Notari Adell Shaboviq në Lojërat Olimpike, ministri Çeku: Ai ka shënuar rekord shtetëror

Komiteti Olimpik i Kosovës, ka njoftuar se notari Adell Shaboviq, ka garuar sot në Lojërat Olimpike Paris 2024, garë të cilën e ka përfunduar me kohë 51.77 sekonda, duke dalë i dyti në baterinë e tij.

“Në përgjithësi, u rendit i 58-ti nga 79 garues, duke lënë prapa 21 notarë. Koha e tij e sotme është rekord shtetëror”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, ministri i Kulturës në Kosovë, Hajrulla Çeku u shpreh se Shaboviq ka shënuar sot rekord shtetëror.

“Garën në Lojërat Olimpike #Paris2024, e përfundoi me kohë 51.77 sekonda, duke dalë i dyti në disiplinën e 100 metrave stil i lirë. Përkundër që kësaj radhe nuk arriti kualifikimin, jemi gjithmonë krenarë me përkushtimin e tij”, ka shkruar Çeku në rrjete sociale.

Tutje, ai tha se sportistët tanë plot potencial, po na nderojnë çdo ditë./KultPlus.com

Ministri Çeku: Sot nis rrugëtimi i sportistëve tanë në Lojërat Olimpike

Ministri i Rinisë, Kulturës dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se sot do të fillojë rrugëtimi i sportistëve nga Kosova, në Lojërat Olimpike Paris2024.

“Sot nis rrugëtimi i sportistëve tanë në Lojërat Olimpike #Paris2024“, ka shkruar ai.

Tutje, Çeku ka shkruar se të gjithë i kemi sytë nga ata dhe se iu urojmë shumë suksese, duke shtuar se ndihemi të gjithë krenarë./KultPlus.com

Rreth 300 mijë tifozë në hapjen e Lojërave Olimpike në Paris

Për herë të parë në histori, ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike do të mbahet në lumë. Lumi Sena në Paris do të jetë skena e këtij eventi madhështor, ku pritet të marrin pjesë rreth 300 mijë tifozë.

Kjo ceremoni unike do të jetë një spektakël i papërsëritshëm, duke shënuar një fillim të jashtëzakonshëm për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Ceremonia hapëse, e cila do të mbahet më 26 korrik, do të përfshijë një parade madhështore nëpër lumë, me sportistë që lundrojnë përgjatë Senës në anije të zbukuruara.

Parakalimi i sportistëve do të nisë nga ura Austerlitz dhe do të përshkojë 6 kilometra, duke kaluar pranë disa prej monumenteve më të famshme të Parisit, si Kopshti i Bimëve, Invalides, Pallati i Madh dhe Kulla Eifel, për të përfunduar te Trocadéro ku do të mbahet finalja e ceremonisë.

E pjesë e këtij parakalimi do të jenë edhe sportistët e ekipit olimpik të Kosovës, të cilët me krenari do të prezantohen me flamurin shtetëror.

Për ata që nuk do të kenë mundësinë të jenë të pranishëm fizikisht në Paris, ceremonia hapëse dhe një maratonë e tranmetimeve të garave olimpike ju pret në ekranin e Radiotelevizionit të Kosovës. 

Deri në 40 vende mund të bojkotojnë Lojërat Olimpike “Paris 2024”

Deri në 40 vende mund të bojkotojnë Lojërat Olimpike të ardhshme, duke e bërë të pakuptimtë të gjithë ngjarjen, tha ministri i sportit dhe turizmit i Polonisë, Kamil Bortniczuk, transmeton KultPlus.

Komentet e tij erdhën pasi Polonia, Lituania, Estonia dhe Letonia refuzuan së bashku një plan të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të lejuar rusët dhe bjellorusët të konkurrojnë në 2024.

Ukraina ka kërcënuar se do të bojkotojë Lojërat Olimpike të Parisit nëse kjo ndodh.

Por IOC tha të enjten se çdo bojkot vetëm do të “dënojë atletët”.

Bortniczuk tha se ai besonte se do të ishte e mundur të ndërtohej një koalicion prej 40 vendesh, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, për të mbështetur një bllokim në planet e IOC përpara një takimi më 10 shkurt.

Ai shtoi: “Duke pasur parasysh këtë, nuk mendoj se do të përballemi me vendime të vështira përpara Olimpiadës dhe, nëse do të bojkotojmë lojërat, koalicioni ku do të jemi pjesë do të jetë mjaft i gjerë për ta bërë të kotë mbajtjen e Lojërave”.

IOC njoftoi javën e kaluar se do të “eksploronte një shteg” për të lejuar atletët rusë dhe bjellorusë të garojnë në Paris nën një flamur neutral, duke shtuar se “asnjë atlet nuk duhet të pengohet të garojë vetëm për shkak të pasaportës së tyre”. /KultPlus.com

Ministria e Kulturës ndanë më shumë se 56 mijë euro për sportistët në Lojërat Olimpike 2022

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i ka ndarë 56 mijë e 815 për sportistët që pritet të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.

“Me qëllim të përgatitjes dhe pjesëmarrjes së sportistëve të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, Komiteti Olimpik i Kosovës, do të përkrahet edhe me një vlerë financiare prej 56 mijë e 815 euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku dhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi.

“Për këtë u nënshkrua sot aneks memorandumi i bashkëpunimit mes MKRS-së dhe KOK-ut.Po ashtu, kjo marrëveshje do të shërbejë për përpilimin e Planit Strategjik të Komitetit Olimpik të Kosovës 2021-24”.

“Mbështetje financiare për KOK-un është prej kategorisë së subvencioneve dhe vjen si përkrahje për organizimin dhe avancimin e sportit në Kosovë dhe pjesëmarrjen e përfaqësimin sa më të mirë të sportistëve tanë në garat ndërkombëtare”.