Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se në 7 qershor 1954, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi dekretin për shtetësinë shqiptare.
Nevoja për një ligj të ri mbi shtetësinë argumentohej me “përmbajtjen antiparimore” të ligjit në fuqi asokohe, i cili qe një huazim i modelit jugosllav. Po ashtu, në relacionin e Këshillit të Ministrave, arsyetohej se ligji ishte “tepër i ngarkuar”, ndaj lypsej thjeshtimi i tij. Sipas dekretit, shtetas shqiptarë ishin:
Të gjithë ata që kanë qenë shtetas shqiptar më datën 29-11-1944 dhe nuk e kanë humbur në vazhdim;
Fëmijët e lindur nga prindër që janë që të dy shtetas shqiptarë.
Të huajve, pavarësisht nga kombësia dhe raca e tyre, mund t’u jepej shtetësia shqiptare me kërkesën e tyre, me dekret të Presidiumit. Autorizimi i Presidiumit ishte i nevojshëm edhe për rastin e lënies së shtetësisë./atsh/KultPlus.com
Immanuel Kant është filozof i njohur gjerman dhe një nga më të shquarit e të gjitha kohërave. Kant-i ka lindur më 1724, dhe veprimtaria e tij i përketë filozofisë klasike gjermane, shkruan KultPlus.
“Grounding for the Metaphysics”, “Kritika e Arsyes së Kulluar” e botuar më 1781, “Kritika e arsyes Praktike” e botuar më 1788, “Groundëork of the Metaphysic of Moral”, janë disa nga veprat e tij me të cilat ai e arriti kulminacionin në karrierë.
Këto janë disa nga thëniet më të famshme të Kantit:
“Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua”.
“Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes”.
“Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit”.
“Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai është i papërpunuar dhe i egër”.
“Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve”.
“Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet”.
“Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit”.
“Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë”.
“Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën”.
“E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyen”.
“Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë”.
“Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj”?
“Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë”.
“Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit”.
“Shkenca është dije e organizuar. Mençuria është jetë e organizuar”.
“Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër”.
“Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë”.
“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”.
“Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën”.
“Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur”.
“Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder”./KultPlus.com
Grupi për Studime Jurdike dhe Politike (GJSP) ka mbajtur konferncë për medie ku edhe ka prezantuar hulumtimin e Indeksit të Perfomancës së Institucioneve të Sundimit te Ligjit në Kosovë.
Njomza Arifi, menaxhere e Programeve në GJSP, tha se tha që pjesa e parë e këtij Indeksi trajton perceptimin qytetar mbi institucionet e sistemit të drejtësisë dhe pjesa e dytë trajton efikasitetin e punës së sistemit prokurorial.
Ndërsa Rreze Hoxha-Zhuja në detaje anketat e marra nga qytetarët prej të cilave kanë dalë në përfundim mbi ndikimet politike, raportimi i korrupsionit, institucionet në të cilat qytetarët më shumë raportojnë, efikasiteti i prokurorive dhe performanca e gjykatave.
Ajo tha se në bazë të të dhënave del se 21.4 % mendojnë se qytetarët janë të barabartë para ligjit.
Kurse 70% e qytetarëve mendojnë politika të bën të pa prekshëm nga drejtësia.
Sipas saj, sa i përket luftimit të korrupsionit 48% e qytetarë mendojnë se Policia është efektive në luftën kundër korrupsionit, kurse 7.2% e qytetarëve u besojnë gjykatave në këtë drejtim.
Ajo shtoi se 30.7% kanë vërejtur ndryshime në sistemin e drejtësisë, raportojnë EO. / KultPlus.com
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), për shkëputjen e njëanshme të Memorandumit të Bashkëpunimit, i cili iu mundësonte anëtarëve të AGK-së përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.
