Largohet mbishkrimi “Lake Trump” te Liqeni i Ujmanit

Serbët e veriut të Kosovës tashmë janë kundër që Liqeni i Ujmanit të pagëzohet me emrin e ish presidentit amerikan, Donald Trump.

Madje edhe mbishkrimi “Lake Trump” që dikush e kishte vendosur në hapësirat e Liqenit të Ujmanit, pas Marrëveshjes së Uashingtonit, është larguar, njofton Klan Kosova.

Ata kanë thënë se duan që emri i gjigantit ujor të mbetet siç e quajnë ata, Gazivodë.

Edhe shqiptarët e zonës pajtohen që liqenit t’i mbetet emri origjinal, Ujman.

Ideja për emërimin “Lake Trump” të këtij liqeni fillimisht kishte ardhur në formë shakaje nga emisari special për dialog, Richard Grenell, në Shtëpinë e Bardhë ku po diskutohej Marrëveshja e Uashingtonit, por që është marrë seriozisht nga kryeministri kosovar Avdullah Hoti i cili e ka pranuar këtë propozim.

Nga Qeveria e Kosovës nuk dhanë përgjigje nëse kjo ide do të shtyhet përpara apo nëse hesapet kanë ndryshuar tani që Joe Biden u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara./ klankosova/ KultPlus.com

E thotë Hoti: Në shenjë respekti për angazhimin e Trump na është kërkuar që Liqeni i Ujmanit të emërohet me emrin e tij

Çështja e diskutuar në lidhje me emërimin e liqenit të Ujmanit  si “Liqeni Trump”, sipas kryeministrit Avdullah Hoti ka një përgjigje.

Ai para gazetarëve ka thënë se si në Shtëpinë  e Bardhë ashtu edhe në takimet në Kosovës nga ambasadori Richard Grenell, iu është kërkuar që në shenjë respekti për kontributin dhe angazhimin e tij në zgjidhje e situatës në mes të Kosovës dhe Serbisë, ky liqen të marrë emrin e presidentit amerikan, raporton IndeksOnline.

“Emri i liqeni ka qenë kërkesë edhe në Shtëpinë e Bardhë edhe në takimet që kemi pasur këtu, që në shenjë respekti për angazhimin e drejtpërdrejtë të presidentin amerikan, që të emërohet si liqeni Trump. Kaq”, tha Hoti. / KultPlus.com

Fotografia: Arben Llapashtica

Hoti mirëpret propozimin e Grenellit që Ujmani të quhet Liqeni Trump

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka mirëpritur propozimin e Grenellit që Ujmani të quhet Liqeni Trump.

“E kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arrijen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”, ka thënë Hoti. “Në shenjë nderimi për rolin e tyre vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen e shtetësisë së Republikës sonë anekënd botës, ne i kemi pagëzuar sheshet më të bukrua të qyteteve tona me emrat e personaliteteve më të shquara të Shteteve të Bashkuara Amerikës, si: Presidenti Klinton, Xhorxh Bush, Senatori Bob Dol, Sekretarja Medlin Olbrajt etj”.

Sipas tij Kosova dhe qytetarët e saj do t’u jenë përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat, siç thoshte Presidenti Rugova, ne kemi miqësi speciale dhe të përhershme.

“Është traditë dhe kulturë jona për ta nderuar mikun! Këtë traditë fisnike të të parëve tanë, ne do ta ruajmë dhe do ta kultivojmë gjithnjë!”, ka shkruar Hoti. / KultPlus.com

Kurti: Ujmani është toka jonë

Liqeni i Ujmanit është një liqen artificial që shtrihet në veriperëndim të Kosovës dhe një pjesë e vogël e liqenit kalon ne territorin e Serbisë. Liqeni i Ujmanit ka një sipërfaqe prej 11.9 km2 (4.6 mi) nga të cilat 9.2 km2 në territorin e Kosovës dhe 2.7 km2 (1.0 mi) në territorin e Serbisë. Liqeni është formuar nga rrëzimi i lumit Ibër, i cili rrjedh në liqen.

Liqeni i Ujmanit është bërë shpesh temë diskutimi se kuj i takon, përkundër që në secilën formë dihet që Liqeni i Ujmanit i takon Kosovës.

Për këtë pasuri natyrore të Kosovës, sot ka reaguar edhe Albin Kurti, i cili ka shkruar se Ujmani është tokë e Kosovës në territor të Serbisë. Por, edhe atje ai është i Kosovës.

Sipas Kurtit, Ujmani s’ka kontest, as nuk ka për çfarë të përdoret nga Serbia, as si e drejtë dhe as si aset, sepse nuk i ka takuar kurrë asaj dhe as nuk është ndërtuar për pjesë apo zona të saj.

Ujmani pra nuk i takon Serbisë e madje as nuk i duhet Republikës së Serbisë. Ujmanin duket që e kanë veçse për ‘Zajednicë’, si ujë për ‘Zajednicë’.  Ujmani është tokë, ujë dhe energji e Kosovës, nga Kosova, për Kosovën.

KultPlus ju sjellë reagimin e plotë të Kurtit:

“Ujmani nuk është pasuri natyrore por liqe artificial. Ujmani është pasuri, sepse është pasuri e Kosovës; jo pasuri natyrore, sepse i ndërtuar nga dora e njeriut. Ujmani nuk është ujë, Ujmani është tokë, sepse njëherë është tokë e pastaj ujë. Ujmani është tokë e mbushur me ujë.

