Sot janë bërë 114 vite nga lindja e kompozitorit, dirigjentit dhe etnomuzikologut shqiptar, Lorenc Antoni, shkruan KultPlus. Ai ka lindur në Shkup, më 23 shtator 1909 në një familje katolike dhe është kushëri i Shën Nënë Terezës (Gonxhe Bojaxhiut).
Që nga fëmijëria është aktivizuar në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Ka studiuar privatisht muzikë në Shkup dhe Beograd. Pas shkollimit në Fakultetin Filozofik të Shkupit kthehet në Ferizaj, dhe më pas ngre të parën shkollë të ulët dhe të mesme muzikë “Josip Sllavenski” në Prizren më 1948.
Po në këto vite drejton si dirigjent edhe korin e shkollës muzikore, atë të shoqërisë kulturore artistike “Agimi” si dhe orkestrën simfonike të qytetit të Prizrenit. Pas këtyre viteve vazhdon të merret intensivisht me kompozime, dirigjime të veprave, veprimtari pedagogjike etj.
Në fushën e studimit të folklorit, Lorenc Antoni vlerësohet se i pari mblodhi dhe botoi shtatë vëllime të muzikës popullore shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Moravës Jugore të shoqëruar me analiza etnomuzikologjike mbi gjithë këtë lëndë që është transkiptuar po prej tij.
Ka kompozuar edhe muzikë, ndër to dallohen kompozimet vokale. L. Antoni konsiderohet edhe si kompozitori i brezit të parë të kompozitorëve të Kosovës. Sipas Prof. Engjëll Berishës, në përgjithësi veprat e Lorenc Antonit bazohen në idiomën muzikore popullore shqiptare. Veçojmë këtu “Kanga e Rexhës” e cila respektohet dhe dëgjohet edhe në ditët e sotme . Gjithashtu ai bëri përpjekje për hapjen e shkollës së parë të muzikës më 1948 në Kosovë
Ai vdiq në Prishtinë, më 21 tetor të vitit 1991/KultPlus.com
Pak para agimit të 13 gushtit 1961, kufiri mes lindjes dhe perëndimit të qytetit të Berlinit ndahet me tela me gjemba: lind Muri i Berlinit.
Në pjesën perëndimore të Berlinit, një telefonatë në mes të natës nga policia e Spandau-t njofton se një tren i S-Bahn, metroja e ngritur e Berlinit, është kthyer prapa.
Në orën 2 të mëngjesit, diçka po ndodh në kryeqytetin gjerman. Nga sheshi “Alexander”, Erich Honecker, ende i panjohur, drejton operacionet si oficer i SED-it (Partia Socialiste e Unitetit): brenda pak orësh, me urdhër të presidentit Walter Ulbricht, pjesa lindore dhe perëndimore e Berlinit ndahen.
Vendimi i qeverive të Traktatit të Varshavës për të mbyllur zonën lindore të qytetit, me qëllim shmangien e gjakderdhjes (1,6 milionë banorë të Berlinit ishin larguar tashmë nga lindja për në perëndim), u bë përfaqësimi i prekshëm i “Perdes së Hekurt”, që ndau botën në dy blloqe, nën ndikimin sovjetik dhe nën atë amerikan, të cilat ishin të ndara politikisht dhe ideologjikisht gjatë kohës së Luftës të Ftohtë.
Pasojat e asaj zgjedhjeje ndanë për dekada të tëra familjet e miqtë dhe u kushtoi jetën shumë gjermanëve, të cilët u përpoqën të arratiseshin në mënyra gjithnjë e më të rrezikshme.
Numri i saktë i viktimave të shkaktuara nga Muri i Berlinit është e vështirë të përcaktohet, pasi disa nga të dhënat janë të ndryshueshme dhe ka pasur raste kur numrat janë ndryshuar pasi janë bërë zbulime të reja.
