Do te kete dite kur mendon se jeta nuk ka kurrfare kuptimi. Do te duhet te punosh fort per t’ia dale ne nji shoqni e cila sa ma shume zhvillohet aq me shume i mpaket landa brenda saj.
E pra shoqnia perbahet nga qenie humane e cila ne tanesi ka shpirt, ka ndergjegje, ka empati dhe solidarizim. Por keto elemente qe perbajne landen, do te zhduken ne perditshmerine masive prej se ciles , secili prej nesh merr vetem tepricat e panevojshme.
Do te kete nete pa gjume, shume nete pagjume te mbushuna me ankth , me frike, me vuajtje. Se e panjohuna asht aty, e ngulitun ne asgjane plot terr qe mbush dhomen, qenien tone, jeten tone. Po ashtu do kete sfida te cilat ke me i humb, po dhe ke me u shkaterru e ke me kja deri sa te pyesh veten me deshperim, sa uje ka njeriu brenda vetes, nji liqen? Nji det? A nji oqean?
Nga ana tjeter ke me kuptu qe pikellimi ka efektin e jashtezakonshem te pastrimit te vetvetes dhe ridimensionimit drejt te qenit i forte, se paku ma i forte se dje.
Tana dyert qe do te mbyllen do te jene nji dritare ma shume e hapun ne mendjen tande, e krejt fjalet perbuzese do te jene nji dhome e hapun ne shpirtin tand.
Nuk ka deshperim aspak. Dil ne rruge e mundohu te veshtrosh paksa mbrenda syve te kalimtareve. Ato nuk mundem me e fsheh ate cka gezofi i trashe i palltos fsheh, apo fjalet e daluna me kujdes. Keshtu pra edhe ne netet me shi e furtune, edhe ne ditet kur diellin nuk e sheh, ka diku thelle ne qosh te universit nji pike prej se ciles formesohet rrugedalja, shpresa e vullneti per me ece perpara. Ke me ia dale e me i thane vedit, si asht e mundun?
Po asht e mundun, ka me qene gjithmone e mundun , mjaft qe drita e vockel e dashunise brenda shpirtit tand me mbete gjithmone ndezun, ne te mire a ne te keq. Ke me ia dale e ke me çudite sa i forte je! Njatehere ke me i kuptu keto fjale te cilat jane gdhend e farketu ne dite sprovash. Ne ato dite te cilat nuk don me i jetu, po perpos kesaj duhet me i jetu . Pa keto dite as fundi i jone s’ka me pase kuptim./ KultPlus.com
Mbi kreshtat e botës gjenden majat e zbardhura, të pashkelura dhe mbi syprina të rrëshqitshme, hapat nuk ndjekin askënd. Dita fillon e mbaron, por mendimi zgjatet e çdo zgjatim i tepërt, është kthim te vetja. Hidhu mbi iluzione, e në mos gjetsh asnjë imazh për të qënë, krijoje! Braktisi të gjithë e në të gjithë shpreso! Ik, kthehu dhe sërish ik, sikur nuk do të kthehesh më kurrë! Por kokën Gjergj, mbaje pas dhe ndiq kurbat e jetës me shpirt në dorë, e sytë hapur… Se, jeta është lisharëse, njëherë të ledhaton ajri e më pas dheu. Por, ti mos ki frikë babush, Jeto! Dorëzohu mbi epshe e falju vetmisë, Se, fundja instikti edhe pse i pavullnetshëm, fijet i ka në zemër. Shpreso edhe në puthadorë të mjerë, mos refuzo askënd! Se, askush nuk është tërësisht i keq e as tërësisht i mirë. Noto mbi ajkën e bardhë e ngjitu aq lart, sa bota të zhduket pas teje. E në çast kur ke prekur errësirën, hidhu mbi të me shpresë, se në rënie do të puthësh fytyrat e njëjta, që puthe në ngjitje. Se, do të prekësh të njëjtat duar, do të shohësh të njëjtat bebëza sysh, E të ndjesh, se askush s’të nënçmon që po bie… Se, je po ai që ngjiteshe më parë. Thjesht kurba të ka ndryshuar!
Çmimi ” Poezia më e bukur” i jepet Liridon Mulaj me poezinë “Gjergjit” Me motivacion: Për ndjeshmërinë dhe nuancat estetike që u përçuan plot emocion dhe përjetim në veprimtarinë ” Netët Korçare të Poezisë”. / KultPlus.com
Ti vogëlush nuk i njeh rranjët e tua, me fasada baroku je rrit e ndër streha të bardha të Europës, belbëzove tingujt e parë të panjohun për ne. Nuk të vranë zingjirët e kolonizimit , e as rrethprerjet e detyrueme , tradicionale , me gjase rite krejt idiote. Kurbat e statistikave, nuk ta zbehen lumtuninë, e mbi ne gjithmonë Zoti pati nji emen. As lindjen e mesme nuk e dijte, globit i re vizë aty ku lapsi yt i zi, si gjaku i yne , ndaloi. Në Algjeri, Marok, Shqipni, Berlin apo Athinë. kudo ku besohet jeta post vdekjes. E prapë në gjuhën e parë mu gjegje: ” Merci” kur ti putha duart. Terrorit nuk i dhamë emen as kombësi, se njeriu qe vret njeriun asht vetja kundër vetes, i kredhun në pasqyrën e së shkuemes. “Allahu Akbar” “Santa Maria” “Jesus Christo” “Nel nome del padre , del figlio, e dello spirito santo” E ne njisoj kjajmë, e po njisoj vrasim në ajrin e trandun , në tokën e mysët e nën të njëjtin qiell, përsërisim vetveten: “Allahu Akber versus Dio” Ne , të zhbamunit e Babelit, me gjuhen, ndërruem dhe shpirtin… / KultPlus.com
dhe pas lamë fushat e grurit kodra e brezore ujitur me gjak. Muralet dhe të zymtat portrete të diktatorit stërzmadhuar ballinave me tulla të bardha Dhe nënat syshqyera, varur kangjellave të zeza më të errëta se nata, më të mprehta se klithmat. “Siamo liberi” puthem me dorë ekranët e botës, ende mbi anijet e ankoruara| ku ngarkuar dyndeshin ëndërrat e një etiketimi fillestar “popull nomad” dhe s’dihej në qanim apo qeshnim dhe s’dinim në ishim të lumtur apo të trembur ndaj mbulonim fytyrat me duar dhe portretet i maskonim me shkrehje ne lot. Kthenim kokën pas, dhe shihnim shputën e atdheut , dhe gishtin drejtuar kërcënueshem drejt “halabakëve” mbi kuverta ndërkohë njëzëri këndohej marsejeza, apo “Liberta” dhe na ngjante sikur zëri ynë mbivendosej mbi kujën e atdheut që vajtonte ikjen tonë. Ndaj ne ikëm, ikëm, ikëm të trembur nga shëmbëlltyra e jonë, nga vetja…. / KultPlus.com
Babait, “krifa” e bardhë derdhur supeve po i rrallohet. Dhe nuancat e verdha të nikotinës, për çudi po ia mveshin të tërën Tashmë thotë po bëhem biond, siç nuk kam qënë kurrë, as në ëndrra. Dhe pa përfunduar fjalën e pyes: A ke pasur ëndrra? Nuk qesh babai, shtrëngon grushtet kruspullohet si gjarpër shtëpie e nëpër dhëmbë, shpall se Po! -Kam ëndërruar, ndryshe do të isha i vdekur! E teksa më vështron me sytë e ujëzuar , nis e qesh duke më thënë serish se po, tani duhet të qeshim. (Ka një kohë për të qeshur dhe një kohë për të qarë) Dhembët e vënë me material industrial e bezdisin, duhani ia shkatërron frymëmarrjen, por ai e puth cigaren e dredhur siç puthet e dashura e jetës. (Se di, mamaja apo në mos ndonjë tjetër!) Ja dhe një tjetër dashuri që vret, siç vritet hapi ynë drejt amshimit, që ngjason me theqafjet e fëmijës në tentativë për të ecur. Ai nuk e kupton se momenti i qëndrimit drejt është çasti kur ia ka prerë vetes biletën për në humnerë…
Jashtë është mot i vrenjtur qielli ngjan si i zgërlaqur plot me re të shpërndara Një fëmijë në oborr, ha një misër të pjekur dhe herë pas here fshin qurret me mëngë. Babai nuk qesh, bashkë me flokët, i janë rralluar dhe shokët. Ndërsa unë ,këtë çast pa asnjë motiv e kthej në poezi , për të mos ia plasur vajit… / KultPlus.com
I lindur në Fushë-Arrëz, poeti dhe shkrimtari i njohur, Liridon Mulaj gjithnjë e më tepër po i vendos rrënjët e tij të thella mu në pykën e letërsisë shqipe. Shumë dashamirë të librit janë të njohur me krijimtarinë e Mulajt në poezi e prozë, dhe si në secilën herë, ai është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit e kritikët. Është autor i tre veprave të mrekullueshme si: “I pakuptuari”, “Kërkohet një vrasës” dhe “Mos harro të më kujtosh”. Tanimë, vepra e tij e katërt sapo ka dalë në dritë. Bëhet fjalë për romanin e tij më të fundit që vjen nën titullin “Provinca”, shkruan KultPlus.
