‘Lonely Planet Italia’: Liqenet e Shqipërisë kanë të gjitha arsyet për një udhëtim të paharrueshëm

Në Shqipëri gjenden dy liqenet më të rëndësishme në Kontinentin e Vjetër, shkruan Francesca Masotti në një artikull të botuar në “Lonely Planet Italia”.

Janë liqenet e Shkodrës dhe të Ohrit.

I pari është më i madhi në gadishullin Ballkanik, ndërsa i dyti është liqeni më i vjetër në Evropë.

Jo keq për një komb që ka përafërsisht madhësinë e Toskanës.

Këto dy liqene dhe rrethinat e tyre nuk janë ende të prekura nga turizmi masiv.

Turistët italianë tërhiqen nga plazhet si në kartolina përgjatë bregdetit dhe atmosfera e kryeqytetit Tiranë.

Nga viti 2022, organizatat italiane COSV dhe VIS kanë si objektiv të tyre vlerësimin e këtyre dy territoreve kufitare liqenore dhe promovimin e një modeli të ri turizmi që ka qëndrueshmërinë mjedisore dhe përfshirjen e komuniteteve lokale në qendër të tij.

Fjala kyçe: Turizëm i qëndrueshëm

Një model turistik në kontrast të plotë me atë që ka karakterizuar rajone të tjera të vendit, veçanërisht ato bregdetare.

“Duke pasur parasysh veçantinë e dy liqeneve dhe rëndësinë e tyre në nivel mjedisor dhe kulturor, vendosëm të nxisim turizmin e përgjegjshëm – që respekton si ekosistemet natyrore ashtu edhe popullatat që jetojnë në zonat e lidhura me to”, tha Jonida Shano zyrtare e Projektit të COSV Albania.

Për këtë qëllim lindi projekti “Liqenet e Shqipërisë”, i financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim dhe zbatuar nga OJQ COSV Albania me OJQ VIS.

Kjo e fundit është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1986 që merret me bashkëpunimin për zhvillim dhe solidaritetin ndërkombëtar dhe promovon rritjen e ndërgjegjësimit, edukimin dhe aktivitetet e qytetarisë globale.

COSV, nga ana tjetër, është një shoqatë vullnetare jofitimprurëse e themeluar në vitin 1968 me misionin e nxitjes së kulturës së bashkëpunimit midis popujve dhe luftimit të pabarazive.

Liqenet e Shqipërisë, vendet kufitare dhe biodiversiteti

Projekti “Liqenet e Shqipërisë” u krijua për të promovuar territorin e liqeneve të Shkodrës dhe Ohrit dhe për të forcuar masat aktive të ruajtjes së dy habitateve – duke përfshirë komunitetet lokale në menaxhimin e burimeve mjedisore dhe duke nxitur zhvillimin e aktiviteteve ekonomike të lidhura me turizmin e qëndrueshëm – nëpërmjet përmirësimit të qeverisjes territoriale dhe përfshirjes më të madhe të punësimit të grave dhe të rinjve.

Falë sinergjisë mes dy organizatave italiane, në partneritet me organizata shqiptare dhe italiane – si Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Shoqata Italiane e Turizmit të Përgjegjshëm, Diesis Network, Kallipolis, Studioazue, dhe fondacionet Shqiptare Besa Capital dhe Partneriteti për Zhvillim – janë maksimizuar përvojat në fushën e zhvillimit rural dhe turizmit të qëndrueshëm – të cilat dallojnë dy realitetet e përfshira, gjeografikisht të largëta, por të bashkuara nga kombinimi liqen-mal në nivel morfologjik.

Misioni: Përfshirja e vendasve

Duke nxitur komunitetet lokale që të bëhen protagonistë të rajonit, u krijuan dy Grupe Lokale të Veprimit (GLV), dy rrjete lokale heterogjene ndërmjet aktorëve nga të dy zonat.

Ky lloj animacioni ka bërë që në dy vitet e fundit të organizohen udhëtime studimore, shkëmbime përvojash dhe takimesh ndërmjet agjentëve lokalë të zhvillimit të dy territoreve të përfshira – duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënies ndërmjet komuniteteve, institucioneve dhe punës dhe të një “ure” që lehtëson dialogun.

