Xhubleta vjen e shpalosur në të gjitha dimensionet e saj në festivalin tradicional që promovon traditat malësore, “Logu i Bjeshkëve”.
Lajmin e dha sot kryeministri Edi Rama, i cili ndau foto nga kjo veshje shqiptare katërmijëvjeçare.
“Hijeshia e saj mbrohet nga UNESCO, si përkujdesje ndaj kulturës sonë kombëtare me vlera të pasura e të patjetërsueshme”, theksoi më tej kreu i qeverisë.
Në Malësinë e Madhe organizohet eventi i kthyer tashmë në traditë, “Logu i Bjeshkëve”, që bën bashkë artistët, këngëtarët dhe valltarët me fokus promovimiin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Ky aktivitet artistik është një shfaqje unike e folklorit dhe xhubletës.
Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor 2022 në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.
Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste.
Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar e ziles. Kryesisht e zezë me motive shumëngjyrëshe të qëndisura, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit. Ajo tregonte statusin social dhe ekonomik të mbajtësit. Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike./atsh/ KultPlus.com






