Rita Ora dhe Dua Lipa mund të performojnë në hapjen e Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë

Ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 që do të zhvillohen në Kosovë mund të jetë shumë më spektakolare se sa mund të imagjinohet.

Kjo pasi në këtë ceremoni mund të performojnë dy yjet botërore të muzikës, Rita Ora dhe Dua Lipa.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi për media i Komitetit Olimpik të Kosovës në Konferenca ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, ku nikoqire është Agjencia e Lajmeve KosovaPress.

Ai tha se në këto lojëra nuk do të ketë vetëm sport, por edhe kulturë dhe art dhe është duke u punuar që të sigurohet performanca e të dy yjeve në atë mbrëmje të madhe.

Tutje, Krasniqi shtoi se Kosova e pati më të lehtë ta fitojë organizimin e kësaj ngjarje të madhe për shkak të rezultateve mbresëlënëse që kanë arritur në arenën ndërkombëtare vajzat e xhudos duke siguruar medalje të arta evropiane e botërore.

Në panelin e dytë, folës është presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymberi, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Taulant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror. / KultPlus.com

Kosova gati të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2023

MKRS nëpërmjet një komunikate ka njoftuar për vizitën e komisionit vlerësues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), shkruan KultPlus.

Më poshtë është njoftimi i plotë i MKRS-së mbi këtë vizitë.

Komisioni vlerësues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) këto ditë ka përfunduar vizitën në Prishtinë mbi kandidaturën për Lojërat Mesdhetare 2030

Pas takimeve të djeshme me krerët e institucioneve të Qeverisë sonë, komisioni vizitoi disa prej hapësirave që do të jenë pjesë integrale e ekosistemit sportiv të Lojërave Mesdhetare 2030.

Vizita e ekipit filloi në Qendrën e Studentëve, kompleks i cili do t’i akomodojë funksionet e Fshatit Mesdhetar gjatë Lojërave Mesdhetare, ku ekipi vizituan dhomat, hapësirat përcjellëse dhe ato që do të shërbejnë për ushtrime. Vizituan edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit, stadiumin “Fadil Vokrri” ku do të mbahen gara për disa nga sportet e parapara. Shprehëm dedikimin tonë drejt krijimit të të gjitha kushteve infrastrukturore për gara kualitative dhe zhvillimin sa më të qëndrueshëm të sportit në shtetin tonë në mbështetje të talentit të zhvilluar dhe në zhvillim e sipër që e ka rinia e Kosovës.

Përtej lojërave, kandidatura e Republikës së Kosovës do të ketë efekt jetëgjatë duke treguar vizion për qëndrueshmëri, gjithëpërfshirje dhe angazhim të rinisë, me të cilat kemi për qëllim të lëmë pas trashëgimi të prekshme e të mirëfilltë, duke u dhënë sportistëve tanë hapësirë për zhvillim ndërkombëtar.

Vizita përfundoi në ballkonin e hapur të ndërtesës së Qeverisë, duke e falenderuar përzemërsisht komisionin për këtë vizitë të mirëpritur nga e gjithë Qeveria. Ritheksuam përkushtimin tonë për sportin, sportistët, trajnerët, zyrtarët, vulletarët e tërë komunitetin sportiv e sportdashës në Republikën e Kosovës.

Raporti përmbledhës i komisionit do të prezantohet në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së, që mbahet më 8 shtator 2023, ku do të bëhet edhe përzgjedhja e nikoqirit të Lojërave Mesdhetare 2030/ KultPlus.com