Në përgjithësi, një shifër e pranuar është se rreth 140 të vdekur janë regjistruar nga autoritetet gjatë periudhës nga viti 1961 deri në vitin 1989, kur Muri i Berlinit ishte i ndërtuar. Këto viktima përfshinin njerëz që mundoheshin të kalonin murin, përfshirë edhe civilë dhe ushtarë të ndryshëm që kishin ndërmend të iknin nga Gjermania Lindore drejt Gjermanisë Perëndimore.
Ndër viktima kryesore ishin njerëz që mundoheshin të kapërcenin murin, por u arrestuan, dëbuan, torturuan, ose u vranë nga ushtarët kufitarë të Gjermanisë Lindore. Në disa raste, vdekjet ndodhën edhe nga plagët e marra gjatë tentimeve për të kaluar murin. Shteti komunist i Gjermanisë Lindore e mbante këtë mur si një pjesë të politikës së ndarjes dhe sigurisë, dhe tentativa për të kapërcyer murin shiheshin si tentativa kundër rendit të tyre politik.
Në vitin 1989, pas një ndryshimi të situatës politike dhe një rritje të presionit ndërkombëtar, ndodhi rënia e Murit të Berlinit. Kjo ngjarje solli një moment historik në të cilin qytetarët e dy pjesëve të qytetit, pas dekada të ndarjes, filluan të festonin bashkimin dhe të hynin në një periudhë të re të historisë së tyre.
Rënia e Murit të Berlinit simbolizoi fundin e Luftës së Ftohtë dhe ndarjes midis Bllokut Perëndimor dhe Lindor të vendeve komuniste. Ky moment ka qenë një ndër ngjarjet më të rëndësishme dhe simbolike të shekullit të 20-të në historinë e Evropës dhe të botës.
Sot mbushen 219 vite nga lindja e letrares franceze George Sand, shkruan KultPlus.
George Sand (shqipërimi: Zhorzh Sand) është pseudonimi i Amantinë Oror Lysil Dypë, romanciere, autore dramatike dhe kritike letrare franceze. Krijimtaria e saj është shumë e pasur. Romanet e saj të para si “Indiana”, publikuar në vitin 1832, trajtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe ngrenë lart revoltën e grave, duke shfaqur edhe ndjenjat e bashkëkohëseve të saj, diçka e pazakontë për atë kohë që ndau opinionin publik nga ai i elitës letrare.
Sand ngre në romane çështje sociale, duke mbrojtur punëtorët dhe të varfrit dhe duke imagjinuar një shoqëri pa klasa e konflikte, si te veprat “Mopra” (1837) dhe “Mullixhiu i Angibosë” (1845). Më vonë tërhiqet nga mjedisi rural dhe shkruan romane të idealizuar me tema nga fshati si “Pellgu i Djallit” (1846), “Fadeta e Vogël” (1849), “Fransua Shampi” (1850) etj.
Përveç romanit, Sand ka lëvruar edhe gjini të tjera si autobiografia, “Historia e jetës sime” (1855) dhe romani historik “Konsuelo” (1843) ku përmes figurës së një këngëtareje italiane ajo shpalos peizazhin artistik europian të shekullit XVIII, ose “Bukuroshët e Bua Doré”, (1858) ku përshkruhen aventurat dhe peripecitë e shumta dashurore në kontekstin e kundërshtive fetare nën sundimin e mbretit Luigji XIII.
Pavarësisht se kritikohej mjaft nga figura të njohura letrare te kohës si Sharl Bodëler, apo Zhyl d’Orevili, Sand ishte në qendër të jetës intelektuale të kohës, duke pritur në pronat e saj në Nohant ose në Palezo, personalitete të ndryshme si muzikantët Franz List dhe Frederik Shopen; shkrimtarët Honore dë Balzak, Gustav Flober, piktorin Eugjen Delakrua, duke u dhënë këshilla dhe kurajë.
