Pse UNESCO e hoqi Liverpoolin nga lista e trashëgimisë?

Foto: Getty Images

Dy shekuj më parë, më shumë se 40% e tregtisë globale kalonte përmes portit të Liverpoolit.

Tullat dhe llaçi që kanë mbetur janë zhytur në këtë histori detare, çka e bëri Unescon ta vendosë qytetin në listën e trashëgimisë në vitin 2004, së bashku me vende të tjera të rëndësishme si Taj Mahal, Venecia dhe Muri i Madh i Kinës, transmeton KultPlus.

Vitet e fundit, megjithatë, zhvillimet në zemrën e vjetër të Liverpoolit kanë ngritur vetullat e trupit të OKB -së.

Janë lëshuar paralajmërime për marrëveshjet e pronës që po nënshkruhen në zonë, dhe tani Liverpooli është hequr nga lista e trashëgimisë.

Për më tepër, Unesco ka lëshuar një paralajmërim se vendet e tjera në Mbretërinë e Bashkuar do t’i bashkohen Liverpoolit nëse qeveria nuk kujdeset më mirë për trashëgiminë e vendit./KultPlus.com

Liverpooli numëron pasojat e humbjes së statusit në UNESCO

Komiteti ka votuar për ta hequr qytetin në veriperëndim të Anglisë nga statusi i tij për shkak të shqetësimeve rreth rizhvillimit, veçmas në bregun e tij

Liverpooli ka përjetuar një moment të rrallë palavdie të mërkurën me rastin e heqjes së tij nga lista e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, pasi e kishte fituar 17 vjet më parë, për shkak të shqetësimeve mbi zhvillimet në qytet, më së shumti në bregdetin e tij të famshëm.

Vendimi është bërë në Fuzhou të Kinës, pas një votimi të fshehtë nga komiteti i UNESCO-s, duke mbështetur rekomandimin e bërë në qershor për ta zhveshur Liverpoolin nga statusi i tij i mbrojtur, një lëvizje kjo që do të jetë goditje për prestigjin e qytetit që po orvatet ta rivitalizojë veten në vitet e fundit. Richard Kemp, kryetar i partisë më të madhe opozitare në Këshillin e qytetit, e ka përshkruar humbjen e statusit si “ditë e turpit për Liverpoolin”.

Një raport i publikuar në qershor nga komiteti shprehte “keqardhje të thellë” dhe theksonte se zhvillimet në qytet dhe në bregdetin e tij kanë “përftuar një përkeqësim serioz dhe humbje të pakthyeshme të atributeve”, si dhe “humbje të ndjeshme të autenticitetit dhe integritetit të tij”.

Liverpooli e fitoi statusin e tij në trashëgiminë botërore më 2004, në përnjohje të historisë së tij tregtare e detare, të reflektuar në një arkitekturë madhështore. Si një prej qendrave më të mëdha të tregtisë botërore në shekujt 18-të dhe 19-të, Liverpooli krijoi mirëqenien e tij kryesisht prej tregtisë transatlantike me skllevër.

Lista e trashëgimisë është e krijuar për të përnjohur dhe ruajtur monumentet, ndërtesat dhe vendet e tjera, ku shtetet anëtare, në mënyrën më të madhe të mundshme, janë të obliguara t’i ruajnë.

Vetëm dy vende të tjera kanë humbur statusin e tyre të trashëgimisë: strehimorja arabe e Oryxit në Oman, më 2007, pasi një numër oriksësh (një antilopë e madhe – v.j.) nisën të pakësoheshin në mënyrë të thiktë dhe Qeveria e kufizoi madhësinë e strehës për 90 për qind; si dhe “Dresden Elbe Valley” në Gjermani, dy vjet më vonë, për shkak të ndërtimit të një ure që kalonte përmes saj.

Në rastin e Liverpoolit, shqetësimi është fokusuar pjesërisht në planin rigjenerues, në vlerë prej 7 miliardë dollarësh, për bregun historik. Projekti përfshin apartamente luksoze dhe ndërtesa të larta, duke ngritur shqetësime se ato mund të rrezikojnë vijën qiellore dhe arkitekturën e tij, duke bërë që qyteti të vendosej në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik më 2012.

Në një deklaratë, bashkiakja e Liverpoolit, Jonne Anderson, ka thënë se ajo është “fort e zhgënjyer dhe e shqetësuar” nga vendimi i së mërkurës.

“Vendi ynë i trashëgimisë botërore nuk ka qenë kurrë në një gjendje më të mirë duke përfituar me qindra miliona funta investime gjatë dhjetëra ndërtesave të listuara dhe domenit publik”, ka thënë ajo. “Ne do të punojmë me Qeverinë për të shqyrtuar mundësinë nëse mund të apelojmë, por çfarëdo që ndodh Liverpooli do të jetë gjithmonë një qytet i trashëgimisë botërore”.

