Teatri te Parku i Madh i Liqenit të Tiranës do të mbajë emrin e Mirush Kabashit

Bashkia e Tiranës ka vendosur të nderojë legjendën e artit shqiptar, Mirush Kabashi, duke i dhënë emrin e tij Teatrit te Parku i Madh i Liqenit Artificial.

Ky vendim vjen si një mënyrë për të përjetësuar kujtimin dhe kontributin e një prej figurave më të shquara të skenës shqiptare.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se “duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të kryeqytetit”.

“Propozimi për emërtimin e Teatrit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial me emrin “Mirush Kabashi” është një iniciativë që nderon një nga figurat më të shquara të artit shqiptar. Përtej vlerës simbolike, ky vendim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Mirush Kabashi, një aktor me një karrierë të jashtëzakonshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka përfaqësuar kombin tonë në skenat më prestigjioze ndërkombëtare, duke transmetuar mesazhe universale përmes artit të tij. Vendimi për të emërtuar teatrin me emrin e tij përfaqëson një njohje të këtij kontributi monumental dhe një frymëzim për brezat e rinj të artistëve dhe qytetarëve. Duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet ekskluzivisht artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të qytetit, një nga pikat më të frekuentuara për të parë për të bërë dhe për të konsumuar art”, tha Veliaj.

Mirush Kabashi, u nda nga jeta një vit më parë në moshën 75-vjeçare, është ndër artistët më të vlerësuar të historisë së teatrit dhe kinemasë shqiptare.

Ai interpretoi mbi 100 role në teatër dhe 30 personazhe në kinematografi, ndërsa shfaqja e tij “Apologjia e vërtetë e Sokratit” mbetet një moment historik për kulturën tonë.

Në karrierën e tij është nderuar me mbi 90 çmime dhe është aktori më i vlerësuar jashtë trevave të Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 role në teatër dhe mbi 30 personazhe në kinematografi.

Kabashi është nderuar edhe me titujt “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i madh i skenës”, “Nderi i Kombit”, të akorduara nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe shumë tituj të tjerë të akorduar nga institucione të ndryshme qendrore, lokale apo ndërkombëtare./atsh/ KultPlus.com

Nivel i lartë i ndotjes së liqenit të Ohrit

Këto foto të realizuara nga një aeroplan tregojnë ndotjen e liqenit të Ohrit, i cili në disa pjesë është aq alarmues saqë duhet të ndërmerren masa të menjëhershme.

Në vend të ngjyrës së pastër blu, uji i liqenit këtu ka ngjyrë kafe të errët. Nga “Ohri SOS” thonë se fotot ilustrojnë ndotjen e liqenit të Ohrit nga lumi Sateska, raporton Alsat M, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo perspektivë jep pamje të qartë të problemit prej dekadash të devijimit të rrjedhës së lumenjve në liqen. Shumica e degëve, për fat të keq, janë të ndotura dhe i gjithë ai sediment përfundon direkt në liqen. Institucionet si zakonisht nuk reagojnë, për ta ky nuk është problem”, tha Ohri SOS.

Ambientalistët dyshojnë se ndotja e liqenit vjen edhe nga ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër, e cila një dekadë është në ndërtim e sipër. Ata thonë se lumi Sateska është një nga ndotësit më të mëdhenj të liqenit që nga viti 1962, që kur është futur në liqen.

“Kjo situatë është pasojë e rritjes së nivelit të ujit, degëve që sjellin sasi të mëdha sedimentesh nga masivët malorë dhe shkrirjes së borës. Por, inspektorët kompetentë të mjedisit duhet sa më parë të hetojnë nëse kjo është edhe rezultat i aktiviteteve ndërtimore që po zhvillohen në magjistralen Ohër-Kërçovë”, tha ambientalisti, Gjoko Zoroski.

Qendra për Shëndet Publik në Ohër thotë se 80 për qind e analizave të mostrave të marra nga lumi Sateska para bashkimit të tij në liqenin e Ohrit tregojnë devijime nga parametrat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, ndërsa uji në të shpeshtën e rasteve i përket klasës së tretë ose të katërt.

“Sigurisht, punët ndërtimore që janë duke u zhvilluar vitet e fundit në pjesën e autostradës Ohër-Kërçovë, në afërsi të shtratit të lumit Sateska, kanë ndikimin e tyre shtesë të shtuar në ndotjen e Sateskës, e kështu edhe në liqenin e Ohrit”, u shpreh Qendra për Shëndet Publik Ohër.