“Dhe u bë qetësi ngado, një qetësi që i përngjet ngjitjes në mal, me heshtje të pezullt dhe maja tē thepisura vargmalesh që shfaqen mbi tisin pa ngjyrë të ajkës së mjegullës. Pastaj ti e gjen veten në majën më të lartë. Nën vete ke shtresat e bardha të atmosferës dhe pikla që çukisin nga poshtë si sqepa qeniesh nënujore, e shndërrohen në rrathë që hapërdahen. Ti nuk don të kthehesh më prapa, dëgjon ca si tinguj të vagullt. I thua vetes, mamaja ka vdekur. Bashkë me të, dhe ajo copëz e jetës sime që më lidhte me provincën, e shkëputur tashmë përgjithmonë. Më pas, tingujt në formë jehonash qërohen dhe ti dëgjon zërin e fqinjës që të ngushëllon për mamanë dhe shpall me zërin e saj të çjerrë fundin e dinastisë sonë. Ajo qan dhe flet për kujtimet tona, a thua se ka qenë aty tërë jetën tonë. Ajo është vajtoca e dramës sonë që mallkon padrejtësinë e jetës dhe përsërit me logore: “Jo, nuk është e drejtë!”. Po çfarë ka qenë ndonjëherë e drejtë në jetën tonë, e pyes unë. Ajo vë re përhumbjen time dhe pushon së qari. Një formë ngërdheshjeje qesharake i është stampuar në fytyrë. Unë përsëris se e tërë jeta jonë ka qenë një padrejtësi, madje krejt ekzistenca e provincës është një mallkim në të cilin thyejnë qafën ëndrrat e fëmijëve.”
Është vetëm një pjesë e shkëputur nga romani “Provinca” të cilën autori e ka publikuar në rrjetet sociale. Me këtë, ai ka thumbuar kureshtjen e shumë letrarëve. Duke filluar nga titulli, përshkrimi origjinal e tejet unik i natyrës dhe fuqia e gjuhës, autori na fut brenda jetesës në provincë, aty ku padrejtësitë e panumërta gjejnë vendin e tyre në qoshet e shpirtrave të çdo fëmije.
Në një intervistë për KultPlus, shkrimtari Mulaj ka rrëfyer detaje që nisin nga ideja për romanin “Provinca”, ka ndarë me ne preokupimet si krijues, sfidat në përditshmëri, qëndrimet e tij letrare, procesin e të krijuarit dhe anët e “errëta” të tij. Njashtu, nuk ka munguar as edhe bisedimi rreth rëndësisë së gjuhës, prurjeve të reja letrare, suksesit të tij që sa vjen e shtohet, e deri tek projektet e radhës. Pra, në çdo shkronjë dallohet një dashuri e dëlirë për letërsinë shqipe e jo vetëm.
Kur kemi të bëjmë me autorë të tillë, një intervistë e tillë mund të ju dhurojë një hap drejt veprës së një shkrimtari që nuk e keni përjetuar ende, apo thjesht, do të ua shtojë përkushtimin e juaj ndaj krijimtarisë së tij.
KultPlus: “Provinca” është libri juaj i katërt me radhë. Na tregoni se si erdhi ideja për ta krijuar dhe sa kohë mori deri në botim?
Liridon Mulaj: Vizitat e rralla në qytezën time të lindjes në këto 20 vitet e fundit, më krijonin gjithmonë një lloj pështjellimi dhe konfuzioni në lidhje me ndryshimet e pakta sociale, ekonomike dhe historike, ndryshime të cilat si efekt kishin lëvizjet e mëdha demografike.
Popullsia zhvendosej drejt qyteteve të mëdha dhe zëvendësohej me të tjerë banorë nga fshatrat përreth duke u kthyer kështu në një hinkë që rridhte thuajse gjithmonë. Në kaq vite sa herë kthehesha atje, ngjante sikur gjithçka ishte e palëvizshme, e ngrirë në një maskë që i jepte qytezës një pamje hibride deri diku të frikshme. Pra, shtohej degradimi e njëkohësisht dhe qasja dekadente ndaj të ardhurve, një efekt zinxhir që e ndjek njeriun e provincës kudo.
Provincat shqiptare në 30 vite emigracion kanë parë zhbërjen e tyre në kuptim të plotë të fjalës, kështu dhe unë vendosa të ndërtoj historinë e një djaloshi i cili e urren provincën ku ka lindur, për arsyet të cilat i përmenda më lart, varfëria, urrejtja, lufta për mbijetesë që pasojnë përbuzjen, represionin dhe përjashtimin e të dobëtit nga mjedisi ku mbijeton më i forti. Dhe jo i forti në kuptimin triumfalist të fjalës, por më i forti që në provincë nënkupton më maskarain, më të poshtrin dhe më të ligun. “Vilmonti” është personazhi kryesor, djaloshi me probleme të thella të shëndetit mendor, shkaktuar nga mjedisi shoqëror që e rrethon.
KultPlus: Titulli është gjithmonë pjesa më e bukur dhe shpeshherë edhe më e vështirë në procesin e krijimit. Pse pikërisht “Provinca”?
Liridon Mulaj: Romani është i ndërtuar në formën e një rrëfimi ku në qendër është Provinca, rrëfim i cili ndërpritet nga disa tregime në formën e intermexos ku po ashtu gjendet një personazh që vjen nga provinca por që mund të jetë episodik ose kryesor, varet nga trajtesa. Provinca si psikozë, si kompleks apo dhe qëndrim, pra ‘Provinca’ si identitet.
KultPlus: Në lajmërimin për botimin e librit ju keni ndarë një pjesë, ku mësohet për vdekjen e nënës dhe padrejtësitë e jetës. Na tregoni saktësisht mesazhin që e ngërthen në vete ky roman?
Liridon Mulaj: Një vepër letrare ndërtohet si dëshmi e një realiteti pa rënë në mediokritetin e moralizimeve. Këtë bën dhe ‘Provinca’. Tenton të rrëfejë një periudhë të historisë sonë kolektive e cila për hir të së vërtetës nuk është e denjë por që është e jona dhe duke qenë e tillë meriton të rrëfehet si e tillë.
KultPlus: Çdo krijues përballet me sfida që bëhen pjesë e përditshme e jetës. Po për ju, cilat janë sfidat më të mëdha që i hasni si shkrimtar?