“Përkundër se Oda e Avokatëve të Kosovës përbëhet nga më shumë së 1080 avokatë, të cilët pos tjerash kanë obligim ligjor trajtimin e një rasti “pro bono” në vit, pra gjithsej mbi 1080 raste në vit, strukturat e reja udhëheqëse të OAK-ut kanë refuzuar që në këtë numër të përgjithshëm rastesh, t’iu vihen në mbrojtje gazetarëve. Vlen të theksohet se që nga nënshkrimi i Memorandumit, për afro një vit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka deleguar tek Oda e Avokatëve vetëm 2 raste”, shkruhet në njoftimin e AGK’së.
Nga Asociacioni i Gazetarëve kanë deklaruar se ky memorandum është shkëputur ekskluzivisht për raporte të brendshme personale në mes të strukturës së kaluar udhëheqëse dhe udhëheqësisë së re.
“Në njërin prej e-maileve të brendshëm të strukturave udhëheqëse të OAK-ut, kryetari i degës regjionale në Prishtinë, Nasuf Hasani, këtë memorandum i cili mbronte gazetarët ligjërisht, e quante “qirkuz” dhe “demoagogji” të ish kryetarit të OAK-ut, e që sipas tij ishte nënshkruar në mënyrë klandestine.
AGK i rikujton z. Hasanit që memorandumi në fjalë është nënshkruar në ditën më të rëndësishme për OAK-un, “Dita e Avokatisë” dhe “46 vjetori i themelimit të OAK-ut”, ku pjesëmarrës pos udhëheqësisë, kanë qenë edhe akterë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë. Për më tepër, ngjarja është mbuluar nga shumica e medieve në vendin tonë.
Shtrohet pyetja se si z. Hasani, përkundër që drejton degën regjionale të Prishtinës, nuk ka qenë në dijeni për marrëveshje të tilla publike dhe se si është informuar vetëm pas ardhjes së udhëheqësisë së re.
Ky Memorandum që ishte nënshkruar më 16 nëntor të vitit 2019, u shkëput nga Këshilli i ri Drejtues i OAK-ut, me arsyetimin se gazetarët nuk i përkasin kategorisë së përfituesve të ndihmës juridike falas, të përcaktuara sipas Ligjit të Avokatisë – neni 42, statuti i OAK-ut – neni 95, par. 1.13”, thuhet në reagim./GazetaExpress/ KultPlus.com
Viktimat e krimeve në Kosovë vazhdojnë të jenë të pambrojtura si pasojë e moszbatimit të ligjeve në fuqi, thonë përfaqësues që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”, gjatë kësaj jave në Kosovë po shënohet 10-vjetori i javës për të drejtat e viktimave të krimit.
Drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka infrastrukturë ligjore të mirë për mbrojtjen e viktimave të krimit, por në shumë raste ligjet nuk zbatohet apo zbatohet pjesërisht.
“Kosova është një shtet i ri i cili ka një demokraci të brishtë, ka një drejtësi e cila ende nuk është krejtësisht e konsoliduar, ka një ambient politik jo të sigurt, ka një paqëndrueshmëri ekonomike dhe e gjithë kjo reflekton edhe te trajtimi i viktimave të krimit. Megjithatë, në Kosovë për herë të parë për dallim nga vendet tjera të rajonit, një komision për kompensimin e viktimave të krimit i cili ka punuar mirë dhe ka kompensuar një numër të konsiderueshëm të viktimave. Kjo ka ndihmuar viktimat e krimit që ta fitojnë një siguri tek institucionet”, thotë ai.
Kosova ka programin për kompensimin e viktimave të krimit i cili financohet nga buxheti i shtetit. Ky programi iu mundëson viktimave të veprave të dhunshme të kompensueshme të aplikojnë për kompensim financiar për dëmet si pasojë e veprës penale.
Kompensimi nga shteti mund të kërkohet në rastet kur viktima nuk mund ta realizojë të drejtën për dëmshpërblim nga i pandehuri apo kompensim nga burimet tjera.
Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, shton Shala, do të duhej të merren më shumë me aktivitete që parandalojnë krimin.
