Rama fton qytetarët që të pastrojnë liqenin e Badovcit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar qytetarët që në mënyrë vullnetare të bashkohen më 16 shtator në pastrimin e liqenit të Badovcit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Rama ka thënë se transporti, ushqimi, qeset e mbeturinave, dorezat, bluzat dhe të gjitha gjërat e nevojshme do të ofrohen nga organizatorët.

Postimi i plotë:

“Bashkë për liqene më të pastërta! 🍀 Ftohen vullnetarët që me 16 shtator, t’i bashkohen aktivitetit për pastrimin e liqenit të Badovcit. Transporti, ushqimi, qeset e mbeturinave, dorezat, bluzat dhe të gjitha gjërat e nevojshme do të ofrohen nga organizatorët. ⏰Afati për regjistrim është deri më 7 shtator. Faleminderit GIZ Kosovo, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Association for Environmental Protection and Clean-up of Kosova – Pamkospër këtë iniciativë shumë të qëlluar 🙏🏼”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Rasti “Badovci”, dorëzohet kallëzimi penal ndaj sekretarit të MMPH-së

Organizatat GLPS, BGF, INDEP dhe GAP sot kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit për veprimet e tij lidhur me rastin e ndërtimeve në hapësirën e Liqenit të Badovcit.

Me rastin e dorëzimit të kallëzimit penal pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përfaqësuesit e organizatave në fjalë kanë mbajtur një konferencë për media para gazetarëve ku i kanë treguar arsyet për dorëzimin e kallëzimit penal, njofton Klan Kosova.

