79-vjetori i themelimit i Lidhjes së Shkrimtarëve

 Më 7 tetor të vitit 1945, u krijua në Tiranë, Lidhja e Shkrimtarëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se dy vjet më pas, në vitin 1947, këtij organi i bashkëngjitet edhe Lidhja e Artistëve, duke bërë bashkë kështu letrarët me kastën e artistëve të vendit.

Në fillesat e saj, Lidhja (LSHA) numëronte 70 anëtarë, ku bënin pjesë po ashtu gazetarë dhe gjuhëtarë. Mandej, numri i tyre erdhi duke u shtuar. Si kryetar i saj, u zgjodh Sejfulla Malëshova, ndërsa detyra honorifike e presidentit iu ngarkua Fan Nolit. Në statutin e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte parakushti që nuk do të pranohej anëtar asnjë prej atyre shkrimtarëve, publicistëve e gazetarëve që i shërbyen me veprat e tyre okupatorit e që konsideroheshin armiq të popullit.

Disa prej pasuesve të Malëshovës në krye të LSHA-së ishin: Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari etj.

LSHA-ja kishte organet e saj letrare dhe artistike, sikurse: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare”, “Revista letrare” etj./ atsh/ KultPlus.com