, në shtetin me ndikim në BE dhe në NATO. Ata para tij e hapën zemrën, për t’i përcjellë mesazhin e vizionit për shqiptarët, që në vitet e shtatëdhjeta, kur në horizont ende nuk dukej as gjë. Sot duket e thjeshtë, por në ato vite ka qenë shumë e komplikuar që një zyrtar i lart shtetëror gjerman, një shqiptari nga një vend komunist, t’i shpaloste strategjinë e veprimit dhe qëllimin e Perëndimit për shqiptarët: “Shqipëria e ka vendin në Evropë dhe perëndim… Nga të harruar dhe të anashkaluarit, shqiptarët një ditë do të kthehen në qendër ë vëmendjes së saj…” (Franc Juzef Shtraus).
Me delikatesën e intelektuali të kompletuar, në takimet e shumta, Buxhovi ja doli mrekullisht që para elitave politike, intelektuale e te mediave prestigjioze gjermane, britanike, franceze e amerikane, ta demaskoi propagandën shekullore serbe (jugosllave), në dëm të shqiptarëve, zanafilla e të cilës është që në fillim të shekullit XIX dhe të argumentoi se serbët nuk kanë hequr dorë nga qëllimi për t’i shfarosur shqiptarët.
Buxhovi gjatë audiencave private e zyrtare, në media të shkruara e vizive, në forume ndërkombëtare, do të argumentojë bindshëm se shqiptarët e Kosovës janë në të drejtën e tyre mbi parimet universale që i kishte pranuar bota demokratike. Këtë e kishte filluar qysh herët, në mes të viteve të shtatëdhjeta, kur shkreptimat e dekompozimit të federatës jugosllave ishin ndjerë. Gjatë gjithë kësaj kohe e deri në vitin 1999, Buxhovi me finesë dhe delikatesë kishte konceptuar doktrinën strategjike të veprimit politik për avancim të pozitës së shqiptarëve në rrethanat e pas shkërmoqjes së Jugosllavisë komuniste: “Liria , barazia, demokracia dhe përkatësia perëndimore” do ishin thelbi i kësaj doktrine, e cila në dukje e thjeshtë (vetëm një grithë), por që arriti t’i fus në lëvizje ingranazhet e të gjitha sistemeve të brendshme e ndërkombëtare që e favorizonin zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti.
Vitet e pas Gjermanisë, kur Buxhovi kthehet në Kosovë, janë vitet e ngjarjeve të mëdha, në të cilat ai është ndikuesi herë i drejtpërdrejtë e herë anësorë i vendosjes së konturave të veprimit politik, të cilat ju dhanë kahe të duhur zhvillimeve për çlirim dhe pavarësi të Kosovës. Pa kulturën familjare, pa ngritjen intelektuale dhe pa përvojën e viteve gjermane të Buxhovit, do të thosha edhe atyre franceze të Rugovës, rezistenca e jonë do të kishte lënguar gjatë për t’u liruar nga kthetrat të ideologjisë marksiste – leniniste, e cila për shkak të regjimit në Shqipëri, kishte ndikim të madh edhe te ne. Sigurisht se nga kjo perspektivë, është e vështirë që të kuptohet në retrospektivë ky ndikimi, por, kur kihet parasysh platforma e veprimit politik të pjesës me ë madhe të grupimeve ilegale që kishin qenë pjesë e Pranverës së 81, domosdo se do të vlerësohet pesha e këtij ndikimi. Ndonëse që nga fillimi i librit e deri në fund, këtë faktor (të transformuar në një formë tjetër të veprimit pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri), Buxhovi e prekë përciptazi, me gjithë atë, i ka frikën. Sido që të jetë, në libër dokumentohet qartë se si Rugova, Buxhovi dhe ai që dikush e quan “Çarku i intelektualëve të Prishtinës”, arritën ta shmangin këtë faktorë dhe lëvizjes për çlirim, t’i japin frymën iluministe.
Pikat e kthesës historike për Kosovën, të cilat Buxhovi i pasqyron të argumentuara në këtë libër, e në të cilat ai ka hise të drejtpërdrejtë, pos të tjerave, do t’i veçoja: demolomin e të drejtës historike serbe mbi Kosovën, të cilën përhapte Dobrica Çosiqit, në një tribunë ndërkombëtare e në Budva me 1987; përballjen dhe çmontimi i shkrimtarëve serb në Beograd në pill 1988, ku Çosiq do të deklaronte “i respektoj kundërshtarët e fortë. Këtë herë ishit të tillë”; rolin kyç në Formimin e LDK-së, e të tjera, e të tjera…
Nëse do të kishte një akademi në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për t’i shkolluar politikanët dhe diplomatët, me pak modifikime, ky libër do të ishte një material metodik i fushës së diplomacisë, politikës, dhe gazetarisë. Për ndryshe, libri ka edhe vlera të çmuara historike, të cilat janë të domosdoshme për t’u eksploruar në mënyrë që historia e hidhur mos të na përsëritet.

(Fjalë rasti e mbajtur në promovimin e librit “Vitet e Gjermanisë”, më 23 dhjetor 2024 në Prishtinë).
…/ KultPlus.com

“Do të vijë koha kur do të ekzistojnë pak dijetarë, e ata që do të flasin do të jenë të shumtë”

Libri konsiderohet si një nga mjetet kryesore të transformimit të njohurive dhe ruajtjes së tyre. KultPlus ju sjell disa thënie me vlerë për librin nga disa autorë të njohur.

“Jetojmë në kohën ku ekzistojnë shumë dijetarë, por ata që flasin janë të paktë. E do të vijë koha kur do të ekzistojnë pak dijetarë, e ata që do të flasin do të jenë të shumtë”! – Abdullah ibën Mesudi

“Të larguarit nga leximi i librit dhe marrja e informatave drejtpërdrejtë nga interneti, që është medium i pa kontrolluar me informata të pa verifikuara as shkencërisht e as fetarisht, është shndërruar në një epidemi sociale në shoqërinë tonë, që ka kaluar në metastazë te të gjitha kategoritë e njerëzve në shoqërinë tonë, si te të paarsimuarit, të arsimuarit, mësuesit, profesorët, studentët, gazetarët hoxhallarët etj”. – Jusuf Zimeri

“Shumë libra nuk kërkojnë mendime nga ata që i lexojnë ato, dhe për një arsye të thjeshtë; ato nuk bënë një kërkesë të tillë nga ata që i shkruan”.  Charles Caleb Colton

“Gjithçka që kam mësuar, e kam mësuar nga librat”. – Abraham Lincoln

“Të lexuarit, pas një moshe të caktuar, largon mendjen shumë nga kreativiteti. Secili njeri i cili lexon shumë dhe shfrytëzon trurin e tij shumë pak bie nën zakonin përtac të të menduarit”. – Albert Einstein

“Mos iu bashko djegësve të librave. Mos mendo se do të zhdukësh fajet duke zhdukur dëshmitë që ndonjëherë kanë ekzistuar. Mos ke frikë të shkosh në bibliotekën tënde dhe të lexosh çdo libër”. – Dëight D- Eisenhower

“Lexo, çdo ditë, diç që askush nuk është duke lexuar. Mendo, çdo ditë, diç që askush nuk është duke menduar. Bëj, çdo ditë, diç që askush nuk do të ishte tamam budalla për ta bërë. Është keq për mendje të jetë gjithnjë në njëzëshmëri”. – Christopher Morley

“Është mirë të dish si të lexosh, por është e rrezikshme të dish si të lexosh dhe të mos dish si të interpretosh atë që lexon”. – Mike Tyson

“Të mësosh të lexosh është të ndezësh zjarr; çdo rrokje që është shqiptuar është shkëndijë”. – Victor Hugo

“Çdo libër që e merr ka mësimin ose mësimet e veta, dhe shumë shpesh librat e këqij  kanë më shumë për të të mësuar se sa të mirët”. – Stephen King. /KultPlus.com

‘Me kalimin e viteve çdo njeri ka fytyrën që meriton’

Nga Ernesto Sabato

Dhe duke qenë se tek e fundit me kalimin e viteve çdo njeri ka fytyrën që meriton ngaqë është bërë jo vetëm me mishin por edhe me shpirtin e tij , me guximin dhe frikërat e tij, me madhështinë dhe mjerimin e tij, atdheu ynë më se fundi në pjekurinë e tij ka fytyrën që duhet të kishte, atë fytyrë që i kemi gdhendur të gjithë ne dhe gjithsecili prej nesh në mishin e tij të gjallë ; politikanë apo artistë të kulluar, kodoshë apo baballarë te ndershëm, milionerë apo argatë, ateiste apo besimtarë. Kësisoj, nëse të gjithë mund t’i rivendikojmë virtytet e tij askush mos të jetë aq maskara sa të shpallet i pafajshëm për të këqijat e tij. / KultPlus.com

Edicioni i 5-të i Panairit të Librit të Vjetër promovon librat e përdorur

Javën e ardhshme do të mbahet edicioni i pestë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur në Prishtinë.

