Shpallen fituesit e Librit të Karantinës

Është bërë ndarja e çmimeve për Konkursin “Libri i Karantinës” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit

Fituesit e Librit të Karantinës janë autorët Lum Gashi, Ervin Nezha dhe Vera Bekteshi, transmeton KultPlus.

“Libri i Karantinës”, konkursi letrar i cili u kthye në një ngjarje gjatë muajve të karantinës mbylli sot siparin me një ceremoni ku ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ky konkurs ngjalli interesin e autorëve në gjithë gjeografinë shqipfolëse.

“82 vepra u bënë pjesë e kësaj gare, e cila kishte për qëllim të motivonte nxitjen e shkrimit shqip”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së. Sipas saj, libri shqip dhe autori shqiptar do të jenë në fokus të punës së QKLL-së.

Rita Petro, kryetare e jurisë, u shpreh se ajo që i ka befasuar si juri ishte serioziteti i pjesëmarrësve, pasi secili prej tyre ishte munduar të paraqiste një material të punuar përgjithësisht mirë.

Fatmira Aliaj, anëtare e jurisë, veçoi nivelin artistik të autorëve pjesëmarrës, duke thënë se ky konkurs ishte një befasi për nga prurjet. Fituesit Juria e përbërë nga Rita Petro, Fatmira Aliaj, Ylli Demneri, Durim Abdullahu kanë vlerësuar tri vepra si më të mirat e këtij konkursi: “I liri” me autor Lum Gashin, “Tregime të zgjedhura” nga Ervin Nezha dhe “Grupi ‘Bella Ciao’” nga Vera Bekteshi. Ervin Nezha , Lum Gashi dhe Vera Bekteshi shpallen autorët më të mirë.

Sipas tyre tre autorët e përzgjedhur përfaqësojnë nivele të ndryshme të letërsisë shqipe: nga Kosova tek letërsia e “periferive” dhe ajo e traditës. Gratë e karantinës në librin e Bekteshit Libri me tregime ‘Bella Ciao’ përbëhet nga pesë tregime me tema krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, por që i bashkon një fill, personazhet kryesore janë përgjithësisht gra.

Tregimi i parë, ai që i jep dhe titullin librit, përshkruan periudhën e karantinës për shkak të pandemisë së virusit të Covid-19, që është dhe ngjarja, një ngjarje aq e madhe, saqë ka përfshirë gjithë planetin Tokë. Në tregim flitet se si një virus i kohëve moderne, kërkon që dhe mjetet e komunikimit midis personazheve të jenë po të kësaj kohe, mbasi të pesta shoqet lidhen midis tyre përmes chat-it në WhatsApp. Ato mësohen kaq shumë me këtë mënyrë virtuale komunikimi, saqë shpesh e kanë të vështirë të kujtohen se ka dhe mënyra më të shpejta siç është ajo e telefonit ku lidhesh përmes zërit, pa pasur nevojë të shkruash, por sjelljet e njerëzve, pa e kuptuar, kanë ndryshuar kaq shumë, saqë edhe zëri është i tepërt, sjell bezdi.

Si në formën e një ditari, ato lidhen me njëra-tjetrën ku ndajnë hallet e jetës së përditshme, por dhe mendimet lidhur me këtë gjëmë që po kërcënon mbarë botën, sepse janë të gjitha gra të shkolluara, që nuk tremben të japin mendim, ani pse edhe duke e kundërshtuar njëra-tjetrën, megjithëse ndodhen në një kuvend virtual. Por është edhe pjesa e njerëzve të thjeshtë, që të prek me gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, pa përfillur rrezikun nga infektimi.

Tregimi lihet i hapur për të gjitha transformimet që pëson apo mund të pësojë ky virus kaq inteligjent, plotësisht i denjë për kohën e ndërlikuar që jetojmë. Tregimi “Në Reading” flet për potencialin e madh biologjik që kanë gratë për të krijuar jetë dhe për ta mbrojtur atë me çdo mjet dhe sakrificë. Gjimnazistet janë sërish një grup grash që shkojnë për pushime disaditore në plazhin e okupuar prej pushtetarëve të rinj dhe zhgënjimin që pësojnë nga niveli i tyre.