Ata thonë se sasia e madhe e sedimentit, rërës dhe dheut që bart me vete lumi Sateska dhe vendoset në fund të liqenit të Ohrit, respektivisht në vetë grykën e lumit në liqen, i cili më pas shpërndahet në rrethinën më të gjerë nga derdhja, që paraqet ngarkesë serioze për ekosistemin e liqenit. Ndryshe, në proces është kthimi i Sateskës në shtratin e vjetër, i cili duhet ta zgjidhë këtë problem.

Nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht ndër më të lartat

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka deklaruar se nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht janë ndër më të lartat me 303 milionë metra kub, teksa shtoi se me sasinë e ujit 5 metra nën maksimum, diga qëndron stabile e aty punojnë 21 punëtorë.

Ministrja Rizvanolli, së bashku me zëvendësministrat Getoar Mjeku dhe Nenaq Stanojeviq, sot janë mirëpritur nga kryeshefi i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka , nga ku edhe janë njoftuar më hollësisht për ndërmarrjen në fjalë.

Më poshtë gjendet postimi i plote i Ministres Rizvanolli:

Nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht janë ndër më të lartat me 303 milionë metra kub. Me sasinë e ujit 5 metra nën maksimum, ajo qëndron stabile e aty punojnë 21 punëtorë.

Së bashku me Zëvendës Ministrat, Geotar Mjeku dhe Nenad Stanojević u mirëpritëm nga Kryeshefi Faruk Mujka, ku diskutuam mbi performancën e ndërmarrjes, sigurinë e digës dhe mundësitë për investime në hidrocentral dhe përgjatë kanalit.

Aty janë vendosur pajisjet për matjen e lëvizjeve seizmike dhe për sigurinë e digës, e po punohet edhe në vendosjen e sensorëve në mënyrë që nivelet e ujit të kontrollohen edhe nga dhoma e kontrollit në Shkabaj. Niveli i rrjedhjeve në trupin e digës dhe stabiliteti i digës aktualisht kontrollohen nga galeria e cila gjendet në 90 metra thellësi.

Ndërmarrja “Ibër Lepenci” e cila menaxhon këtë digë, në vitin 2023 ka siguruar të hyra në vlerë prej 10 milionë euro. Rritje të lartë ka pasur edhe prodhimi i energjisë elektrike nga Hidrocentrali që gjatë vitit 2023 ka shënuar rekord e janë prodhuar 146 mijë megavatëorë energji elektrike, që shënon rritje prej 95% prej vitit paraprak.

Përgjatë vizitës takuam edhe patrollën e policisë tek diga e vogël kompensuese, një patrollë profesionale e multi-etnike që me zell e përkushtim po punojnë për sigurinë e të gjithë qytetarëve./KultPlus.com

Pamje nga Liqeni i Shkodrës

Kryeministri Edi Rama ndau pasditen e së dielës, në rrjetet sociale pamje nga Liqeni i Shkodrës.

Rama publikoi një video nga kjo pikë turistike, ku shihen pushues të moshave të ndryshme, që janë ulur dhe sodisin pamjen piktoreske të liqenit, duke dëgjuar muzikën që luan kuarteti i harqeve në platen e vendosur në breg të liqenit.

Repertori i kuartetit të harqeve, vjen si një tjetër surprizë e këndshme për pushuesit e apasionuar pas muzikës, që frekuentojnë Liqenin e Shkodrës.

I konsideruar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, ky liqen dallon për ajrin e pastër dhe bukuritë natyrore.

Liqeni i Shkodrës gjatë këtij viti ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Kjo zonë gjatë periudhës janar-shtator u vizitua nga 143 710 vizitorë, nga të cilët 78 800 vendas dhe 64 910 të huaj.

Ndër pikat turistike më të vizituara në liqen janë “Syri i Sheganit”, Shiroka, Zogaj. Ndërkohë që numri i vizitorëve është rritur edhe falë sporteve ujore si kanoet,varkat dhe gondolat veneciane që janë zhvilluar gjatë këtij sezoni turistik./atsh/KultPlus.com

Së shpejti, turistët do të mund të lundrojnë me varkë në Liqenin e Shkodrës

Kryeministri Edi Rama solli mëngjesin e sotëm pamje prehëse nga Liqeni i Shirokës në Shkodër, ku kanë lulëzuar zambakët e ujit, ndërsa njoftoi se vizitorët do të kenë mundësi të lundrojnë me varka.