Kjo ngjarje e cila i jep rëndësi librave të vjetër dhe të përdorur do të zë vend në datat 11, 12 dhe 13 dhjetor në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në lagjen “Dardania”.

Edhe sivjet në agjendën e organizimit janë përurimet e librave dhe diskutimet me shkrimtarë e publicistë.

“Vetëm me vetminë” e poetit Bedri Zyberaj, dy përmbledhje dramaturgjike të Fadil Hysajt, “Shekulli XX” nga Agron Shala, janë disa nga veprat që do të përurohen.

Përveç promovimeve, diskutime do të ketë me shkrimtarët Bajram Kosumi, Agim Vinca, ndërkaq pritet edhe organizimi i orës letrare “Të bijtë e shekullit të ri”./rtk/ KultPlus.com

Për Darkën e Lamës përgatitet flija 2-metërshe, po shikohet mundësia për të aplikuar në Guinness

Këtë të shtune në Has të Prizrenit po mbahet për herë të dytë Darka e Lamës, që nga banorët vendas njihet edhe si “Darka e bereqetit”.

Për këtë ditë të shënuar për ta, banorët e kanë përgatitur një fli me diametër prej dy metrave, e që është hera e parë me këtë madhësi.

Për ta bërë këtë fli, u deshën rreth 4 orë, e organizatori Haziz Hodaj, tha për Klan Kosovën se janë duke shikuar mundësitë për të aplikuar për Librin Guinness, për shkak të madhësisë së saj.

Për pjekjen e flisë është dashur që tepsia dhe saçi të bëhet ekstra, e në fund të organizimit, kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e preu flinë dhe të pranishmit e patën mundësinë ta shijojnë atë.

Në këtë festë pati edhe pika artistike me këngë dhe valle./ Klan Kosova/ KultPlus.com

Promovohet libri ‘Shtëpia e verdhë’, konsiderohet përmbajtje e jashtëzakonshme filmi që zhvesh propagandën serbe ndaj UÇK-së

Vjollca Duraku

Dje, në ambientet e librarisë “Dukagjini” autori Bashkim Hoxha ka  promovuar librin “Shtëpia e Verdhë”, duke sjellë para lexuesit prapaskenat e propagandës mbi “Shtëpinë e verdhë”, e përdorur si mjet lufte për të deformuar realitetin dhe për ta përbaltur luftën e UÇK-së.

“Shtëpia e Verdhë” është një vepër që tematizon një shtëpi, ku pretendohej se ishte bërë trafikimi me qenie njerëzore, dhe e cila u bë pretekst për themelimin e gjykatës speciale. Për historinë e kësaj shtëpie ka pasur edhe tendenca për krijimin e një filmi propagandistik anti-shqiptar. Nisur nga këto autori viziton nga afër vendin e ngjarjes, dhe përmes aspektit letrar sjellë prapaskenat e propagandës mbi “Shtëpinë e Verdhë”, jo si propagadë, por si një të vërtetë të një populli ndaj të cilit është kryer gjenocid.

Moderuesja e ngjarjes, Eronita Kqiku, pas një prezantimi të shkurtër mbi përmbajtjen e librit tha se në roman flitet për një skenar dhe për një film të mundshëm mbi të, duke i kaluar fjalën regjisorit Ben Apolloni, emri i së cilit në mënyrë artistike është i paraqitur në libër.

Shikuar me syrin e regjisorit, Ben Apollini tha se ky libër i shkruar me një nivel të lartë artistik përmban “brum” të mjaftueshëm për të realizuar një film, i cili do të zhvishte propagandën serbe që tenton të baltos luftën e pastër të UÇK-së.

“Mund të them që romani “Shtëpia e verdhë” është jashtëzakonisht mirë i shkruar. Për mua nga këndi i regjisorit ky roman është film. Një roman që e trajton historinë e një filmi që të porositet për tu bërë. Është material jashtëzakonisht i mirë për t’u shndërruar në film. Po të kishim shtete serioze do ta kishin marrë këtë roman që në momentin që është prezantuar në panairin e librit në Prishtinë dhe do t’ia fillonin punës për ta shndërruar në film, sepse është vepër që e zhvesh propagandën. Dikush mund të thotë që ndoshta edhe kjo është propagandë. Nuk është propagandë sepse ju mund ta prodhoni dhe ta dëshmoni atë që flet autori këtu. Tregon për një akuzë që shqiptarëve iu bëhet, kur në fakt është e pamundur të ketë ndodhur ajo për çfarë ne sot gjykohemi në Hagë”, ka thënë regjisori Ben Apolloni.

Apolloni më tej ka thënë se libri është kombinim jashtëzakonisht i mirë i prozës dhe skenarit, pasi aty autori ka përshkruar me saktësi temën e cilat trajtohet.  

“Është vepër e realizuar jashtëzakonisht mirë, të cilën shqiptarët duhet ta lexojnë gjithandej. Nuk e di çfarë duhet të bëjmë që ta shndërrojmë edhe në film, dhe të bëjmë një lloj përplasje me propagandën e serbëve. Serbët kanë krijuar nga asgjëja, kanë arritur të bindin opinionin botëror se ata janë viktima. Ne që jemi viktima s’kemi bërë asgjë. Ne kemi ndenjur kot, dhe nga viktimë jemi shndërruar në agresorë. Duhet që sa më shpejtë që të zgjohemi nga gjumi dhe të fillojmë dhe t’i tregojmë botës se çfarë ka ndodhur këtu”, ka thënë më tej regjisori Apolloni.

Ndërsa, autori i librit Bashkim Hoxha ka thënë se procesi për të shkruar këtë libër për të ka qenë sfidues, pasi është dashur që të bëhej kujdes të mos bënte anti-propagandë.

“Ka qenë e vështirë ta shkruaja këtë libër sepse më është dashur që unë të përballesha me propagandën në mënyrë letrare, ku mund të bija vetë në anti-propagandë që do të ishte një gabim shumë i madh. Ka qenë e vështirë që të pozicionohesha siç duhet”, ka thënë autori.

Ai më tutje thotë se libri i tij i përketë zhanrit letrar, i cili trajton fatet e personazheve të cilët ‘ngatërrohen’ rreth temës së “Shtëpisë së verdhë”.

“Ideja e librit më ka lindur 10 vite më parë, kur mësova që regjisori i talentuar me kauza të gabuara, Emir Kusturica, donte të bënte një film për “Shtëpinë e verdhë”. Ai me fantazinë e tij donte të sillte nipin e Dostojevskit që t’i merrnin organet në atë “Shtëpinë e verdhë” në Mat dhe t’i trafikonin organet nipit të Dostojevskit. Do ta gjironte filmin në Rusi. Por, sado që ai e nis me fantazi në përballje të një artisti me të vërtetën nuk ka mundur ta realizojë këtë film. Në atë kohë kur ai po bënte tentativën për të xhiruar këtë film, unë i propozova qendrës së filmit në Tiranë që të mblidhte skenaristët më të mirë, regjisorët më të mirë, të bënin një grup dhe të bënin ndonjë film tonin, për të vërtetën tonë. Jo për propagandë, por të vërtetën tonë për të. Por nuk u ndërmorr asnjë gjë”, ka thënë autori duke potencuar se elementi i propagandës të cilën po e përdorte shteti serb për të baltosur luftën e pastër të UÇK-së, e kishte ngacmuar thellë.

“Propaganda është një armë lufte shumë e fortë, gjithmonë e më tepër. Para tre vitesh është marrë një produksion në Hollywood me aktorët më të mirë për të bërë përsëri një film për “Shtëpinë e verdhë” me një roman serb “Zemra serbe e Johanit”. Kur dëgjova për këtë lajm thash unë dua ta përfundoj vetë, ndërkohë që kisha grumbulluar materiale, ku kisha njohur të vërtetat e kësaj. Këto nxitje më kanë bërë që ta kompozoj romanin nëpërmjet kineastësh që duan të bëjnë një film, bazuar në ngjarje të vërteta dhe kur vijnë këtu nuk gjejnë atë histori me të cilën është përbaltur UÇK-ja dhe kombi se është edhe për shqiptarët në luftë me serbët dhe gjejnë një të vërtetë tjetër. Gjejnë se si i munduri nuk e ka pranuar humbjen dhe përpiqet që të krijojë një kapitull final në interes të tij dhe të dali fitimtar moral duke krijuar legjenda të tilla”, ka thënë autori.

Autori më tej ka thënë së në libër trajtohet fakti se si fati i njerëzve varet nga duart e disa njerëzve të panjohur, të cilët mund të na e shkatërrojnë jetën, mund të na njollosin dhe mund të bëjnë gjithçka në mënyrë të rreme.