“Deri më tani nuk ka asnjë mekanizëm efikas që do të luante rolin parandalues. Nëse do të kishim një mekanizëm i cili do të ishte efikas në planin e parandalimit, atëherë numri i viktimat do të ishte i vogël. Pra, më shumë do të ishte mirë të flisnim për parandalimin e krimeve, por që fatkeqësisht në Kosovë po merremi me pasojat e viktimave të krimit”, thotë Shala.
Në Kosovë gratë janë viktimat më të shpeshta të akteve të krimit. Vitin e kaluar 1533 ka qenë numri i rasteve të raportuara për dhunë në familje, kurse në 1229 raste viktima kanë qenë gra.
Përfaqësues të shoqërisë civile theksojnë se dhuna në familje, ka shtuar rastet e viktimave të krimit, që po manifestohet edhe me krime të rënda si vrasja e grave apo forma tjera të dhunës. Ky është bërë fenomen shqetësues dhe alarmues për shoqërinë dhe autoritetet kompetente, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ka sinjale të mira që po përmirësohet trajtimi i viktimave të krimit, por sipas saj, prapë ndodh që të këtë dështim nga sistemi i drejtësisë në raste të caktuara dhe viktimat e krimit të mos ndjehen aq të sigurta.
“Kemi pasur disa raste vitin e fundit, do të thotë veçanërisht gjatë këtij viti ku kemi dy dënime me burgim të përjetshëm për dy vrasës të grave, që ka qenë një sinjal i mirë prej sistemi gjyqësor. Mirëpo, duhet të rikujtojmë që të dyja këto raste janë kthyer sërish në rigjykim dhe ka gjasa që nëse nuk vazhdojnë të jenë të ashpër gjyqtarët në shqiptimin e dënimeve, këto dënime edhe të ulen”, thotë ajo.
Moszbulimi ose mosndëshkimi i krimeve dhe po ashtu neglizhenca e mekanizmave të sigurisë, shton Berisha, po rrezikon në përsëritjen e rasteve të dhunës në familje, të cilat po përfundojnë edhe me fatalitet.
“Gjithmonë në rastet e dhunës në familje kur trajtimi nuk ka qenë adekuat, do të thotë konform normave ligjore, ashtu siç kërkohet sipas ligjit prej institucioneve vendore, kemi pasur që rasti ka shkuar dhe ka përfunduar me fatalitet. Është rasti i Zejnepes, rasti i Antigonës, janë raste të tjera të grave të cilat edhe pse fillimisht u janë drejtuar institucioneve, ato kanë hezituar, nuk ju kanë besuar, kanë fajësuar viktimat dhe në fund ushtruesit e dhunës kanë përfunduar edhe me vrasjen e tyre (të grave)”, thotë Berisha.
Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal dhuna në familje është futur si vepër e rënd penale.
Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. /Rel / KultPlus.com
Raporti i fundit për Kosovën, dhe vende të tjera të Ballkanit, nga ana e Komisionit Evropian u publikua me 29 maj 2019. Instituti EPIK, përmes një kumtese për media thonë se nga hulumtimi që bënë, ky raport ka dy qëllime; Një të vlerësoj gatishmërinë e vendit për t’u anëtarësuar në BE dhe dy, të vlerësoj progresin e bërë brenda vitit të kaluar.
“Si çdo vit, pas publikimit të raportit, shumica qeverisëse ka zgjedhur disa fjali pozitive për të thënë se raporti ka vlerësuar pozitivisht qeverisjen në Kosovë, ndërsa opozita dhe ata që mendonin ndryshe kanë bërë të kundërtën – i kanë nënvizuar vlerësimet negative që raporti ka bërë për vendin.
Në këtë formë, shoqëria e Kosovës humbi mundësinë që ti qaset diskutimit empirik dhe kokëftoftë rreth një qëllimi i cili na bashkon të gjithëve – rrugëtimi drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në komunikatën e EPIK.
