Kosova është ngritur në majat e botës përmes kinematografisë dhe suksesit të kineastëve në festivale të ndryshme të filmit nëpër botë, shkruan KultPlus.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një intervistë për KultPlus ka thënë se Kosova do të arrijë suksese të tjera më të mëdha sa i përket filmit.
“Unë besoj që në raport me talentin dhe potencialin që e kemi si shoqëri në fushën e kinematografisë, nuk e kemi arritur akoma kulminacionin sepse ka shumë e shumë për t’u arritur.. Por ajo që është arritur deri tani, është rezultat i punës vetëmohuese i filmbërësve të Kosovës. I përkulem suksesit të tyre që ka ardhur nga puna e palodhshme dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm në vitet e fundit. Suksesi i tyre është obligim për institucionet, dhe ne përveç që e kemi dyfishu buxhetin për filmin dhe do të vazhdojmë rritje progresive në vitet e ardhshme, tanimë po hartojmë ligjin e ri për kinematografinë, po ofrojmë insentiva të reja për të atrakuar investime të reja për film në Kosovë.
Çeku thotë se nënshkrimi i marrëveshjeve të reja për Kosovën do të thotë më shumë financa dhe më shumë buxhet e mundësi për kineastët e rinj për të bërë filma.
“Kemi nënshkruar marrëveshje për bashkëprodhim kinematografik me Izraelin e Francën, shumë shpejt do të vazhdojmë edhe me disa shtete të tjera evropiane. Po negociojmë anëtarësimin e Kosovës në Euro Imazh, që është fondi më i madh evropian i filmit, pjesë e Këshillit të Evropës. Shumë shpejt në pjesën e dytë të këtij viti do të kemi çasje në programin “Media” të Komisionit Evropian, që është edhe në fond tjetër ku filmbërësit tanë mund të aplikojnë dhe të përfitojnë. Një angazhim e mobilizim i madh i institucioneve, i nxitur nga sukseset e artistëve tanë, që është i madh e i jashtëzakonshëm, sukses për të cilin jam i bindur që do të jetë edhe më i madh vitet në vazhdim.
Ministri ka bërë të ditur gjithashtu se koncept dokumenti për artin dhe kulturën është në përfundim, ndërsa ligji i ri për kinematografinë pritet të jetë në procedurë parlamentare në vjeshtë.
“Ne tash po e përmbyllim koncept-dokumentin për art dhe kulturë, ky koncept-dokument po na i rekomandon disa ligje të reja, ligji i përgjithshëm për kulturën, një ligj i veçantë ai për kinematografinë, do të kemi edhe një për muzetë dhe veprimatinë botuese. Ligji për kinematografinë unë besoj shumë që si të përfundon faza e miratimit të koncept-dokumentit në qeveri, nga ai moment do të fillojë hartimi dhe gjatë vjeshtës ligji i ri për kinematografi duhet të jetë në procedurë parlamentare”.
Ministria dhe qeveria krijojnë fonde të reja nëse ka mungesë të tyre gjatë udhëtimeve filmike të kineastëve kosovar nëpër festivalet e mëdha.
Ne kemi një fond të veçantë dhe një çasje të veçantë, shpesh edhe të jashtëzakonshme edhe kur nuk kemi fonde dhe e dijmë se një film ka potencial për sukses në ndonjë fesitval për të marrë çmim, ne mobilizojmë fonde shtesë, kështu ka ndodhë edhe me “Zgjoin”. Është rezultat shumë i madh suksesi i tij, po përgjigjja e shkurtë është se edhe atëherë kur fondi hargjohet, ne gjithmonë gjejmë mundësi të reja, sepse të rinjtë tanë dhe artistët tanë, e sidomos e veçanarisht ata të artit të 7-të, janë një potencial i jashtëzakonshëm për promovimin e shtetit tonë, janë një potencial i jashtëzakonshëm për të krijuar dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës, kështu që ne nuk na takon asgjë vetëm të krijojmë kushte më të mira”, ka thënë ai.
Ndërkaq, mbrëmë janë dhënë çmimet vjetore për kinematografi. /KultPlus.com