“Unë kam shkruajtur në të skenarin sepse pikërisht po bëhet skenar, dhe ai skenar është me këndvështrimin serb të historisë së “Shtëpisë verdhë”, i cili përgënjeshtrohet në mënyrë njerëzore dhe në mënyrë të natyrshme gjatë gjithë odisesë së personazheve në ato vise të humbura të Shqipërië ku as s’mund të besohet se atje të mund të jetë kryer trafik organesh. Për hir të së vërtetës, në “Shtëpinë e verdhë” s’kishte korent, s’kishte rrugë, ishte shumë larg aeroportit. Aeroporti ishte nën administrimin e NATO-s. Kurse për të bërë transplantin, duhej që brenda 48-të orëve organi të jetë vendosur në trupin e dikujt tjetër. Fizikisht ishte e pamundur, gjë që më pas e kanë mohuar vetë ata shpikësit e “Shtëpisë së verdhë” që thoshin se atje ishte një vend burgu, kurse “Shtëpia e verdhë” ka qenë në Fushë-Krujë”.

Autori më tej tha se gjatë procesit të shkrimit të librit ka hasur në një propagandë të ngjajshme që po bëhet edhe ndaj Ukrinës, gjë e e cila e ka nxitur edhe më tej të trajtoj këtë ngjarje në mënyrë më komplekse dhe globale.

“Kur po shkruaja romanin doli edhe një fakt tjetër shumë interesant. Në luftimet që po bëhen në Ukrainë zëdhënësja e Kremlinit një ditë deklaroi që kishin gjetur një “Shtëpi të verdhë” ku bëhej trafikimi i robërve, organeve të robërve rus të kapur nga ukrainasit. Kështu që këto janë disa karta morale të cilat duan të justifikojnë luftërat e ndyra. Dhe kjo më dha akoma më shumë nxitje që ta trajtoj në mënyrë më komplekse dhe më globale këtë histori” ka thënë autori.

Në fund të ngjarjes të pranishmit patën mundësi për të bërë pyetje shtesë, për të parë përmbajtjen e librit nga këndvështrime të ndryshme. Romani “Shtëpia e verdhë” është botuar nga Shtëpia Botuese “Bard Books”./ KultPlus.com

‘Persefonia’, promovohet libri i autores Fitnete Ramaj- Mujaj si homazh për fuqinë e gruas dhe dëshirën e paplotësuar për shkollim

Vjollca Duraku

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, sot është promovuar libri me poezi “Persofonia” i autores Fitnete Rama- Mujaj. Libri i sjellë me 41 poezi vjen si homazh për fuqinë e gruas dhe dëshirën e paplotësuar për shkollim.

“Persofonia” i cili është promovuar në mesin e shumë të pranishmëve vjen si dedikim zemre për dy gra të jashtëzakonshme që kanë formësuar jetën e autores Fitnete Ramaj Mujaj, nënës dhe vjehrrës së saj, ëndërra e të cilave për shkollim ka mbetur si peng i kohës.

“Persefonia” është një figurë metaforike e cila simbolizon forcën e përjetshme të gruas. Përmes këtij libri autorja fton lexuesin që të ndiejë përpjekjen e gruas shqiptare dhe dhimbjen e ëndrrave të papërmbushura, që si shkak i gjendjeve politike e historike e ka lënë atë në një vend të pamerituar në shoqëri.

Ndonëse në vargje paraqiten vuajtjet, mes rreshatve  kuptohet edhe fuqia e shpirti i palëkundur i gruas shqiptare, e cila me gjithë sfidat e saj ka ditur dhe ka arritur të triumfoj.

Ngjarja u hap nga gazetarja Altiana Zogaj, e cila i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, duke i kaluar fjalën poetes Marigona Zekaj, e cila tha se autorja me këtë libër mbi të gjitha paraqet një mesazh kurajoje për brezat e rinjë.

“Si një “Persefonë” moderne, ajo ringjall shpresën në zemrat e atyre që pavarësisht vështirësive, zgjedhin të luftojnë dhe të ndryshojnë botën përmes guximit dhe vendosmërisë së tyre. Kjo vepër është një thirrje e fuqishme për solidaritetin me grave, për të mbështetur njëra tjetrën drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe më të drejtë”, ka thënë poetja Zekaj.

Në këtë takim letrar emocionues pjesë e panelit ishte edhe profesoresha Pajtesa Gashi, e cila tha se fillimisht ishte titulli i librit ai që e kishte ngacmuar thellë mbi atë se çfarë mund të ketë në përmbajtje libri.

“Poezia e Fitnetes është një poezi qytetare, tërë preokupime e shqetësime për jetën dhe kjo shprehet në shumicën e poezive. Fitnetja realizon vetveten, si poete, në mënyrë origjinale, gjë që e bën poezinë e saj më interesante” ka thënë panelistja Gashi.

Ajo më tej ka thënë se poezia e autores Ramaj- Mujaj në themel është popullore, për të drejtat dhe idealet demokratike të cilat ajo i mbron me shpirt, por edhe në komunikimin që e vendos mes saj dhe lexuesit.

“Poezia na zbulon shpirtin e sinqertë dhe të pastër të autores krijuese që gjithmonë përpiqet për arritjen e majave më të larta të qenies njerëzore, si krijuese që lufton për të jetuar. Nëse bëjmë përshkrimin e rrugëtimit të saj për një gjysmë shekulli, portreti i gruas shqiptare ka kaluar nëpër disa etapa historike dhe kjo na bën të kuptojmë poezinë e saj sot, pa e ekzagjeruar anën pozitive dhe negative”, ka thënë më tej Gashi.

Ndërsa, panelisti tjetër Dren Brahimaj, ka thënë se poezitë e autores Ramaj- Mujaj shtrihen në dekada edhe më të hershme, se sa vetë lindja e poetes.

“Autorja ka guximin intelektual dhe vetëdijshëm, jep pafund mesazhe motivuese, duke mos kthyer kokën asnjëherë pas, ajo guximshëm kritikon dukuritë negative që rrethojnë botën e saj. Prandaj, edhe kemi pasur nevojë t’i kemi në dorë këto poezi dhe bashkë me to të reflektojmë dhe të jemi pjesë e agjendës për një shumëllojshmëri ngjyrash mendimesh. Të jesh pjesë e botës fshat ka më shumë përgjegjësi sesa t’i takosh fshatit botë”, ka thënë profesori Brahimaj.

Kurse vetë autorja Fitnete Ramaj- Mujaj përmes një fjalimi emocional ka përshkruar sfidat e saj dhe të dy grave që për të kishin qenë shkak dhe model, që e kishin shpjerë atë deri te promovimi i këtij libri.

“”Persofonia” është figura metaforike që kam dalluar gjatë leximeve të letërsisë angleze gjatë studimeve të mija. Në poezitë e Eliot-it dhe Alexander Pope-s, ajo përshkruhet si një figurë mitolgjike e lidhur me lindjen, jetën dhe vdekjen. Por, më e rëndësishmja , persefonia simbolizon gruan e fortë e cila i jep begati familjes dhe shoqërisë”, ka thënë autorja.

Me emrin “Persefoni” ajo i ka quajtur të gjitha gratë pjesëmarrëse në këtë takim si dhe të gjitha ato që kanë qenë mbështetëse dhe frymëzuese për arritjet e saj jetësore.

Krejt në fund të ngjarjes, autorja u kujdes që për të gjithë pjesëmarrësit të dhuronte nga një libër me dedikime të saj të zemrës./ KultPlus.com

Robert Elsie, libër për rendin e dervishëve bektashianë në Shqipëri

Libri i Robert Elsie, “Bektashinjtë shqiptarë. Historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan”, i kushtohet rendit të dervishëve bektashianë në Shqipëri dhe rolit të tij në historinë shqiptare.

Libri është i ndarë në katër seksione themelore.

Seksioni i parë është përmbledhje e historisë dhe e kulturës së bektashinjve shqiptarë, që shërben si hyrje në lëndën, për të cilën shpresohet të jetë mjaftueshëm e përgjithshme për lexuesin mesatar, por që të përmbajë po ashtu detaje të mjaftueshme për të përmbushur edhe kërkesat e lexuesit jo mesatar.

Ky pasohet nga një seksion më i gjatë që paraqet një larmi shkrimesh mbi bektashinjtë shqiptarë nga udhëtarët e hershëm dhe studiuesit e shquar.

Këtu janë të përfshirë artikuj shumë të rëndësishëm që u qasen studimeve për bektashinjtë nga këndvështrime të ndryshme.

Seksioni i tretë ofron një katalog të gjerë të teqeve (manastireve) kryesore dhe tyrbeve (faltoreve) të bektashinjve shqiptarë, të dhëna në mënyrë alfabetike sipas emrit të vendit, me informacione historike për origjinën, zhvillimin dhe rëndësinë, aty ku është e mundur.

