Në fund të shekullit 19-të tokat e banuara me shqiptarë u vunë përsëri në rrezik kur fqinjët ballkanikë të shqiptarëve filluan aktivisht të ndeshen për të marrë pjesë nga territori i Maqedonisë, kontest që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike. Teritori i Kontestueshëm përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare. Patriotët shqiptar filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896. Takimi i parë u mbajt në mars 1897 në Gjakovë kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt edhe një takim tjetër në Pejë ku morën pjesë 500 veta pas së cilës Stambolli intervenoi dhe shpërndau Besëlidhjen.
Më 23 janar 1899 nën kërcënime të reja për tokat shqiptare në Pejë u mblodh një kuvend me 500 pjesëmarrës nga vilajetet e Kosovës dhe më pak nga ata të Manastirit dhe të Janinës. Në kuvendin gjashtë ditor zuri fill Lidhja e Pejës ose siç u quajt ndryshe Besa-Besë. Kuvendi u organizua, u drejtua, dhe zgjodhi kryetar Haxhi Zekën. Kuvendi doli me një program 11 pikësh i cili kundërshtonte përpjekjet për të copëtuar tokat shqiptare por që nuk kërkonte autonomi. U shpall edhe Besa për një vjet.
Pas suksesit të pjesshëm në përhapjen e programit në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore e të Mesme në përgatitje të një kuvendi mbarëkombëtar që do ta aprovonte programin e Lidhjes, sulltani reagoi duke përdorur edhe reaksionit shqiptarë. Në maj 1899 përpjekjet për mbajtjen e këtij kuvendi në Prizren u penguan. Kjo solli deri te një kryengritje e armatosur deri në maj të vitit 1900 kur u dërguan forca shtesë otomane që përfunduan Lidhjen e Pejës.
Acarimi i ri i çështjes maqedone, në fund të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899, që u shoqërua me shtimin e ndërhyrjeve të qarqeve drejtuese të Bullgarisë, të Serbisë, të Greqisë e të Malit të Zi në Turqinë Evropiane, e veçanërisht në vilajetet shqiptare, krijuan përsëri një gjendje të nderë politike në Ballkan e si rrjedhim edhe në Shqipëri. Këtu ndikoi gjithashtu qëndrimi i Fuqive të Mëdha, të cilat, duke pasur parasysh kërkesat e shteteve ballkanike, sidomos të Bullgarisë, në janar 1899 u morën vesh për një ndërhyrje kolektive pranë Portës së Lartë. Me nismën e Anglisë e të Italisë iu parashtrua Portës së Lartë kërkesa për zbatimin e reformave në Maqedoni, për të parandaluar kryengritjen në këtë trevë të Ballkanit. Me këtë ndërmarrje u bashkuan edhe Gjermania, Austro-Hungaria dhe Rusia. Fillimi po në këtë kohë i bisedimeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për të ndarë tri vilajetet, të Kosovës, të Manastirit e të Selanikut, e elektrizoi edhe më shumë gjendjen në Ballkan dhe në Shqipëri.
Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.
Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi.
Në Kuvendin e Pejës, sidomos në mbledhjet e tij të fshehta, ashtu siç ishte parashikuar, u diskutua edhe çështja e autonomisë së Shqipërisë. U arrit në përfundimin që Lidhja të kërkonte autonominë dhe, si masë e parë drejt saj, do të ishte emërimi i Haxhi Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë, që të vendosej një administratë e veçantë kombëtare dhe të formohej një ushtri shqiptare nën sovranitetin e sulltanit. Por, nga njëra anë rreziku i jashtëm, që kërcënonte tërësinë e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër prania në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etj., që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi.
Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre, parashikonte zbatimin e masave të tilla, të cilat do të çonin gradualisht në vendosjen e një statusi autonom për katër vilajetet shqiptare.
Në fundin e vitit 1900 Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë.
Sot, në ketë 120 vjetor kryeministri Ramush Haradinaj do të bëjë nderime para përmendores dhe kullës së Haxhi Zekës në Pejë. /KultPlus.com