  1. Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MMPH-së, kundërligjshëm ka detyruar/obliguar Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës që të procedoi kërkesën për kushtet ndërtimore duke u thirrur gabimisht në nenin 20 dhe 21 të Ligjit për Ndërtim. Kjo ngase i njëjti ka detyruar/obliguar Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës që të veproj duke anashkaluar vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 16/127, datë 24.04.2013, i cili shprehimisht, në nenin 11, par.4, nënpar. 4.3, zonën në të cilën kërkohet lëshimi i kushteve të ndërtimit e parashihet si zonë e ndaluar për ndërtim.
  2. Ky detyrim është i kundërligjshëm për faktin se disa nga parcelat kadastrale të cilat përmenden në kërkesë, hyjnë në zonën mbrojtëse të liqenit akumulues-Badovcit dhe në çfarëdo lloj situate ndërtimi i çfarëdolloj objekti për turizëm, rekreacion ose objekte të tjera të cilat do të mund të rrezikonin cilësinë e ujit, nuk do të mund të lejohej dhe zgjatja e procedurave administrative deri në shterjen e të gjitha mjeteve juridiko-administrative do të duhej të dërgonte në rezultatin e njëjtë, pra mos lejimin e ndërtimit të çfarëdo objekti që do të mund të rrezikonin cilësinë e ujit. Kjo ngase një gjë e tillë është e përcaktuar në Vendimin e Qeverisë nr. 16/127, vendim ky që ka fuqi mbi të gjitha aktet tjera komunale dhe çdo institucion shtetëror duhet të garantoj për zbatimin e tij.
  3. Realizimi i ndërtimit të kompleksit të shtëpive individuale të banimit, në atë zonë do të ndikonte negativisht në biodiversitetin, ndotje të ambientit, tokës ose ujit, e si rrjedhojë do të binte në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, me theks të veçantë me Ligjin për Mjedisin dhe Vendimin e Qeverisë me nr.16/127.  Andaj, në këto rrethana, konsiderohet se janë përmbushur të gjitha elementet e veprës penale në tentativë “Lejimi i kundërligjshëm i ndërtimit apo drejtimit të fabrikave dhe instalimeve që ndotin mjedisin”e paraparë në Nenin 340,par.1, i cili parasheh që “Kushdo që duke shkelur ligjin mbi mbrojtjen e mjedisit, lejon ndërtimin apo instalimin e fabrikës ose drejton apo menaxhon fabrikën ose instalimin në të cilën kryhet veprimtari e rrezikshme dhe me këtë rrezikon të shkaktojë vdekjen apo lëndimin e rëndë trupor të ndonjë personi, ndotë mjedisin, ajrin, tokën apo ujin ose shkakton dëm në shumë prej pesëmijë (5.000) Euro apo më shumë të kafshëve, bimëve ose pasurisë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet”, lidhur me nenin 28, par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku thuhet: “Kushdo që me dashje ndërmerr veprime për kryerjen e veprës penale por vepra nuk është kryer ose elementet e veprës penale nuk janë realizuar, konsiderohet se ka tentuar të kryejë vepër penale”.
  4. Meqenëse me vendimet e lëshuara nga Ministria, janë aprovuar të gjitha ankesat që pala ka bërë ndaj refuzimeve nga ana e Komunës, vërehet tentimi i tij që të ndërhyjë në një proces për të cilin çfarëdo procedure që do të zbatohej, përfundimi do të ishte i njëjtë. Dhe rrjedhimisht tendenca e tij për të treguar të kundërtën, si qëllim për ta ç’orientuar palën që ka parashtruar kërkesë për lëshimin e kushteve ndërtimore , në një zonë e cila është e ndaluar për ndërtim, paraqet dyshim të bazuar mirë se janë plotësuar elementet e veprës penale të Mashtrimit nga neni 323, par.1 të Kodit Penal të Kosovës..
  5. Lidhur më këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe me dyshimin se i njëjti ka pasur për qëllim që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, në këtë rast duke dëmtuar zonën e mbrojtur –Liqenin akumulues të Badovcit, ka nxjerrë vendime më të cilat i’a ka imponuar Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, që edhe pas dy refuzimeve, të bëjë lëshimin e kushteve të ndërtimit. Prandaj, ekziston dyshimi se me këto veprime janë konsumuar elementet e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
  6. Përveç pjesës së lartcekur, këto veprime bien në kundërshtim edhe me dispozitat e Ligjit për Ujërat e Kosovës, përkatësisht në nenin 26 paragrafi 2, ku ndalohet kryerja e të gjitha punëve të cilat shkaktojnë ndryshimin në gjendjen ujore. Po ashtu, në nenin 66 të këtij ligji, përcaktohet mbrojtja dhe ruajtja e zonave të mbrojtura ujore, ku në këtë grup bën pjesë edhe Liqeni akumulues i Badovcit, i shpallur me vendimin e Qeverisë nr.16/127. Njëkohësisht, me të njëjtin ligj, në nenin 67 përcaktohet se në rastet kur mund të rrezikohen kushtet cilësore apo sasiore, në zonën e mbrojtur ujore, mund të ndalohen ose kufizohen aktivitetet e pronarëve apo poseduesve të tokës, situatë kjo që i përshtatet rastit konkret.
  7. Edhe Ligji për Mjedisin, në nenin 8, përcakton se shfrytëzimi dhe mbrojtja e resurseve natyrore bëhet përmes planifikimit për ruajtjen e cilësisë dhe llojllojshmërisë së tyre, në përputhje me kushtet dhe masat për mbrojtjen e mjedisit të përcaktuara me këtë ligj dhe ligjet e veçanta. Rrjedhimisht, ky ligj vendos kritere dhe kushte të cilat duhet të respektohen në çfarëdo situate në çdo rast kur rrezikohet mjedisi, gjë e cila është tentuar të injorohet me veprimet e ndërmarra nga Sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së, përmes vendimeve të drejtuara drejtë Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës
  8. Në këtë rast nuk janë marrë parasysh as dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr.15/2017 të datës 08.12.2017, për kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura sanitare të burimeve të ujit. Me veprimet e tij, Ministria ka rënë në kundërshtim me dispozita e nenit 4 ku thuhet se përcaktimi i zonave të mbrojtura sanitare bëhet me qëllim që të mbrohen burimet e ujit nga ndotja e qëllimshme apo e rastësishme e cila mund të ketë efekte negative në kapacitetet dhe vetitë natyrale të burimeve të ujit. Kjo duke pasur parasysh edhe faktin se në nenin 18, par.1, i po këtij Udhëzimi Administrativ përcakton se Zona e II-të sanitare përfshinë kufirin prej 500 (pesëqind) metra nga vepra ujëmarrëse. Kjo nënkupton që brenda kësaj hapësire, ashtu edhe siç e parasheh Vendimi i Qeverisë nr.16/127, si dhe aktet ligjore në fuqi, ndalohet çdo lloj ndërtimi i objekteve, e aq me pak i atyre objekteve me karakter rekreativ apo të banimit sepse të njejta do të mund të ndikonin negativisht në biodiversitetin e florës dhe faunës, cilësinë e ujit etj. Shprehimisht këtë ndalesë e përmban edhe neni 13, paragrafi 1.10 lidhur me nenin 15 të këtij Udhëzimi Administrativ, kjo për shkak se ekziston rreziku se me ndërmarrjen e veprimeve të tilla mund të ketë pasoja në burimin e ujit, qoftë në kuptim sasior apo cilësor./KultPlus.com