Katalogu nuk është aspak shterues, pasi ka shumë faltore të vogla dhe teqe që nuk janë përfshirë këtu për shkak të mungesës së informacionit rreth tyre.

Lexuesi do të lexojë se për disa teqe në këtë katalog, lënda është relativisht gjithëpërfshirëse, ndërsa për shumë të tjera ka boshllëqe. E tillë është gjendja e studimeve bektashiane për momentin.

Seksioni i katërt i këtij libri është një katalog i figurave më të shquara historike dhe legjendare të bektashinjve shqiptarë.

Korpusi kryesor i librit përmban edhe një fjalor të termave dhe një bibliografi, për t’i mundësuar lexuesit të interesuar që të ndjekë studime të mëtejshme në këtë fushë, nëse ai apo ajo dëshiron./ atsh/ KultPlus.com

Botohet libri ‘ANI!’ i autorit Fahredin Shehut

Shkrimtari Fahredin Shehu, në vazhdën e punës së tij kreative dhe hulumtuese shkencore mbi tridhjetë vjeçare, boton librin më të ri me titull “ANI!”.

Libri paraqet filozofinë kreative, estetikën dhe semantikën e punës së tij në një periudhë të gjatë krijuese duke paraqitur Artin, Epistemologjinë, Filozofinë, Publicistikën etj. në një trajtë tërësisht leht të absorbueshme për lexuesin.

‘ANI!’ në prozë me ekscitime poetike, shtrihet nëpër kohë dhe hapësirë të një gjeografie globale ku asgjë njerëzore nuk është e huaj. I konceptuar që të ndriçoj aspekte të panjohura për lexuesin tonë, “ANI!” është një dritare e hapur që shfaq Nadirin dhe Horozontin e gjerë të kërkimit shpirtëror, epistemologjik dhe qenësor njerëzor.

Libri është botim special i Fondit për Edukim Kulturor dhe Trashëgimi dhe përmban një rezyme të krijimtarisë më se 30 vjeçare të Fahredin Shehut./rtk/ KultPlus.com

FHD në Serbi publikon librin për 1.636 persona të zhdukur nga lufta e Kosovës

Fondi për të Drejtën Humanitare, në emër të Rrjetit të Pajtimit të KOMRA-s, prezantoi sot librin për 1.636 persona të zhdukur në lidhje me luftën në Kosovë – “Dinjiteti për të pagjeturit”, dhe konferenca i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për identifikimin e mbetjeve në morgun e Prishtinës.

Themeluesja e FDH-së, Natasha Kandiq, tha se libri është një përpjekje për të sjellë para publikut kujtimet e familjeve të të pagjeturve dhe për t’i ngritur ato në një nivel më të lartë.

“Familjet e personave të zhdukur janë në një pozicion krejtësisht të ndryshëm nga familjet që kanë varrosur të dashurit e tyre. Nuk kanë varr, nuk kanë ku të kujtojnë. Ata janë në një situatë ku kujtimi zgjat dhe jeton vetëm brenda familjes”, ka shpjeguar Kandiq, raporton N1.

Ajo tha se në periudhën e kaluar ka folur me familje të shumta dhe se përshtypja më e vështirë që ka pasur ishte jeta e vështirë e atyre njerëzve.

“Kanë kaluar 25 vite, shumë baballarë dhe nëna nuk jetojnë më, disa jetojnë shumë rëndë dhe shprehen se ‘janë të vështirë për të gjithë’. Kjo është shumë e vështirë për t’u dëgjuar”, theksoi Kandiq.

Shefja e seksionit politik të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sylvie Estriga, tha se në periudhën e kaluar është bërë shumë për të zgjidhur fatin e të zhdukurve, por se ende ka shumë familje që nuk e dinë fatin e anëtarëve të tyre, kështu që zhgënjimi i tyre është legjitim.

“Ata kanë të drejtë të informohen për fatin e më të dashurve të tyre, sepse pas atyre numrave qëndrojnë disa njerëz. Në emër të asaj çështjeje humanitare, ne duhet të shmangim politizimin dhe të fokusohemi në zgjidhjen e rasteve”, tha ajo.

Drejtori i programit të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Matthew Holliday, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zgjidhur fatin e eshtrave të 350 deri në 400 personave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës.

“Ai vend është një varr masiv mbi tokë dhe autoritetet e Prishtinës duhet të bashkëpunojnë me Komisionin për Persona të Zhdukur të Serbisë për të zgjidhur fatin e atyre njerëzve”, theksoi Holliday.

Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të dyfishojnë përpjekjet dhe bashkëpunimin në gjetjen e varrezave masive dhe në këtë mënyrë t’u japin dinjitet personave të zhdukur. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Promovohet në shqip libri i fëmijëve ukrainas ‘Irpini është shtëpia ime’, KultPlus nderohet me mirënjohje nga kryetari i qytetit të Irpinit për promovim të vlerave të përbashkëta

Në KultPlus Caffe Gallery është bërë promovimi i librit ukrainas për fëmijë “Irpini është shtëpia ime”, në gjuhën shqipe, si dhe hapja e ekspozitës me piktura të studentëve të Fakultetit të Arteve me imazhe nga lufta, si thirrje për paqe. Libri përfshin poema, ese, dhe përralla të fëmijëve të shtetit të Ukrainës, përkatësisht të qytetit të Irpinit.

Në këtë libër fëmijët me admirim kanë paraqitur vendlindjen dhe vendet e tyre më të dashura, duke përfshirë edhe përvojat e tyre gjatë kohës dhe pas pushtimit të shkurtit të vitit 2022. Përmes artit të tyre fantastik, fëmijët e Irpinit kanë shprehur ëndërrat e tyre mbi një të ardhme pa luftë, të sigurtë dhe në paqe.

Në këtë ngjarje Kryetari i Komunës së Irpinit, Oleksandr Markushyn, përmes Organizatës së Gazetarëve të Ukrainës në Kosovë ka ndarë mirënjohje për mediumin KultPlus, duke shprehur mirënjohje të thellë për bashkëpunimin dhe promovimin e vlerave ukrainase si dhe ndërtimin e urave ndërkulturore në mes të dyja vendeve.

Këtë ngjarje e cila u mbajt në qendrën e artit dhe të kulturës, KultPlus Caffe Gallery, e udhëhoqi Anna Krasniqi, e cila me shumë shije prezantoi artin e bashkëmoshatarëve të saj.

“Jemi shumë të lumtur të ju shohim të gjithëve në KultPlus Caffe Gallery. KultPlus dhe Organizata e Gazetarëve të Ukrainës sot do të prezantojë librin “Irpini është shtëpia ime” i cili është i ilustruar nga fëmijët e Ukrainës”, ka thënë prezantuesja Krasniqi.

Ndërsa, panelistja Tetiana Kraselnykova më tutje tregoi edhe arsyen e botimit të këtij libri në gjuhën shqipe, duke falënderuar të gjithë ata që mundësuan një promovim të tillë.

“Ne duam që përmes këtij libri ju të njihni historitë e ukrainasve të vegjël të cilët kanë përjetuar frikë dhe dhimbje, e të cilët vazhdojnë të lidhen me dashurinë hyjnore dhe Fitoren e Ukrainës. Tani ka histori dhe zëra që mund t’i dëgjoni dhe lexoni në shqip falë punës së shkëlqyer të përkthyesit tonë Elvi Sidheri”, ka thënë gazetarja ukrainase Kraselnykova.

Ndërsa drejtoresha e KultPlus Caffe Gallery, Ardiana Pajaziti, tha se promovimi i këtij libri për të paraqet një ndejnjë shumë të veçantë pasi historia e autorëve të librit është e ngjajshme me atë të fëmijëve të Kosovës.

“Është një emocion shumë i veçantë për promovimin e librit ‘Irpini është shtëpia ime’, për faktin se me të drejtën e botimit të KultPlus arritëm ta sjellim edhe në gjuhën shqipe përjetimet e fëmijëve të qytetit të Irpinit, në të njëjtën kohë edhe ilustrimet nga ky qytet. Për ne kosovarët një përvojë e tillë nuk është e largët. E kemi ende në memorien tonë. Dhe pikërisht për këtë fakt, KultPlus bashkë me Organizatën e Gazetarëve të Ukrainës e kemi realizuar këtë prurje për të ngritur vetëdijen dhe për të uruar paqe jo vetëm për Ukrainën por për të gjitha vendet në krizë të luftës”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Gjatë ngjarjes promovuese u paraqitën edhe video përshëndetëse nga persona të cilët kishin kontribuar në botimin e këtij libri si krijuesja e dizajnit Sofia Martyniuk. Kurse ëmbëlsia e gjithë mbrëmjes ishte recitimi i poezive nga fëmijët ukrainas në gjuhën ëmë dhe atë shqipe, përmes së cilave shpreheshin ndjenjat dhe dëshirat e tyre më të thella për vendlindjen e tyre e cila tashmë është vatër e luftës.

