BE-ja miraton përdorimin e vaksinës kundër lisë së majmunëve

Komisioni Evropian ka miratuar përdorimin e vaksinës së lisë kundër lisë së majmunëve, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli linë e majmunëve emergjencë shëndetësore globale, tha prodhuesi i ilaçeve nga Danimarka.

“Komisioni Evropian ka zgjatur autorizimin e vaksinës së kompanisë për linë, Imvanex, për ta përfshirë në mbrojtjen kundër lisë së majmunëve”, në linjë me rekomandimin e vëzhguesit shëndetësor të BE-së, tha kompania Bavarian Nordic.

“Miratimi vlen për të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian si dhe në Islandë, Litenshtajn dhe Norvegji”, tha kompania.

Të shtunën, më 23 shkurt, OBSH-ja e shpalli linë e majmunëve emergjencë shëndetësore globale. Nga lia e majmunëve deri më tani janë prekur 16.000 persona në 72 shtete të botës.

Në BE që prej vitit 2013 vaksina Imvanex ka marrë miratimin për përdorim kundër lisë.

Edhe më herët ishte shqyrtuar përdorimi i vaksinës kundër lisë për shkak të ngjashmërisë së virusëve që shkaktojnë linë dhe linë e majmunëve.

Lia e majmunëve është më pak e rrezikshme dhe më pak e infektuese sesa lia, e cila u zhduk më 1980.

Simptomat e lisë së majmunëve janë temperatura, kokëdhimbja, dhimbja e muskujve dhe shpinës. Simptomat zgjasin për pesë ditë.

Po ashtu, personat e prekur kanë skuqje në fytyrë, duar dhe këmbë, si dhe puçrra.

Shpërthimi i ri me linë e majmunëve u raportua në fillim të majit në shtetet e Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, ku kjo sëmundje për një kohë të gjatë ka qenë epidemi. /REL / KultPlus.com

OBSH vendos sot nëse lija e majmunëve përbën një emergjencë globale

Organizata Botërore e Shëndetësisë do të mbledhë përsëri komitetin e saj të ekspertëve të lisë së majmunëve të enjten për të vendosur nëse përhapja aktuale përbën një emergjencë shëndetësore globale, alarmi më i lartë që mund shpallet.

Një takim i dytë i komitetit të urgjencës të OBSH-së për virusin do të mbahet për të shqyrtuar provat mbi situatën në përkeqësim, me afro 14,000 raste të raportuara nga më shumë se 70 vende.

Një rritje e infeksioneve nga lija e majmunëve është raportuar që nga fillimi i majit jashtë vendeve të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, ku sëmundja ka qenë prej kohësh endemike.

Më 23 qershor, OBSH mblodhi një komitet urgjent ekspertësh për të vendosur nëse lija e majmunëve përbën një të ashtuquajtur Emergjencë të Shëndetit Publik të Shqetësimit Ndërkombëtar (PHEIC) – niveli më i lartë i alarmit të agjencisë shëndetësore të OKB-së.

Por shumica e këshilloi shefin e OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus se situata, në atë pikë, nuk e kishte arritur pragun.

Tani do të mbahet një takim i dytë, pasi numri i rasteve është rritur dhe është përhapur në gjashtë vende të tjera javën e kaluar.

Nëse komiteti këshillon Tedros se përhapja përbën një PHEIC, ai do të propozojë rekomandime të përkohshme se si të parandalohet dhe reduktohet më mirë përhapja e sëmundjes dhe të menaxhohet reagimi global i shëndetit publik. /abcnews.al / KultPlus.com

Lia e majmunëve, OBSH: Bota po përballet me sfida të frikshme

Bota po përballet me sfida “të frikshme” përfshirë pandeminë e koronavirusit, luftën në Ukrainë dhe linë e majmunëve, ka thënë shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Në një konferencë të mbajtur në Gjenevë, ai ka thënë se lia e majmunëve është raportuar në 15 shtete jashtë Afrikës.

Më shumë se 80 raste janë konfirmuar në Evropë, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi dhe Izrael.

Megjithatë, rreziku për publikun e gjerë vazhdon të jetë i ulët.

Lia e majmunëve, virus shumë i zakonshëm në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore, nuk ka tendenca të përhapjes së lehtë mes njerëzve dhe virusi përcillet me simptoma mesatare.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Britani të Madhe, shumicës së të infektuarve u duhen disa javë për t’u shëruar.

Belgjika është bërë shteti i parë që ka bërë të ditur karantinë prej tri javësh për personat e infektuar.

“Ne po përballemi me konvergjencë të frikshme të sëmundjeve, thatësisë, urisë, luftës, të nxitura edhe nga ndryshimet klimatike, pabarazia dhe rivaliteti gjeopolitik”, ka thënë shefi i OBSH-së.

Me çfarë simptoma përcillet sëmundja?

Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, kokëdhimbje, dhimbje të shpinës dhe muskujve.

Ndërkohë mund të dalin puçrra në fytyrë dhe trup.

Ato mund të shkaktojnë djegie dhe të kruara të mëdha.

Infeksioni hiqet gradualisht pas 14 apo 21 ditësh. /REL / KultPlus.com