Kim Johnson, ligjvënëse kombëtare, distrikti i së cilës përfshin edhe bregdetin në fjalë, ka thënë në Twitter se vendimi ishte thellësisht zhgënjyes, por Liverpooli do të “vazhdojë të rritet e të zhvillohet si qytet që sjell rigjenerim për të gjithë”.

Ajo ka shtuar: “Vetëm shpresojmë që ne do të respektojmë bregdetin tonë mjaftueshëm sa për të mbështetur dizajnin e mirë që plotëson vijën tonë qiellore me famë botërore”.

Një zëdhënës i Qeverisë britanike ka shprehur gjithashtu zhgënjim, duke shtuar se Qeveria ende beson se Liverpooli e meriton statusin e Trashëgimisë së Mbrojtur “duke marrë parasysh rolin e ndjeshëm që limanet historike dhe pjesa tjetër e qytetit ka luajtur gjatë historisë”.

Liverpooli përftoi mirëqenie të lartë si një pikë tregtare gjatë shekujve 18-të e 19-të, përfshirë edhe atë si porti mbizotërues britanik në tregtinë transatlantike të skllevërve. Qyteti kontrollonte 40 për qind të tregtisë së skllevërve në fund të shekullit të 18-të.

“Liverpooli shpesh është quajtur si ‘kryeqytet botëror i skllavërisë’, për shkak se ishte qyteti-port më i madh në Evropë në tregtinë me skllevër në shekullin e 18-të derisa ndodhi ndalimi ligjor i kësaj tregtie më 1807”, ka thënë Sarah Moody, historiane në Universitetin e Bristolit. International Slavery Museum u hap më 2007 në Royal Albert Dock në zemër të vendit të trashëgimisë së mbrojtur.

Qyteti thotë që 40 për qind e gjithë tregtisë botërore kalonte nëpërmjet portit të tij në fillim të shekullit të 19-të dhe i ruajti pasurinë dhe statusin e tij gjer në fillim të shekullit pasues. /koha/ KultPlus.com

UNESCO i heq Liverpulit statusin e Trashëgimisë Botërore

Liverpulit në Mbretërinë e Bashkuar iu hoq statusi i Trashëgimisë Botërore, pasi një komitet i Kombeve të Bashkuara konstatoi se zhvillimet atje e kërcënojnë vlerën e qytetit.

Vendimi u mor pas një votimi të fshehtë nga komiteti i UNESCO-s në një takim në Kinë.

UNESCO – agjenci për kulturë, arsim dhe shkencë e Kombeve të Bashkuara – tha se zhvillimet e reja, përfshirë stadiumin e ri të planifikuar të klubit futbollistik Everton, kanë rezultuar me një “përkeqësim serioz” të qytetit historik.

Kryetarja e bashkisë së qytetit tha se vendimi është “i pakuptueshëm”.

“Lokacioni ynë i Trashëgimisë Botërore nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë”, tha Joanne Anderson.

Ajo tha se do të bisedojë me Qeverinë britanike për të parë nëse qyteti mund ta apelojë vendimin, i cili, sipas saj, vjen “një dekadë pasi UNESCO e vizitoi për herë të fundit Liverpulin”.

Qeveria tha se është “jashtëzakonisht e zhgënjyer” dhe se beson se Liverpuli ende e meriton statusin e tij të Trashëgimisë Botërore, “marrë parasysh rolin e rëndësishëm që doket historike dhe qyteti kanë luajtur gjatë gjithë historisë”.

Liverpulit i është dhënë statusi i Trashëgimisë Botërore në vitin 2004.

Ai është vendi i tretë që e humb atë, prejse ka nisur përpilimi i listës në vitin 1978.

Shenjtërorja arabe Oryx në Oman e ka humbur në vitin 2007, ndërsa Lugina Dresden Elbe në Gjermani më 2009. / Express / KultPlus.com

Liverpooli refuzon vendosjen në hotelin ku shkelen të drejtat e punëtorëve

Liverpooli ka refuzuar të vendoset në një hotel luksoz të caktuar për të në Doha të Katarit, pasi ka zbuluar një seri të çështjeve të shkeljeve të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur në këtë hotel me pesë yje.

Liverpooli do të jetë në Lindje të Mesme në dhjetor për të garuar në Botërorin e klubeve, në të cilin është kualifikuar pasi fitoi Ligën e Kampionëve në qershor.

Liverpoolit i është ofruar qëndrimi në “Marsa Malaz Kempinski”, një hotel luksoz në ishullin artificial Pearl-Katar, por skuadra angleze refuzoi këtë për shkak të së kaluarës së njollosur të hotelit.

Lajmi për refuzimin e Liverpoolit është bërë i ditur nga “The Athletic”, që ka treguar se skuadra mori këtë vendim pas informatave për të kaluarën e hotelit.

Në tetor të vitit 2018, një hetim i “The Guardian” kishte zbuluar se punëtorët emigrantë të punësuar në hotelin “Marsa Malaz Kempinski” po marrin paga nën minimale në Katar dhe po operohej në kundërshtim me ligjet e punës. / Koha.net / KultPlus.com