Ky është vendimi i Komunës së Prishtinës për Liqenin e Badovcit

Seanca e cila u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës kaloi me polemika dhe e zhurmshme mes asamblistëve opozitarë kundrejt ekzekutivit. Me 24 vota për, 1 kundër dhe me 2 abstenime kuvendarët komunalë të Prishtinës votuan për propozimin e planit zhvillimor komunal për zonën 1.2.3, për mbrojtjen në pjesën e Badovcit deri në nxjerrjen e dokumenteve të reja të planifikimit në këtë zonë, planin zhvillimor komunal, hartën zonale.

Po ashtu me 27 vota për, 2 kundër dhe me një abstenim u votuan edhe rekomandimet për mbrojtjen e liqenit, me kërkesë që komuna e Prishtinës në bazë të akteve ligjore në fuqi të anulojë kushtet ndërtimore të lëshuara në pjesën e liqenit të Badovcit 26/12/2019. Të fillojnë procedurat që zonën përreth liqenit të Badovcit e cila nuk është e përfshirë në peizazh të mbrojtur të bashkohet me peizazhin e mbrojtur me parkun regjional të Gërmisë.

Aksioni ‘Ta pastrojmë Badovcin’, ka filluar sot

Një grup në rrjetin social Facebook, që janë angazhuar në mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, kësaj radhe janë organizuar që të pastrojnë liqenin, duke e konsideruar këtë si një obligim qytetar, shkruan KultPlus.

Në liqenin e Badovcit ka rënë niveli i ujit, duke bërë kështu që shumë mbeturina të dalin në sipërfaqe, konkretisht në brigjet më të thata të liqenit që dikur ishin me ujë.

”Kjo ramje drastike e nivelit të ujit, në njëfar forme është thirrje për ne që t’i dalim në ndihmë Badovcit dhe ta pastrojmë, e këtë e kemi obligim qytetar, njerëzor, ngase nga ai furnizohemi me ujë, dhe e kemi resurs të rëndësishëm edhe për nevoja dhe aktivitete tjera”, thuhet ndër të tjera në thirrjen për pastrimin e liqenit. / KultPlus.com

Arkitekti Përparim Rama, fton për debat për Liqenin e Badovcit

Ditët e fundit ka shpërthyer një valë gjithpërfshirëse e qytetarëve kundër një projekti të dy kompanive “KAWA Group” dhe “4M Group” , të cilat kanë planifikuar që të ndërtojnë një lagje të vogël me vila buzë liqenit të Badocit, shkruan KultPlus.com.

Reagimet kanë qenë të njëpasnjëshme, herë të komunës së Prishtinës, herë të ministrisë së Ambientit, por më së shumti të qytetarëve, të cilët i kundërshtojnë kategorisht ndërtimet afër liqenit të Badovcit.

Ditë më parë u krijua edhe një anketë në facebook nga arkitekti, Përparim Rama që përfaqëson qytetarët për një ‘’Diskutim publik rreth liqenit”, me temë “Historia, e tashmja dhe e ardhmja e liqenit të Badovcit” me të gjithë të interesuarit, në mënyrë që të kenë mundësi të paraqesin konstruktivisht të gjitha brengat, idetë, kritikat dhe vizionet për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit.

Dhe në bazë të votimit, është caktuar data 9 shkurt 2020, ndërsa për vendndodhjen dhe kohën e takimit, arkitekti Rama do të ju njoftojë me kohë. /KultPlus.com

Tentativa e Nurellarit për ta politizuar kërkesën e grupit për mbrojtje të liqenit të Badovcit

Shkruan: Ilir Krasniqi

Të kërkosh apo të mbrosh një të drejtë të sanksionuar me ligj është e drejtë e secilit qytetar e garantuar edhe me Kushtetutë si akti më i lartë të vendit. Këtu nuk ka asnjë krim sikundër rastit të krijimit të një grupi qytetarësh në mbrojtje të Badovcit të cilët kërkojnë një të drejtë të bazuar në fakte. Besoj se këtë e di edhe Adri Nurellari si një studiues, këshilltar dhe kolumnist i angazhuar kryesisht në fushën e politikës dhe media. Do të isha kureshtar të dija se në cilin institucion je këshilltar?