Krejt në fund të ngjarjes, të pranishmit patën rast për të shijuar ekspozitën me punime nga studentët e Fakultetit të Arteve, për të blerë pikturat dhe librin e sapo promovuar. Ndërkaq Zyra e Presidentes së Kosovës, e përfaqësuar nga Donika Kadaj- Bujupi bleu libra në vlerë prej një mijë euro, të cilat do të shpërndahen në shkollat e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Thënie për librat: Gjurmët e një kulture a qytetërimi që më së shumti i rezistojnë kohës janë librat

Këto janë disa nga shprehjet më të veqanta për librin:

1. Shoku më besnik kur mbetem vetëm është libri, tek ai gjejë ngushëllimin kur të tjerët më tradhtojnë.
2. Prindërit, që t’i edukojnë mirë fëmijët, duhet t’i rrethojnë me libra.
3. Librat janë thesari i deponuar i botës dhe trashëgimia më me vlerë e gjeneratave dhe popujve.
4. Koleksionimi i librave është në fakt koleksionim i lumturisë.
5. Libri është dritare prej nga ne e shohim botën.
6. Leximi pa meditim është thjesht sikur ngrënia e ushqimit pa marrë frymë (pandërprerë).
7. Lexoje një libër të mirë tre herë sepse është më e dobishme për ty se të lexosh tre libra të mirë. Abbas Akkad
8. Më i rrallë se libri i mirë është lexuesi i mirë.
9. Kush shkruan, lexon dy herë.
10. Gjurmët e një kulture a qytetërimi që më së shumti i rezistojnë kohës janë librat.
11. Më thuaj çfarë lexon të të them se kush je.
12. Krenaria e një tregtari është në mallin që posedon, krenaria e një dijetari në librat që posedon.
13. Libri është shok që nuk të bën hipokrizi, nuk mërzitet duke qëndruar me ty, nuk të qorton nëse e anashkalon dhe nuk të përhap sekretet kurrë.
14. Prapa çdo libri ka një ide e parapa çdo ideje ka një hap përpara.
15. Në përfundim të leximit të një libri të mirë ndihemi sikur po i japim lamtumirën një shoku të çmuar.
16. I urituri nuk ia di vlerën ushqimi pa mos u ngopur më parë. Kështu është puna edhe me lexuesin që lexon librin e parë që i ka rënë në dorë.
17. Proverbat popullor janë libër enciklopedik në të cilin lexon me lehtësi moralin dhe kulturën e një populli.
18. Të mbushësh raftet me libra është më e dobishme se të mbushësh portofolin me para.
19. Edukatorët të thonë: “Lexoje librin që të bën dobi!”, ndërsa unë të them: përfito nga ajo që lexon!
20. Dija është ndër shkaqet më të rëndësishme të lumturisë, andaj bëje librin, mjetin e dijes, shoqërues tëndin të përhershëm.
21. Trupi nuk zhvillohet pa ushqim, po kështu as mendja pa lexim dhe meditim.
22. Dashuria për leximin është mirësi e përshpejtuar për besimtarin në këtë botë.
23. Nuk ka anije si libri që na bartë sa në një vend sa në tjetrin!
24. Dashuria për leximin nënkupton shndërrimin e monotonisë në dëfrim.
35. Libri është drita që na udhëheq drejt qytetërimit.

Përktheu: Dr. Sedat Islami/ KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Princi i vogël’ i Antoine de Saint-Exupéry

PRINCI I VOGËL
Prozë nga ANTOINE DE SAINT EXUPÉRY (1900-1944), përktheu PETRO ZHEJI

I

Kur isha gjashtë vjeç, pashë njëherë në një libër mbi Pyllin e Virgjër me titull: “Ngjarje të rrojtura” një figurë të jashtëzakonshme: një boa duke gëlltitur një bishë të egër. Ja një kopje e këtij vizatimi.

Në libër thuhej: “Boat e kullufitin prenë e tyre të gjithë njëherësh, pa e përtypur e mbllaçitur. Por pas kësaj nuk lëvizin dot dhe gjatë tërë gjashtë muajve sa vazhdon tretja flenë gjumë.”

Asokohe, mbaj mend, e vrisja goxha mendjen mbi ato sa ndodhnin e nuk ndodhnin në xhungël dhe bëra me një laps me ngjyrë vizatimin tim të parë. Vizatimin tim numër 1, që ishte ky:

Ua tregova kryeveprën time të mëdhenjve dhe i pyeta në kishin ndonjë çikë frikë kur e shikonin.

Po ata m’u përgjigjën: “E nga se duhet të kemi frikë, nga një kapelë?”

Po në atë vizatim nuk paraqitej aspak një kapelë, por një boa që kishte shkuar në bark një elefant dhe po e treste. Atëherë, që të mëdhenjtë të kuptonin për se qe fjala, thashë të vizatoja edhe të përbrendshmet e boas. Se të mëdhenjtë duan gjithmonë t’ua shpjegosh gjërat, se ndryshe nuk kuptojnë. Vizatimi im numër 2 ishte ky:

Po të mëdhenjtë më këshilluan të hiqja dorë nga vizatimi i boave, qofshin këto shkrehur e shtrirë a qofshin këto ngrehur e kutullaç dhe të merresha përkundrazi me gjeografinë, me historinë, me aritmetikën dhe me gramatikën. Dhe ja kështu ndodhi që unë braktisa që në moshën gjashtë vjeç një karrierë kaq të shkëlqyer, siç ishte ajo e piktorit. Më qe thyer zemra edhe nga dështimi i vizatimit numër 1 dhe nga ai i vizatimit numër 2 e kisha humbur krejt besimin në veten time. Të mëdhenjtë nuk kuptojnë dot vetë dhe është një punë e lodhshme për fëmijët që të rrijnë e t’u shpjegojnë përherë e ngaherë këtë e atë e të gjitha.

M’u desh, pra, të zgjidhja ndonjë zanat tjetër dhe fillova të mësoja kështu të ngisja aeroplanin. Dhe fluturova me të nga pak kudo nëpër botë. Dhe gjeografia, ç’është e vërteta, m’u desh e jo pak… Mësova të dalloja, me një të parë, Kinën nga Arizona. Dhe kjo, kur s’di natën nga t’ia mbash nga shkaku i errësirës, është një gjë që të hyn shumë në punë.

Dhe kështu pata rast gjatë jetës sime pata të ndeshesha me plot njerëz solidë e hijerëndë. Dhe kam jetuar një kohë të gjatë mes të mëdhenjve, duke pasur mundësi t’i shoh e t’i njoh nga afër. Por kjo nuk më shtyu dot prapë ta ndërroja mendimin që kisha për ta, nuk m’u dukën, shkurt, më të mirë!

Kur takoja ndonjë që ishte, sipas mendimit tim, ca më i esëllt e i kthjellët, i tregoja vizatimin tim numër 1, të cilin vazhdoja ta ruajtur akoma. Dhe këtë e bëja vetëm si biçim eksperimenti, për të parë, me fjalë të tjera, në ky njeri ishte apo jo i zgjuar, apo në ishte edhe ai njëlloj si të tjerët. Por ai, pavarësisht kush qe, do të më përgjigjej: “Është një kapelë.” Po atëherë edhe unë s’i flisja më as për boa, as për pyje të virgjëra, e as për yje. I vija pas qejfit. Dhe i flisja kështu për brixh, për golf, e ia vërtisja bisedën rreth politikës e rreth kravatave. Dhe atij i vinte mirë që ishte njohur kështu me një njeri kaq, po kaq të arsyeshëm. / KultPlus.com

Fragmente të shkëputura nga libri i Bekim Fehmiut

Fragmente të shkëputura nga libri “Shkëlqim dhe tmerr” pjesa e dytë e Bekim Fehmiut, përcjell KultPlus.

Përktheu Sabit Abdyli

Pse ju shqiptarët pas luftës (fjala është për luftën 1940/45) nuk u kthyet në Shqipëri – pyeti serbi 70 vjeçar. Mu kujtua pyetja e njëjtë e Jovan Mileqevit në Maribor. Tentova t’i përgjigjem. Po më ndali cimeri im, prit unë – Cernoputi Kovinac i mbajti leksion për shqiptarët si profesori im (dikur) Dr. Millosh Gjuriq. – Nëse dikush duhet të kthehet diku, atëherë ata duhet të jemi ne (serbet), jo shqiptarët. –ju përgjigj bashkëfshatarit.

