Studentët s’mund të vijojnë ligjëratat nëse s’janë të vaksinuar

Studentët në Universitetin e Prishtinës sot do të fillojnë të vijojnë ligjëratat, mirëpo ata të cilët nuk janë vaksinuar kundër virusit Covid19, s’do të kenë këtë mundësi.

D.G, studente në vitin e dytë në fakultetin e Filologjisë,  ka humbur afatin e një provimi në një lëndë për shkak që s’u lejua të hynte pasi s’ishte vaksinuar.

Ajo për IndeksOnline pohoi se ishte e vetmja ndër kolegët që s’ishte vaksinuar, transmeton KultPlus.

“Unë jam vaksinuar këtë javë pasi kuptova se nuk mund të vijoj ligjëratat në fakultet. Unë kam pasur një përvojë jo të mirë tash, për shkak të mosvaksinimit kundër Covid19. S’kam mundur të hyjë në provim vetëm pse s’isha e vaksinuar, kam humbur afatin për shkak të vaksinës”, tha ajo.

Kurse, nga Ministria e Shëndetësisë, për IndeksOnline kanë pohuar se studentët i janë përgjigjur shpejt ftesës për vaksinim.

Sipas MSH-së, shumica prej tyre i kanë marrë nga dy doza të vaksinës kundër COVID-19.

“Studentet kanë qenë një kategori që i janë përgjigjur shpejt ftesës për vaksinim dhe dëshmi për këtë është numri i madh i dozave të administruara tek kjo kategori.

Sipas të dhënave,  137 677 doza të vaksinës kundër COVID-19 janë administruar tek kategoria e deklaruar si studentë, me rastin e vaksinimit dhe aplikimit për vaksinë.

Kjo tregon që shumica prej tyre i kanë marrë nga dy doza të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për IndeksOnline.

Ndërsa, Rektori i UP-së Naser Sahiti tha se  ligjëratat do të zhvillohen fizikisht por do të ndahen studentët në grupe dhe duke u respektuar distanca. /indeksonline/ KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës merr vendim për fillimin e ligjëratave me prezencë fizike

Senati i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur sot, me rekomandim të Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike, ka marrë vendim që si pasojë e pezullimit dyjavor të aktiviteteve mësimore, procesi mësimor – ligjëratat të fillojnë më 15 tetor 2021, me prezencë fizike.

Procesi mësimor, respektivisht ligjëratat, do të zhvillohen duke respektuar udhëzuesit përkatës, me kusht që numri i studentëve në një klasë të mundësojë në mënyrë rigoroze mbajtjen e distancës prej 1.5 metra në mes të personave.

Në rastet e caktuara dhe për të respektuar distancën prej 1.5 metra, ligjëratat do të organizohen në dy grupe të studentëve: Orët e mësimit në dy grupe – ora e parë 40 minuta grupi i parë i studentëve; ora e dytë 40 minuta grupi i dytë i studentëve. Në mes të dy orëve do të mundësohen 10 minuta për ndërrimin e studentëve. Në raste tjera dhe varësisht edhe vendimeve të qeverisë, do të mundësohen edhe orët hibride dhe online. / KultPlus.com