Tregimi “Mulliri i vjetër”, një tregim shumë i shkurtër, flet për një grup sigurimsash që ende ruajnë celulat e dikurshme, megjithëse në pension, bile duke pasur ‘të drejtën’ të përflasin viktimat e tyre të dikurshme, sepse nuk kanë pësuar asgjë. “Portokajtë e kuq të Sicilisë” është një tregim, për brengat dhe pasiguritë e dashurisë. “ILIRI” nga Lum Gashi Një roman me temën e ditës, si personazh kryesor është i riu që mbijeton përmes punëve të rëndomta, ku fati i tij është në dorë të pronarit të kompanisë dhe zgjidhja mbetet vetëm ikja në perëndim; rrëfimi është i natyrshëm dhe pa sforcime.

Dialogu me të folmen e gjuhës së përditshme të gegnishtes së Kosovës i jep mjaft natyrshmëri rrëfimit, që është konciz, pa stërhollime sentimentale apo romantike edhe kur flitet për marrëdhëniet. “Tregime të zgjedhura” nga Ervin Nezha Tregimet e Ervin Nezhës dallojnë për stilin befasues dhe mjeshtërinë e ndërtimit të karaktereve. Tregimet e tij shërbejnë si një vazhdimësi e një tradite në gjininë e tregimit shqip. / KultPlus.com

Botohet “Pëshpëritja e agonisë” (libri i karantinës) i poetit Sali Bashota

Libri me poezi me titullin “Pëshpëritja e agonisë”, i botuar këto ditë nga PEN Qendra e Kosovës, i poetit Sali Bashota, është vepra e parë e shkruar dhe botuar nga një autor në rrethanat e karantinës. Siç thuhet në parafjalën e autorit, kjo vepër pikënisjen dhe përfundimin e saj, e ka në periudhën e shfaqjes dhe të pranisë së pandemisë së koronavirusit, i njohur si COVID-19, i cili e ka përfshirë, pothuajse, tërë botën, shkruan KultPlus.

Në këtë mënyrë, idetë, motivet, temat e poezisë janë strukturuar, pikërisht në ballafaqim me realitetin ekzistues, aty ku prodhohet ndjeshmëria krijuese dhe receptohet ndjeshmëria njerëzore, por edhe humanizmi dhe vlerat fundamentale të njeriut, sidomos betuesit e Hipokratit.

Në këtë libër poetik, figurat më të përdorura janë: jeta, lutja, ëndrra, dashuria, lumturia, frika, uji, dhimbja, fati, vetmia, karantina, shpëtimi, malli, prekja, përshëndetja, agonia, vdekja.

Ka edhe figura të tjera, të cilat bashkë me këto që u përmendën më lart, e përkundin ëndrrën e jetës në procesin krijues, domosdo, me një kërkesë të veçantë emocionale, aty ku shpërthen kuptimi dhe domethënia për fatin e njerëzimit nga shfaqja e së panjohures dhe e së padukshmes që e ka kapluar njerëzimin.

Realiteti i frikshëm paraqitet si vetënjohje, për ta funksionalizuar ligjërimin përbrenda aktit të ngujimit apo karantinës, kështu që idetë dhe mesazhet e poezisë ndërtohen përbrenda dy pamjeve antitetike: midis dhimbjes dhe lumturisë, midis pesimizmit dhe optimizmit, midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, midis jetës dhe vdekjes.

Ballafaqimi me të panjohuren është esenca e poezisë. Në fakt, e panjohura bëhet pikë referimi për ta shpalosur tërë botën e frymëzimeve në këtë libër poetik.

“Pëshpëritja e agonisë”, mund të jetë një libër i shpalosjes së ankthit dhe i situatave ekzistenciale, në të cilin dimensioni psikologjik e rikuptimëson frymën njerëzore, përbrenda një realiteti të ri dhe të panjohur në rrethana të tilla për njerëzimin që ka të bëjë me frikën nga e keqja e padukshme.

Gjithsesi, është një përpjekje për të vënë një komunikim poetik për fatin e gjërave që kanë ndodhur dhe që mund të ndodhin në jetën e njeriut dhe herën tjetër, që është kryesorja, konceptimi i fenomenit të lirisë në rrethana absurde dhe paradoksale.

Sali Bashota  ka botuar vepra me poezi, prozë poetike, me ese dhe studimeve letrare. Poezia e tij është përkthyer në shumë të gjuhë të botës, pastaj është përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërsa autori është nderuar me çmimet të larta letrare në Kosovë e më gjerë.
Vepra “Pëshpëritja e agonisë”, së shpejti pritet të botohet edhe në gjuhën angleze. /KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Getsbi i madh

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Getsbi i madh është rekomandimi që KultPlus e sjell sonte për adhuruesit e letërsisë. Një novelë kjo të cilën autori amerikan e ka shkruar në vitin 1925, ku paraqitet jeta e disa karaktereve që jetojnë në një qytet joreal.

