Libri shqip prezantohet në panairin e Leipzigut

Panairi i Librit në Leipzig u rikthye për lexuesin pas tri vitesh mungesë, për shkak të pandemisë.

Mijëra vizitorë kanë mbushur hapësirën e panairit, ku pritet të mbahen takime të rëndësishme mbi librin.

Shqipëria ka stendën e saj në këtë panair, një traditë tashmë, falë bashkëpunimit me rrjetin Traduki dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

“Openbook” ishte aktiviteti i parë i një cikli bisedash mbi librin, që do të mbahen përgjatë ditëve të Panairit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, i cili u mbajt, me autorët Loer Kume, Andreas Dushi, Flogerta Krypi dhe Ervin Nezha.

E ardhmja përmes librit erdhi në refleksionet e autorëve të rinj shqiptarë, përballë një audience të gjerë.

Gjatë aktivitetit u lexuan dhe pjesë nga krijimtaria e tyre në gjermanisht, nën përkthimin e Suzana Finger.

Aktiviteti u përshëndet dhe nga ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko./ atsh / KultPlus.com

Alda Bardhyli nga QKLL: Ne po përpiqemi që t’i japim zë librit shqip

Xhemile Hysenaj

Tash e një vit, Shqipërisë për herë të parë i është shtuar një institucion që i dedikohet vetëm librit. Bëhet fjalë për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, në krye me Alda Bardhylin e cila në një intervistë për KultPlus ka treguar më detajisht rreth nismës së këtij institucionit, sfidave me të cilat ballafaqohet kjo qendër, rrugëtimin e librit shqiptar si dhe pikësynimet e mëtutjeshme.

”Kur mu besua detyra si kryetare e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit e pashë këtë detyrë si një mision në shërbim të librit, pasi ishte një insittucion që për herë të parë krijohej në Shqipëri, një mision që sigurisht se nuk do të ishte i lehtë, por duke pasur vullnetin e mirë arrihet gjithçka”, ka theksuar Bardhyli për KultPlus.

Bardhyli ka treguar se marrja e detyrës së Drejtoreshës në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, ka përkuar me fillimin e situatës pandemike që vërshoi botën, duke e bërë punën e saj aspak të lehtë.

”Unë u përrpoqa që viti i parë në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, të ishte një vit komunikuese për sa i përket sepse tash libri në fillim komunikohet dhe më pas lexohet, kshtuqë ky ishte një vit që kishte të bënte më shumë më një fushatë ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e leximit, një fushatë mbi rolin që ka libri në shoqëri dhe mbi faktin që vetëm përmes librit shoqëritë mund të shkojnë drejt vazhdimësisë dhe edukimit”, ka deklaruar Bardhyli për KultPlus.

Ndër prioritet e këtij viti, QKLL ka pasur edhe mbështjetjen e krijuesëve të rinj, e veçanërisht ata që krijojnë letërsi për fëmijë, për të cilët Bardhyli ka theksuar se ndjehet mirë për faktin se këta krijues kanë mbështjetjen e një qendre të tillë jo vetëm në hapat e tyre të parë por edhe si një hapësirë ku siç ka theksuar tutje ajo, ata mund të dialogojnë me njëri tjetrin.

”Shqipëria ka pasur një traditë të jashtëzakonshme të letërsisë për fëmijë, ka pasur shkrimtarë të cilët kanë qenë frymëzues të brezave të tërë, vitet e fundit e kemi parë që ka një ikje nga kjo lloj letërsie kshtuqë përmes një fondi të dedikuar të kësaj letërsie ne kërkojmë që të motivojmë dhe t’i shtyjmë krijuesit e rinj që të shkruajnë letërsië për fëmijë. Ky është viti i dytë që neve japim këtë fond, ku çdo vit mbështesim tre autorë të kësaj letërsie”, thekson tutje Bardhyli për KultPlus.

Një tjetër program i rëndësishëm i QKLL është ai që ka të bëjë me komunikimin përmes kulturave. Një program ky që hedh dritë mbi faktin se dominimi i librit në botë bëhet përmes kulturave dhe faktin se sa e rëndësishme është që libri shqip përveç se në hapësirat tona shqiptare të përhapet edhe në gjuhë e kultura të ndryshme.