Në vitin 1926 (vazhdoi 70 vjeçari) kur u bë reforma agrare më kanë ofruar tokë gati falas nëse vendosem atje (Kosovë). Po nuk shkova. “Shkëlqim dhe tmerr” , 2012, Beograd, Bekim Fehmiu, faqe 380.2.Irena (fjala është për artisten Irena Papas) kish imigruar në Romë për shkak grusht shtetit të Juntës ushtarake në Greqi. Kish vuajtur (merakosur) për mikun e saj kompozitorin Teodorakis. Për ta disponuar propozova të shkonim në restorant. Fillova të këndoj një këngë. Ajo pranoi këngën dhe vazhdoi ta këndojë në greqisht. I habitur reagova: “Prej ku e di ti këtë?” Kjo është këngë dashure shqiptare.Jo, kjo është këngë greke nga Janina – tha Irena. Atje jetojnë Arvanitasit, shqiptarët, apo? Duke vazhduar këngën nxori nga çanta e dorës pasaportën dhe – Lexo. Irini Leleku (mbiemrin në shqip dmth lejleku).Di ti flasësh shqip? – e pyes.Jo, por jam me origjinë shqiptare – më tha Irena.Për ty do ishte fantastike të jesh në rolin e Teutës, mbretëreshës ilire.

Nga libri (pjesa dytë) “Shkëlqim dhe tmerr” , 2012, Beograd, Bekim Fehmiu, faqe 167 3.Regjisori (fjala është për regjisorin italian të filmit “Odisea” Franko Rosi) papritmas më pyeti. Çka mendon për Rade Sherbexhijen ? Në ç’kuptim?Si artist. Po përgatisim “Iljaden”, dhe po mendojmë për te.Mirë keni menduar. Rade nuk është vetëm artist i shkëlqyeshëm, por edhe poet, këngëtar .. Ai është i zoti për të gjitha rolet; nga lypsari deri te mbreti.Shikimet e Frankos dhe bashkëpunëtorit të tij u kryqëzuan. Përnjëherë një si heshtje.Si ashtu, Bekim (Bekim Fehmiu) : sa herë të kem pyet ty për kolegët nga Jugosllavia, gjithmonë i ke lavdëruar. Por, kur kem pyet për ty derisa xhironim filmin “Quo Vadis” në Beograd, ata (artistët serbë) përgjigjeshin se je verbuar, se je irredentist, nacionalist. (Unë, thotë Rosi) Nuk kam mund ta shoh Odisen tim të verbuar. /KultPlus.com

‘Vargnim Gjakove’ pasuron kulturën tonë kombëtare

Poetët e Gjakovës të përmbledhur në një vëllim serioz të përgatitur me profesionalizëm të lartë nga prof. Migena Arllati, tashmë janë pjesë e librit të titulluar “Vargnim Gjakove”.

Fitore Mala, profesoreshë e gjuhës shqipe dhe letërsisë, shprehet se autorja e kësaj përmbledhjeje, znj. Arllati, ka sjellë një kontribut të jashtëzakonshëm letrar, dedikuar poetëve gjakovarë, të cilët gjithashtu kanë dhënë maksimumin e tyre në letërsi, dhe që tashmë pjesa më elitare e tyre prehen në amshim.

“Pa dyshim se edhe autorja e “Vargnim Gjakove” është një personalitet i veçantë që do të ketë vend të merituar në vargnimin gjakovar në këtë fushë. Respekt për penën e mrekullueshme. Në vazhdimësi të kësaj, do të dëshiroja të theksoja se kontributi i Dr. Migena Arllati në letërsi ka qenë një dritë udhëheqëse për shumë të rinj dhe krijues të tjerë. Vepra të tilla si kjo jo vetëm që pasurojnë kulturën tonë kombëtare, por gjithashtu ruajnë dhe përcjellin me kujdes traditat dhe historinë tonë të çmuar”, shprehet Fitore Mala rreth librit.

Vëllimi hapet me poezinë e Anton Çettës dhe vijon me poetët e disa dekadave, për të ardhur deri te të rinjtë e përkushtuar ndaj poezisë. Autorja i ka renditur ata sipas vitit të lindjes, duke siguruar kështu një rrjedhë natyrale dhe të paanshme. Libri është pritur me interes të lartë nga lexuesit, pasi vlerësohet se i bën nder Gjakovës dhe emrave të mëdhenj të artit letrar që kanë dalë nga ajo.   

Poetët gjakovarë, me penën e tyre të artë, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe dhe kanë qenë burim frymëzimi për breza të tërë. Ndaj, prof. Mala shton se autorja Arllati, me punën e saj të kujdesshme, duke i dedikuar këto vargje dhe duke i kujtuar ata, tregon respektin dhe vlerësimin që meriton çdo krijues i vërtetë.

“Le të mbetet pena juaj gjithmonë e fuqishme dhe e mprehtë, duke vazhduar të shkruajë letërsi, poezi dhe vargje që prekin zemrat dhe mendjet e lexuesve anembanë. Respekt dhe mirënjohje të thellë për ju dhe për çdo varg që keni sjellë në këtë botë”, përfundon ajo urimin për devotshmërinë e shkrimtares Migena Arllati.

Vetë autorja e “Vargnim Gjakove” tregon se për të kjo ka qenë një punë e bërë me emocionalitet të lartë. “E ndjeja si obligim në vetvete ta përgatisja sa më denjësisht këtë vëllim pasi unë kam shtrënguar duart me baclokun Din Mehmeti, me Ali Podrimen, Teki Dervishin e Besim Bokshin, me Xajë Nurën e Halil Haxhosajn, me Mazllom Sanejën, Sulejman Lokajn e Shyqri Nimanin, me Ali Ollonin e Agim Malën… që të gjithë tashmë të ndjerë. Bisedat me ta rreth letërsisë, historisë dhe vetëdijes së popullit shqiptar, i kam të qarta edhe sot e kësaj dite. Me kontributin tim “të vogël”, si profesional ashtu edhe financiar, e solla këtë vëllim në jubileun e 60-të të Mitingut të Poezisë si dhe në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës”.

Dr. Arllati konsideron se ky është një libër i shkruar nga vetë artistët. “Gjatë gjithë kohës që e punoja, e dija se “VARGNIM GJAKOVE” ishte një lodhje e bukur. Tashmë që e dorëzova në duart e lexuesve kuptoj se kjo është lodhje suksesi. Le ta gëzojë Gjakova këtë libër, le ta gëzojnë poetët dhe poezia shqipe”.

Libri dorëzohet në bibliotekën e Helsinkit pas 84 vitesh

Një libër i Arthur Conan Doyle i huazuar nga biblioteka e Helsinkit në vitin 1939 u kthye në maj 84 vjet vonë.

Përkthimi finlandez i “Refugjatëve” mbërriti të hënën në bibliotekën Odi në Helsinki.

“Data e kthimit supozohej të ishte 26 dhjetor 1939”, tha bibliotekarja Heini Strand, duke shtuar se ajo kurrë nuk kishte pasur një rast që një libër të kthehej kaq vonë.

Marrëdhënia mes personit që e ka huazuar librin dhe atij që e ka kthyer, mbetet e panjohur.

“Kreditë që kthehen dekada pas afatit të caktuar janë zakonisht libra që zbulohen kur njerëzit kalojnë nëpër sendet e prindërve të vdekur”, tha Strand, e prekur nga një sjellje e tillë.

Një shpjegim i mundshëm për vonesën është se afati për kthimin e librit qëlloi një muaj pasi Bashkimi Sovjetik pushtoi Finlandën në nëntor 1939, kështu që kthimi i librit nuk ishte gjëja e parë në mendjen e huamarrësit.

Strand theksoi se biblioteka do ta vërë në dispozicion të anëtarëve librin e kthyer sepse është në gjendje të mirë./KultPlus.com

Shtëpitë Botuese mbështeten nga MKRS me 272 mijë e 900 euro

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka publikuar listën e Shëtpive Botuese të cilat do të mbështeten për botimin e librave, shkruan KultPlus.

272.900 euro është shuma totale që është ndarë nëpër Shëtpitë Botuese, tituj që janë vlerësuar nga Këshilli I Librit.

KultPlus jus jell të plotë listën që tashmë kanë marrë këtë mbështetje./ KultPlus.com

https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Lista_per_publikim_botime_2024.pdf

‘Lufta e Shkodrës – nga një dorëshkrim i panjohur i Marin Barletit’, botohet në italisht

Botohet në italisht, me titullin “La guerra di Scutari – da un manoscritto sconosciuto di Marino Barlezio” (“Lufta e Shkodrës – nga një dorëshkrim i panjohur i Marin Barletit”), dalë më parë në shqip, me titullin “Barleti i hershëm”, sipas një dorëshkrimi të panjohur të Marin Barletit.

