Hungaria njihet për prodhimin e një prej verërave më të shtrenjta në botë, ku një shishe prej verës Essencia, kushton 40.000 dollarë. Megjithatë, ky vend nuk shquhet vetëm për këtë pije, por edhe për një pije kombëtare, të veçantë, të quajtur Unicum, që daton që nga fundi i shekullit të 18-të.
Prodhuar nga kompania e pijeve me bazë në Budapest, Unicum është një liker bimor që përmban një përzierje të fshehtë të më shumë se 40 bimëve dhe erëzave.
“Një pije pak e hidhur, por me një aromë dhe shije delikate të eukaliptit, Unicum është me të vërtetë i fortë, me një shije që forcohet pas çdo gllënjke”, shprehet ambasadori i markës Unicum, Csaba Gulyas. “Është një ilaç i hidhur dhe nuk shijon edhe aq shumë herën e parë kur e provon, por më pas bëhet shija jote e preferuar”.
Historia se si u krijua Unicum është e veçantë. Shishja e pijes ka në ambalazhin e saj një kryq të artë në një sfond të kuq, çka tregon se në fillim ajo ka qenë një pije mjekësore, një lloj shurupi kurues.
Gjithçka filloi më 1790, kur sundimtari i Habsburgut, Jozefi II, pati një periudhë të keqe shëndetësore dhe dr. Zwack, mjek mbretëror në Oborrin Perandorak, krijoi një ilaç bimor për të. Kur e piu atë, Jozefi II thuhet se bërtiti: “Dr. Zwack, das ist ein Unikum!” (Dr. Zwack, kjo është unike!).
Pija u përhap më pas masivisht dhe kompania Zwack u themelua më 1840 nga Jozsef Zwack, një pasardhës i mjekut vizionar. Deri në vitin 1895, Zwack prodhonte mbi 200 lloje pijesh alkoolike duke i eksportuar ato nga një fabrikë që është ende në përdorim sot.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, fabrika u shkatërrua dhe pak më vonë, komunizmi e detyroi ndërmarrjen të shtetëzohej. Sidoqoftë, kompania Zwack hartoi një plan, duke krijuar një recetë të rremë për t’u përdorur nga komunistët. Pasi komunizmi ra më 1989, pasardhësit e Zwack blenë përsëri kompaninë e tyre dhe rikthyen recetën e vërtetë.
“Unicum është historia e Hungarisë politikisht dhe shoqërisht, që nga perandoria e Hapsburgut e deri sot. Kjo sigurisht që i jep asaj një vend të veçantë në zemrat e hungarezëve”, shprehen përfaqësues të kompanisë Zwacks. \ a2news/ KultPlus.com