Pikërisht në ketë kontekst, thuhet në komunikatë, kanë zgjedhur që të ndërmarrim hulumtimin e radhës për të dhënë përgjigje në disa pyetjet elementare sa i përket Raportit për Kosovën 2019.
Hulumtim i EPIK:
A mund të gjejmë një mënyre që të matim progresin që është bërë brenda një viti, në procesin integrues të Kosovës?
Ku është bërë progres më i madh, e ku ka pasur ngecje më të mëdha?
A mund të kuantifikojm gjeturat e Raportit?
A mund të krahasojmë Kosovën me vende të tjera të Ballkanit?
A mund të kuptojmë të gjitha detajet teknike të legjislacionit të BE-së, dhe ti prezantojmë ato në një formë sa më të thjeshtë dhe vizuale?
Pas një hulumtimi disa javorë, kemi arritur në nëntë (9) përfundime kyçe:
Në vitin 2019, Kosova është vlerësuar se ka “nivel të kufizuar të përgatitjes për anëtarësim në BE”, me numrin total të pikëve prej 1.8 nga gjithsej 5 pikë të mundshme. Rrjedhimisht, Kosova ishte në vendin e parafundit, duke lënë mbrapa vetëm Bosnjën me 1.6 pikë.
Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë “frontrunners” – me gjithsej 3 pikë.
Shqipëria me 2.4 pikë gjendet në mesin e dy grupeve me 2.4 pikë. Rrjedhimisht, ky rezultat e vendos Shqipërinë në kategorinë e njëjtë me vendet e fundit në Ballkan – Kosovën dhe Bosnjën.
Sa i përket sundimit të ligjit, respektivisht kapitulli 23: gjyqësori dhe të drejtat themelore dhe kapitulli 24: drejtësia, liria dhe siguria, Kosova është vend i fundit në Ballkan sa i përket gatishmërisë për tu anëtarësuar në BE.
Po ashtu, nga aspekti ekonomik Kosova është vend i fundit në Ballkan në kapitullin 8: politikat e konkurrencës dhe kapitullin 19: politikat sociale dhe punësimi.
Kosova e ndan vendin e fundit në Ballkan me Bosnjën në fushat e mjedisit dhe arsimit.
Nga viti 2016, Kosova ka bërë relativisht progres më të madh se sa vende të tjera të Ballkanit drejt marrjes së obligimeve që burojnë nga anëtarësimi në BE. Sidoqoftë, ky progres ishte vetëm 0.2 pikë në shkallë prej 5 pikëve. Ky progres i kufizuar u shënua fal progresit të kufizuar në kapitullin 1: lëvizja e lirë e mallrave, kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 15: energjia, kapitullin 16: tatimi dhe kapitullin 32 kontrolli financiar. Ky progres nuk duhet kuptuar si punë e shkëlqyeshme e institucioneve të Kosovës, por punë e dobët e vendeve të tjera në Ballkan – cilat efektivisht kanë pezulluar agjendën reformuese.
Sa i përket progresit në baza vjetore, krahasuar me vitin 2018 Kosova ka shënuar progres të kufizuar në kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 25: shkenca dhe hulumtimi, kapitulli 25: arsimi dhe kultura, kapitulli 28: mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit dhe kapitullin 32: kontrolli financiar.
Ndërsa, fushat brenda cilës Kosova ka shënuar regres krahasuar me vitin 2018, janë kapitulli 11: bujqësia dhe zhvillimi rural, kapitulli 17: politikat ekonomike dhe monetare, kapitulli 19: politikat sociale dhe punësimi.
Bashkangjitur gjeni studimin e fundit të Institutit EPIK për Raportin e Vendit 2019. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës është në fazën e hartimit të gjithë kornizës së plotë për statusin e artistëve.
Kështu u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë një interviste dhënë disa minuta më parë. Ajo i konsideroi të drejta kërkesat e artistëve.