Është për keqardhje si studiues ta ulësh veten duke fyer një masë kritike e cila është organizuar spontanisht për një zonë e cila mund t’i nënshtrohet një rreziku nga pretendimet e një kompanie për të ndërtuar dhe që rrezikon liqenin dhe mjedisin. Por në mendime je shumë kontrovers, duke u munduar të bësh një paralele midis kësaj mase kritike me popullin skandinav. Kjo sepse në vendet skandinave as që i shkon ndërmend ndonjë kompanie ndërtimi të pres një dru nga gjobat e larta, e lëre më të kërkojë leje ndërtimi në një zonë të ndaluar. Si studiues duhesh të përkufizosh kritikën në individë kur është fjala për hedhjen e mbeturinave vend e pavend që jam dakord. Por nuk ki të drejtë t’ia apostrofosh dhe të fyesh tërë kombin shqiptar për hedhjen e hedhurinave vend e pavend.


Në njërën anë thua nuk pretendon të jesh ekspert i planifikimit urban as inxhinierë mjedisor ndërkohë kritikon. Si studiues shpresoj që e di që nuk mund të kritikosh pa një analizë profesionale e që vetë e pranon se nuk je ekspert në këtë fushë. Dhe nuk shohë asnjë bazë të shikosh këtë problem përmes prizmit ideologjik e politik siç e konsideron masën kritike me një “mentalitet të theksuar majtist”.


Të drejtën e një grupi për të protestuar në interes të publikut nuk mund ta konsiderosh linçim të sipërmarrësve privatë sepse këtu bëhet fjalë për një kompani ndërtimore i cili pretendon të ndërtojë në një zonë që prek interesin publik të sanksionuar edhe me ligj.


Dhe a nuk dukesh kontrovers në mendime kur e quan grupin e protestuesve linçues dhe nga të njëjtit kërkon të kenë konsideratë disa rrethana tjera të rëndësishme për këtë projekt? Ardi merr dokumente dhe armatosur mirë para se të bësh vlerësime kritike. Duke marrë si referencë deklaratën e bashkë investitorit të kompanisë 4M Group se projekti do të ndërtohej në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së ambientit, po ta parafrazojë një vlerësim nga kapitulli i mjedisit të raporti i progresit të KE ku thuhet se në mjedis, po shohim një kërkesë publike të rritur për të adresuar sfidat serioze të mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike të cilat dëmtojnë shëndetin dhe jetesën e qytetarëve të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet ta marrin këtë shumë më seriozisht dhe të fillojnë me ofrimin e rezultateve”. Dhe të gjitha kërkesat dhe argumentet ky grup i ka të bazuara në ligjet aktuale.


Shkojmë më tej. Askush nuk besoj se ndihet keq për arritjet e Përparim Ramës dhe çmimet e arritura në fushën për interier. Por ndërtimi dallon nga interieri. Dhe nuk e besoj që as Rama në emër të atij çmimi ndryshe , se në ndonjë vend perëndimor ku zbatimi i ligjeve është rigoroz, do të tentojë të veprojë në Kosovë. Gjithashtu duhesh ta kuptosh se interesi publik është më i madh se ai individual në rastin kur flet për pronë private edhe në sistemin liberal-demokratik. Duhesh ta kuptosh në aspektin juridik se toka është gjithmonë pronë e shtetit, dhe e drejta për pronësi nënkupton vetëm shfrytëzimin që tash me ligjin aktual të bazuar në sistemin liberal-demokratik është për 99 vite. Njëherazi shfrytëzimi nuk nënkupton lejen për të bërë çfarë të duash jashtë ligjeve që përcaktojnë zonat e ndërtimit dhe zonat e gjelbëruara. Nuk ki të drejtë të fyesh qytetarët që protestojnë duke i cilësuar me mentalitet anti –investim dhe kundër kapitalizmit. Sa më shumë që thellohem në shkrimin tënd shohë se argumentet e tua për kritik janë si një pikë uji në det. Mos ky grup për mbrojtje të liqenit të Badovcit kërkon diçka joligjore?. Ti si analist medial duhesh të jesh ne funksion të mbrojtjes së interesit publik, ky është misioni yt nëse nuk ke hyrë në ujëra të turbullta. Dhe është ironike të bësh paralele me urbanizmin pranë liqeneve në vendet perëndimore.

