Titulli më i ri i shtëpisë botuese “Pika pa Sipërfaqe” i takon autorit Roberto Arlt, “Lodra e tërbuar”, përkthyer në gjuhën shqipe nga Erion Karabolli.
Roberto Godofredo Arlt, bir emigrantësh evropianë, lindi në Buenos Aires më 1900. Vdiq i ri, në moshën 42 vjeçare, por la një krijimtari të gjerë letrare. Është një figurë e shquar e letërsisë argjentinase dhe asaj hispanike. Ai përdori një stil origjinal dhe të shkëputur prej estetikës mbizotëruese të letërsisë së kohës së tij, ringjalli forcën e gjuhës së folur dhe zhargonit popullor të periferisë së varfër të Buenos Airesit. Veprat e tij më të mëdha, “Gravura nga Buenos Airesi” dhe “Shtatë të çmendurit”, janë pasqyrim i gjallë dhe stigmatizim i shoqërisë moderne të Buenos Airesit të fillimshekullit XX.
Romani i tij i parë, “Lodra e tërbuar”, quhet themelues i zhanrit të letërsisë popullore argjentinase. Vepra e tij konsiderohet si paraprijëse e ekzistencializmit letrar dhe zanafilla e letërsisë moderne në Amerikën Latine. La gjurmë të thella te shkrimtarët e mëpasshëm si Carlos Onetti, Julio Cortazar, Ernesto Sabato, Roberto Bolaño, Manuel Puig dhe, mbi të gjithë, Ricardo Piglia.
“Lodra e tërbuar” rrëfen historinë e trazuar të Silvio Astierit, djalosh i ri, banor i Buenos Airesit dhe zë rrëfyes i romanit. Në fillim të ngjarjeve, ai është thuajse fëmijë, por do t’i duhet të rritet me të shpejtë. Rravgimet e mëpasme do të kenë kthesa të mprehta dhe pasoja të ashpra për Astierin: një vjedhje me shokët e fëmijërisë, nevoja për një punë të mirë, po dhe dëshira për të studiuar, orvatjet për të qenë shpikës, shitës, e përsëri bashkëpunëtor në një tjetër krim.
Në këtë roman, Arlt rrëfen me mjeshtëri presionet ekstreme dhe kontradiktat e pazgjidhshme të jetës në mjedisin urban modern, ku fati i njeriut të thjeshtë ngjan i paracaktuar dhe përherë i zymtë.
Përktheu: Erion Karabolli/Express/ KultPlus.com