Nën organizimin e “Qendra Multimedia” në Prishtinë, Lilach Dekel-Avneri, regjisore dhe dramaturge e njohur teatri nga Shteti i Izraelit dhe drejtore e grupit performues Pathos-Mathos, do të performojë nesër, e premte, 28 tetor, me fillim në orën 15:00, në teatrin “Dodona” në Prishtinë.
Dekel-Avneri do të jetë e shoqëruar nga Allex (Liat) Fassberg, dramaturg i pavarur izraelit i cili jeton në Berlin.
Pjesë e performancës do të jenë edhe regjisori Gëzim Hasani, performuesi aktorët Ermal Sadiku, Hajat Toçilla, Qëndresa Jashari, Verona Koxha, Blin Sylejmani, Fatlume Bunjaku, si dhe kameraman Dardan Kabashi.
Performancës së titulluar “History Now” i parapriu një punëtori dyjavore praktike dhe hulumtuese, në Prishtinë, me regjisoren Dekel-Avneri. Pjesëmarrësit e punëtorisë punuan me materiale të gatshme tekstuale historike për të krijuar një performancë me kamerë.
Lilach Dekel-Avneri, e cila është edhe kuratore, përkthyese dhe studiuese izraeli, është fituese e Çmimit prestigjioz Rosenblum për Artin Performues për vitin 2016.
Ky aktivitet mbështetet nga Fondacioni i Artistëve të Pavarur në Izrael, Ministria e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit përmes Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, dhe Goethe-Institut.
Fotot: Maud Dinand. / KultPlus.com