Liridon Mulaj: Sfida ime e vetme është të jem në lartësinë e duhur për të merituar leximin dhe marrjen në konsideratë nga lexuesi të asaj çfarë shkruaj. Dua të jem shkrimtar që lexohet dhe kërkohet. Kjo është sfida ime dhe besoj e çdo shkrimtari.
KultPlus: Keni deklaruar se letërsia juaj ndikohet nga ngjarjet dhe karakteret, e jo nga leximet. Me çfarë ndikimi jeni duke u përballur për momentin?
Liridon Mulaj: Për momentin po mendoj të shkruaj një roman ku në qendër ka një histori dashurie. Ngjan e çuditshme paska si sipërmarrje por besoj se duhet bërë. Pa rënë në patetizma, mendoj se romanet e tilla do të kenë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën e lexuesve. Duhet thyer me çdo kusht miti i trendëve në letërsi, të cilat e trajtojnë letërsinë si fushatë mode apo fushatë marketingu. Letërsia e mirë pavarësisht subjektit dhe stilit është gjithmonë në modë.
KultPlus: Procesi i të shkruarit është njëkohësisht sa i veçantë aq edhe i lodhshëm. Çfarë ndjeni ju personalisht në ato momente?
Liridon Mulaj: Ndjej frikë, shumë frikë. Përgjegjësi, dhe thuajse gjithmonë një ndjenjë kotësie për atë që shkruaj. Dhe në fund më vjen shumë turp. Ky fenomen njihet dhe si “terrori i fletës së bardhë”. Mandej e mbledh veten dhe ia nis e shkruaj sërish duke menduar se do të jetë koha ajo që do të vlerësojë ose jo ato që shkruaj.
KultPlus: Gjuha është fuqi. Sa është e rëndësishme që të shprehurit e juaj të ketë ndikim tek lexuesi?
Liridon Mulaj: Gjuha është instrumenti me të cilin konkretizojmë pikëvështrimet tona si shkrimtar. Kadareja ka një teori për këtë ku thotë se kemi kaq shumë ngjarje dhe ndodhi dhe kemi vetëm 36 shkronja për ti shprehur ato. Gjuha është thelbësore në një vepër letrare.
KultPlus: Si i vlerësoni ju prurjet e reja letrare që botohen vazhdimisht nëpër librari dhe sa kanë rëndësi ato tek lexuesi i sotëm?
Liridon Mulaj: Në Shqipëri dhe Kosovë po krijohet një brez i talentuar shkrimtarësh. Secili shkruan në stilin e tij dhe ka qasjen e tij të veçantë. Shkrimtarët e rinj sot po shkruajnë surrealizëm, romane historike, realizëm magjik, pra kanë rrokur lloje të shumta zhanresh për tu prezantuar. Por përtej zhanreve, po shkruhet mirë, dhe kjo ka më së shumti rëndësi. Kjo i bën mirë së tashmes dhe sigurisht së ardhmes së letërsisë shqipe.
KultPlus: Si duket nga ana juaj, suksesi i juaj letrar dhe sa përmbushës është ai për ju?
Liridon Mulaj: Nëse quhet sukses të arrish të shesësh një tirazh brenda dy viteve, të të jepet mundësia në mediat kryesore të flasësh për letërsinë, të shkosh anekënd Shqipërisë të prezantosh letërsinë tënde, të përkthehesh në disa gjuhë brenda pak viteve dhe të besohen misione për përçimin e letërsisë tek të rinjtë, atëherë po unë jam shkrimtar i suksesshëm.
Kjo nuk do të thotë se kam rënë në vetëkënaqësi, përkundrazi, ndjenja e kotësisë është gjithmonë aty. Gjithsesi në mjedisin tonë letrar plot mëri dhe inate, etalonët e suksesit janë individuale ku secili është një gjeni i radhës. Të shohim. E thashë dhe më lart, koha është gjykatësja më e rreptë.
KultPlus: Për fund, a jeni duke punuar në ndonjë libër të radhës?
Liridon Mulaj: Kam në plan ribotimin, thuajse rishkrimin e romanit tim të parë “Kërkohet një vrasës” i botuar 5 vite më parë dhe një vëllim me poezi. Nuk dua ta lë pas dore poezinë. Ka qenë porta ime hyrëse në letërsi.
Kujtojmë se me datë 31 tetor, duke filluar nga ora 17:00, në Sallën Unesco të Muzeut Kombëtar, do të promovohet romani “Provinca” i shkrimtarit Liridon Mulaj. / KultPlus.com
Së shpejti do të publikohet romani “Provinca” nga Liridon Mulaj, përcjell KultPlus.
“Dhe u bë qetësi ngado, një qetësi që i përngjet ngjitjes në mal, me heshtje të pezullt dhe maja tē thepisura vargmalesh që shfaqen mbi tisin pa ngjyrë të ajkës së mjegullës. Pastaj ti e gjen veten në majën më të lartë. Nën vete ke shtresat e bardha të atmosferës dhe pikla që çukisin nga poshtë si sqepa qeniesh nënujore, e shndërrohen në rrathë që hapërdahen. Ti nuk don të kthehesh më prapa, dëgjon ca si tinguj të vagullt. I thua vetes, mamaja ka vdekur. Bashkë me të, dhe ajo copëz e jetës sime që më lidhte me provincën, e shkëputur tashmë përgjithmonë. Më pas, tingujt në formë jehonash qërohen dhe ti dëgjon zërin e fqinjës që të ngushëllon për mamanë dhe shpall me zërin e saj të çjerrë fundin e dinastisë sonë. Ajo qan dhe flet për kujtimet tona, a thua se ka qenë aty tërë jetën tonë. Ajo është vajtoca e dramës sonë që mallkon padrejtësinë e jetës dhe përsërit me logore: “Jo, nuk është e drejtë!”. Po çfarë ka qenë ndonjëherë e drejtë në jetën tonë, e pyes unë. Ajo vë re përhumbjen time dhe pushon së qari. Një formë ngërdheshjeje qesharake i është stampuar në fytyrë. Unë përsëris se e tërë jeta jonë ka qenë një padrejtësi, madje krejt ekzistenca e provincës është një mallkim në të cilin thyejnë qafën ëndrrat e fëmijëve,,
Më poshtë gjeni disa shënime për romanin:
Ky roman të bën të mendosh se edhe ti e ke një histori të ngjashme, por pse nuk e ke shkruar deri më tani, apo nëse do të mund ta shkruash ndonjëherë? Ndërsa provinca nuk është kurrë diçka e re, veçanërisht qyetezat industriale pa asnjë lloj identiteti të periudhës post-komuniste. Vula që ajo lë tek gjithësecili prej nesh, është gjithmonë diçka origjinale, çka zbërthehet me mprehtësi dhe nga një pikëvështrim krejt i veçantë në këtë roman, përmes një autoportreti psiko-analitik, ku preken me guxim edhe indet më të fshehta të natyrës njerëzore.
Provinca si dramë, kurth, fatalitet apo alibi e mëvonshme, vjen përmes një rrëfimi të ashpër, të vërtetë, pa asnjë lloj konservanti, dhe si i tillë, bindës. – Luljeta Lleshanaku
Një marrëdhënie Edipi e përmbysur, ku ka nje vërtetësi të frikshme përshkrimi të realitetit. Thyerja e tabuve dhe rrëfimi i seksit të çojnë në erotizem, por njëkohësisht të ngjallin krupën. Trishtimi, dekadenca, neveria e një zhvillimi të degjeneruar janë sëmundje ngjitëse në këtë provincë. Libër i rëndësishëm , një rikthim në ekzistencializëm. – Enkel Demi (Tom Kuka)
Provinca vjen si një rrëfim i mëvetshëm, me peshën e vragave që bart njeriu, çdonjeri prej nesh, pavarësisht copës së qiellit mbi krye. Sepse, tregon pa drojë gjurmët që na bëjnë të dallueshëm – veçmas në brenga e bashkë në përpjekjen për të marrë frymë me gjithë kraharorin.