Sipërfaqja e plotë mbi cilën është ndërtuar Ujmani është pronë e Kosovës. Kadastri, pra pronësia, shtrihet më tej se kufiri shtetëror i Republikës së Kosovës me Serbinë. Andaj Ujmani edhe në territorin e Serbisë është i Kosovës. Ujmani është tokë e Kosovës në territor të Serbisë. Por, edhe atje ai është i Kosovës.

Planifikimi, projektimi dhe ndërtimi janë bërë me shpallje të interesit të Kosovës, me mjete të Kosovës, i destinuar për Kosovën, në kohën kur Kosova ishte krahinë socialiste autonome e federatës.

Ujmani nuk është liqe natyror. Aty para ujit ka pasur toka, të cilat i ka shpronësuar Kosova, sipas ligjeve në fuqi dhe ka paguar shtrenjtë për to.

Nuk ka pasur kontest me dikur republikat (sot shtete), pasi u shpërbë federata.

Ujmani nuk është ndërtuar në bashkëpunim me Republikën tjetër (sot Serbia), as nuk ka pasur për destinim përdorimin e ujërave të grumbulluara në të nga të dy etnitet asokohe brenda federatës (sot shtete të pavarura), por vetëm dhe vetëm të Kosovës. Këtë e vërteton çdo dokument zyrtar, por edhe projektimi i këtij kompleksi ujor-energjetik.

Fakti që nga pikëpamja e kufirit shtetëror ka pjesë të liqenit artificial të Ujmanit, pra tokave, në territorin e Serbisë, nuk thotë asgjë për pronësinë e tokës mbi të cilën sot ka ujë – ajo është aset i ndërmarrjes publike me qeverinë si 100% aksionare në emër të Republikës sonë. Ujmani është çështje prone, jo kufiri.

Ujmani nuk është rasti i liqenit natyror të Shkodrës, ku vet liqeni është ndarë midis shteteve, apo i liqenit tektonik të Ohrit. Por as nuk është rasti i marrëveshjes ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujërave dhe më pas blerjen e tokës si te liqeni i Vërmicës në rastin e Shqipërisë me atëbotë Jugosllavinë.

Nuk ka pasur dhe as nuk ka për Ujmanin asnjë kontest të natyrës ndërkombëtare apo që lidhet në ndonjë formë me të drejtën ndërkombëtare të ujërave. Sepse askush nuk ka kontest për rrjedhën e lumit i cili e mbush një pjesë të liqenit tonë artificial.

Koha kur Serbia mund të nxirrte pretendime për këtë kompleks siç është Ujmani ka qenë para më shumë se 40 vjetëve, kur shpallej interesi i Kosovës për projektim dhe shpronësime për këtë qëllim në nivel të federatës. Nuk mund të simulohet kontesti i pabërë 40 vite më parë sot më 2020. Sepse nuk ekziston më asnjë e drejtë. Gjithçka është ratifikuar në nivel federate në atë kohë dhe çështja është e mbyllur.

Kushdo që po flet për Ujmanin si “ujëra që duhen ndarë” përveç që po ia ndihmon Serbisë të krijojë nga hiçi një kontest të pronësive të Kosovës, njëkohësisht edhe po e shtron rrugën që të zgjidhet keq çështja e demarkimit të kufirit kurdo që ajo ndodh.

Ujmani s’ka kontest, as nuk ka për çfarë të përdoret nga Serbia, as si e drejtë dhe as si aset, sepse nuk i ka takuar kurrë asaj dhe as nuk është ndërtuar për pjesë apo zona të saj.

Ujmani pra nuk i takon Serbisë e madje as nuk i duhet Republikës së Serbisë. Ujmanin duket që e kanë veçse për ‘Zajednicë’, si ujë për ‘Zajednicë’.

Ujmani është tokë, ujë dhe energji e Kosovës, nga Kosova, për Kosovën. / KultPlus.com

Pasi u vendos flamuri i Kosovës tek Liqeni i Ujmanit, një grup serbësh vendosin flamurin serb

Një grup serbësh nga veriu i Kosovës kanë vendosur një flamur serb në digë afër liqenit të Ujmanit, si kundërpërgjigje ndaj atyre që vendosën flamurin e Kosovës.

Sot në liqenin e Ujmanit është vendosur flamuri i Kosovës, ndërsa reagimi i serbëve ishte i menjëhershëm.

Ata vendosën flamurin serb në digën e liqenit të Ujmanit.

Flamuri i Kosovës u ngrit për të dërguar mesazh se Ujmani dhe Trepça i përkasin territorit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. / insajderi/ KultPlus.com

Flamuri i Republikës së Kosovës vendoset te Liqeni i Ujmanit

Lëvizja “Politike” ka bërë sot vendosjen e flamurit të Republikës së Kosovës te Liqeni i Ujmanit, shkruan KultPlus.

Ky aktivitetet simbolik kishte për qëllim të tregoj qartë se Ujmani dhe Trepça i përkasin territorit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Bekim Ibishi, përmes një statusi në Facebook ka njoftuar për këtë aktivitet, teksa është shprehur se asnjë shtet apo entitet s’mund të ketë pretendime mbi Liqenin e Ujmanit dhe Trepçën.

“Ne përmes këtij aktiviteti simbolik i informojmë përfaqësuesit tanë me legjitimiteti të diskutueshëm, të cilët po marrin pjesë në Dialogun që po zhvillohet në ShBA se çka jep Republika e Kosovës, Serbisë? Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, Serbisë në vend të hakmarrjes dhe territorit të shumë kërkuar, ne i japim vetëm fqinjësi të mirë dhe asgjë me tepër”, ka shkruar Ibishi. / KultPlus.com