“Disa foto të modelit të varkave turistike, të cilat së shpejti do të vihen në dispozicion të vizitorëve nga Bashkia e Shkodrës, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, u shpreh Rama.

Shiroka pritet të jetë një nga tre molet në Liqenin e Shkodrës, ndërsa dy të tjerët në Zogaj dhe në Shkodër. Me 3 stacione lundrimi, bashkia e Shkodrës tashmë do të vendosë në përdorim varka turistike për të gjithë ata që dëshirojnë të lundrojnë në liqen, për të kundruar nga uji pamjen fantastike që ofrojnë brigjet.

Molet janë me të gjitha parametrat në funksion të lundrimit në natyrën e bekuar në zonën liqenore, që shihet edhe si një perspektivë e re turistike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Molet turistike “Almonit” në liqenin e Shkodrës krijojnë infrastrukturën e nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës – Shirokës – Zogajt dhe Vir Pazarit.

Ky projekt financuar nga Bashkimi Evropian, përmes Programit IPA Adriatik CBC Itali – Mali i Zi – Shqipëri zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit./atsh/KultPlus.com

Zhvillohet në Parkun e Liqenit të Farkës edicioni i pestë i Tirana Triathlon

Për të pestin vit radhazi u zhvillua sot në Parkun e Liqenit të Farkës trigarëshi në not, vrap dhe çiklizëm Tirana Triathlon me pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga shumë vende të tjera sidomos të rajonit të Ballkanit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve të fituesve të të 3 disiplinave u shpreh i lumtur që sporti e sidomos këto gara po kthehen në një traditë të përvitshme në qytetin e Tiranës.

Kjo, tha Veliaj, falë investimeve që e bëjnë të mundur, ku veçoi Parkun e ri të Farkës, donatorëve që bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës por mbi të gjitha falë të gjithë atyre që i bashkon shpirti sportiv për të garuar pavarësisht çmimit.

“Farka sot është kthyer në një destinacion të jashtëzakonshëm. E filluam këtu me Kostas Bakoyannis, kryetarin e Bashkisë së Athinës kur hapëm Parkun Helen. Shumë veta mendonin që ishte diçka e vogël, një akupunturë, askush nuk e imagjinonte dot që pas pak kohësh ne do të kishim një park të dytë të Tiranës, pas Liqenit të Tiranës. Kjo nuk do ishte bërë e mundur pa një grup të jashtëzakonshëm donatorësh që zgjodhën të sponsorizonin jo vetëm aktivitetin, por edhe çmimet dhe për të gjithë ata që na kanë ardhur këtu sot. U jam vërtet mirënjohës! Ftesa për të gjithë prindërit është, regjistrojini fëmijët në sport! Më shumë sesa trajnojmë muskujt, ne duam të trajnojmë mendjen tonë, shpirtin tonë me kulturën sportive edhe me lojën në skuadër,” u shpreh ndër të tjera Veliaj.

Kryebashkiaku tha se, eventet e mëdha sportive sidomos në këtë vit ku Tirana është qyteti evropian i sportit nuk do të mbeten me kaq.

Ai tha se, në Tetor sikurse çdo vit do të zhvillohet maratona e Tiranës.

“Do kemi disa surpriza këtë vit. Sapo të mbarojmë këtu, do të fillojmë përgatitjen për Maratonën e Tiranës në tetor. Kështu që do të shihemi të gjithë në aktivitete të tjera, sepse duam shumë që ky vit që Tirana është Qyteti Europian i Sportit ne të dallohemi posaçërisht për kulturën sportive dhe të dalim nga ky vit i sportit, jo vetëm me këto aktivitete kartolina, kujtime dhe medalje e çmime, po të dalim si një qytet që merret me sport, dimë të lozin në skuadër, të humbasim me modesti, por edhe të fitojmë gjithashtu me modesti dhe me këmbë në tokë. Kjo është Tirana jonë, qyteti ynë fitues,” deklaroi ai.

Veliaj tha se, sporti është ai që bashkon popujt.

