Paratë që tërhiqen nga Trusti do t’i kthejë shteti

Personat që kanë kursime deri në 9.999 mijë euro në Trust dhe i tërheqin, ato do të kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023.

Kjo pasi sot në seancën e Kuvendit u miratua Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Votimi i këtij Ligji parasheh 4 amendamente të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

Amemdamenti i parë është që mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023.

Amendamenti i dytë, lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH.

Amendamenti i tretë thotë se të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilët kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështetën financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.

Amendamenti i katërt thotë se do të paguhen nga ana e buxhetit të Republikës së Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020 të cilët si pasojë e pandemisë Covid-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Miratohet Ligji i rimëkëmbjes ekonomike, konsiderohet edhe diskriminues

Më në fund Kosova është bërë me Ligj të rimëkëmbjes ekonomike e që po konsiderohet edhe diskriminues. Të premten, 72 deputetë votuan pro në shqyrtimin e dytë të ligjit që ishte iniciuar para gjashtë muajsh. Pos votave të partive në pushtet, pro këtij ligji votuan deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Për votim në lexim të parë, ky ligj u votua vetëm në tentimin e shtatë. Atëkohë, votat i kishin dhënë edhe disa deputetë të LDK-së, që kishin thënë se nuk do ta votojnë në lexim të dytë nëse nuk plotësohet.

Dhe pa ta, Qeveria nuk i kishte votat deri tash kur mori përkrahjen e PDK-së, duke pranuar edhe kushtet e saj. E një prej kushteve të PDK-së që u fut si amendament në ligj, është edhe ajo që personat që tërheqin 10-përqindëshin e kursimeve nga Trusti e që kanë të kursyera më pak se 10 mijë euro gjithsej, të rimbursohen nga Qeveria në një fazë të mëvonshme.

Ata që kanë më shumë se 10 mijë nuk do të rimbursohen, madje do të kontribuojnë edhe që të rimbursohet grupi tjetër, meqë paratë do të dalin nga buxheti, ku kontribuojnë të gjithë.

Këtë ide e kishte vlerësuar se krijon pabarazi sociale edhe vetë ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, kohë më parë. Në emisionin “Desku” në KTV në fund të shtatorit, Bajrami kishte thënë se kjo ide paraqet shkelje kushtetuese.

E këtë amendament të propozuar nga PDK-ja, kryeministri Avdullah Hoti e cilësoi “pasurim” të pakos së rimëkëmbjes.

Amendamentet tjera të PDK-së të përfshira në këtë ligj është edhe: Pakoja për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë.

Projektligji është me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2021.

Pos pikës së shumëpërfolur për tërheqjen nga Trusti, Projektligji parasheh ndryshime në TVSH e tatime në të ardhura për korporata. Pika kryesore e këtij projektligji konsiderohet ndryshimi i Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ku synohet krijimi i kompetencave për FKGK-në që të plasohen skema dhe produkte të reja në treg, të rritet përqindja e mbulesës deri në 80 për qind për garancitë kreditore (aktualisht mbulon deri 50 për qind), të lëshojë garanci kreditore për zhvillimin e biznesit për fermerët e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin e fermerëve që mirëmbahet nga ministria përgjegjëse për bujqësi dhe të pajisur me numër identifikues të fermës, edhe në rastet kur fermeri përkatës nuk ka të regjistruar shoqëri tregtare në ARBK, si dhe në rast nevoje, Qeveria e Kosovës autorizohet të mbulojë tarifat për shërbimet e FKGK-së ndaj institucioneve financiare./ Koha.net/ KultPlus.com