Është fyerje e inteligjencës së qytetarëve duke u treguar si duken qytetet buzë liqeneve në vendet e rajonit dhe ato perëndimore. Këto vende me miliona herë janë vizituar nga qytetarët dhe po të rikujtojë se në këtë grup me sa kam parë me qindra janë që me vite kanë jetuar në perëndim. Ndërsa në veten e parë njëjës po të them mos krahaso qytetet në brigjet e liqeneve në Zvicër sepse o ke mungesë njohurish o bënë punën e avokatit. Pjesën më të madhe të territorit të Zvicrës e zënë Alpet dhe normalisht të gjitha ajo ujëra përfundojnë në atë pak territor të rrafshët dhe dendësia e popullatës në male për shkak të lartësive të mëdha është më i vogël. Andaj edhe qytetet janë ngritur në rrafshe dhe s’kanë mundur të ngritën në majet e thepisura të Alpeve. Dhe si studiues po lë shije të keqe me një dezinformatë se deri në korrik të vitit 2018 në liqe janë derdhur ujëra të zeza. E kam thënë në një publikim dhe po e them secila shtëpi në Sutjesk e Mramor ka pasur gropa skeptike dhe nëse dikush ka kontribuuar në ruajtjen e ambientit rreth Badovcit kanë qenë pikërisht banorët e kësaj ane. Pavarësisht që disa kanë pasur parcela afër liqenit asnjëherë nuk iu kanë ndryshuar destinacionin. Në afërsi të liqenit të Badovcit janë ndërtuar katër pesë shtëpi nga banorë me sa e di unë që nuk janë banorë dem baba dem të atij vendi.

Do të kërkoja si koleg të penës, në publikimet e tua ti referohesh ligjeve jo komenteve politike për çështjet konkrete jetësore. Sepse duke politizuar çdo gjë, jemi ku jemi si shoqëri dhe si komb. Koalicioni për mbrojtjen e Badovcit shkon në dy drejtime: të ndalen planet e ndërtimit afër liqenit dhe të sigurohet mbrojtje efikase e pjesëve të vlefshme të natyrës.

Pas ajrit faktori më i rëndësishëm është uji për njeriun, që në rastin e Kosovës ka mungesë të madhe dhe ky është argumenti më i fuqishëm në raport me çfarëdo ndërtimi qofshin ato. /KultPlus.com

Ministria e Mjedisit: S’kemi dhënë pëlqim për ndërtim te Liqeni i Badovcit, është zonë e mbrojtur

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura për ndërtimet te Liqeni i Badovcit. MMPH’ja thotë se nuk ka kompetenca të lëshojë leje ndërtimore, po ashtu thekson se nuk është dhënë pëlqimi për ndërtim në atë zonë e cila është e mbrojtur.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar se as kompanitë ndërtimore e as pronari i tokës nuk kanë aplikuar për Pëlqim Mjedisor.

“MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore. Gjithashtu në bazë të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, nuk ka aplikuar dhe nuk është pajisur me Pëlqim Mjedisor nga MMPH-ja”, bën të ditur MMPH’ja.

Ministria e Mjedisit thekson se çfarëdo zhvilli,i i planifikuar në afërsi të Liqenit të Badovcut duhet të jetë në përputhje me legjislacionin dhe kriteret e parapara.

Po ashtu, bëhet e ditur se vetëm pas nënshtrimit të procedurave ligjore, mund të konstatohet se a mund të realizohet ndonjë projekt në atë zonë.

“Sipas kompetencave tona si ministri, përveç pjesës së Planifikimit Hapësinor ne gjithashtu jemi përgjegjës edhe për zonat e mbrojtura dhe në rastin konkret, Zonën e Mbrojtur Ujore të Liqenit të Badovcit, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 16/127 të datës 24.04.2013”, thekson MMPH’ja.

MMPH’ja bën të ditur se ka dërguar një shkresë për të kërkuar informata nga Komuna së Prishtinës.