Akademia e Shkencave bën me dije se mundësoi daljen në dritë të kësaj vepre edhe në gjuhën italiane, nismë dhe projekt i “Njësisë së kërkim-studimit për arbëreshët, arvanitët dhe arbneshët” që funksionon pranë saj dhe kryesohet nga akademikët Francesco Altimari e Matteo Mandalà.

Dorëshkrimi i panjohur i Barletit (variant i mëhershëm se teksti që përmban vepra “Rrethimi i Shkodrës”), u zbulua nga prof. dr. Aurel Plasari në Bibliotekën e Parisit. Studimi hyrës u realizua nga prof. dr. Lucia Nadin. Botimi i plotë, që përfshin edhe riprodhimin anastatik të dorëshkrimit, përveç përkujdesjes kritike-filologjike, u përgatit nga dy autorët Nadin e Plasari. Po ashtu dhe pajisja me shenjime të natyrës historiografike, gjuhësore dhe kulturore.

Parathënia është shkruar nga Matteo Mandalà dhe ent botues në Itali është e mirënjohura “Viella”.

Me botimin e këtij dorëshkrimi autograf të Marin Barletit zgjidhet përfundimisht problemi i autorësisë së veprës “Rrethimi i Shkodrës”, çështje e hapur dhe e mbetur pezull në diskutime shkencore albanologjike prej më shumë se një shekulli.

Botimi kontribuon për zgjerimin e bibliografisë së literaturës për Shqipërinë dhe shqiptarët në bibliotekat dhe burimet albanologjike europiane. Shekujt e humanizmit europian dhe të qendresës antiosmane në këtë anë të Adriatikut gjejnë një tjetër referencë të re themelore./atsh/KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Tuneli’ i shkrimtarit Ernesto Sabato

KultPlus ua sjell sot një fragment nga libri i Ernesto Sabatos, ‘Tuneli’.

Kur e pashë të ecte në anën tjetër të trotuarit, të gjitha variantet në kokën time u bënë troç dhe u rrotulluan. Mjegulltazi, ndjeva në ndërgjegjen time dallgën e atyre frazave të komplikuara, të përpunuara e të mbajtura mend, përgjatë procesit përgatitor që kisha kaluar: A jeni e interesuar në art? Pse e shikuat vetëm dritaren e vogël?, e kështu me radhë. Dhe, më ngulmuese se secila, më vinte në gojë një frazë që e kisha hedhur poshtë për të vrazhdë, e që, në atë moment, më mbushte turp e më bënte të ndihesha edhe më qesharak: Ju pëlqen Kasteli?

Frazat, të shfrenuara dhe konfuze, formësonin një enigmë fjalëkryqi misterioz, derisa e kuptova se qe e kotë të brengosesha në atë mënyrë: më pas, më ra në mend se ishte ajo e cila do të duhej ta merrte nismën për çfarëdo bisede. Dhe, që nga ai moment, u ndjeva marrëzisht i qetë dhe, madje, munda të mendoja, gjithashtu, marrëzisht: Tani kemi për të parë se si do t’i shkojë kësaj.

Në ndërkohë, pavarësisht këtij gjykimi, aq ndihesha nervoz dhe i emocionuar sa s’isha në gjendje të bëja gjë tjetër përveç ta përcillja marshin e saj anës tjetër të trotuarit, pa menduar se nëse do të doja t’i jepja, të paktën, mundësinë hipotetike të më pyeste ndonjë adresë, më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës dhe të afrohesha. Vërtet, s’kishte gjë më absurde sesa të supozosh se ajo do të bërtiste prej atje për të më kërkuar ndonjë adresë.

Ç’të bëja? Sa do të zgjaste kjo situatë? U ndjeva krejtësisht i mjerë. Ecëm disa blloqe. Ajo vazhdoi të ecte vendosmërisht.

lsha shumë i trishtuar, por më duhej t’i shkoja gjer në fund kësaj pune: ishte e pamundur që, pasi e kisha pritur muaj të tërë këtë moment, ta lija këtë mundësi të më shkiste nga duart. Dhe, të ecurit e shpejtë, derisa shpirti më lëkundej aq shumë, më shkaktonte një ndjesi të pazakontë: mendja ime ishte si një krimb qorr e i ngathët, brenda një automobili me shpejtësi të madhe.

U kthye në qoshen e San Martinit, bëri ca hapa dhe hyri në ndërtesën e Kompanisë T. E kuptova se më duhej të veproja shpejt dhe e ndjeka pas, edhe pse, në ato momente, ndjeva se po bëja diç të tepruar e monstruoze.

E priste ashensorin. S’kishte tjerë njerëz. Njëri brenda meje, më guximtar se unë, shqiptoi këtë pyetje tmerrësisht të marrë: Kjo është ndërtesa e Kompanisë T?

Një tabelë, e madhe ca metra, që mbulonte gjithë pjesën e përparme të ndërtesës, shënjonte se kjo ishte ndërtesa e Kompanisë T.

Sidoqoftë, ajo u kthye me thjeshtësi dhe m’u përgjigj duke pohuar. (Më vonë, duke reflektuar mbi pyetjen time dhe thjeshtësinë e qetësinë me të cilën ajo m’u përgjigj, konkludovase, në fund të fundit, ngjan që shumë herë njerëzit nuk i shohin këto tabela tepër të mëdha se, kësisoj, pyetja s’ishte aq e marrë, siç e mendova në momentet e para.)

Por, menjëherë, kur më shikoi, u skuq aq fort, sa e kuptova se më njohju. Të tillë variant s’kisha paramenduar kurrë. Sidoqoftë, ishte mjaft logjik, sepse fotografia ime ishte shfaqur shumë shpesh nëpër revista e gazeta.

U emocionova aq shumë, sa qeshë në gjendje t’i drejtoja vetëm edhe një tjetër pyetje bajate. E pyeta befas:

Pse u skuqët?

Ajo u skuq edhe më dhe ndoshta deshi të më përgjigjej kur unë, i dalë krejtësisht nga vetja, shtova vrik

 U skuqët ngaqë më njohët. Me gjasë mendoni se kjo ështe një rastësi, por nuk është e tillë, nuk ka rastësi kurrë. Kam menduar rreth jush me muaj të tërë. Sot ju pashë tek ecnit në rrugë dhe ju përcolla. Më duhet t’ju pyes diçka, diçka në lidhje me dritaren e vogël, kuptoni?

Dukej e frikësuar:

– Dritarja e vogël? – belbëzoi. – Ç’dritare e vogël?

Ndjeva këmbët të më dridheshin. Ishte e mundur mOS kujtohej? Pra, s’çonte peshë për të dhe e kishte shikuar veç për kureshtje. U ndjeva qesharak dhe mendova, marramendthi, se gjithë ç’kisha bërë e menduar tërë këta muaj (përfshirë edhe këtë skenë) ishte maja e marrëzisë dhe budallallëkut, një nga ato trillet e mia imagjinare, mendjemadhe aq sa ato rindërtimet e një dionsauri nga një gjetje vertebre të thyer.

Vajza sa s’ia nisi vajit. Mendova se bota do të më shembej mbi kokë, pa më dhënë afat të ndërmirrja gjë efikase. E zura veten duke thënë diçka që tani më vjen turp ta shkruaj:

Shoh se paskam gabuar. Ditën e mirë.

Dola rrëmbimthi dhe eca, pothuajse duke vrapuar, pa cak e adresë. Kisha ecur një bllok të tërë kur dëgjova një zë prapa të thoshte:

Zotëri, zotëri!

Ishte ajo; më kishte ndjekur, pa marrë guximin të më ndalte. Ishte aty dhe s’dinte si ta shpjegonte atë që kishte ndodhur. Me një zë të ulët më tha:

Më falni, zotëri… Faleni marrëzinë time… Isha aq e frikësuar…

Ca momente më parë, bota më ishte një kaos gjërash dhe njerëzisht të padobishëm. Ndjeva sikur tani po formësohej përsëri dhe po rimerrte frerët në duar. E dëgjova i heshtur.

S’e kuptova se po më pyesnit rreth skenës së pikturës – tha, me angështi.

Pa menduar fare, e kapa për krahu.

Atëherë, ju kujtohet?

Ndenji një moment pa e hapur gojën, me sytë mbërthyer në tokë. Pastaj, tha ngadalë:

– Më kujtohet vazhdimisht .

