“Mirënjohje per Mësuesin” titullohet koncerti që liceu artistik “Jordan Misja” së bashku me “Shkollën Kombëtare Koreografike” do të zhvillojnë në Tiranë, të hënën me datë 6 mars në orën 17.00, në ambientet e shkollës së mesme “Sami Frashëri”.
Ky koncert do të zhvillohet në kuadër të festës së mësuesit dhe përmban disa pjesë nga kompozitorët themelues së muzikës serioze dhe baletit shqiptar, si Cesk Zadeja, Tish Daija, dhe Tonin Harapi, si edhe pjesë klasike dhe moderne së muzikës ndërkombëtare.
Për herë të parë do të ekzekutohet himni “Feleminderit Mësues” nga Orkestra Simfonike dhe Kori i Liceut, i krijuar posaçërisht për këtë festë nga kompozitori i mirënjohur Endri Sina, mbi tekst të Mimoza Bicit.
Pjesët e ekzekutuara nga Okestra Simfonike dhe Kori do të shoqërohen me numra koreografikë nga ballerinët e “Shkollës Kombëtare Koreografike” nën drejtimin e dirigjentëve te liceut Mira Sulejmani, Besa Kacinari dhe Andi Kongo. Ky bashkëpunim sinergjik vjen për herë të parë, mbas shumë dekadash, me inciativën e drejtoreshave të dy shkollave artistike kryesore të vendit Etleva Kolnikaj dhe Blerina Arbana./ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka arritur tashmë në Tiranë, shkruan KultPlus.
Të martën, në Javën e Kulturës Britanike, ajo do të performojë në sheshin Skënderbej, në një koncert falas për të gjithë qytetarët, por takimin e parë ka bërë me studentët e Liceut Artistik.
Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka shpërndarë videon që është realizuar në Liceun Artistik. Talentët e rinj të qytetit i drejtuan mjaft pyetje Ritës, ndërkaq përcollën me interes mesazhin e saj rreth muzikës dhe suskesit në këtë fushë.
Ajo mes të tjerash ka thënë se mosha asnjëherë nuk është pengesë që të vazhdosh së ëndërruari, besuari dhe krijuari.
“Nuk ka rëndësi sa vjeç je, asnjëherë mos ndaloni dot së ëndërruari, besuari dhe krijuari. Dhe ky është qëllimi. Duhet që të gjithë së bashku të inspirojmë njëri-tjetrin dhe kjo është mënyra se si ne realizojmë ëndrrat”, ka thënë Ora.
Sipas saj, duhet që me të vërtetë të dish se çfarë doni të bëni me jetën dhe çfarë dëshironi në këtë jetë. A doni të bëni familjen të lumtur, apo vetën të lumtur, a dëshiron të këndosh apo dëshiron të bësh para; pra cila është ëndrra?
“E gjithë kjo duhet të vijë nga brenda sepse kur të rritesh dhe të takosh njerëz, disa nga ta do të të inspirojnë për të bërë diçka tjetër apo disa do të të thonë ‘Ti s’mund ta bësh atë’, dhe mund të ta shkatërrojnë besimin në vete dhe disa tjerë do të të thonë që edhe ata dëshirojnë të bëjnë të njëjtën, andaj unë mendoj që duhet të jeni vërtetë të fokusuar dhe të mos e dëgjoni atë zë që ju largon nga rruga juaj. Andaj duhet të luftoni shumë që ti përmbysni fjalët e të tjerëve. Dhe kjo është ajo se çfarë akoma më mban gjallë. Unë isha 19 vjeç kur fillova dhe jam shumë me fat që akoma e bëj. Përdoreni instinktin tuaj por jeni edhe të zgjuar, të guximshëm dhe me plot vetëbesim sepse se çfarë ne bëjmë në mënyrë kreative, askush në fakt nuk duhet ta kuptojë për arsye se ne jemi kreativë. Duhet të duroni shumë. Por as unë s’kam fare durim por është e vërtetë ajo që po them”, ka thënë Ora.
Ajo tutje ka vlerësuar lartë potencialin e të rinjve, ngaqë për të, idetë e tyre janë tejet të mira.