Qoshku i botës ku kemi lindur na ka angushtuar secilin; Liridon Mulaj guxon t’i kthehet harresës si kujtesa që na bën çfarë jemi… – Suela Mino (Bala)
“Falenderime të përzemërta për botuesit e mi Enxhi Hudhri dhe Bujar Hudhri të cilët u kujdesen për çdo detaj të veprës.
Për redaktoren e romanit dhe miken time Suela Mino ( Bala) si dhe për autorin e kopertinës së mrekullueshme, mikun tim Bes Cani.
Ps. Shumë shpejt do të shihemi në promovim!”, ka shkruar autori Mulaj në rrjetet sociale.
Romani “Provinca” publikohet nga Botime Onufri. / KultPlus.com
Ti vogëlush nuk i njeh rranjët e tua, me fasada baroku je rrit e ndër streha të bardha të Europës, belbëzove tingujt e parë të panjohun për ne. Nuk të vranë zingjirët e kolonizimit , e as rrethprerjet e detyrueme , tradicionale , me gjase rite krejt idiote. Kurbat e statistikave, nuk ta zbehen lumtuninë, e mbi ne gjithmonë Zoti pati nji emen. As lindjen e mesme nuk e dijte, globit i re vizë aty ku lapsi yt i zi, si gjaku i yne , ndaloi. Në Algjeri, Marok, Shqipni, Berlin apo Athinë. kudo ku besohet jeta post vdekjes. E prapë në gjuhën e parë mu gjegje: ” Merci” kur ti putha duart. Terrorit nuk i dhamë emen as kombësi, se njeriu qe vret njeriun asht vetja kundër vetes, i kredhun në pasqyrën e së shkuemes. “Allahu Akbar” “Santa Maria” “Jesus Christo” “Nel nome del padre , del figlio, e dello spirito santo” E ne njisoj kjajmë, e po njisoj vrasim në ajrin e trandun , në tokën e mysët e nën të njëjtin qiell, përsërisim vetveten: “Allahu Akber versus Dio” Ne , të zhbamunit e Babelit, me gjuhen, ndërruem dhe shpirtin… / KultPlus.com
Âsht e rândë me kânë malsuer! Gjâmën e kângën i kie varun mbi qerpik tân’ jetën, po loti nuk t’falet.
M’beso! S’âsht kollaj me kânë malsuer! Kie me shkue krushk, edhe në paç mort’. Kie me i ra çiftelisë, edhe në paç gjâmë Kie me qit pushkë, edhe pa gjaksor.
Se malsueri, lahutën e pushkën, i var në t’njajtën gozhdë. E rândë, fort e rândë, me kânë malsuer…/ KultPlus.com
Me le t’i flas sonte, veç dy fjale, ndoshta i huazoj prej poetëve të mëdhenj a prej psalmeve biblike , ma të bukurat kangë. Prej atyne qi iu kapërthyen shpirtit prej lindjes deri në dekë, tuj mos ba kompromis me çastet e rëndomta të jetës, me peshën e saj mbytëse e kryqin e randë që kalb shpinat e kërrusuna të njerëzimit. Veç dy fjalë, punë sekondash aq sa zgjat mishi i puthitun ne mish, analogji e randomtë e puthjes, Aq sa zgjat pendesa jonë ndaj mëkatit e Zotit. ( Zoti asht i joni edhe pse ne s’ditëm me kenë të tijtë) Du me i thanë veç dy fjalë për atë çka iku e ma s’vjen, njëjtë si vegimet e nadjes që përziehen me andrrat ma të bukura, e na përshfaqen në thik të pragut të ditës, njatëherë kur duhet me u çu e lumtuninë me e kërkue në zgjandrra ( zor boll e di , paj njeriu rron për nji lumtuni krejt të vogël) Dy fjalë për ne që bashkuam shpinoret e u shtyem me vrik drejt kaheve të kundërta, Keshtu e ndertuem veten, njani – tjetrin botën tonë e kështu e shuajtëm gacën e parë të zjarrit që kurrë s’mori hov. Me këtë stof të murrmë e veshëm substancen e bërthamës sonë tuj dashtë, pa dashje e krejt pa dashje, tuj urrye Dhe lejuem friken, pezmin, dhimbjet, ngerdheshjet ta ndërtojnë kështjellën mbrenda nesh. Mure e mure të nalta që, s’na lanë as nji rreze dielli me depertue në anë, por veç syprina terri të ftohtë mbulue me heshtje. Nëse s’ia kam dalë me fol, e kam heshtë si gur Tash për krejt këtë pikëllim, Deshta me i thanë veç dy fjalë, n’se dikush ia mbrrin me e njoft vajin tem. Asht kanga jeme tashma, amaneti jem…
–Poezi e shkruar nga Liridon Mulaj, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com
Mbrëmë, në natën e dytë të gjysmëfinales në skenën e Eurovision-it, performoi edhe Anxhela Peristeri, e cila në këtë edicion përfaqëson Shqipërinë, shkruan KultPlus.
Peristeri me këngën e saj ”Karma” ka ngjallur emocione të mëdha tek publiku, duke u bërë ndër këngëtaret më të përfolura të Eurovisionit.
Pas performancës, Anxhela arriti që nga votat e publikut dhe jurisë profesionale, të sigurojë finalen.
Përkundër asaj që dukja e Anxheles u pëlqye nga shumëkush, shkrimtari nga Shqipëria, Liridon Mulaj ka kritika për këtë pjesë.
Sipas tij, veshja ishte copy-paste nga divat botërore, nuk kishte origjinalitet dhe traditë që përfaqësonte Shqipërinë.
“Nuk do shume mend e as kalem me kuptue se veshjet e perfaqesuesve ne Eurovision jane te marra copy paste nga JLo, Beyonce apo ndonje dive tjeter boterore. Autenticitet zero! Origjinalitet tradite zero! Me ka mbete ora te Rona Nishliu dhe Suus-i i saj i mrekullueshem. Zor se mund ta kapercejme ate preformance ne shume vite te ardhshme”, ka shkruar Mulaj në faqen e tij në Facebook. / KultPlus.com
Të takosh Kadarenë është një ndjesi e çuditshme. Them e çuditshme, për të mos e kanalizuar vetëm në e fortë apo e bukur, e në fakt, përtej së bukurës, është emocion i fortë, në të cilin mbeten të gjitha nënndjesitë e tjera. Imagjino një argjentinas që ka takuar Sabaton, ose Borgesin, apo një i ri spanjoll që takon Javier Mariasin.
Dikush do të mendojë se çfarë fati, por parë nga një tjetër këndvështrim, dikush atje në Spanjë ose Argjentinë mund të mendojë se çfarë fati është të takosh Kadarenë, diku larg në Shqipëri.
Pra, hiperbolizimi në këtë rast është realitet, për faktin se nga Madridi në Buenos Aires dhe më pas në Tiranë, ekziston një lidhje e pazgjidhshme, madhështia e letërsisë. Dhe ta prekësh këtë madhështi e më pas të përballesh me të, është një eksperiencë e rrallë.
Ditën kur unë takova Kadarenë për herë të parë, fjalia me të cilën më erdhi në mendje të prezantohesha ishte: “Mjeshtër, unë ju njoh më mirë se ç’njihni ju veten”. Dhe kjo ishte befasia që më dha mundësinë të ulesha pranë tij dhe më pas të bisedoja për rreth dy orë me të. Mbase nga emocionet (sigurisht që emocionet), ose hutimi, unë harrova ta regjistroja atë bisedë (sigurisht me lejen e Kadaresë), siç e kisha planifikuar.
Por pse zgjodha t’i prezantohem në atë mënyrë një shkrimtari si Kadareja, paksa arrogant dhe i vështirë si karakter, cilësi këto të ndërtuara mbi marrëdhënien disavjeçare shkrimtar-lexues, kryesisht në vendin e tij.