Megjithëse nëpërmjet letërkëmbimit, ajo mbante lidhje të ngushta me shkrimtarin Viktor Hygo. Ajo u shqua edhe për një angazhim politik aktiv duke filluar nga viti 1848, duke nxitur Aleksandër Rolë në fillimin e publikimit të tre gazetave ndër të cilat Kauza e Popullit, Buletini i Republikës etj. Zhorzh Sand lindi në Paris më 1 korrik të vitit 1804.
Sand mbeti gjatë gjithë jetës shumë e lidhur me Nohant dhe fshatin ku mund të marrë arratinë nga e përditshmja dhe të gjejë frymëzim. Temat nga jeta në fshat i gjejmë në shumë romane të saj. Në vitin 1817, gjyshja e saj e dërgon në një kuvend për t’u arsimuar më tej, ku kalon tre vjet nga dimri i viteve 1817-1818 deri në pranverë të vitit 1820.
Më 4 janar 1831, Amantina largohet nga Nohant dhe shkon në Paris ku futet në një shoqëri të vogël të rinjsh të dhënë pas letërsisë romantike. Aty kalon një jetë prej bohemësh duke frekuentuar teatrot, muzetë dhe bibliotekat. Krijon lidhje me të riun Zhyl Sando dhe të dy fillojnë karrierën si gazetarë në Figaro. Shkruajnë edhe një roman së bashku që botohet me pseudonimin J. Sand. Veprën e parë të saj “Indiana”, publikuar më 19 maj 1832 dhe të gjitha veprat e saj i boton me pseudonimin Zhorzh Sand. Tre muaj pasi botoi librin “Indiana”, përfundon librin tjetër Valentina gjatë verës së vitit 1832.
Të dyja këto vepra e bëjnë të njohur. Më 1833 ndahet nga Zhyl Sando dhe lidhet me Prosper Merime për një kohë të shkurtër. Të dyja këto lidhje e zhgënjejnë. Më 10 gusht 1833, vjen libri “Lelia”, një vepër lirike, alegorike, origjinale dhe shumë e suksesshme. Gjatë vitit 1833 njihet dhe lidhet me poetin francez Alfred dë Myse. Ndahet pas një udhëtimi në Itali dhe rilidhet me të, megjithëse marrëdhënia Sand – Myse vazhdon të mbetet e trazuar derisa ndahen përfundimisht në mars të vitit 1835. Kjo lidhje shërbeu si frymëzim për “Letra të një udhëtari”, kurse për Mysenë,
Më 28 gusht 1836, shkon në Zvicër ku e pret Franz List, të cilin e kishte njohur nëpërmjet Mysesë. Lidhja e tyre mbetet miqësore. Sand takohet me kompozitorin polak, Frederik Shopen në 1836 dhe jeton me të për dhjetë vjet. Lidhja e tyre ishte shumë e ndërlikuar. Në fillim ishin miq, pastaj të dashur dhe pasi Shopeni sëmuret, lidhja e tyre bëhet gati si marrëdhënia nënë – bir. Marrëdhëniet jo të mira të çiftit me fëmijët e saj çuan drejt ndarjes së tyre. Sand lidhet me demokratët dhe në 1848 gëzohet për rënien e mbretit Luigj – Filip dhe për fundin e Monarkisë së korrikut. Megjithatë, nuk i pëlqen lëvizja e Komunës së Parisit dhe pas dhunës së revoltave kthehet në Nohant. Për shkaqe financiare detyrohet të shkruajë për teatër. Në Nohant, ushtron edhe funksionin e mjekut dhe ndërkaq udhëton shumë nëpër Francë. Mban lidhje miqësore nëpërmjet letrave me shkrimtarin Gustav Flober, dhe njihet edhe me Teofil Gotje, Sënt – Bëv, vëllezërit Gonkur, etj… Nuk ndalet së shkruari derisa vdes më 8 qershor të vitit 1876, në moshën 71 vjeçe./KultPlus.com