Albin Kurti uron sportistët për arritjet e tyre në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”

Medalistët e Lojërave Mesdhetare Oran 2022, në krye me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, janë pritur të hënën nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili shoqërohet nga ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çeku dhe zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani.

Të pranishëm në takim ishin edhe drejtuesit e Federatave të Xhudos së Kosovës (FXHK) dhe Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), Agron Kuka dhe Enver Krasniqi, trajneri i xhudos, Driton Kuka, dhe ai i boksit, Besim Brahimi, kampionia olimpike Rio 2016, Majlinda Kelmendi, si dhe sekretari i përgjithshëm i FBOXK, Latif Demolli.

Ekipi ynë fitoi gjashtë medalje në Oran 2022, pesë nga xhudo dhe një nga boksi. Të artat i fituan xhudistet Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Laura Fazliu, ndërsa të bronztat xhudistët Akil Gjakova e Flaka Loxha dhe boksieri Shpejtim Bajoku.

Kryeministri Kurti përgëzoi ekipin për suksesin e arritur, duke thënë se sportistët vazhdojnë ta bëjnë krenarë vendin tonë me paraqitjet e tyre në garat ndërkombëtare, derisa vlerësoi lartë rritjen e numrit të medaljeve nga katër vjet më parë, kur numri i medaljeve të fituara në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018 ishte katër.

Presidenti Ismet Krasniqi theksoi se përkundër që Algjeria nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, mikpritja e tyre ishte tejet e ngrohtë, ndërsa simbolet tona shtetëtore ishin kudo, duke mos hasur as në më të voglin problem.  Tutje, i pari i KOK-ut, shtoi se numri i rritur i medaljeve nga Tarragona 2018, jep shpresë se edhe në Lojërat Olimpike Paris 2024 numri i medalistëve do të rritet nga Tokio 2020.

Për paraqitjen e ekipit tonë dhe suksesin e arritur folën edhe ministri Çeku, kryetarët e federatave, trajnerët, por edhe sportistët, të cilët janë optimistë për suksese të reja në arenën ndërkombëtare. /KultPlus.com