Zgjodha këtë prezantim, për shkak se e kam lexuar Kadarenë në mënyrë studimore, duke u rrekur përherë të isha më së shumti një zbulues i qenies së tij dhe më pas i veprës së tij. Afeksioni im për shkrimtarët dhe jetën e tyre jashtë letërsisë lidhet domosdoshmërisht me admirimin për këtë të fundit, por me Kadarenë ndodh ndryshe.
Një shkrimtar i ri, krahas stilit të shkrimtarëve të mëdhenj, që shpesh dhe pothuajse gjithmonë kërkon t’ua përvetësojë, e intrigon, ose le të themi, e ndjell, dhe jeta e tyre personale, së paku me mua ndodh ky afeksion i çuditshëm me pjesën e padukshme të “ajsbergut” e për rrjedhojë, edhe Kadareja nuk i kishte shpëtuar këtij zbulimi. Kisha lexuar pothuajse gjithçka për jetën e tij private, marrëdhëniet me diktatorin, me shkrimtarët e tjerë, me lexuesin dhe zakonet e të shkruarit, dhe përtej “ndikimeve” të jashtme në formën e presioneve, shpirti im e kishte përthithur këtë shkrimtar ashtu siç kishte bërë me të tjerë emra të mëdhenj të letërsisë botërore.
Dhe kthehem sërish te siguria ime e të diturit gjithçka për mjeshtrin dhe takimi im me të. Disa ditë para se Kadareja të festonte 85-vjetorin, u njoftua një botim i ri, ku në qendër të tij ishte Kadareja vetë. Jo si studim, ku janë me qindra mbi mjeshtrin, si referencë apo analizë e botimeve, por si një rrëfim i sinqertë (e theksuar kjo) i Kadaresë dhënë Alda Bardhylit.
Një intervistë e gjatë, e shtrirë në vite. Sinqeriteti më shtyn të them se isha skeptik në fillim, duke paramenduar një përsëritje, ose në rastin tjetër, një rrëfim të rezervuar dhe jo të drejtpërdrejtë, ashtu siç Kadare e kishte refuzuar përgjatë gjithë jetës së tij të deritanishme.
Duke parashtruar tezën se shkrimtarit i flet vepra, e kisha fjetur mendjen se pas “Dialog me Alain Bosquet”, apo librave të tij eseistikë dhe deri diku autobiografikë, si “Mëngjeset në kafe Rostand”, “Ftesë në studio”, apo “Nga një dhjetor në tjetrin”, të mund të lexoja diçka të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë nga Kadareja, sepse vetë rrjedha e ngjarjeve dhe rrebesheve, nëpër të cilat Kadare ka rendur, ia kanë tretur dhe njëkohësisht ndaluar të drejtën për të qenë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë.
Teksa shfletoja këtë rrëfim, pyetje pas pyetje nisa të kuptoj thelbin, dhe pas çdo përgjigjeje tentoja të evidentoja shkarjen e Kadaresë drejt një “falsiteti” të imponuar nga statura e shkrimtarit të madh, por në të vërtetë u përballa me një rrëfim të brishtë, të sinqertë dhe pa drojë të një njeriu jo lojcak, që rri stoik para gazetares e për rrjedhojë, para një publiku të dyzuar mes dashurisë dhe kundërshtisë (nuk ka urrejtje në këtë mes, shkrimtari mund të ndjellë vetëm xhelozi, por aspak urrejtje) që druaj e kupton, drojë kjo të cilën dhe Kadareja mund ta ketë.
Aty gjen fillesat e Kadaresë, romanet e botuara, ato të ndaluara dhe më pas sërish të lejuara, marrëdhënien me Enver Hoxhën, me Lidhjen e Shkrimtarëve, me Helenën dhe me çdo grua që kaloi qoftë dhe një herë në jetën e tij. Aty gjen vizitën në Kosovë, Parisin, parë nga syri tragjik i një shkrimtari, që vinte nga një realitet i tillë. Miqësitë me Drago Siliqin, me Azem Shkrelin dhe veçoritë e tyre dhe të krejt atyre që Kadareja i çmonte si miq të ngushtë (dhe sërish me një lloj krenarie dhe pezmi, i thosha vetes se dhe ti, mbase në një tjetër kohë, do të kishe qenë një shok i çmuar i Kadaresë).
Dhe teksa lexon, vë re edhe pyetjet analitike, ato personale, por edhe ato të hidhurat, ku Kadareja reagon jo pa emocion si: “A e keni përdorur librin për t’u afruar me Enver Hoxhën?” ose “A mos jeni tepër maskilist në letërsinë tuaj?”. Dhe s’ka aspak qasje intimiduese në këtë intervistë, siç natyrshëm nuk duhet të ketë, por as qasje konformiste, siç prapë nuk duhet të ketë.
Po pse ky rrëfim dhe çdo rrëfim i Kadaresë ngjall reagime dhe krijon zhurmë në opinion dhe përtej kësaj zhurme gjithçka merr trajtën e deformimit, kur analiza dhe vetëpërmbajtja ndaj një gjeniu të këtij kalibri duhet të jetë e natyrshme.
Dhe kur them vetëpërmbajtje nuk kam parasysh mosreagim, por një vetëpërmbajtje të kontrolluar nga faktet dhe rrethanat, në të cilat Kadare, përkundër tyre, arriti të shkruajë atë lloj letërsie magjike, të cilën ia la trashëgimi botës. Dhe sërish bie në kurthin e polemikave banale të kamotshme, të cilat dashje pa dashje, krejt natyrshëm, shoqërojnë jetën e gjenive, prej se bota u krijua e deri më sot.
Në një tezë të shkruar diku dhe të shtjelluar më vonë, theksoj se ngjarjet e kobshme të një vendi të vogël si ky yni, lidhen me mallkimet e shkrimtarëve dhe poetëve fatkëqij, të cilët u vranë padrejtësisht. Por mes kësaj dhimbjeje dhe tragjedie kombëtare, ekziston dhe një tjetër “parim” për përjetësinë, ku për vetë faktin se ata tashmë janë të vrarë, opinioni zhurmëbërës e cilëson si kriter të monumentalizimit.
Dhe përjetësia si kumt, sipas tyre, është destinacion vetëm për të vdekurit. Por fati luan me njeriun dhe pa asnjë dyshim, as njëra palë dhe as tjetra, nuk i shpëtojnë vetvetes. Fati deshi që përkundër çdo rrethane kundërshtuese dhe kobndjellëse, në mesin e një shteti që vuante diktaturën më të egër në Europë, një shkrimtar “i çmendur” deri në gjenialitet, të sfidonte çdo ligësi dhe të shkruante ato vepra magjike.
Pavarësisht situatës ekonomikë apo shoqërore, letërsia është ajo që i barazon kombet e nëse bota do të udhëhiqej në sajë të emrave dhe cilësisë së shkrimtarëve, pa dyshim sot do të ishim përkrah shteteve më të mëdha në botë, e kjo falë Kadaresë.
Ky rrëfim i tij është një gur tjetër i gdhendur në muret e brendshme të kështjellës së Kadaresë, një dëshmi e epopesë kadarejane, e cila përmban destinin e paracaktuar, rendjen drejt përjetësisë.. /panorama.al/KultPlus.com
Sot, në këtë ditë ftohtë dhjetori, tuj udhëtue me autobus, përballë meje, pashë pamjen ma të bukur që syni mund të sodisin. Nji fëmijë të vogël qi puthte t’amën pa pushim. E për dreq nja dy pika lot me ranë njashtu pa i miratue, aq sa më erdh marre prej njerëzve që m’i kishin ngul sytë e më shihnin me habi.