Autoritetet lokale janë figura të reja në botën e turizmit që luajnë rolin e lehtësuesve dhe përkthyesve midis territorit, institucioneve publike, shoqërisë civile dhe aktiviteteve ekonomike.

“Kjo përfshiu gjithashtu krijimin e ngjarjeve në zonë që kontribuan në promovimin e një modeli të qëndrueshëm të turizmit – si dhe ndërgjegjësimin e dy trevave shqiptare që janë ende jashtë radarit dhe përcjellin tradita të rëndësishme vendase”, shtoi Shano.

Mbretëria e natyrës, spiritualiteti dhe ushqimi i mirë

Në bashkëpunim me Bashkinë dhe Qendrën Multifunksionale të Pogradecit, qyteti kryesor shqiptar në liqenin e Ohrit, këtë verë COSV Albania organizoi dhe zbatoi një aktivitet 5-ditor me sloganin “The Unesco Days United4 Heritage”.

Aktivitete, takime dhe panele që përfshinë vendas dhe të huaj në rizbulimin e këtij lokacioni alternativ shqiptar, por një nga më magjepsësit në Ballkan.

Mjafton të themi se në fshatin Lin, në veri të Pogradecit, ndodhet vendbanimi më i vjetër në Evropë, mbi 8 000-vjeçar.

Nuk e themi ne, por e vërtetuan rezultatet e gërmimeve të kryera prej mbi katër vitesh nga arkeologët shqiptarë dhe nga Universiteti i Bernës.

Një vend ku shenjtëria, historia dhe kultura, përfshirë gastronominë, janë të ndërthurura pazgjidhshmërisht.

Prej pesë vitesh, Mokra n’Fest ka qenë eventi promovues i këtij territori unik.

Mokra njihet edhe si kryeqyteti i mbretërisë së parë Ilire, siç dëshmohet nga pesë varret monumentale të Selcës, në kodrën e Gradishtës, në gjysmë të rrugës midis Pogradecit dhe Linit.

Një vend që duhet përfshirë me patjetër në listën tuaj të udhëtimeve!

Mes liqenit dhe maleve

Në veri, Syri i Sheganit është një burim karstik fotogjenik në zonën veriore të liqenit të Shkodrës – ku VIS në bashkëpunim me njësinë administrative Kastrat dhe grupin e peshkatarëve vendas – në dy vitet e fundit ka organizuar Festivalin e Peshkut me degustime të produkteve vendase – përfshirë djathin mishavin, ekskursione mes barishteve mesdhetare, bimëve të mjaltit, shelgjeve dhe bambusë, si dhe xhiro në liqen me varkat tradicionale të verdha, të shoqëruar nga peshkatarë vendas.

Në Malësinë e Madhe, së fundmi u përurua Muzeu Etnografik, për të promovuar traditat dhe zakonet e Shqipërisë së Veriut – në veçanti xhubletën, fundin e përdorur nga gratë malësore, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s.

Ndërhyrje të tjera të rëndësishme janë planifikuar në muajt e ardhshëm – duke përfshirë hapjen e katër shtigjeve të reja ecjeje midis Liqenit të Shkodrës dhe maleve – mbështetje për zanatet e grave në fshatrat në periferi të Shkodrës – dhe rritjen e promovimit turistik të plazheve në pjesën lindore të liqenit.

Këto janë të gjitha arsyet e mira për të planifikuar një udhëtim në Shqipëri vitin e ardhshëm./atsh/ KultPlus.com

Vendi unik në Tokë, tre liqenet që ndryshojnë ngjyrën

Planeti Tokë është plot me mrekulli natyrore për të cilat shumica nuk kanë dëgjuar kurrë. 

Kishit dëgjuar ndonjëherë për tre liqene në Indonezi të cilat ndryshojnë vazhdimisht ngjyrën?

Kelimutu është një vullkan i veçantë në Indonezi, sepse tre liqene sekrete ndodhen brenda kraterit të tij dhe ato ndryshojnë ngjyrën.

Arsyeja është se përmbajnë minerale të cilat krijojnë këtë fenomen natyror në varësi të periudhës së vitit dhe temperaturës.

Për shembull, në vitin 2016 ngjyra e liqeneve ndryshoi 6 herë nga janari në nëntor.  Megjithatë, të parashikosh saktësisht se kur dhe si do të ndryshojë ngjyra e liqeneve nuk është një gjë e lehtë.