Aty shpaloset historia e Jay Gatsby, një i ri i pashëm dhe i pasur, dhe dashurisë së tij për bukuroshen Daisy, një dashuri që kalon shumë kufinj duke u transferuar në një obsesion që e përcjellë deri në fund të jetës së tij.

I konsideruar vepra më e madhe e Fitzgeraldit, ‘Getsbi i madh’ eksploron temën e dekadencës, idealizmit, rezistencës ndaj ndryshimit, rebelimit social, dhe teprimeve, duke krijuar një portret të Epokës së Xhazit apo viteve njëzetë të shekullit të kaluar, që është përshkruar si një rrëfim paralajmërues për Ëndrrën Amerikane.

‘Getsbi i madh” nuk ishte shumë i famshëm në fillimet e veta, ku shitjet ishin vetëm rreth 25,000 për 15 vjet. Por kur libri u ribotua në vitet 1945 dhe 1953, një audiencë e re lexuesish e kthyen atë në bestseller.

Kjo vepër i dha një hov të madh letërsisë amerikane, krijoi një epokë të re dhe solli për lexuesit dicka që do të jetojë përgjithmonë. ‘Getsbi i madh’ nuk bën të kaloj pa u lexuar në asnjë mënyrë. / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Ditari i Anna Frankut

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Sonte KultPlus ju rekomandon një vepër mjaft të njohur, mirëpo që kurrë nuk është vonë për ta lexuar e rilexuar. Bëhet fjalë për ‘Ditarin e Anna Frank’, një ditar me plot emocione e dhimbje, një rrëfim për jetën e një vogëlusheje e cila vdiq shumë e re për t’u përjetësuar kështu gjithmonë përmes asaj që ajo la pas.

Anneliese Marie Frank lindi më 12 qershor 1929 në Frankfurt am Main; vdiq në fillim të muajit mars të vitit 1945 në KZ Bergen-Belsen. Ishte një vajzë gjermane-hebreje, që ishte fshehur me familjen e saj në Amsterdam gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, por që nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes, ajo u vra para mbarimit të luftës.

Anna Frank ditarin e saj e ka shkruar gjatë dy viteve të fshehjes së saj nga nazistët në Holandë. Libri është i shkruar në formë të letrave që Anna ia dërgon një mikes imagjinare dhe ku përshkruan ditët e vetmisë së saj dhe të mendimeve të shumta për gjendjen në të cilën ndodhet. Edhe pse nuk e mbijetoi luftën, Ana i dha botës një nga ditarët më tronditës të shkruar ndonjëherë. “Përkundër gjitha të këqijave, ende besoj se njerëzit vërtetë kanë një zemër të mire’, kishte shkruar në ditarin e saj Anna.

Sot ky libër konsiderohet si një ndër veprat më kryesore të shekullit XX.

Ditari i Ana Frankut u bë një ndër librat më të lexuar në botë dhe u përkthye në dhjetëra gjuhë. Shtëpia ku ishte fshehur familja Frank në Amsterdam, sot është e hapur për vizitorët. Aty gjendet edhe ditari që shkroi Ana, i cili ka vlerën e një dokumenti unik njerëzor.

Kur rrëfehet nga një pozicion i sinqertë, aq i sinqertë sa mund të jetë një fëmijë, nuk ka si mos të jetë e dhimbshme me shumë emocionale ajo se çfarë do të lexojmë.

Ky ditari është prej atyre rrëfimeve që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë. Anna Frank pa qëllim pas vetes la diçka që do të mbijetoj sa të mbijetojë mbarë njerëzimi. / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Të vrasësh zogun përqeshës

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja

‘Të vrasësh zogun përqeshës’ është romani i autorit Harper Lee, i botuar në vitin 1960 duke u bërë kështu shumë i suksesshëm menjëherë pasbotimit.

‘Të vrasësh zogun përqeshës’ është fitues i çmimit Pulitzer, njëherit është shndërruar edhe në një klasik të letërsisë moderne amerikane. Duke lënë gjurmë të mëdha në mbarë letërsinë botërore.

E veçanta e këtij romani është se në thelb në roman zë vend një ngohtësi e humor, pavarësisht se ngjarjet që trajtohen aty, flasin për probleme serioze si përdhunimi e racizmi.