“Burrat nuk kjajnë!”- më erdhën në mend fjalët e tua, qi mi thoje fëmi, kur qaja se nji teke e jemja nuk u plotësonte. Sot, mbas shumë vitesh më kaloi feminia nëpër mend, e m’u kujtu sesa rrallë të kisha puth unë ty nanë, po sa shumë të kisha dasht. Po njashtu, si fmi i llastuem, kurrë s’dita me ta tregue at’ dreq dashnie.
M’u kujtonte fort mirë, kur nji çokollate në dorën teme, ishte gjithmonë nji kafshatë bukë ma pak për tjerët e për ty. Po ti kurrë s’u ankove, po ashtu tuj fsheh brengat nën shami, ndoshta shpesh ke fjet pa u ngi me bukë. Nëpër mend më kaluan kujtimet, e kur i vuna në peshore, më dolën qe ty nanë ma shumë te kam pa tuj kjajt sesa tuj kesh.
Erdh’ nji ditë, kur u bana burrë, e mu desht me e provu emigrimin. Si gjylpanë më therrnin në zemër, lotët e tu, kur më përcolle n’derë, e sa u merzite ti nanë, edhe pse unë kurrë nuk pata kanë djali “ideal” për ty. Kam ec kambë atë natë, maleve të Greqisë e kurrë nuk të thashë sa e vështirë u ba ajo rrugë për mue. Jo prej lodhjes, po se në çdo përfytyrim më dilte fytyra jote, më dilnin lotët e tua që kur i kujtoja, mu bajshin kurth në kambë e me ec nuk më lenin. Dy vjet në vend të huaj, a e di sa më ke mungu nanë? Po asnjiherë nuk e dhashë veten, kur folnim bashkë në telefon, se ti përherë me thojshe: “Burrat nuk kjajnë”.
Eh, më pyet nji herë kur telefonin e mbyllja, e u shtrija ne atë krevat të dalun fare, sesa herë e kam la jastekun me lot. Isha i ri fort, e larg teje s’dukej ndryshe veç si i tretun. E di nanë, asht marre me kjajt, po unë nuk u bana ndonjiherë “burrë”. M’u ka thye zemra shpesh, po ti kurrë nuk e more vesh se ti e din, jam tip i mbyllun, po edhe s’kam dasht me t’i shtue mërzite. E prapë, sot, kur jetën teme e vej në peshore, mërzitem ma fort, se e di se s’të kam dashtë aq sa duhet, ose të kam dasht po nuk kam ditë me ta thanë. E sot unë s’muj me e u gëzue e me u dëfrye, se ndihem në faj, kur e gjej veten të lumtun, tu e dit sa ke vujt. Por, du ta dish, andrra jeme ma e bukur je ti, je dita jeme me diell gjithmonë, je gëzimi ma i madh, edhe pse këto i patëm me pikatore në këtë jetë.
Du ta dish nanë, edhe pse s’ta them, unë sa herë vij në shpi, kur shoh ftyrën tande, çdo të keqe harroj. Nji përqafim i joti, jetën ma shton.
Të du nanë! Të kam dasht gjithmonë, edhe pse kurrë s’ta thashë sa duhet. Djali yt asht krenar për ty!/ KultPlus.com
Unë jetoj në nji pellg! Përballë vendrojes ku përgjoj jetën qi rrjedh, jeton nji vajzë veshun me të zeza. E krrusun prej kryqit , e terun prej dhimbjes. E përpos ketij dënimi, ajo të kjesh e vjen e të nep dorën, tuj zgat rrudhat anash gojës qi kërcasin si dru i shkulun. Bash njit meje do ruba të zeza janë të mbledhuna nën nji kulm, e nata e tyne e gjatë, asht e mbushun me ofshama. Dikush u ka vdekë , po se kush nuk dihet, në pellgun ku jetoj vdesin përditë edhe të gjallët shëmbëllejnë të vdekunit. Dita jeme janë katër mure, njit nji pellgu, qi vrojton frymët e ngrata të frymorëve, e heq kaj copë mish prej vedi , sa herë dikush i falet dekës. Shkul e ruej, shkul e ruej, eshnat, nuk kanë ma mish as shpirt e unë vazhdoj e ruej pellgun njit nji muri të lagësht… / KultPlus.com
Një natë, teksa ecnim rrugëve të zbrazura të qytetit, më pate pyetur : Sa më do!
Dhe unë mbaj mend që të pata thënë:
“E dashur, prej vitesh tashmë vuaj nga një simptomë e çuditshme, e tmerrshme dhe neveritëse po ashtu. Në mëngjes herët kur sapo jam zgjuar dhe në errësirën e dhomës rri e ngul sytë në asgjë, mendoj për ditën e mëparshme. Kam ndjesinë se gjithçka në ditët e mija të shkuara e kam bërë gabim. Gjithçka që i përket së shkuarës ka trajtën e një lëndë të qullët që merr forma të ndryshme. Nëse e godet merr formën e pëllëmbës e nëse e shkel , do mbeten gjurmët e këpucës dhe nis e urrej veten. Mengjesi më merr frymën dhe më bën të mendoj se gjithçka kam bërë nga e shkuara e deri në atë çast ka qënë e poshtër, e pasens dhe e pakuptimtë. Veten e imagjinoj të zhveshur para armiqve dhe më ngjan sikur gishtat e tyre janë drejtuar drejt meje dhe më tallin. Mëngjeset e mija jane mynxyrë, më kallin datën dhe mëndja gjithnjë, shkon e gjen skutat më të thella të nënvetëdijes sime perverse. Kjo nuk është aspak motivuese. Dhe përballë kësaj katrahureje që më bën të urrej veten, ka vetëm një njeri , një fytyrë, një qënie e ardhur ashtu papritur në jetën time, si dëshmi se Zoti më do apo si dhuratë. Mbase si kompensim te gjithë asaj kohe të jetuar në tunel që më bën të kapem pas saj, si pas një force të madhe dhe të papërshkrueshme. Dhe vetja më ngjan me një Jezu Krisht të ringjallur , si dikush që s’ka asnjë të përbashkët me atë të shkuar të zymtë. Në këtë çast unë nis e vërej rrezen e diellit që ka depertuar nga dritarja dhe jeta nis e merr formë në mua nëpërmjet kësaj qënie e cila je ti. Ja pra e dashur, nëse do ta dish, të dua sa ajo rrezja e vockël e dritës që bie mbi dysheme çdo mëngjes, ajo rrezja që më ndjell drejt jetës, drejt teje..” / KultPlus.com
Ti krijesë e bardhë prej qumështi, që shndrit si shenjtor, nuk e di se një mollë si ajo që po kafshon, ta solli vdekjen paradhënie, dhe kërcin e fytit, që na kujton se mbas dere rrinë macet dhe vdekja, dhe përgjojnë çastin tonë të egër. Ti djalosh prej dielli, që krahët shtriq i pashqetësuar nga e ardhmja plot bluarje kockash, rrahje të çmendura zemre, rrudhave që si leshterik të ravijëzojnë lëkurën, dhe dhëmbëve prej porcelani, i vetmi material që dheu nuk e tret, nuk e di se çfarë të pret, se çfarë na pret e krejt mospërfillje prej shenjtori tashmë në amshim, e mospërfill teorinë se : -Të jetosh dhe të vdesësh nuk janë e njëjta gjë…! E se hija që të ndjek sot, nesër do të jetë drita e dikujt tjetër që asgje post teje dhe shpirtit nuk pat’ / KultPlus.com
Fillimet e vështira logjikisht të çojnë drejt fundeve të lavdishme, dhe në mos fundit në kuptim tërësor të lavdishëm, të një rritjeje dhe forcimi moral dhe shpirtëror. Këtë vit mësuam se ne kemi ende forca të fshehura brenda nesh përtej ofshamës ” Nuk mundem dot”. Se mundemi t’ia dalim dhe përtej asaj “Nuk ia dal dot”. Mësuam se dashuria jo domosdoshmërish shfaqet nëpër përqafime dhe se përtej nevojës themelore për të përqafuar, arritëm të duam dhe pa kontakt fizik, madje duke bërë të kundërtën treguam se duam. Se në kohëra të çuditshme, dhe dashuria merr forma të çuditshme. Mësuam të mos ankohemi më për gjëra sipërfaqësore dhe të vlerësojmë njerëzit e pragut (familjen) dhe përtej kësaj mësuam dhe vese të tyre të cilët i kishim harruar të përhumbur në jetën e vrullshme, dhe ishin këto vese të padëmshme që na risollën nga pak fëmijërinë e humbur. Mësuam se liria është thelbësore dhe se ngujimi qoftë dhe në divanin e rehatshëm të shtëpisë është i rëndë, bezdisës, plogështues. U mësuam me gjithçka dhe çdo gjë të cilat na e tronditën jetën, por ia dolëm dhe do ia dalim duke mbajtur dhe kultivuar brenda nesh, ndjenjën për të cilën jemi krijuar ta japim pa kursim, atë me të cilën do kapërcejmë çdo sfidë dhe fatkeqësi, DASHURINË! Ndaj me forcën e idesë se e keqja e madhe tashme ka kaluar, dua t’ju uroj në këtë fundvit të keni forcë dhe vullnet për të përballuar këtë ekzistencë të rëndë dhe të kujtojmë se asnjë fatkeqësi nuk lindi me ne dhe nuk do të vdesë me ne ashtu si çdo e mirë që sjell jeta ka ekzistuar para nesh dhe do vazhdojë të pluskojë mbi jetët që do të vinë. Zoti është përcaktues i kohës sonë, kësaj kohe e cila ka dy anët e saj pothuajse përherë, thuajse gjithmonë. Ndaj dua ta mbyll këtë urim me rreshtat e predikimit nga Bibla të cilët na shpjegojnë kuptimin e kësaj kohe dhe të këtij destini:
“Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell; një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë Ka një Një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle. Një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar” / KultPlus.com
Sot, në këtë ditë ftohtë dhjetori, tuj udhëtue me autobus, përballë meje, pashë pamjen ma të bukur që syni mund të sodisin. Nji fëmijë të vogël qi puthte t’amën pa pushim. E për dreq nja dy pika lot me ranë njashtu pa i miratue, aq sa më erdh marre prej njerëzve që m’i kishin ngul sytë e më shihnin me habi.