Ngjyrat në liqene ndryshojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, pasi secila ka lidhjen e saj unike me aktivitetin e vullkanit.

Kelimutu është më shumë se 1600 metra mbi nivelin e detit dhe ndodhet në ishujt Flores.

Zona thuhet se ka filluar të tërheqë vëmendjen pasi u zbulua nga një komandant ushtarak holandez, B. van Suchtelen në vitin 1915 dhe u bë më i njohur pasi Y. Bouman shkroi për vendin në vitin 1929.

Aeroportet më të afërt me zonën janë janë Maumere dhe Ende. Ka fluturime të rregullta për në Ende nga Bali. Udhëtimi nga Ende në Moni, qyteti në vullkanin Kelimutu ku mund të akomodohesh zgjat rreth tre orë, ndërsa nga Moni në parkun e automjeteve Kelimutu, 13 kilometra me makinë, rreth 45 minuta.  Zakonisht turistët flenë një natë për të kapur lindjen e diellit në Kelimutu.

Kelimutu është i shenjtë për njerëzit lokalë Lio, të cilët besojnë se shpirtrat e të vdekurve migrojnë këtu. Shpirtrat e të rinjve shkojnë në ngrohtësinë e Tiwu Koo Fai Nuwa Muri (Liqeni i të rinjve dhe vajzave), të të moshuarve në të ftohtin e Tiwu Ata Bupu (Liqeni i të moshuarve) dhe ata të të ligëve në Tiwu Ata Polo (Të magjepsur ose Liqeni i Magjepsur).

Mishi i derrit, arra betel, orizi dhe sende të tjera lihen në shkëmbinjtë ceremonialë pranë liqeneve, në mes të vallëzimit të ceremonisë vjetore të Luanit ‘Ushqejeni Shpirtin e Paraardhësve, i cili mbahet më 14 gusht.

Bukuria e liqeneve të ngrira të Lukovës (Foto)

Turistë të shumtë kanë frekuentuar zonat e mbrojtura përgjatë fundjavës që lamë pas.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë zhvilloi një guidë drejt liqeneve të Lukovës, që ndodhen afër fshatit Bishnicë të njësisë administrative Velçan, Pogradec, me turistë vendas, nga Maqedonia e Veriut dhe Gjermania.

Ky destinacion mund të arrihet nëpërmjet një shtegu të gjatë, rreth 7 km, i cili nis nga fshati Bishnicë, Pogradec.

Liqenet e Lukovës, monument natyre, janë dy liqene akullnajore me sipërfaqe rreth 10 ha, ku duket se pranvera ende nuk ka trokitur. Një kurorë pyjesh të përzierë ahu dhe bredhi me lartësi deri në 22 m dhe me diametër të trungut 30 cm rrethojnë këto dy liqene.

Kjo zonë ofron jo vetëm turizëm natyror, por edhe kulturor, pasi gjatë rrugëtimit për në liqenet e Lukovës, mund të vizitohet edhe “Ura e Golikut”, gjurmët e vjetra të rrugës “Egnatia” e shekullit XVIII. Në krah ndodhen edhe Varret e Selcës, të cilat i përkasin shek. IV-III para Krishtit, unikale në llojin e tyre./atsh/KultPlus.com

 “Kush nuk ka parë Lurën nuk njeh Shqipërinë”, Liqenet e Lurës një nga perlat e Shqipërisë

“Kush nuk ka parë Lurën nuk njeh Shqipërinë” është një shprehje të cilën e ka thënë kolosi i Kombit Shqiptarë, Gjergj Fishta, për të shprehur adhurimin për një nga vendet më të bukura të Shqipërisë, përcjellë KultPlus.

Lura përbën një territor prej  1.280 hektarësh, në të cilin shtrihen 7 liqene akullnajore me një pejsazh mahnitës. Prej liqeneve, më të mëdhenjtë janë:

Liqeni i Madh, me 32 hektarë

Liqeni i Pishave, me 13 hektarë

Liqeni i Zi, me 8 hektarë

Liqeni i Luleve, me 4 hektarë.