“Ne jetojmë në Ballkan, unë jam shumë i përgjegjshëm për këtë. Dhe është një vend ku të gjithë kemi pak më shumë zell për debat, apo një fjalë më shumë seç duhet, por sporti na ka mësuar që në një fqinjësi ku ne jetojmë bashkë, ne biem bashkë dhe rrëzohemi bashkë. Nëse ne nuk kuptojmë që fqinjët nuk i zgjedhim dot, por ama jemi të destinuar që të jetojmë bashkë, të destinuar që të bashkëpunojmë, të destinuar që të lulëzojmë së bashku, sporti është diplomacia më e mirë. Ndaj motra dhe vëllezër le të kujtojmë që sporti na bën bashkë. Nuk ka rëndësi nëse jemi nga Kosova, nga Serbia, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, apo nga Bullgaria, jemi pjesë e një mëhalle. Ndaj siç rrëzohemi bashkë, ashtu dhe ngrihemi bashkë edhe bashkëpunojmë të gjithë me njëri-tjetrin,” e mbylli Veliaj fjalën e tij./atsh/KultPlus.com

Liqeni i Marinës në Belsh, një perlë turistike

Qendra turistike pranë liqenit të Marinës në Belsh vizitohet çdo ditë nga qytetarë të shumtë.

Qendra është ideuar, ndërtuar e administruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Pika e agroturizmit të Marinës ndodhet në mes të liqeneve të Dumresë. Një perlë e vogël turistike, që ofron pamjen më mbresëlënëse dhe komoditet cilësor.

Iniciativat e bashkisë Belsh, vitet e fundit kanë gjetur mbështetjen e qeverisë shqiptare duke realizuar një sërë veprash në mbështetje të turizmit, e duke shfrytëzuar bukuritë që Zoti i ka falur bujarisht të gjithë zonës.

Pranë liqenit të Marinës, në Belsh janë ndërtuar 9 shtëpiza druri dhe një ambient shërbimi restorant. Shtëpizat kanë një dizajn minimal alpin, të cilat integrohen shumë mirë edhe në territorin përreth liqenit të Marinës.

Materialet e përdorura për ndërtimin e këtyre shtëpizave, janë materiale drusore ekologjike, të cilat e bëjnë impaktin e ndërhyrjes në natyrë akoma edhe me minimal për të mos cenuar ekosistemin e zonës./atsh/KultPlus.com

Veliaj u përgjigjet kritikave për memorialin tek Liqeni: Ti lëmë të vdekurit të qetë, Tirana ka zemër për të gjithë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur kritikave të shumta në lidhje me memorialin e vendosur tek Liqeni Artificial në nder të viktimave të grushtit të shtetit në Turqi.

Veliaj shprehet se kryeqyteti është me zemër të madhe dhe ka vend për të gjithë. Kreu i Bashkisë shprehet se shumica e atyre që ankohen e kanë lënë vendin të mbushet me ferra.

“Le ti lëmë të vdekurt të qetë. Unë nuk i prish punë ansjë njeriu. Është në cepin e liqenit që shumica e atyre që ankohen nuk i ka ra mendja se ka qenë mbuluar me ferra. Lart në kat të dytë lashë duke u përqafuar drejtuesin e të krishterëve me atë të myslimanëve. Ti lëmë të vdekurit të qetë dhe kushdo ti respektojë. Tirana është zemër e madhe, ka vend për të gjithë”, përfundoi Veliaj.

UNESCO merr në mbrojtje edhe pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit

Sot, Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i cili po zhvillon sesionin e tij të 43-të, në Baku, Azerbajxhan përfshiu në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit.

“Ndajmë me gëzim dhe krenari një lajm të mirë!  Pas një pune shumëvjeçare, më në fund, “trupi” i Ohrit është i plotë në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Sot, Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i cili po zhvillon sesionin e tij të 43-të, në Baku, Azerbajxhan, miratoi zgjerimin e pronës: “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit”. Tanimë edhe pjesa shqiptare i përket trashëgimisë së mbarë botës”, tha Margariti.

Liqeni i Ohrit, një nga liqenet më të vjetër të botës, që ndodhet në Europën Juglindore, konsiderohet një nga rezervat më të mëdha të biodiversitetit dhe njëkohësisht një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në kontinent. Kombinimi i vlerave të dukshme natyrore, me cilësinë dhe diversitetin e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore e bëjnë këtë rajon vërtet unik. /KultPlus.com