“Burrat nuk kjajnë!”- më erdhën në mend fjalët e tua, qi mi thoje fëmi, kur qaja se nji teke e jemja nuk u plotësonte. Sot, mbas shumë vitesh më kaloi feminia nëpër mend, e m’u kujtu sesa rrallë të kisha puth unë ty nanë, po sa shumë të kisha dasht. Po njashtu, si fmi i llastuem, kurrë s’dita me ta tregue at’ dreq dashnie.
M’u kujtonte fort mirë, kur nji çokollate në dorën teme, ishte gjithmonë nji kafshatë bukë ma pak për tjerët e për ty. Po ti kurrë s’u ankove, po ashtu tuj fsheh brengat nën shami, ndoshta shpesh ke fjet pa u ngi me bukë. Nëpër mend më kaluan kujtimet, e kur i vuna në peshore, më dolën qe ty nanë ma shumë te kam pa tuj kjajt sesa tuj kesh.
Erdh’ nji ditë, kur u bana burrë, e mu desht me e provu emigrimin. Si gjylpanë më therrnin në zemër, lotët e tu, kur më përcolle n’derë, e sa u merzite ti nanë, edhe pse unë kurrë nuk pata kanë djali “ideal” për ty. Kam ec kambë atë natë, maleve të Greqisë e kurrë nuk të thashë sa e vështirë u ba ajo rrugë për mue. Jo prej lodhjes, po se në çdo përfytyrim më dilte fytyra jote, më dilnin lotët e tua që kur i kujtoja, mu bajshin kurth në kambë e me ec nuk më lenin. Dy vjet në vend të huaj, a e di sa më ke mungu nanë? Po asnjiherë nuk e dhashë veten, kur folnim bashkë në telefon, se ti përherë me thojshe: “Burrat nuk kjajnë”.
Eh, më pyet nji herë kur telefonin e mbyllja, e u shtrija ne atë krevat të dalun fare, sesa herë e kam la jastekun me lot. Isha i ri fort, e larg teje s’dukej ndryshe veç si i tretun. E di nanë, asht marre me kjajt, po unë nuk u bana ndonjiherë “burrë”. M’u ka thye zemra shpesh, po ti kurrë nuk e more vesh se ti e din, jam tip i mbyllun, po edhe s’kam dasht me t’i shtue mërzite. E prapë, sot, kur jetën teme e vej në peshore, mërzitem ma fort, se e di se s’të kam dashtë aq sa duhet, ose të kam dasht po nuk kam ditë me ta thanë. E sot unë s’muj me e u gëzue e me u dëfrye, se ndihem në faj, kur e gjej veten të lumtun, tu e dit sa ke vujt. Por, du ta dish, andrra jeme ma e bukur je ti, je dita jeme me diell gjithmonë, je gëzimi ma i madh, edhe pse këto i patëm me pikatore në këtë jetë.
Du ta dish nanë, edhe pse s’ta them, unë sa herë vij në shpi, kur shoh ftyrën tande, çdo të keqe harroj. Nji përqafim i joti, jetën ma shton.
Të du nanë! Të kam dasht gjithmonë, edhe pse kurrë s’ta thashë sa duhet. Djali yt asht krenar për ty!/ KultPlus.com
Lufta mes harresës e kujtesës, përpjekjet inidvuale përballë turmës kolektive bashkë me këndvështrimet e shkrimtarit Liridon Mulaj erdhën mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery, përgjatë kohës sa romani i tij ‘’Mos harro të më kujtosh’’ u promovua përpara artdashësve kosovarë, shkruan KultPlus.
Të pranishmit zunë vendet e tyre ngadalë dhe përballë tyre ndodhej një shkrimtar i cili tanimë kishte dëshmuar suksesin e tij në botën e letrave shqipe. Të gjithë u bënë gati që të dëgjojnë fjalët e Mulajt, teksa në fakt foli libri i tij më i ri. Për shkrimtarin i cili vlerësonte se pati fatin të kishte lexues të shumtë, ‘’Mos harro të më kujtosh’’ u bë libri i tij i tretë.
Viti 2017 do të ishte hera e parë kur ai pati guximin t’i dal publikut me një libër të botuar, duke i dhënë emrin ‘’I pakuptuari’’ frymëzimeve të tij poetike. Siç ndodh rëndom me shkrimtarët të cilin nisin hapat e parë në letërsi në vargje, shumë shpejt ai gjeti kurajon të thellohet edhe në rreshtat e prozës. Një vit më vonë, Liridonin filluan ta njohin si prozatorin e ri me librin e tij të dytë të titulluar ‘’Kërkohet një vrasës’’.
Në nëntorin e vitit 2017, Mulaj kishte kapur lapsin për librin e tij të tretë, të cilin e përfundoi në mars të këtij viti dhe filloi me promovime në qytete të ndryshme, duke bërë që libri me të vërtetë të arrijë në dorën e lexuesit. Romanit, i cili është botuar nga shtëpia botuese ‘’Onufri’’, stacioni i parë iu bë kryeqyteti pa lum. Në Festivalin ‘’Fiction Fest’’ Mulaj do t’i lexonte publikut kosovar disa rreshta nga ‘’Mos harro të më kujtosh’’.
Mirëpo, promovimet nisën nga Tirana. Oborri i Galerisë së Arteve do t’i takonte për të parën herë lexuesit e tij për ‘’Mos harro të më kujtosh’’, për të vazhduar edhe me publikun shkodran. Ndërkaq mbrëmë ky roman prej 10 pjesësh la aromën e tij edhe në KultPlus Caffe Gallery.