“E kam diskutuar edhe me ta. Para pak javësh kemi bërë një takim me sindikatën e artistëve. Ata faktikisht janë të fokusuar më shumë në pjesën e pensionit, pensioni i posaçëm, pensioni i artistit është një nevojë reale sepse një artist, le të themi një balerin nuk mund të dalë në pension në moshën që dalin të gjithë personat e tjerë që kryejnë profesione të tjera dhe kjo është e drejtë. Ka ende për t’u riparë edhe pikat e tjera se deri ku statusi artistit ti jepte një vlerë të shtuar dhe të mos fokusoheshim vetëm tek pensioni. Kemi ngritur një grup të posaçëm për të hartuar më së mirë, për të dalë përpara edhe me statistika pasi për të nxjerrë në pah një projektligj duhet të ngremë një paketë të mirë informuese, jemi duke punuar për këtë por sidoqoftë, që ato kërkesat e para kur shikohen vetëm në aspektin ekonomik me duket sikur nuk janë të shëndosha. Pra, do të donim që në momentin që do donim një nismë të tillë të dilnim me një projektligj që të ishte sa më e kompletuar. Kështu që jemi në fazën e hartimit të gjithë kornizës së plotë”, – deklaroi Margariti.
Komuniteti artistik po ndihet i diskriminuar nga Ligji për Sponsorizime, i miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për të Ardhurat e Korporatave me 74 vota për dhe me dy abstenime. Artistët po konsiderojnë se ky ligj po u bën padrejtësi, për faktin se sipas Nenit 12 të këtij Ligji, sponsorizuesit për sponsorizime në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim, kurse sponsorizuesit për sponsorizime në fushën e kulturës dhe të rinisë u njihet zbritja njëzet për qind (20%) nga tatimi në fitim në bazë të Ligjit Nr.05/L-029 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave. Sipas tyre, ky dallim do të ndikojë që sponsorët duke pasur më shumë leverdi të anojnë më shumë kah aktivitetet sportive.
Besa Luzha, nga komuniteti artistik, ka thënë se ky dallim prej 10% lirimi nga tatimi e dëmton kulturën dhe i drejton sponsorizuesit edhe më shumë kah sporti. “Edhe pse shumë e gëzuar që ligji shumë i nevojshëm kaloi, më duhet të shpreh zhgënjimin se deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Ministria vepruan jo në përputhje me parimin kryesor, që mbron Kushtetuta e Kosovës – barazinë. Barazia në gjini, moshë, status, profesion e të tjera është thelbi i demokracisë. Gjithë respektin për sportistët dhe për të gjitha grupet tjera të shoqërisë. Por në një ligj të vetëm të përfshihen dy kategoritë (sporti dhe kultura) e ato të trajtohen ndaras dhe në mënyrë të pabarabartë (30% me 20%) është paradoks. Por ky vend vuan nga pabarazia në çdo aspekt. E lufta për barazi do të vazhdojë”, tha Luzha.
Në anën tjetër producenti e aktori Fatmir Spahiu ka thënë se megjithëse e diskriminon në përqindje, ky ligj do t’i shërbejë edhe sferës së kulturës. “Ky votim i hap rrugë zhvillimit më të madh të produksioneve private dhe aktiviteteve të tyre në sferën e filmit, të teatrit dhe në përgjithësi të kulturës. E vërteta është se kultura është e diskriminuar për 10% në raport me sportin, por më mirë të fillojë kështu sesa të mos bëhet fare”, ka thënë Spahiu.
Edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë debatit të zhvilluar për këtë ligj në Kuvendin e ditës së enjte tha se ky ligj krijon pabarazi, sepse me të po krijohen kushte që investimet të jenë më të leverdishme në sport sesa në kulturë. “Mendoj se ky nuk është modeli më i mirë dhe një arsye tjetër është se me amendamentin e propozuar po krijohen kushte që investimet të jenë më të leverdishme në sport sesa në kulturë. Pra po krijohet një pabarazi mes sportit dhe kulturës. Nëse do ta votoja këtë amendament do ta votoja vetëm nëse sportistët mendojnë se ky ligj ju ndihmon”, tha Konjufca, duke shtuar se nëse sportistët e konsiderojnë si të duhurin, ai dhe partia e tij do ta votojnë.
Në anën tjetër ministri i Kulturës, i Rinisë e i Sportit, Kujtim Gashi, ka deklaruar se me zbatimin e këtij ligji do të mundësohet që rreth 30 milionë euro të sponsorizohen brenda një viti për zhvillimin e sportit, të rinisë, të artit e të kulturës. “Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës votuan për harmonizimin e Ligjit për të Ardhura në Korporata me Ligjin për Sponsorizim. Kështu nga sot, me fillimin e zbatimit e ligjit në fjalë, do të mundësohet që rreth 30 milionë euro të sponsorizohen brenda një viti për zhvillimin e sportit, të rinisë, të artit e të kulturës. Implementimi i Ligjit për Sponsorizim do të thotë sport më cilësor, prezantim më i suksesshëm i sportistëve në arenën ndërkombëtare e kësisoj promovim i mëtejmë i Kosovës ndërkombëtarisht, më shumë medalje për sportistë e më shumë çmime ndërkombëtare për artistë. Me të marrë drejtimin e MKRS-së kemi hartuar rregulloren përkatëse, Komisionin për Vërtetimin e Sponsorizimit, si dhe kemi lëshuar vërtetimet e para për disa donatorë, pra kemi përfunduar paraprakisht të gjitha obligimet që dalin nga ligji përkatës”, ka deklaruar Gashi.
Nga zyra e ministrit Gashi, ka thënë se ky ligj bën vetëm një favorizim të lehtë ndaj sportit. “Në fakt ky ligj bën një favorizim të lehtë të sportit, por që edhe kultura, edhe rinia do të përfitojnë nga përqindja e liruar për këto dy fusha. Ne besojmë shumë që ky ligj do të ndikojë direkt në përmirësimin e cilësisë në sport dhe njëkohësisht do të ndikojë edhe te kultura e rinia, të cilat për ne si Ministri janë të pandashme”, pati deklaruar Samir Hoxha, këshilltar i ministrit Gashi./Zëri/
“Shtëpia e lindjes së Adem Demaçit” dhe “Shtëpia e Adem Demaçit” tashmë janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Nga e mërkura këto dy objekte janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Ky veprim i Ministrisë së Kulturës është bërë në kuadër të zgjatjes së afatit edhe për një vit sa i përket mbrojtjes ligjore të monumenteve.
Shtëpitë janë marrë nën mbrojtje dy muaj e gjysmë pas vdekjes së shkrimtarit, disidentit e fituesit të çmimit “Sakharov”. Demaçi i lindur më 26 shkurt 1936 ka vdekur më 26 korrik të këtij viti.
Për shkak të bindjeve të tija politike, ai kishte qëndruar në burgjet jugosllave për 28 vjet duke iu nënshtruar tri gjykimeve. Ky veprim i Ministrisë së Kulturës vjen pasi Qeveria e Kosovës në vitin 2008 i kishte dhënë Demaçit statusin e qytetarit me merita të veçanta./ KultPlus.com
Greqia, një vend që njihet për numrin e lartë të turistëve, ka vendosur një ligj kundër vizitorëve obezë.
Shumë prej turistëve që vizitojnë ishujt e bukur, si Santorini, pëlqejnë të bëjnë xhiro dhe foto me gomerë.
Përdorimi i kafshëve për tërheqje të tilla turistike ka hasur kundërshtime të shumta nga mbrojtësit e kafshëve, sidomos për rastet e turistëve obezë të cilët i stërmundojnë kafshët për një foto.