Historia e këtij romani rrëfehet nga një vajzë 9 vjeçare edhe pse kjo nuk është një histori për fëmijë. Figura e një babai të vetëm në rritjen e dy fëmijëve, i drejtpërdrejtë, i përkushtuar ndaj familjes dhe ndaj profesionit.

Një vepër e jashtëzakonshme, ku dy fëmijët e shikojnë figurën e babait si idhullin e tyre, si yllin udhëheqës të jetës, si njeriun që nuk gabon kurrë. Një marrëdhënie e shkelqyer mes tyre.

Ngjarjet zhvillohen një një komunitet të vogël por të larmishëm si nga ana kulturore ashtu edhe nga mendësite. Në të gjen paragjykime, racizëm, izolim, thashetheme, opinion shoqëror të fortë por mbi të gjitha drejtësi. Të sjellurit mirë, të qenit i drejtë dhe i paanshëm janë cilësitë që nuk të mposhtin kurrë por që mundësojnë një jetë dhe ndërgjegje të qetë, të bëjnë të ecësh me kokën lart dhe pa frikën që të shikosh drejt në sy çdokënd.

‘Të vrasësh zogun përqeshës’ është prej librave i cili duhet lexuar së paku një herë në jetë, një vepër që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë. / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Parfumi

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi.

Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Sot, KultPlus e rekomandon njërin nga romanet më të njohura të letërsisë gjermane, autor i të cilit është Patrick Süskind.

Romani mban titullin ‘Parfumi’ dhe është romani i parë i shkrimtarit, roman ky i cili gëzoi një sukses të madh gjatë rrugëtimit të tij në botë.

Në këtë vepër trajtohet historia e Xhovani–Batista Grenuijit, e një vrasësi serial që do të vrasë njëzet e pesë vajza të reja. Por shkaku i këtyre vrasjeve nuk është as shthurja dhe as sadizmi. Në të vërtetë, Grenuiji “nxjerr” parfum nga këto vajza të reja, për të përpunuar pak e nga pak parfumin absolut, atë të cilit nuk do t’i bëjë dot ballë asnjë, por edhe që do ta bëjë mbajtësin e tij zot të të gjithë njerëzve që do t’i afrohen. Grenuiji i urren njerëzit dhe do që t’i ketë të gjithë në dorë. Për këtë i duhet një parfum, që do ta krijojë nga erërat e mbledhura nëpërmjet lyerjes me parfum të vajzave të reja të vrara.

Ky roman eksploron shqisën e të nuhaturit dhe lidhjet e saj me kuptimet emocionale që barten nga aroma.

Ky roman nuk është dosido, nuk është një histori e zakonshme e ndonjë personazhi psikopat, ky roman shpalos një histori komunikimi, identiteti dhe morali të shpirtit njerëzor.

“Një nga zbulimet më magjepsëse të këtyre viteve të fundit. I mrekullueshëm! Një kryevepër”, thuhej në kritikën e San Francisco Chronicle. / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Dashuritë e virgjëreshës Madalenë

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Sonte, KultPlus ju rekomandon një vepër mjaft të njohur të shkrimtarit shqiptar Ridvan Dibra, një vepër që trajton fatin e trishtë me plot peripeti të një femre.

Ridvan Dibra është njëri nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë, i cili me veprat e tij si ‘Nudo’, ‘Prostitua e virgjër’, ‘Stina e ujkut’ etj, la gjurmë të mëdha tek lexuesit, duke u bërë kështu njëri ndër shkrimtarët më të veçantë shqiptarë.

‘Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’ mban titullin kjo vepër, e cila fatin e protagonistes e përqendron në tri periudha të rëndësishme jetësorë, në moshat 15, 25 dhe 40 vjeçe. Ku secila periudhë i mëson asaj gjëra të trishta, duke e ballafaquar atë pothuajse gjithmonë me zhgënjim.

Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete (ajo është e zënë me mjaft angazhime shkollore – artistike), por sepse në grupin e saj prej pesë shoqesh vetëm ajo deklarohet e virgjër. Duke qenë e tillë, domethënë e virgjër, ajo tallet e përbuzet vazhdimisht nga shoqet e saj, tallje e përbuzje që veçse shtohen dhe ia bëjnë ferr ekzistencën. Në rastin më të parë që do t’i krijohet. Dhe ai rast paraqitet diku në banjat e pista të shkollës së saj. Kështu, ajo që duhej të ishte përvoja e parë, e bukur dhe e papërsëritshme në jetën e kësaj adoleshenteje 15- vjeçare, kthehet në një akt mekanik, banal e vulgar. Dhe në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet: Ishte jeta dhe fati i një femre me emrin Madalenë? A jeta dhe fati i femrës shqiptare? Apo jeta dhe fati i femrës në përgjithësi? Përtej fabulës interesante e tejet provokuese, Dibra, në gjurmët e veprave të tij më të mira na sjell një roman të strukturuar saktë e bukur, me gjuhë e fraza të përpunuara plot ndjeshmëri e hijeshi.