Më pas, diçka e çuditshme ngjau: u duk se u pendua për ato që kishte thënë sepse, papritur,ma ktheu shpinën dhe gati nisi të vrapojë. Pas një çasti habie, vrapova pas saj, derisa ma kapi truri se sa qesharake ishte kjo skenë; shikova majtas e djathas dhe vazhdova të ecja me hapa të shpejtë, por normal. Vendosa kështu për dy arsye: e para, sepse ishte qesharake që një njeri i famshëm të vraponte rrugës pas nje vajze dhe, e dyta, sepse s’ishte e nevojshme. Kjo e fundit ishte më esencialja, mund ta shihja sa herë të doja, kur ajo të hynte apo dilte nga zyrja e saj. Pra, pse të vrapoja si i çmendur? E rëndësishmja këtu, më e rëndësishmja ishte se asaj i kujtohej skena e dritares: I kujtohej vazhdimisht. Isha i kënaqur, ndihesha i gatshëm për gjëra të mëdha, vetëm se e qortoja veten pse kisha humbur kontrollin atje te ashensori dhe tani, përsëri, që vrapova pas asaj sikur buda;;a. kur ishte më se e qartë se mund ta takoja në çfarëdo kohe, në zyrë./KultPlus.com

Botohet libri shkencor “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar veprën “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediat e Kosovës dhe të Shqipërisë”, të punonjësit shkencor dhe profesorit universitar, prof. ass. dr. Sejdi Gashit.

Sipas dr. Sejdi Gashit, autor i këtij studimi, “zhvillimi i shpejtë i medieve dhe i teknologjive të reja të komunikimit, gjatë viteve të fundit, ka ndikuar fuqishëm në gjuhë. Por, ndryshime në gjuhë kanë sjellë edhe mediet tradicionale, si shtypi i shkruar, radioja dhe veçanërisht televizioni”. Dr. Gashi sqaron se” studimi “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë” synon të analizojë gjuhën e medieve, duke u fokusuar më së shumti te terminologjia, pra vështruar sipas një qasjeje sociolinguistike”.

Ndërkaq, prof. Naim Berisha-punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, që është njëri nga recensentët e këtij botimi,  shprehet se “libri i ri i autorit, prof. ass. dr. Sejdi Gashit, me titull “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, sjell para nesh një kontribut të vyer nga fusha e gjuhësisë, duke trajtuar dhe hedhur dritë mbi shumë çështje aktuale dhe tematika me interes, sidomos në kontekstin e medieve”. 

Sipas prof. Berishës ”ky libër pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në botën tonë akademike, duke na sjell diçka të re që deri më sot nuk del e plotë në studimet tona për këtë fushë”. Edhe recensenti tjetër i këtij botimi, prof. Viktor Bakillari (studiues i gjuhës shqipe, leksikograf dhe përkthyes nga Tirana) e ka vlerësuar lart studimin e dr. Sejdi Gashit, me ç’ rast, mes tjerash ai shprehet: ”sot, në kohën e globalizmit e të trysnisë së shfrenuar të rrafshimit të kulturave dhe të anglishtëzimit të të gjitha gjuhëve e të gëlltitjes së të ashtuquajturave gjuhë të vogla (nënkupto asimilimit të tyre), krahas brezit të dekanëve të gjuhës, kemi edhe një plejadë studiuesish të rinj, të mbrujtur me vetëdije të epërme kombëtare dhe me dije të thella shkencore midis të cilëve është edhe dr. Sejdi Gashi, punonjës shkencor në Degën e Gjuhësisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës”. Recensenti Bakillari në lidhje me librin nënvizon faktin se “autori, larg së qeni purist, mban një qëndrim koherent nga nisja deri në përfundim të këtij studimi, duke goditur shpërdorimet që i bëhen gjuhës në medie”.

Ai shton se “për autorin Gashi, gjuha shqipe është përbërësi kryesor i identitetit kombëtar shqiptar. Profesori nga Tirana vlerëson se “ky punim është i domosdoshëm për terminologët, për studentët që mbrojnë tema masteri dhe doktorate në lëmin e terminologjisë, si edhe për mediet e shkruara dhe ato pamore”.

Libri shkencor “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, ka hyrjen dhe përfundimin edhe në gjuhën angleze. Ky është libri i gjashtë shkencor i dr. Sejdi Gashit dhe promovimi i tij do të bëhet më 3 maj në orën 13:00 në sallën e Kuvendit të Komunës së Istogut./epoka/KultPlus.com

Jusuf Buxhovi promovon librin “Maqedonia nga antika deri te koha e jonë” në Tiranë

Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ka promovuar librin “Maqedonia nga antika deri te koha e jonë” nga historiani Jusuf Buxhovi.

Nën udhëheqjen e Romeo Gurakuqit, gjatë eventit ai u shpreh se rëndësia e aktivitetit ka të bëjë me personalitetin e autorit dhe me temën mjaft të rëndësishme që është marrë në shqyrtim.

“Autori i librit, profesor Buxhovi, është para së gjithash një intelektual, gazetar dhe aktivist politik, pjesë se strukturës më rilindase dhe më pro europiane që ka nxjerrë bota shqiptare e 40 vitet e fundit, e drejtuar nga shtetari i mirëfilltë shqiptar, Doktor Ibrahim Rugova”, është shprehur Gurakuqi.

Ai ka treguar pak nga jeta e Buxhovit, duke treguar se ka arritur të shkruajë vepra kapitale për Historinë e shqiptarëve në Ballkan, dhe ato punime janë shkruar në liri, janë të “çliruara” nga skemat e ngurta që u janë ofruar dhe vazhdojnë t’u ofrohen, për fat të keq edhe sot e kësaj dite, publikut në dy anët e kufirit, mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, ndër institucionet universitare.

“Maqedonia nga lashtësia në ditët tona” është një shkrim i historisë maqedonase i bërë i mundur të realizohet për shkak të një studimi të përmanent, 20 vjeçarë dhe skedimi sistematik të çdo studimi të shkruar deri më sot për Maqedoninë, ose për vendet e tjera të Ballkanit, që lidhen me fokusin e studimit, ka shtuar tutje ai.

Në vazhdim, Gurakuqi ka shtuar se ky libër është shkruar me saktësi shkencore, korrektesë akademike dhe bën dallim nga përpjekjet që bëhen në Shqipëri nga institucionet e ngarkuara.

“Ajo çfarë vuan aktualisht bota shqiptare është mungesa e përkthimeve të veprave mbi historinë tonë në anglisht, ndërkohë që professor Buxhovi ia ka dalë ta plotësojë këtë hapësirë të lënë bosh nga të gjitha institucionet shqiptare në dy shtetet, për studiuesit ndërkombëtarë, të cilët deri më tash kanë si version të ofruar përgjithësisht, studimet e autorëve të vendeve fqinje, por jo të autorëve shqiptarë”, shprehet tutje ai.

Gurakuqi ka thënë se libri i promovuar i kushtohet Maqedonisë, pjesës që nga antikiteti janë takuar “pllakat” kryesore etnike të rajonit, kulturat, religjionet dhe ku çështja e identitetit, përkatesisë është më së shumti e diskutueshme në historiografi dhe në politikë, deri në ditët tona.

“Për t’u kthyer në mënyrë të fokusuar tek libri ynë: “Maqedonia nga lashtësia në ditët tona”: është përspektiva e një shkrimtari illuminist shqiptar për Maqedoninë kuptuar shumë më gjërësisht se Republika e Sotme e Maqedonisë së Veriut; është përmbledhja e dijes së tij, arritur gjatë studimit permanent, kërkimit të vazhdueshëm arkivor dhe faktit që ai ka jetuar, në një Jugosllavi, një shtet, që për hirë të së vertetës, ka qenë më i emancipuar, më i përparuar dhe më i qytetarizuar se sa ishte Shqipëria e mbyllur dhe e dhunuar e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe ministrave të tyre pashpirtë të arsimit dhe shkencës;”, ka shtuar ai.

Tutje, Gurakuqi ka thënë se Buxhovi ecën në një rrugë krejtësisht të veten të rishikimit si historian dhe si dëshmitar i proceseve në tërësi në Kosovë./KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale që është përzgjedhur të jetë 23 prilli, është një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore.

Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë.

I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.

Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit.

Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit./KultPlus.com

Promovohet libri mongrafik ‘Abdurrahman Shala – MJESHTRI që e bëri punën sikur të ishte e lehtë’ nga autori Visar Krusha

Të marten, do të bëhet promovimi i librit monografik “Abdurrahman Shala – MJESHTRI që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” nga autori Visar Krusha, shkruan KultPlus.

Ky libër i cili do të promovohet në Menzën “Ramiz Sadiku” përfshin portretin gjithëpërfshirës të mjeshtrit të madh Abdurrahman Shala.

“Jemi shumë të lumtur t’iu njoftojmë që në mbrëmjen e 23 prillit, do të bëjmë promovimin e Monografisë për artistin e jashtëzakonshëm Abdurrahman Shala, për të prezentuar kështu portretin më gjithpërfshirës që i është bërë ndonjëherë këtij mjeshtri të madh, i cili edhe punët e mëdha e të vështira i bëri si të ishin të lehta”, thuhet në njoftim.

Promovimi bëhet më 23 prill, në ora 18:00,  te Menza “Ramiza Sadiku” –Prishtinë./ KultPlus.com