Në fakt, është regjistruar një numër i lartë gomerësh me dëmtime në shtyllën kurrizore dhe që kanë përfunduar të paralizuar.
Për këtë arsye, turistët mbi 100 kg e kanë të ndaluar të hipin mbi gomerë. Kjo është menduar si pesha maksimale që mund të mbajë një gomar./ KultPlus.com
Shoqëria Kulturore-Artistike “Agimi” nga Prizreni dhe Ansambli Folklorik Autokton “Rugova” nga Peja, do të kenë status të merituar ligjor. ShKA “Agimi” dhe AFA “Rugova” do të kenë status të veçantë në kuadër të Ligjit Nr. 04/L-164 për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe ansamblet tjera.
“Kjo iniciativë është në kuadër të prioriteteve të mia si ministër për avancimin e kornizës ligjore. Në MKRS veçse kemi filluar të angazhojmë një grup punues për Koncept Dokumentin që si procedurë do të jetë hapi i parë për plotësim-ndryshimin e Ligjit. Në këtë grup do të jenë anëtarë edhe nga një përfaqësues i këtyre dy shoqërive kulturore”, ka thënë ministri Gashi.
E tëra kjo vjen duke pasur parasysh kohën e gjatë të veprimit që nga themelimi i tyre e deri më tani, e si njëra edhe tjetra kanë mbi 7 dekada veprimtari e aktivitet artistik, i cili ka ruajtur, kultivuar e promovuar vlerat, traditën, veshjet e karakteristikat tona kulturore duke e pasuruar në vijimësi kulturën tonë në përgjithësi dhe duke përcjellë vlerat nga njëri brez tek tjetri./ KultPlus.com
Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji u miratua me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE e cila këtë ligj e cilëson si antikushtetues.
Sipas dispozitave të ligjit të miratuar, gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Trajtim të njëjtë do të ketë edhe në Kuvend, përfshirë edhe kryesuesin e seancave nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, komisionet.
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”. Ajo do të zbatohet edhe në të gjitha tabelat udhëzuese të institucioneve shtetërore dhe në komunat ku gjuha shqipe përdoret mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme.
Gjuha shqipe do të përdoret edhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.
Gjuha shqipe nuk do të përdoret në bankënota dhe në uniformat e Armatës, por partnerët e koalicionit qeverisës, kanë arritur marrëveshje që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare, shkruan koha.net Sa u përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.
Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të dekretohet edhe nga Presidenti Gjorge Ivanov, i cili në disa paraqitje ka shprehur rezerva ndaj përmbajtjes së tij duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e refuzimit të ligjit. Në rast se kjo ndodhë, atëherë ligji duhet sërish të kthehet në procedurë parlamentare./ KultPlus.com
Dje në Ministrinë e Kulturës u dorëzua propozimi për shpalljen e ndërtesës dhe veprimtarisë së ShKA Agimit asete të mbrojtura të trashëgimisë kulturore.
Në propozimin që është bashkëngjitur me njoftimin për mediat, argumentohet se “ShKA Agimi (ndërtesa dhe veprimtaria) përfaqëson këto vlera të trashëgimisë kulturore: historike, shoqërore, identiteti dhe shpirtërore, ndërsa sugjerohet mbrojtje në dy nivele (kategori), si trashëgimi arkitekturale (ndërtesa) dhe trashëgimi shpirtërore (veprimtaria)”.
“Me këtë propozim, për herë të parë në Kosovë një shoqëri kulturore artistike do të fitojë statusin e mbrojtjes ligjore dhe zyrtarisht do të klasifikohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit. Në të njëjtën kohë, me këtë veprim do të pengohet çfarëdo tentative tjetër për të dëmtuar dhe keqpërdorur me ndërtesën e ShKA Agimit, e cila përveç që është pasuri e përbashkët, në të njëjtën kohë është edhe simbol i rezistencës shoqërore dhe politike e periudhave më të vështira të vendit tonë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com