Ridvan Dibra përplas një femër shqiptare para mendësisë patriarkate, para një shoqërie të keqe e plot dëme dhe para një fati të tmerrshëm që shoqëron protagonisten e kësaj vepre.

Një vepër që vlen të lexohet nga secili. Një vepër që hedh dritë mbi një realitet të hidhur tek shqiptarët. / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Një mijë diej vezullues

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Për sonte, KultPlus ka zgjedhur një roman tashmë të njohur për publikun, mirëpo që vlen të lexohet e rilexohet qindra herë, për arsye të ndryshme të cilat do të përmenden në vijim.

Khaled Hosseini, debutoi fuqishëm në botën e letërsisë me romanin e tij ‘Gjuetari i balonave’, për të vazhduar më pas me romanin ‘Një mijë diej vezullues’ që bashkë me ‘Gjuetarin e balonave’, lanë gjurmë të mëdha në botën e letërsisë dhe jo vetëm.

‘Një miej diej vezullues’, vë fokusin më të madh në botën e gruas, në një botë ku ajo shkelet e diskriminohet, për t’u ndjekur pothuajse gjatë gjithë jetës nga një fat tragjik.

Mariami, që është edhe protagonistja kyqe në roman, është fëmijë jashtëmartesor dhe vuan edhe si fëmijë duke u rritur në një barakë të një fshati të largët, por edhe nga abuzimet e vazhdueshme pas martesës. Laila, e lindur një gjeneratë më pas, është relativisht e privilegjuar në rini, derisa fatet e tyre ndërlidhen kur ajo detyrohet ta pranojë propozimin për martesë që ia bën Rashidi, burri i Mariamit.

Ndër të tjera ngjarjet e këtij romani ndodhin në një periudhë prej 30-të vitesh, ku shpaloset edhe historia e Afganistanit, duke u trajtuar fati i një familjeje, i një miqësie e një besimi që gjen forcë e jetoëson me dashurinë dhe njerëzoren.

‘Shumë nga ne mësuan dhe shijuan mjaft nga “Gjuetari i balonave”. Ka edhe më shumë për të mësuar e shijuar nga “Një mijë diej vezullues”. I fuqishëm, i shkëlqyer, tronditës.’, thuhej në kritikën e The Washington Post Book World

‘Një mijë diej vezullues’ na mëson shumë mbi jetën, mbi vlerën e gjërave më të rëndësishme të jetës si dashuria, besimi dhe miqësia.

Një roman tek i cili është e pamundur të mos gjejmë një pjesë të vetvetes, apo të mos njohim vetveten më mirë pas përfundimit të tij. Një roman që nuk duhet humbur asesi. / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Flokëkuqja

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Ndërkaq, sonte KultPlus ju rekomandon një vepër të letërsisë turke, ‘Flokëkuqja’ të shkrimtarit të njohur Orhan Pamuk, vepër kjo që brenda vetes ngërthen shumë gjëra që ndikojnë direkt në mendjen e lexuesit.

Fituesi i çmimit Nobel, Orhan Pamuk, autor i shumë romaneve i njohur kryesisht në mbarë botën me “Unë jam e kuqja” dhe “Bora”, është gjithashtu autor i një numri të madh librash jo-letrarë dhe me esse për atdheun e tij, Turqinë, që shpeshherë publikohen në New Yorker.

Pamuku është kritikuar dhe përndjekur nga qeveria turke për shkak se flet për lirinë e shprehjes dhe sepse ka sjellë në vëmendjen e botës genocidin armen dhe trajtimin e çështjes kurde nga Turqia.

Tek ‘Flokëkuqja’ secili gjen veten, herë në ndonjë personazh e herë në ndonjë situatë të brenda ngjarjes së romanit. Ajo që ka Pamuku ka bërë me Mitin e Edipit është për të gjitha lavdatat, ka shndërruar dhe ndërruar komplet atë që zakonisht jemi mësuar të lexojmë kur bëhet fjalë për Kompleksin e Edipit.