‘’Letërsia ka gjetë gjithmonë vrimat dhe opsionet për t’i dal përballë dhe per ta ndyshuar çdo situatë’’, u bënë fjalët e para të Mulajt, teksa promovonte librin e tij në kohë pandemie.
Shkrimeve të tij që tanimë kanë zënë vend nëpër raftet e lexuesve të shumtë ai ia dhuronte emrin ‘’letërsia ime e vogël’’, ndërkaq përpjekja për përmirësim ekzistonte edhe tek ai, duke bërë që çdo shkrim të mëparshëm ta shihte si ‘’më të dobët’’, në krahasim me sukseset e së sotmes dhe pritshmëritë e së ardhmes.
‘’Shkrimtari rritet dhe atë që ka lënë pas nuk do më ta sheh. Në qenien tonë vepra është një njollë e biografisë sonë’’, u shpreh Liridon Mulaj.
Miqtë përveç që kishin qenë mbështetësit e tij, ata kishin qenë edhe insistuesit për të kaluar nga poezia në prozë. Pikërisht një mike e afërt e tij, e kishte mundësuar këtë kalim, duke ia mundësuar që ai sot ta ketë ‘’ishullin e letërsisë’’.
‘’Deri më tani kam arritur ta krijoj ishullin tim, ishullin e letërsisë Liridoni me të cilin është kurorëzuar me romanin e fundit dhe me shpresë të madhe do të vazhdoj gjithë jetën’’, theksoj autori Mulaj.
Duke e ditur që përballja e parë e lexuesit te një libër është titulli, Mulaj kishte vendosur t’i vendoste diçka shumë simbolike veprës së tij të tretë. ‘’Mos harro të më kujtosh’’ vjen si një shprehje artistike në mes kujtesës e harresës, si dy shtigje krejtësisht të kundërta por, që përfarojnë tejet shumë mes vete. Madje kujtesa individuale dhe harresa universale janë ato që nuk bëjnë pa njëra tjetrën sipas autorit.
‘’Kujtesa individuale është kur ne harrojmë dikë dhe duke harruar ne praktikisht e kemi vrarë. Gjithmonë një harresë e kushtëzuar e pason një kujtesë të shëmtuar’’, nisi shpjegimin e emërtimit të librit të tij.
Mirëpo përpjekja e njeriut për ta harruar dikë, gjithmonë përfundon me një kujtesë momentale, e që e bën individin të mos ndjehet mirë për këtë.
‘’Një person që ti e harron me dashje do e kujtosh me një lloj ndjenje të hidhur. Kjo është kujtesa individuale të cilën e kemi aplikuar të kundërtën e saj, harresën universale’’, thekson Mulaj.
Pikërisht harresa universale e cila lind nga individi dhe e përfshinë gjithë shoqërinë, për Mulajn mbetet pasqyrë e realiteteve historike.
‘’Harresa universale apo ajo kolektive ka lindur luftëra. Komunizimi ishte një pasqyrë e nazismit. Të gjitha pushtetet, sistemet kishin një përfundim dhe degëzim si vrasjet, shkatërrimet, sistemet totalitare autoritare’’, shpjegoj Liridoni.
Madje për të historia ka gjetur rilindje pikërisht për shkak të harresës universale. Për këtë ai morri shembull edhe Kosovën, duke thënë se ende i ka të hapura plagët e luftës. Në anën tjetër përballë harresës e kujtesës për të mbetet empatia, e cila shumë shpesh mungon sot përbrenda llojit njerëzor.
‘’Empatia dhe dhembshuria janë një thirrje për të ndjerë atë që dikush e përjeton dhe në një moment ta vumë veten në vendin e tij. Ky fenomen ose veçori i mungon realitetit tonë në Shqipëri. Te ne mungon empatia, qasja për të menduar dhe tentuar të ndjejë si ai, jemi kthyer në ishuj, në njerëz që nuk kemi dhembshuri, nuk duam të dijmë për tjetrin dhe përherë tentojmë të harrojmë’’, vlerësonte autori i ‘’Mos harro të më kujtosh’’.
Mulaj romanin e tij e kishte dedikim ndaj brezit të tij në Shqipëri, të cilët i vlerëson që janë në një pozicion ‘’mes dy zjarresh’’, për të kaluarën komuniste dhe përpjekjet demokratike.
‘’Brezi jonë është mes dy brezave, të komunizimit të cilët ishin të vuajtur dhe brezit të ardhshëm që nuk kanë asgjë në mungesë nga bashkëmoshatarët e Evropës’’, nis Mulaj të flas për arsyen e dedikimit.
Për kohanikët e tij ai vlerëson se u detyruan ‘’të ngrënë një qorbë që vet s’e kanë përzier’’ duke aluduar te përjetimi i pasojave që ata nuk ishin shkaktarë.
‘’Ne i morrëm komplekset e brezit të shkruar dhe i shtuam pasigurinë e brezit tonë e mbetëm në mes. Ne jemi brez i paqartë që ka marrë trajtën e një demokracie të brishtë e të pa formë, jemi ne që nuk mundëm të shkojmë dot drejt aspiratave tona’’, shprehet Liridoni.
Teksa e bënte promovimin e romanit të tij përpara gjeneratave të ndryshme të Kosovës, ai ndjeu nevojën e shprehjes së dallimit mes brezave të dy vendeve shqiptare nëpër histori. Në Kosovë fatkeqësia kishte ardhur nga pushtuesi, në Shqipëri fatkeqsinë e kishte shkaktuar dikush nga ta.
‘’Realiteti këtu me realitetin te ne kanë qenë të ndryshme, këtu jo për fajin tuaj, atje për fajin tonë. Këtu keni vuajtur nga një pushtues i huaj, ne kemi vuajtur nga vetvetja’’, sqaronte Mulaj.
Rrugëtimin drejt ‘’Mos harro të më kujtosh’’, Mulaj planifikon ta promovoj edhe më gjerë. Madje, ai sukseset individuale i sheh edhe si shans që të ndërroj pikëpamjet për vendin e tij.
‘’Synimi i çdo shkrimtarit është të kalojmë kufinjtë, të ndërkombëtarizohemi, të universalizohemi, për të treguar një copë nga vendi i vet dhe për të thënë nuk është Shqipëria dhe Kosova që ju e njihni. Nuk janë këta përfaqësuesit e vendit, ka edhe të tjerë’’, shprehet ambiciosi i letërsisë.
Mulaj kishte fatin të niste mbarë rrugëtimin e letërsisë dhe pavarësisht vështirësive të haste në lexues të shumtë, të cilët ia ndjenë fjalën e shkruar. Mirëpo, ai ka një mesazh për të gjithë ata që bota tenton t’i shtyp, në mënyrë që të mos e nisin shkrimin.
‘’Thirrja që kam bërë gjithmonë është të shkruajnë sepse letërsia nga dallim prej shkencave të tjera është diçka që nuk trashëgohet. Shkrimtar mund të bëhet kushdo dhe nuk varet nga pozita ekonomike e shtetit të vet’’, shpjegon Mulaj
Shembull për këtë e merr Kadarenë, i cili arriti të jetë përkrah emrave të mëdhenj të letërsisë dhe ta bëj Shqipërinë të njohur përmes tij. Për fund, ai pati edhe një porosi tjetër për shkrimtarët e rinj.
‘’Edhe nëse nuk arrin të dalësh në elitë, në një piedestal, duhet të shkruash sepse vetëm në këtë mënyrë ti mundesh të çlirohesh nga brengat dhe ankthet’’, u shpreh autori i tri veprave.
Në fund audienca që e dëgjoi Mulajn me plotë dëshirë dhe vëmendje pati rastin ta pyesin drejtpërdrejtë për frymëzimet, personazhet dhe gjithë ecurinë që ai tanimë ka në letërsi.
Mbrëmja organizohet me mbështetje të Drejtorise për Kulturë nga Komuna e Prishtinës/ KultPlus.com