Les Echos shkruan për lobimin kulturor të Shqipërisë në BE

Gazetarja franceze Martine Robert vizitoi Tiranën disa javë më parë dhe bisedoi me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro drejtues të institucioneve artistike, publike dhe private, artistë, etj. “Në publik e në privat luhet karta e kulturës europiane”, është shkrimi i botuar në të përditshmen Les Echos nga gazetarja Martine Robert, shkruan KultPlus.

Ndërkohë që Bashkimi Europian do të shprehet në fund të qershorit për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vendi përshpejton lobimin e tij kulturor, nis shkrimi i gazetares.

Galeria Kombëtare e Arteve, që i dedikohej Realizmit Socialist, do të zgjerohet së shpejti, ndërkohë që Muzeu Historik Kombëtar ka hapur një tender ndërkombëtar me qëllim rinovimin e tij. Shqipëria dëshiron të afirmojë dimensionin e saj kulturor kozmopolit në prag të një përgjigjeje vendimtare në fund të qershorit mbi hapjen e negociatave që synojnë pranimin në Bashkimin Europian.

“Shqipëria është një vend i ri në moshë, ku 28% e 3 milionë banorëve janë më pak se 18 vjeç, dhe ku demokracia nuk është më shumë se një çerek shekulli. Ne kemi kaluar pesë shekuj nën sundimin otoman, fituam pavarësinë jo më parë se 1912-a, dhe pesëdhjetë vjet në diktaturë, një nga më të egrat e kontinentit europian, e cila e izoloi vendin dhe ndrydhi sektorin privat. Familja jonë është Europa”, – thekson Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Muzeu më i ri “Shtëpia me Gjethe” gjendet në selinë qëndrore të Shërbimit Sekret për të denoncuar tmerret e diktaturës komuniste. “Gjithë elita intelektuale e vendit u eleminua gjatë asaj periudhe”, sqaron drejtoresha e këtij muzeu, Etleva Demollari.

Në udhëkryq të ndikimeve të shumta kulturore (romake, helene, sllave etj.) dhe fetare (gjatë historisë së tij vendi njohu me ligj ateizmin, çka shpjegon dhe bashkëjetesën paqësore të katolikëve, ortodoksëve, myslymanëve…), Tirana do të përfitojë nga këto ndërthurje : këtë gjë e dëshmon dhe xhamia e Et’hem Beut, në rinovim e sipër, përballë Operas me një arkitekturë sovjetike.

Ndërkohë që qeveria mendon për vendosjen e ligjit të mecenatit bazuar në modelin francez, shfaqen nisma private si Bazement, një qendër arti e menaxhuar nga disa artistë. “Ka ardhur koha të vendosim një skenë artistike këtu”, – thekson piktori Genti Korini.

Ndërsa Përparim Kalo ka hapur një nga galeritë e rralla në Tiranë.

“Numërohen rreth dhjetë koleksionistë në vend, por tregu është ende embrional. Organizoj ekspozita jashtë vendit në mënyrë që artistët tanë të njihen edhe andej, ashtu siç bëra në Këshillin e Evropës në Strasburg, apo nëpër panaire. Po ashtu, po mendoj të hap një sallon dedikuar artistëve të Ballkanit”, – shpjegon ai.

Themeluesi i qendrës kulturore Tulla, Rubin Beqja organizon ekspozita, konferenca, mbrëmje DJ… “Ne tërheqim një publik të ndryshëm dhe një komunitet krijuesish. Është e rëndësishme të kontribuosh që ta bësh Tiranën sa më të dëshirueshme”, thekson ai.

Bashkëpunimi me Francën

“Ne përpiqemi me të gjitha forcat që të rigjenerojmë ekosistemin, ndërkohë që shumë artistë janë larguar jashtë vendit, si Anri Sala për shembull. Institucionet duhet të luajnë një rol të rëndësishëm nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në evente si Bienalja e Venecias”, – shton drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli. Pas fillimit të punimeve për modernizimin e saj, me mbështetjen e mundshme të diasporës, ai shpreson të arrijë në 300.000-400.000 vizitorë në vit kundrejt 125.000 që vijnë aktualisht.

Vetë Kryeministri Edi Rama, edhe ai artist, e ka dhënë shembullin tashmë. Kati i parë i Kryeministrisë është transformuar në një qendër kulturore.

“Qëllimi kryesor është që arti bashkëkohor të jetë i aksesueshëm për të gjithë, me pesë ekspozita në vit pa pagesë”, – komenton Genti Gjikola.

Po ashtu, vila e ish-diktatorit Enver Hoxha sapo është kthyer në qendrën e një ekspozite për të prezantuar dorëshkrimet bizantine, otomane, persiane, veneciane, të nxjerra nga Arkiva e Shtetit. Për arkivistin Sokol Cunga, “këto thesare janë prova e mozaikut kulturor që është vetë Shqipëria”.

Franca, e cila hapi që në vitin 1912 Liceun e Korçës, shoqëron edhe tani këtë nismë të re.

“Shqipëria ka nevojë të njihet. Bashkëpunimi ynë universitar, gjuhësor, artistik, arkeologjik është i rëndësishëm sepse Shqipëria vuan nga imazhi i keq që lidhet me të kaluarën e saj, me korrupsionin, me numrin e madh të azilkërkuesve”, – thekson Rose-Anne Bisiaux, këshilltare për veprimtarinë kulturore në Ambasadën e Francës./ KultPlus.com

https://www.lesechos.fr/industrie-services/services-conseils/0301725884386-albanie-public-et-prive-jouent-la-carte-de-la-culture-europeenne-2180286.php