“Dëshiroj të ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët e vendit se inspektorati i MMPH-së dhe Departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së do të jetë aktive në këtë çështje dhe do të kujdesen që të mos ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenoj zonën e mbrojtur të Liqenit te Badovcit dhe kualitetin e ujit nga kushdo qoftë”, thekson MMPH’ja.

Edhe Komuna e Prishtinës ka reaguar sot lidhur me çështjen e ndërtimeve te Liqeni i Badovcit.

Përmes një njoftimi KP’ja ka bërë të ditur se kompania nuk ka aplikuar për leje, vetëm për kushtet ndërtimore.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, theksohet në njoftim./GazetaExpress/ KultPlus.com

Lagjja në Badovc: Një projekt i pamenduar që e shkatërron natyrën

Lagjja buzë Liqenit Akumulues të Badovcit duhet të pengohet me çdo mjet nga qytetarët.

Pas luftës mafia ndërtimore zaptonte, populli heshtte. Frika ishte e madhe, sepse mafia ndërtimore ishte e armatosur dhe e përkrahur nga edhe komandantët e UÇK-së të etur për pasurim të shpejtë dhe grabitje të madhe. Pas luftës mafia ndërtimore mund të vriste edhe njerëz. Gjatë përpjekjeve të tij për të vendosur disa rregulla elementare urbane, në Prishtinë u vra Rexhep Luci, arkitekt dhe Drejtor i Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Rindërtimit dhe Zhvillimit në Komunën e Prishtinës.

Gati njëzet vjet kanë kaluar nga ky krim. Vrasësit jetojnë të lirë. Por shoqëria e Kosovës nuk është më ajo e vitit 2000 apo 2001. Njerëzit tani kanë guxim të kundërshtojnë projekte ndërtimore të pamenduara mirë. Projekte që potencialisht rrezikojnë ambientin. Projekte që u vjen duhmë e keqpërdorimeve.

Këto ditë dhjetëra qytetarë janë mobilizuar në kundërshtimin e një projekti që është planifikuar nga një firmë e quajtur «4M Group» me financues ndërmarrjen ndërtimore «Kawa Group». Projekti planifikohet të realizohet buzë Liqenit të Badovcit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e drejtuar nga një argat i Behgjet Pacollit, ka dhënë një pëlqim në të cilin thuhet se mund të ndërtohet në zonën përkatëse te Liqeni i Badovcit.

Këtu fillon krimi. Po të kishte sistem efektiv të drejtësisë, ministri që lëshon këso letrash së paku do të hetohej. Të pajisur me këtë letër të ministrit, investitorët dhe projektuesi mund të shkojnë te komuna e Prishtinës dhe të kërkojnë leje për ndërtim. Në dy dekadat e fundit shpeshherë administrata e kësaj komune ka lëshuar leje të dyshimta ndërtimi dhe nga ky «biznes» kanë përfituar pothuaj të gjitha partitë, «luftarake» dhe «paqësore».

Tani për tani situata është kështu: Plani Rregullues Urban, i cili e ka fuqinë e ligjit, thotë se zona në lindje të Prishtinës, aty ku «4M Group» dhe «Kawa Group» duan të ndërtojnë, nuk është tokë ndërtimore. Për aq kohë sa ligji nuk ndryshon, në këtë zonë është e ndaluar të ndërtohet. Ka disa arsye përse nuk duhet të ndërtohet aty. Krejt Kosova, e sidomos Prishtina ka nevojë urgjente për ruajtjen e burimeve të ujit dhe vendeve ku akumulohet uji. Liqeni i Badovcit nuk është liqen i natyrshëm, por liqen akumulues i ujit, pra rezervuar uji!

Në një reagim të tij aspak bindës arkitekti Përparim Rama, shef i «4M Group», thotë se edhe pranë Liqenit të Zürichut dhe Gjenevës ka shtëpi të ndërtuara. Këtu ai e huq komplet kontekstin dhe kjo është shqetësuese për dikë që nëpër mediat jokritike kosovare e prezanton veten poshtë e lartë si «arkitekt të suksesshëm nga Londra». Liqenet e Zürichut dhe Gjenevës (ka edhe shembuj të tjerë) janë liqene si pjesë e qyteteve e vendbanimeve, nuk janë pellgje për akumulim uji. Badovci, ndërkaq, është pellg për akumulim uji, andaj është me rëndësi jetike për banorët e Prishtinës dhe rrethinës. Pothuaj po aq i rëndësishëm për banorët e Prishtinës është gjelbërimi përreth Liqenit të Badovcit. Nuk është se Prishtina mund të krenohet aq me hapësira gjelbëruese.