Liqeni i Zi, është liqeni me thellësinë më të madhe, dhe prej nga edhe e ka marrë emrin i zi, sepse thellësia bën që liqeni të ketë një pamje më të errët nga të tjerët./

Përderisa gjatë verës në Lurë mbizotëron një pamje e gjelbër, gjatë dimrit këta liqene ngrijnë duke i dhënë vendit një pamje të kristaltë./KultPlus.com/

Në Zvicër, për 10 vjet u krijuan 180 liqene

Shkrirja e akullnajave në Alpe ka krijuar 180 liqene të reja akullnajore në Zvicër brenda vetëm 10 vjetëve.

Midis 2006 dhe 2016, zona e mbuluar nga uji u rrit me rreth 150.000 metra katrorë (15 hektarë) në vit, provë e dukshme e ndryshimit të klimës në Alpe, raportoi sot Instituti federal zviceran i Shkencës dhe Teknologjisë Ujore (EAWAG).

Instituti ka përpiluar, për herë të parë, një inventar të të gjitha liqeneve akullnajorë të formuara që nga fundi i të ashtuquajturës Epoka e Vogël e Akullnajave në mes të shekullit XIX.

Rreth vitit 1850, akullnajat alpine arritën shtrirjen e tyre më të madhe në kohët moderne.

“Midis 1850 dhe 2016, zona e liqeneve akullnajore u rrit me mesatare prej rreth 40.000 metra katrorë (4 hektarë) në vit, me një prirje të fortë ngritëse në vitet e studimit më të fundit, 2006 deri në 2016”, tha bashkautori i studimit, Nico Moelg.

Lista përfshin gjithsej 1.200 liqene të reja, 187 prej të cilave më pas janë mbushur nga sedimentet e transportuara nga akullnajat.

Në vitin 2016, zona e të gjitha liqeneve akullnajore ekzistuese ishte rreth 620 hektarë.

Për të kryer hulumtimin e tyre, shkencëtarët analizuan të dhënat që datojnë që nga mesi i shekullit XIX, si edhe fotografitë ajrore të bëra që nga mesi i shekullit XX. /atsh/ KultPlus.com

Zvicra, vendi i 7000 liqeneve

Zvicra njihet si një shtet me natyrë të bukur dhe me standard të lartë të jetës. Në veçanti Zvicra shquhet si vend i Alpeve dhe i liqeneve të shumta. Sipas  “HouseSwiss”, Zvicra ka 7000 liqene.

Kjo faqe saktëson se realisht Zvicra ka rreth 1.500 liqene me hapësira më të mëdha. Më i madhi prej tyre është në Jura-Nordfuss (Liqeni i Gjenevës, Liqeni Neuchâtel, Liqeni Biel), në Mittelland (Bodensee ose Liqeni i Konstancës, Liqeni i Cyrihut), në Prealps dhe në shpatin e Veriut Alpin (Liqeni Thun, Liqeni Brienz, Liqeni Zug, Liqeni Lucernit) dhe në shpatin jugor të Alpeve (Liqeni Lugano, Langensee).

Por, sipas informacioneve të fundit, Zvicra ka edhe mijëra liqene dhe rezervuarë të vegjël natyrorë, veçanërisht në Alpe, por që kanë marrë epitetin e liqeneve, andaj thuhet se tani Zvicra ka 7 mijë liqene.

Duhet theksuar se shumica e liqeneve zvicerane janë ish-akullnaja që u formuan gjatë epokës së fundit të akullit. Liqeni i Gjenevës në zonën kufitare franceze-zvicerane është liqeni më i madh në Evropën Qendrore. Liqeni më i madh në tokën ekskluzivisht zvicerane është Neuenburgersee me një sipërfaqe prej 218 km2.

Lumenjtë Rhone, Rhine (Rajna) dhe Inn kanë origjinën në Zvicër dhe derdhen në Mesdhe, Detin e Veriut dhe përmes Danubit, në Detin e Zi. Gjatësia e Rajnës në tokën zvicerane është 375 km, ajo e Rhone 264 km dhe ajo e Inn 90 km.

Për pamjen e bukur që zotërojnë, këto liqene tërheqin shumë turistë, të cilët, përveç që  shijojnë pamjen, mund t’i shfrytëzojnë për t’ u larë, për të lundruar me varka etj. /Albinfo.ch /KultPlus.com