Në një qendër të librit, mbështetja e shkrimtarëve është gjithmonë e pranishme. Bardhyli ka treguar për KultPlus se përgjatë këtij viti, QKLL ka mbështetur 12-të autorë shqiptarë, të cilët flasin kryesisht gjuhën e rajonit, mirëpo ndër synimet tjera të kësaj qendre është që këta autorë të jenë edhe në gjuhë tjera të mëdha si anglishtja apo frangjishtja.

”Ne po përpiqemi që t’i japim zë librit shqip, jo vetëm romaneve por edhe veprave studimore, historike, politike etj”, tregon Bardhyli.

”Unë dua që punët e nisura nga Qendra të kenë vizione të larta dhe jo të momentit, vizione që ndihmojnë rrugëtimin e librave të autorëve shqiptarë. Sepse libri është si një përçues i mirë i cili na dërgon drejt tregjeve të mëdha, kulturave të mëdha, si një moment i cili do të na ndihmojë edhe neve si shoqëri të kapërcjemë të gjitha këto hapat e vonuara që përshak të historisë apo të shumë problemeve politike na kanë bërë që mos të kemi atë progresin e duhur. Libri është forma e vetme drejt progresit”, tregon tutje Bardhyli për KultPlus.

Përgjatë këtij viti Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri, ka bërë që shumë autorë shqiptarë të kenë vëmendje dhe kanë qenë të pranishëm qoftë në debatin publik, qoftë në skenën letrare. Krijimi i urave të komunikimit mes librit dhe lexuesit, vazhdon të mbetet ndër elementet kryesore të kësaj Qendre.

Bardhyli ka treguar për KultPlus se nga shtatori i këtij viti pritet që të ngrihet një ekip pune, përmes të cilët do të punohet rreth realizimit të një ligji për leximin. Qëllimi kryesor i këtij ligji është promovimi i leximit si një emergjencë kombëtare, por nga ana tjetër edhe krijimi i një rregulloreje që do të pasuronte më shumë bibliotekat e rretheve, libraritë dhe ndoshta do të ndihmonte edhe botuesi. Shumë vende të përparuara e kanë prej kohësh këtë ligj dhe kjo është një nga prioritetet më të rëndësishme të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

”Unë shoh që ka një rritje të interesit ndaj lbrit dhe që ngritja e QKLL është pritur me interes nga qytetarët, bile të gjithë qytetarët që kalojnë nëpër hapësirat afër Qendrës kur lexojnë se aty është hapësira e QKLL hyjnë dhe mendojnë që ky është një vend që i lidhë me librin madje kërkojnë edhe libra aq sa duke parë këtë interes të qytetarëve unë vendosa që biblioteka që neve kemi të jetë një bibliotekë e hapur për të gjithë qytetarët të mund të marrin ndonjë libër vetëm me një kartë identiteti dhe sigurisht ta kthejnë atë pas leximit”, tregon tutje Bardhyli.

Shoqëritë e përparura në botë, tashmë veçse kanë vendosur shumë gra në krye të institucioneve kulturore, ndërkaq, në Shqipëri e në Kosovë, gratë janë shumë të pranishme në sferat e kulturës, mirëpo pak në institucionet e kulturës. Alda Bardhyli është ndër këto të paktat, e cila me shumë mund, punë dhe një dashuri të madhe për librin punon jashtëzakonisht shumë për promovimin e letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë.

”Ne gjithnjë flasim që çështja e feminizmit nuk është më një çështje e ndjeshme e shoqërive dhe që shoqëritë e përparuara e kanë tejkaluar këtë çështje të barazië, por ne ende e shohim sot që edhe në letërsi por edhe në jetë është një çështje e ndjeshme, sigurisht që sfidat e të qenurit grua janë sfida jo të ngjashme me sfidat e një burri aq më tepër në shoqëritë tona. Shqipëria ka pasur një plejadë të jashtëzakonshme grash të cilat vazhdojnë akoma të jenë të fshehura nga mjegulla e historisë por që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë motivuese për mua dhe punën time”, thekson Bardhyli për KultPlus.

Për fund, Bardhyli ka potencuar se letërsia shqipe ka pasur një rritje cilësore këto vitet e fundit, mirëpo, tutje është shprehur se letërsia shqipe ka nevojë që t’i zgjerojë hapësirat e saj, duke pasur parasysh faktin se letërsia duhet të tejkalojë gjuhën e saj. / KultPlus.com