“Unë dua të sjell këtu disa nga miqtë e mi që kam takuar në industrinë e muzikës dhe të cilët mund të u mësojnë juve dhe që mund të vinë dhe të mbajnë mbledhje këtu me juve në mënyrë që ata të iu dhurojnë juve ide të shumta sepse fëmijët janë aty ku është e mira. Ata kanë idetë më të mira sepse ata akoma ëndërrojnë. Personalisht, unë asnjëherë nuk dua të pushoj së ëndërruari. Është shumë e vështirë ta bësh por thjesht rrini në slitën me rul. Do të jetë një rrugë e gjatë por shumë e mirë”, thotë ajo.
75-vjetori i krijimit të Liceut Artistik “Jordan Misja” u përkujtua mbrëmjen e djeshme me një koncert me pjesëmarrjen e artistëve të njohur të skenës shqiptare dhe nxënësve të kësaj shkolle.
Në koncertin e organizuar në sallën “Tonin Harapi” ishte e pranishme edhe sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula, e cila me interpretimet e saj përcolli emocione dhe duartrokitje për artdashësit kryeqyetas.
Pjesë e koncertit ishin edhe mësues dhe nxënës të Liceut Artistik, të cilët interpretuan në instrumentet muzikore si dhe pjesë operistike.Liceu Artistik “Jordan Misja” është krijuar në janar të vitit 1946. Ai ka nxjerrë emra të njohur në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Që në fillim të veprimtarisë së tij, me punën dhe angazhimin tregoi se është një qendër e rëndësishme edukative dhe arsimore për përgatitjen e artistëve të rinj në gjini të ndryshme të artit. Liceu artistik “Jordan Misja” për disa dekada ishte e vetmja shkollë e mesme artistike në Shqipëri. Aktualisht aty mësojnë rreth 900 nxënës të profilizuar në degët e arteve figurative dhe muzikore, si dhe klasat e përgjithshme.Për disa dekada Liceu Artistik ishte e vetmja shkollë e mesme artistike në Shqipëri. Për themelimin dhe ngritjen e këtij liceu kontribuuan pedagogët dhe artistët e mëdhenj shqiptarë, skulptorët: Odhise Paskali, Janaq Paço, Kristina Hoshi, (e para grua skulptore, shqiptare), Andrea Mano, etj; piktorët Foto Stamo, Abdurrahim Buza, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, Guri Madhi, etj. Në dramë Mihal Popi, Zina Andri (Pano), Naim Frashëri, Kadri Roshi, etj. Në muzikë kompozitorët Çesk Zadeja, Tish Daija, Avni Mula, Kozma Laro, Feim Ibrahimi, Simon Gjoni; dirigjentët: Mustafa Krantja, Rifat Teqja, violinisti Ludovik Naraçi, artistë të vokalit Marie Kraja, Nina Mula, Gjoni Thanasi, Jorgjie Truja, Shpresa Nishani, muzikologu Ramadan Sokoli etj.
Në koreografi kontribuan Perkunji (rus), Panajot Kanaçi, Xhemil Simitçiu, Ganimete Vendresha, Zoica Haxho, Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, etj. Drejtori i parë ishte kompozitori Konstandin Trako./atsh/KultPlus.com
Sot interpretohet premiera shqiptare e veprës së Librun Jupullit, “Micro-suite en blanc et noir” në festivalin pianistik PIANODROM në Tiranë.
Vepra për piano solo është shkruar enkas për garën e kompozitorëve të rinj në Conservatoire Frédéric Chopin në Paris më 2015 ku vepra mori vendin e dytë (pa vend të parë) me premierë në Konsevratorin “Chopin” nga pianistja koreane Soyeon Kwon.
“Faleminderit Aleksandër Peçi për ftesën në festival dhe faleminderit për Z.Kristina Petrollari Ina Piano për interpretimin e veprës.
Në pamundësi të jem prezent në koncert, ju dëshiroj koncert të suksesshëm të gjithë ekipit të festivalit dhe kolegëve tjerë!“, ka shkruar kompozitori Jupolli në rrjetet sociale. / KultPlus.com