Përkundër propagandës e reklamave të bujshme, «4M Group» nuk shquhet si studio që ka realizuar ndonjë projekt të madh. Projekti i «40-katëshit» në Prishtinë, ku ka qenë i përzier edhe pronari i «4M Group», praktikisht ka dështuar dhe është modifikuar e shndërruar në një grumbull ndërtesash pa koncept dhe si i tillë nuk harmonizon me hapësirën urbane.

Pronarët e firmave ndërtimore dhe politikanët lokalë në Kosovë shpeshherë përpiqen t’i shesin opinionit projekte të caktuara (jo vetëm arkitektonike) me argumentin se filani «është nga Londra», «nga Zvicra», «nga Gjermania». Lavdërimet e tilla mund të kenë shpesh bazë profesionale, por nganjëherë janë vetëm tullumbace – si ato me «spitali grek», «spitali gjerman», «klinika zvicerane» e kështu me radhë.

Para disa vitesh një arkitekt kosovar me banim në Zvicër me rrahje gjoksi po më tregonte se është angazhuar nga komuna e Prishtinës për të kryer punë të mëdha. Njëherë më ftoi në një panair të ndërtimit dhe arkitekturës në Zürich, ku edhe ashtu e kisha ndërmend të shkoja. Arkitekti tha: «Do të jenë aty edhe nënkryetari i Prishtinës dhe shefi i urbanizmit». Kur shkova në panairin në fjalë, arkitekti ynë i famshëm kishte humbur pa gjurmë. Nuk u lajmërua as në telefon. Projektet e tij të mëdha kanë mbetur sot e atë ditë – fjalë goje.

Larg asaj që edhe shefi i «4M Group» të jetë i tillë, por fakt është që deri më tani nuk është shquar për ndonjë projekt të madh e serioz arkitektonik. Fokusi i tij është enterieri. Dhe kjo është krejt në rregull për të dhe biznesin e tij. Por Liqenin e Badovcit le ta lë të qetë, sepse projekti i tij është i pamenduar dhe e dëmton jo vetëm natyrën. Rezistenca qytetare kundër këtij projekti duhet të vazhdojë. Po ashtu sa edhe kritikat kundër ministrit skandaloz të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Gjithsesi, në këtë betejë duhet të kyçet edhe drejtësia e Kosovës. Nuk jemi më në vitin 2000. /KultPlus.com

Shtatë mijë qytetarë kundër ndërtimeve te liqeni i Badovcit

Ministri Fatmir Matoshi ka thënë që nuk kanë lëshuar asnjë leje për ta realizuar këtë projekt.

Pamja për rreth liqenit të Badovcit pritet të ndryshojë.

Kështu të paktën parashihet përmes një projekti, i cili po mendohet të realizohet nga disa kompani në Kosovë.

Por duket se kjo ide nuk po i pëlqen shumë Mustafë Gashit, i cili kalon çdo ditë pranë këtij liqeni.

Njëjtë si atij, një iniciativë e tillë s’po iu duket e duhur mijëra banorëve të tjerë.

Në një grup në rrjetin social Facebook, më shumë se 7000 qytetarë po kërkojnë që ky projekt të mos realizohet.

Ardian Nrecaj thotë që ata nuk janë kundër projektit, por lokacionit, i cili do t’i sillte dëme liqenit të Badovcit, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.

Ata madje po planifikojnë të ndërmarrin edhe hapa të tjerë, si peticione e protesta.

Ndërkohë ministri në detyrë i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, për T7 po thotë që nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për këtë projekt.

Sipas Matoshit, realizimi i këtij projekti varet për cilën zonë bëhet fjalë.

Ndërsa kryeshefi i ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu, në një përgjigje me shkrim ka thënë se projektet e tilla do ta vështirësonin kualitetin e ujit dhe atë të sigurisë.

Por, krejt ndryshe po thonë nga kompania, e cila parashihet ta realizojë projektin. Madje thonë që ky projekt do të ndikojë pozitivisht. Në këtë reagim thuhet që ky projekt përmbush të gjitha kërkesat e Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit. /albinfo/ KultPlus.com