Ngjarja e romanit zë vend në Stambollin e viteve 80′. Xhemi, një gjimnazist i etur për libra, i duhet të fitojë vetë paratë e mjaftueshme për në universitet, ngaqë i ati, një aktivist i majtë, zhduket shpesh ga jeta e tyre familjare.
Xhemi do të ndjekë pas usta Mahmutin, një mjeshtër i hapjes së puseve me teknikave të vjetra, diku në një provincë jo larg prej aty e që pak vite më vonë do të jetë thjesht një lagje informale e qytetit. Por djaloshi ëndërrimtar, i magjepsur nga rrëfimet e vjetra, nga librat dhe ëndrrat që i sheh nën yje në fushë të hapur ku punon, do të trazohet kur të takojë Flokëkuqen e Ongorenit, një grua gati dyfishi i moshës së tij, pa e ditur se dikur ajo vetë ia kishte rrëmbyer zemrën të atij në ato trazime politike që ndoqën historinë turke pas grushtit të shtetit. Sikur të mos mjaftojë kjo, ai do ta braktisë në pus ustain e tij të dashur dhe do të jetojë më pas tridhjetë vjet me ndjesinë se e ka vrarë.

Duke luajtur me mitet themelore të Lindjes dhe Perëndimit, atë të Edipit të Sofokliut (atëvrasjes) dhe Rustemit e Syhrabit (djalëvrasjes), duke vendosur në qendër një grua flokëkuqe që vërtit botën e vogël të rrëfimit të tij, Orhan Pamuk ngre një histori të mrekullueshme të dashurisë së përbotshme babë-e-bir, duke përfshirë në të shndërrimin e Stambollit dhe të vetë kësaj bote të madhe.”

‘Flokëkuqja’ është njëri ndër ato romane që duhet lexuar të paktën njëherë në jetë, një roman që të ngërthen mbas vetes që nga fjalia e parë e deri në përfundim. / KultPlus.com

‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Lolita

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë romanin ‘Lolita’ të autorit të njohur rus Vladimir Nabokov.

Nabokov ka shkruar edhe shumë vepra të tjera, disa në gjuhën e tij amtare disa të tjera në anglisht, mirëpo u bë i njohur më së shumti përmes romanit ‘Lolita’.

‘Lolita’ si një roman që la gjurmë të mëdha në historinë e letërsisë botërore ka një histori mjaft interesante të rrugëtimit të tij si roman, nga shtëpia botuese e deri tek dora e lexuesit. Nabokov ishte profesor universiteti kur e shkroi këtë vepër dhe botimi i tij mund t’i kushtonte atij me humbje të punës, e refuzuan disa shtëpi botuese duke e konsideruar si një vepër që mund të fuste në burg të gjithë ata që kishin gisht në botimin e saj, e quanin një ”sahat bomb”. Mirëpo, një botues tjetër e hetoi se kjo vepër i përket një rangu mjaft të lart të letërsisë dhe vendosi që t’a botojë atë.

‘Lolita’ në vete ngërthen një ngjarje tejet delikate dhe të ndjeshme për secilin që e lexon, të lë me shumë pikëpyetje për veten dhe botën, dhe mjeshtëria e autorit vërehet qartazi në ndërtimin e secilit personazh, duke hutuar vazhdimisht lexuesin se kush në të vërtetë bart peshën e fajit për ndodhinë që trajtohet në roman.

Humbert Humberti, personazhi kryesor në këtë vepër, ndeshet me tre ciklet e jetës, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, duke e vendosur dashurinë apo obsesionin e tij në qendër të këtyre tre cikleve. Ndërsa në anën tjetër, Lolita, një vajzë bota e së cilës funskionon vetëm përmes lojës, deri në momentin kur ajo e kupton se jo gjithçka është një lojë.

Në botën e letërsisë akoma vazhdon e diskutohet rëndësia që ky roman ka. Një roman që flet për një dashuri aq të madhe, të magjishme deri në shqetësim e deri në neveri. Një roman që hedh një dritë më ndryshe mbi çrregullimet seksuale, mbi dashurinë dhe mbi obsesionin.

Prandaj, për të bërë një hap më shumë drejt njohjes së vetvetes, njohjes së botës reale dhe asaj psikanalitike, fillojeni leximin e këtij romani i cili do t’iu rrëmbej pas vetes që nga faqja e para e deri tek fjalët e fundit, duke lënë kështu një shenjë të madhe në botën e secilit prej jush. / KultPlus.com