Botohen vepra të frymëzuara nga Chopin, përmbledhen 8 vepra pianistike nga kompozitorë shqiptar

Libri i titulluar “Vepra të frymëzuara nga Chopin”, ngërthen në vete tetë vepra pianistike 8 vepra pianistike të kompozitorëve Kosovarë që ishin pjesëmarës në garat e kompozimit në Chopin Piano Fest Prishtina dhe vepra tjera me karakter të ngjajshëm, përcjell KultPlus.

Këshilltari i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Liburn Jupolli, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka bërë të ditur se ai ishte pjesë e librit ‘Vepra të frymëzuara nga Chopin’, me veprën “Micro-suite balkanique”, e cila ka fituar çmimin e dytë në garën kompozitoriale të konservatorit Chopin në Paris me drejtor Peter Vizard.

Kjo vepër është shkruar posaçërisht për këtë garë dhe është interpretuar në të njëjtin vit në Paris nga pianistja e re Soyeon Kwon, gjatë studimeve bachelor të Jupollit në vitin 2014. / KultPlus.com

Krijohet opera e parë bashkëkohore kosovare, bazohet në dramën ‘Gof’ të Anton Pashkut

Opera e parë bashkëkohore kosovare është gati për tu shpalosur para publikut të gjerë, shkruan KultPlus.

Kjo operë vjen e punuar nga kompozitori postmodern kosovar Liburn Jupolli dhe është e bazuar në dramën ‘Gof’ të shkrimtarit tonë modern, Anton Pashku.

Organizuar nga OJQ – “Rexho Mulliqi” në bashkëpunim me Festivalin Flute Sounds, përkrahur nga Culture for Change dhe Komuna e Prishtinës, Opera e parë bashkëkohore kosovare do të jetësohet në skenë më datë 15 maj, në Kino Armata duke filluar nga ora 20:00.

Ky projekt, në vazhdën e shumë projekteve të rëndësishme kulturore, që kanë ndodhur gjatë këtyre gati dy dekadave, në Kosovën e pas luftës, mund të themi se shënon një rast historik në kulturë, duke sjellur për herë të parë një operë bashkëkohore, tërësisht të paketuar më një kastë emrash nga arti dhe letërsia kosovare, në bashkëpunim edhe me artistë nga Shqipëria, në këtë rast me baritonin e njohur të operës dhe baletit në Tiranë Armando Likaj.

Për më tepër drama moderne GOF e Pashkut me personazhet e saj Lulashin, Lulanin dhe Luluan, pasqyron një realitet të hidhur politik i cili fatkeqësisht vazhdon të jetë aktual edhe në ditët e sotme. Opera “GOF” është një rrugëtim fizik dhe virtual i tri personazheve që paraqet gjendjen e vetëdijes njerëzore në rrethana të izolimit, ku shpërfaqen 3 forma te konceptimit te lirisë në shoqërinë bashkëkohore ne Kosovë. 
Njëri e gjen lirinë në “sëmundje”, i dyti duke i dalë në ndihmë vendit duke qëndruar brenda, kurse i treti e kërkon atë përmes ikjes nga vendi.

Personazhet: Lulani / Luan Durmishi – tenor, Lulua / Armando Likaj– bariton, Lulashi – këngëtar virtual në botën e filmit. Ansambli: Liburn Jupolli – synthesizer, efekte, elektronikë, okto, Erëmira Çitaku – flaut, okarinë. Lum Çitaku – Botë Filmi, Flutura Dedinja – kostumet, Ylber Cërvadiku – dizajni, Nik Rudari – fotografia e posterit.

/Fotografi e Liburn Jupollit e shfrytezuar për këtë artikull është realizuar nga Atdhe Mulla./ KultPlus.com