Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, zv. kryeministrin Bislimi dhe drejtorët e KIESA-s, ATK-së dhe Doganave të Kosovës, kanë pritur në takim delegacionin e kompanisë së njohur të dyqaneve ushqimorë në botë,“Lidl” GmbH & Co KG, shkruan KultPlus.
Hajdari ka thënë se janë zotuar se do të investojnë dhe zhvillojnë biznesin e tyre në Kosovë.
“Me delegacionin e kompanisë “Lidl” u përshendetëm me zotimin që do të investojnë dhe zhvillojnë biznesin e tyre në Kosovë, gjersa konkluduan se Kosova ka shumë potenciale konkurruese për investime dhe ndër të tjera, është vendi me sistemin më të mirë tatimor në botë”, u shpreh ajo.
Gjithashtu, Ministrja njofton se së bashku me delegacionin e “Lidl” kanë viztuar tri lokacionet strategjike të përshtatshme për qendrën e ardhshme në Kosovë.
“Me delegacionin e kompanisë në fjalë vizituam edhe tri lokacione strategjike të propozuara nga kolegët e KIESA-s, të përshtatshme për qendrën e ardhshme logjistike të kompanisë “Lidl” në Republikën e Kosovës, pas bisedës së tyre më prodhuesit dhe përpunuesit e ushqimit dhe pijeve, potencial i mirë për furnizim për kompaninë “Lidl” dhe exporte në botë”, theksoi ministrja.
Ndryshe, “Lidl” GmbH & Co KG, është një zinxhir ndërkombëtar gjerman i shitjeve me pakicë me zbritje që operon mbi 11,000 dyqane në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. “Lidl” është themeluar në vitin 1973 dhe aktualisht me shtrirje në 31 shtete të botës. /KultPlus.com